Tag: teatrit

  • Teatri i Kukullave në 75-vjetor, premiera e parë shfaqja “Fatbardha”

    Teatri i Kukullave në 75-vjetor, premiera e parë shfaqja “Fatbardha”

    Teatri i Kukullave u krijua në vitin 1950 nga një trupë profesioniste dhe jepte çdo vit shfaqje jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë vendin. Një ditë më parë Teatri i Kukullave, më 10 dhjetor festoi 75-vjetorin. Teatri shprehet se për këtë institucion është një histori e ndërtuar me shumë përkushtim dhe artin e qindra mjeshtrave. “75 vite në shërbim të fëmijëve, duke sjellë magjinë e kukullave, buzëqeshje dhe çaste lumturie. Një histori e ndërtuar me dashuri, përkushtim dhe artin e qindra mjeshtrave që kanë dhënë zemrën për këtë institucion të çmuar. Sot, me mirënjohje e respekt, nderojmë të gjithë artistët që kontribuan përgjatë këtyre dekadave, ata që nuk janë më mes nesh, por lanë gjurmë të paharrueshme dhe ata që vazhdojnë me pasion stafetën e trashëgimisë për brezat e rinj”, shprehej Teatri i Kukullave të mërkurën.
    Krijimi i Teatrit Kombëtar të Kukullave në Tiranë si datë historike njeh 10 dhjetor ditë kur u shfaq premiera e parë e mirëfilltë “Fatbardha”, e shkrimtarit sovjetik Shnejdor. Iniciatori i parë, si regjisor, për eksperimentimin e Teatrit të Kukullave ishte Xhemal Broja, i cili mblodhi aktorët e parë si : Marta Burda, Eleni Plasari, Ana Kçira, Myftar Armiri, Avni Resuli e Tiftire Keta, Qenan Toro, Enver Dauti, Melpomeni Çobani etj. Kukullat u përgatitën nga piktori Ndoc Kodheli, dekoret nga piktori Rrok Daberdaku dhe kostumet nga Veta Stillu.
    Teatri i parë profesionist i Kukullave, ishte i përbërë vetëm nga 12 persona nga të cilët: një regjisor, një piktor për kukullat e skenat, pesë aktor, një marangoz, një rrobaqepës, një elektricist, një mashinist dhe një llogaritar. Shfaqja e kësaj pjese u dha në skenën e Kinema Republika, ku zhvilloi aktivitetin e tij Teatri i Kukullave që nga mbarimi i vitit 1950 dhe deri në vitin 1955. Në shfaqjet e Teatrit Kombëtar të Kukullave përdoren kukulla me tela, kukulla marionetë, maska, teatro hijesh e pantomima, si dhe shfaqje me aktorë.

  • Shfaqja “Martesa” në teatër, një udhëtim në përditshmëri dhe ëndërr

    Shfaqja “Martesa” në teatër, një udhëtim në përditshmëri dhe ëndërr

    “Martesa” vepër nga autori Witold Gombrowicz dhe në regji të Norbert Rakowskit sjell një rrëfim mbi jetën e përditshme dhe njeriun e zhytur në ëndërr. Shfaqja e regjisorit Norbert Rakowski në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë këtë dhjetor solli këtë herë në skenë interpretimin e aktorëve nga Kosova.
    Një histori, që kërkon të zbulojë tensionet e fshehura, ëndrrat e parealizuara dhe botën e brendshme të njeriut që endet mes reales dhe imagjinares. Në skenën teatrore në shfaqje interpretuan aktorët Armend Smajli, Shkëlzen Veseli, Ylber Bardhi, Mensur Safqiu, Sheqerie Buçaj, Era Balaj dhe Adhurim Demi, duke ofruar emocione, reflektim dhe ndjesi që preknin publikun. Kjo performancë teatrale në Teatrin Kombëtar në Tiranë këto ditë krijoi një përvojë, që nxiti mendimin, preku zemrat dhe solli artin në jetën e përditshme të të pranishmëve. Dramaturge Zoga Çeta Çitaku, skenografe Maria Jankowska, kostumografe Paola Grocholska dhe kompozitor Tomor Kuçi.
    Me këtë shfaqje Norbert Rakowski fitoi edhe çmimin “Regjisori më i mirë” në festivalin e teatrit “Moisiu”. Festivali i teatrove shqiptare “Moisiu” këtë vit në edicionin e tretë të tij u mbajt në Prishtinë nga 22 deri më 27 nëntor dhe juria ishte e përbërë nga Arben Derhemi, Arben Bjaraktaraj, Drita Kaba -Karaga dhe Helidon Fino.
    Vepra “Martesa” që është shfaqur më parë në Kosovë, por erdhi dhe për publikun në Tiranë, ajo u publikua për herë të parë në gjuhën spanjolle në vitin 1948, gjatë kohës sa autori Witold Gombrowicz po qëndronte në Buenos Aires të Argjentinës. Më pas u publikua në gjuhën polake në vitin 1953, dhe u vendos në skenën e teatrit për herë të parë në vitin 1960.

  • Dy vjet pa aktorin e njohur, Mirush Kabashi

    Dy vjet pa aktorin e njohur, Mirush Kabashi

    Dy vjet më parë u nda nga jeta aktori i mirënjohur i teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Mirush Kabashi.

    Ai lindi më 17 prill 1948 në Shkodër, por u rrit në Durrës. Origjina e familjes Kabashi ishte nga Gjakova.

    Mirush Kabashi dha një kontribut të madh në kinematografinë shqiptare ndërsa numërohen rreth 100 role në teatër dhe filma. Gjithashtu, është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë shqipe.

    Në 1970 u diplomua për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe filloi punë në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Aty vazhdoi deri në vitin 1994, duke pasur edhe rolin e drejtorit, 1991-1993. Më pas punoi në Televizionin Shqiptar, në departamentin e Programeve Artistike si ideator dhe prezantues, kurse nga 2002 e në vijim në Teatrin Kombëtar. Nga viti 1985, me periudha të ndërprera u aktivizuar si pedagog i “Mjeshtërisë së Aktorit” pranë Akademisë së Arteve.

    Një pjesë të jetës së tij ia kushtoi edhe teatrit me rolet e tij të larmishme, ku ndër to më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apologjia e fundit e Sokratit”. Roli i Sokratit është ndoshta kulmi i tij artistik.

    Kabashi është vlerësur me titujt “Nderi i Kombit”, “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.

    Mirush Kabashi u nda nga jeta më 5 dhjetor 2023.

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    INTERPRETIMI RRËQETHËS I MIRUSH KABASHIT QË PATI PËRLOTUR DHE EMOCIONUAR TË GJITHË (VIDEO)

  • Në datën 8 dhe 9 dhjetor, në Teatrin Kombëtar, shfaqja “Rendi i ri” e Kiço Londos

    Në datën 8 dhe 9 dhjetor, në Teatrin Kombëtar, shfaqja “Rendi i ri” e Kiço Londos

    Nga Julia Vrapi
    Drama “Rendi i ri” rikthehet këtë sezon artistik në skenën e teatrit, duke tërhequr vëmendjen e publikut me një mesazh të fortë dhe aktual. Vepra me regji nga Kiço Londo dy mbrëmje me radhë shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë këtë dhjetor, ku aktorët japin interpretime të fuqishme, duke marrë mbi supe ngarkesën dramatike të personazheve. Vepra do të shfaqet në datat 8 dhe 9 dhjetor në skenën e Teatrit Kombëtar te “ArTurbina”, ku çdo dialog dhe çdo veprim është i ndërtuar me kujdes për të reflektuar realitete, që janë të njohura për publikun tonë. Regjisori i njohur Kiço Londo e ka drejtuar shfaqjen, duke kombinuar elementë  të dramës fortë me dhunën e ashpër fizike. Kasti i aktorëve përfshin në role Era Çaushin, Xhoana Karajn, Aleksandër Kondin dhe Igli Fusha. Përkthimi është nga Natasha Habilaj, kostumet nga Silvi Vrapi dhe as/regjisor është Fabio Rrapushaj .Së bashku ata krijojnë një botë skenike ku historia e katalanasit Sergi Pompermayer shpaloset me intensitet dhe alternime të vazhdueshme të gjendjeve dramatike, duke iu afruar temës së shfaqjes me një estetikë të kombinuar të fjalës dhe trupi. Ky rikthim i “Rendit të ri” nuk është vetëm një ngjarje artistike, por edhe një thirrje për reflektim mbi realitetet sociale dhe politike që jetojmë. Vepra konfirmon rolin e Kiço Londos si një nga regjisorët e rëndësishëm bashkëkohorë shqiptarë dhe nënvizon fuqinë e teatrit për të zgjuar ndërgjegjen dhe për të hapur dialog mbi çështje të rëndësishme shoqërore. Drama “Rendi i ri”, e shkruar në vitin 2014 ishte dhe vepra teatrore e parë premierë për këtë sezon artistik nga Teatri Shëtitës “Çajupi”, që udhëhiqet nga regjisori Kiço Londo, ku në vijim të programit të tij këtë muaj do të jenë në skenë të tjera shfaqje për publikun.
     Drama në skenë
    Një sallë autopsie e braktisur, tre veta që kanë rrëmbyer një ish ministre dhe drejtoreshë banke. Kriza i bashkon ata. Dhunë, përdhunim, traumë, racizëm klasor. Ekipi i aktorëve përcjell me mjeshtëri të lartë emocionet që ndryshojnë vazhdimisht drejt ekstremit. “Estetikë antisistem për një shfaqje kundra sistemit. Ajo prek në thellësi e me tension dramatik të lartë, varfërinë, pikëllimin, korrupsionin, humbjen e shpresës për të ardhmen, nënën, në një mënyrë që nuk të lë indiferent”, thuhet në materialin e teatrit.  Drama “Rendi i ri”, e shkruar në vitin 2014, një kohë kur kriza ekonomike po “godiste” klasën e mesme, duke çuar mijëra njerëz në dëshpërim, po prezantohet për herë të parë në Shqipëri. Thellësisht social, shkruar në një mënyrë imagjinative dhe me një gjuhë të guximshme, nga shkrimtari, skenaristi, profesori i universitetit dhe regjisori spanjoll Sergi Pompermayer (Barcelonë 1967), vepra nxjerr në pah realitetin e zymtë dhe të ashpër të viteve të fundit, të cilin shumë njerëz e kanë përjetuar, në shumë vende. Drama “Rendi i ri” me regji nga Kiço Londo është dhënë më parë edhe në skenë e teatrit të Gjirokastrës, të qyteti të Vlorës, si dhe të qytetit të Fierit, ndërsa këtë dhjetor për dy mbrëmje me radhë do të jetë dhe në skenën e teatrit në Tiranë.

  • Kalendari i Teatrit Eksperimental, Gjergj Përvazi: Do të kemi premierë shfaqjet “Bufalo”, “I huaji” dhe “Djali i Zeller”

    Kalendari i Teatrit Eksperimental, Gjergj Përvazi: Do të kemi premierë shfaqjet “Bufalo”, “I huaji” dhe “Djali i Zeller”

    Me rolin e “Babait” në shfaqjen e Teatrit Eksperimental, Viktor Zhusti u vlerësua me çmimin e aktorit më të mirë në Festivalin Mbarëkombëtar, që u mbajt në fund të nëntorit në Prishtinë.

    Pas kthimit nga Kosova, trupa e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” vijon punën për disa vepra që do të shfaqen për publikun gjatë dhjetorit. Muaji i fundit i vitit vjen me tre shfaqje premierë. Pas “Nënës’ dhe “Babait”, triologjia e Florian Zeller do të përmbyllet me veprën “Djali” që do të vijë për herë të parë për publikun shqiptar. Ndërsa në ditët e fundit të vitit do të kemi mundësi të shijojmë një vepër të absurdit, më të njohurën e shkrimtarit Albert Kamy.
    “Kemi një premierë për fëmijë ‘Bufalo’ dhe dy premiera për të rritur, ‘I huaji’, që do të vijë në 19 dhjetor dhe ‘Djali i Zeller’. Me këtë rast, mbyllim edhe triologjinë familjare të këtij autori të jashtëzakonshëm bashkëkohor. Jemi në përfundim të shfaqjes ‘I huaji’ të Kamy, me regji të një regjisori italian”, shprehet Gjergj Prevazi.
    Me një kalendar të ngjeshur, teatri mirëpret fëmijët, adoleshentët dhe të rriturit në shfaqje të dedikuara për ta.
    “Çdo fundjavë, do të kemi shfaqje për të rritur në mbrëmje dhe për fëmijë në mbrëmje. Në kuadër të programit ‘Edukim përmes artit’ kemi shfaqje me shkolla dhe kopshte. Deri në ditët e fundit të viti, jemi plot me aktivitete”, shton Prevazi.
    Si një institucion që përkrah artistët e rinj, edhe në planin për vitit e ardhshëm, Teatri Eksperimental do të ketë vazhdimisht audicione, thekson drejtori Gjergj Prevazi: “Është në strategjinë tonë që në çdo institucion të përfshihen aktorë, regjisorë, kompozitor të rinj”.
    I vendosur në ambientet e Arturbinës, “Kujtim Spahivogli” funksionin prej 11 vitesh si një teatër gjithëpërfshirë, edukues dhe argëtues.

    Top Channel

  • “Si ta doni” komedi e Shekspirit, shfaqja më e mirë në festivalin “Moisiu”

    “Si ta doni” komedi e Shekspirit, shfaqja më e mirë në festivalin “Moisiu”

    “Si ta doni”, një komedi nga Shekspiri u vlerësua si shfaqja më e mirë në festivalin e teatrit “Moisiu”, që u zhvillua në Prishtinë në Kosovë. Në përmbyllje të festivalit mbarëkombëtar “Moisiu” në Prishtinë, Teatri Kombëtar i Shqipërisë u vlerësua me disa çmime. Shfaqja më e mirë  “Si ta doni”; Aktorja më e mirë protagoniste – Luli Bitri; Aktori i dytë më i mirë- Florian Agalliu; Kostumografia më e mirë- Blagoj Micevski; Kompozimi më i mirë- Endri Sina.
    Komedia romantike për dashurinë dhe lirinë nga William Shakespeare, produksion i Teatrit Kombëtar në Tiranë me regji nga John Blondell hapi dhe festivalin mbrëmjen e datës 22 nëntor dhe u shfaq në Sallën e Kuqe në Prishtinë. John Blondell është regjisor, drejtor artistik dhe profesor me karrierë ndërkombëtare. Themelues i Lit Moon Theatre Company në Santa Barbara (SHBA) dhe Verona Shakespeare Fringe Festival në Itali, ai ka drejtuar mbi 110 produksione në SHBA, Evropë dhe Azi. Komedia që ishte pjesë e sezonit artistik në TK ka në role aktorët Luli Bitiri, Genti Deçka, Elia Zaharia, Dritan Boriçi, Lulzim Zeqja, Donald Shehu, Florian Agalliu, Ilirda Bejleri, Erjona Kakeli, Laert Vasili, Ina Gjonçi, Flaura Kureta, Besmir Bitraku, Krist Lleshi dhe Enes Ajazi. Skenograf e kostumograf Blagoj Micevski, kompozitor Endri Sina. Komedia romantike  me regji nga John Blondell në mbrëmjet e fundit të tetorit ishte premierë në skenën e Teatrit Kombëtar dhe me këtë shfaqe teatri u prezantua dhe në festivalin “Moisiu” në Prishtinë që këtë vit zhvilloi edicionin e tretë të tij.
    Festivali “Moisiu” zhvillohet midis Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dhe solli këtë edicion në Prishtinë trupat kryesore teatrore, dhe disa nga shfaqjet më të spikatura të sezonit artistik. Në mbrëmjen e datës 27 nëntor në Prishtinë u zhvillua dhe ceremonia mbyllëse e festivalit.

  • Muzika e filmave shqiptarë, koncert festiv në Teatrin Kombëtar që nderon kompozitorët e shquar shqiptarë

    Muzika e filmave shqiptarë, koncert festiv në Teatrin Kombëtar që nderon kompozitorët e shquar shqiptarë

    Krijimet e kompozitorëve më të njohur shqiptarë gjallëruan skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit.

    Në një mbrëmje kushtuar festave kuqezi, orkestra e teatrit dhe orkestra e RTSH-së riktheu tingujt e jashtëzakonshëm të filmave shqiptarë, nga Nëntori i Dytë, Skënderbeu, Dimri i Fundit, Gjeneral Gramafoni, Liri a vdekje apo Në shtëpinë tonë.
    “Të gjitha forcat bashkohen kur muzika flet më shumë se gjithçka tjetër. Sot foli fort nëpërmjet tingujve të kompozitorëve, që i kanë dedikuar jetën krijimtarisë”, u shpreh drejtori i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Aulon Naçi.
    “Ne dalim gjithmonë në skenë, por të luash vepra që të gjithë njerëzit i këndojnë kudo është përgjegjësi e madhe”, u shpreh Elron Katroshi klarinetë e parë e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
    “Pashë njerëz të prekur në sallë, njerëz që e mirëpritën këtë shfaqje me filmat më të bukur dhe muzikën më të mirë të filmave”, tha përgjegjëse e marketingut, Arta Haxhui.
    Përmes kolonave zanore që na sjellin shumë kujtime, ky koncert festiv ishte dhe një homazh për kolosët Çesk Zadeja, Kujtim Laro, Limoz Dizdari, Zef Çoba e Aleksandër Peçi.
    “Ka filma që mbahen për të bukur më shumë nga muzika. Është fat që filmi shqiptar ka pasur kolosë dhe është fat i këtyre kompozitorëve që kanë bërë muzikë të mrekullueshme që nuk i është prekur. Ata kanë qenë të lirë dhe kanë qenë larg vërejtjeve dhe shkurtimeve që pësonte figura apo zëri”, u shpreh aktorja Rajmonda Bulku
    Për rreth dy orë, publiku udhëtoi pas në kohë, drejt kujtimeve të fëmijërisë përmes momenteve ikonike të filmave shqiptarë.
    “U kënaqëm, shumë nostalgji, ata artistë nuk vijnë më”, shprehet një spektatore.
    “Na çoi shumë vite pas… kompozitorë të jashtëzakonshëm, e shijuam shumë”, thotë dikush tjetër.
     
     

    Top Channel

  • Nxënësit festojnë 28-29 nëntorin, holli i Teatrit të Operas dhe Baletit vishet me ngjyrat kuq e zi

    Nxënësit festojnë 28-29 nëntorin, holli i Teatrit të Operas dhe Baletit vishet me ngjyrat kuq e zi

    Holli i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit u vesh këtë të enjte me ngjyrat kuq e zi, ndërsa nxënës të shkollave të ndryshme sollën motive të pasura të traditës shqiptare. Gjatë gjithë eventit, atmosfera u shoqërua nga zërat brilantë të korit.
    Nxënësit e veshur me kostume popullore risollën elementë karakteristikë të trashëgimisë kulturore.
    Të vegjëlit zgjodhën të ftojnë të pranishmit në një “odë burrash”, duke përcjellë qëndrimin krenar e fisnik.

    Nuk munguan punime të veçanta artistike, nga piktura e deri te qëndisjet që përfaqësojnë historinë e kombit tonë.
    Ky aktivitet i programit “Art dhe Zeje” dhe nismës “Shkolla qendër komunitare”, bashkoi 17 shkolla të Tiranës, duke krijuar një atmosferë festive dhe emocionuese , një kartolinë e festave të 28 dhe 29 Nëntorit./vizionplus.tv

  • “Komisar Daltoniko”, shfaqja premierë në Teatrin Metropol nga 21 deri më 23 nëntor

    “Komisar Daltoniko”, shfaqja premierë në Teatrin Metropol nga 21 deri më 23 nëntor

    Një aktor që po interpreton një roli në skenën e teatrit shtanget kur një Komisar kërkon të arrestojë. Një teatër brenda teatrit është vepra “Komisar Daltoniko”, që nis sonte si premierë absolute në Teatrin Metropol.

    “Është një tekst i një autori Italian, e cila na përfshiu në emocionet e veta, në bukurinë dhe të papriturat e veta. Na përfshiu dhe ne ia dolëm të krijojmë disa figura artistike që jam i bindur publiku do t’i pëlqejë”, u shpreh Bujar Aqeriu.
    Vepra ndërthur komedinë, sarkazmën, ironinë dhe groteskun. Përmes absurdit, reflektohet e përditshmja jonë.
    Adelina Muça u shpreh se “Nuk sjellë vetëm problematikat e artistëve, por sjell porblematikat e gjithsecilit. Shpesh herë, në detyrat që Naseri më ka dhënë, kamë ndjerë thellë brenda vetes ç’ do të thotë të uuresh, të jesh viktimë e urrejtjes, viktimë e një mekanizmi që nuk funksionon si duhet”.
    “Është një qasje e autorit dhe regjisorit që nxjerr problemet e individit, jo vetëm si individ, por si shoqëri për problemet socio-ekonomike dhe raporti i këtij profesioni me gjërat që ndodhin në përditshmëri”, tha Marjus Dhrami.
    Ishte regjisori Naun Shundi që nisi punën për të sjellë para publikut këtë komedi të konceptuar në një format modern. Sot në nder të tij, kjo shfaqje vjen nën regjinë e Naser Shatrollit.
    “Është format që futet në konturet e teatrit paradoksal, absurdi është kudo prezent në këtë rrjetën e madhe që ndërtohet gradualisht dhe vetë artistët e shndërrojnë në një burg ose paraburgim të vetvetes”, tha Naser Shatrolli, regjisor.
    Edhe skenografia është një personazh më vete në këtë shfaqje.
    “Është një skenografi sa e thjeshtë në dukje, aq edhe konceptuale, për vetë faktin që vepra flet në koncept. Ngre problemet e institucioneve, të atij njeriu që vishet me kostum dhe pengon artin”, u shpreh Sara Doda, skenografe.
    Komisar Daltoniko fton publikun në Teatrin Metropol nga data 21-23 nëntor.

    Top Channel

  • “Det i thellë blu” premierë këtë nëntor në skenën e Teatrit Kombëtar, një dramë mbi dashurinë dhe humbjen

    “Det i thellë blu” premierë këtë nëntor në skenën e Teatrit Kombëtar, një dramë mbi dashurinë dhe humbjen

    Nga Julia Vrapi
    “Det i thellë blu” këtë nëntor premierë në skenën teatrore. Vepra e autorit  Terence Rattigan vjen në skenë premierë me regji nga Rovena Lule. Një dramë  mbi dashurinë dhe humbjen, që sjell në skenë aktorë të njohur të teatrit. Shfaqja teatrore këtë nëntor është për tre mbrëmje me radhë në skenë për publikun, ndërsa është në vijim të premierave këtë sezon artistik që po vijon me shfaqje në skenë. Ester, gruaja e një gjyqtari të respektuar, braktis gjithçka për dashurinë e një piloti të ri. Por pasioni i saj kthehet në dëshpërim dhe e çon drejt një përplasjeje mes jetës, dashurisë dhe vetvetes. “Det i thellë blu” është një nga veprat më të fuqishme të dramaturgut britanik Terence Rattigan, një histori emocionale që zhytet në thellësitë e shpirtit njerëzor. Në skenën tonë teatrore vepra “Det i thellë blu” një dramë rrënqethëse mbi dashurinë dhe humbjen, vjen me regji nga Rovena Lule, që është dhe një nga zërat më të veçantë të regjisë bashkëkohore shqiptare.
    Në jetën artistike Rovena Lule Kukën e kemi parë edhe me role të ndryshme si aktore, ndërsa këtë herë në teatër nën drejtimin e saj si regjisore aktorët do të interpretojnë në “Det i thellë blu”. Në dramën që shënon premierën në skenën e Teatrit Kombëtar te salla “ArTurbina” në Tiranë janë aktorët Olta Daku, Alfred Trebicka, Igli Zarka, Neritan Liçaj, Anila Bisha, Donald Shehu, Niada Saliasi dhe Florian Agalliu. “Mos e humbisni këtë dramë që të mban pezull mes pasionit dhe dhimbjes”, thuhet nga teatri për këtë dramë që do të jetë në skenën për publikun në mbrëmjet e datave 28, 29 dhe 30 nëntor.
    Përkthyes i veprës Durim Taçi, kostumografe Berina kokona, skenografia Genc Shkodrani dhe muzika në shfaqje nga kompozitori Endri Sina. Terence Rattigan është një nga emrat e rëndësishëm të dramaturgjisë britanike. I njohur për mjeshtërinë e tij në krijimin e dramave psikologjike, të provokuara nga konfliktet e brendshme dhe emocionet e pathëna, Rattigan ndërtoi një stil unik, që vazhdon të ndikojë teatrin kontemporan në mbarë botën. Ndër dramat e tij më të njohura përmendim: The Deep Blue Sea; The Winslow Boy; Separate Tables; The Browning Version; After the Dance.
     Premierat në sezonin artistik të teatrit
    Sezoni i ri artistik sjell në skenën e Teatrit Kombëtar shfaqje të ndryshme. Drama dhe komedi janë në kalendarin artistik të Teatrit Kombëtar , ku në vijim të shfaqjeve teatrore që janë produksion i këtij institucioni do të jetë edhe shfaqja “Det i thellë blu”. Këtë sezon në skenën e  Teatrit Kombëtar janë në program dhe vepra të Shekspirit. Komedia “Si ta doni” e Shekspirit me regji nga Jonh Blondell ishte premiera e parë këtë sezon artistik në skenën e teatrit. Sezoni i ri artistik do të sjellë në skenën e Teatrit Kombëtar te “ArTuribna” në Tiranë edhe një dramë mbi tragjedinë naziste. “Drejtësi në Nuremberg” shkruar nga Abby Mann është një dramë mbi tragjedinë naziste dhe përgjegjësinë morale të individit, që do të jetë premierë dhe si pjesë e sezonit të ri artistik 2025-2026 të Teatrit Kombëtar.