Tag: prishtinës

  • 9 ditë protestë/ Rikthehet më në fund, transporti urban në Prishtinë

    9 ditë protestë/ Rikthehet më në fund, transporti urban në Prishtinë

    Perplasjet politike në Kosovë u bënë shkak për të bllokuar edhe transportin urban në kryeqytet.
    U deshën 9 ditë protestë që ministia e financave e drejtuar nga ministri në detyrë Hekuran Murati, të merrej vesh me komunën e Prishtinës për të alokuar fondet e prapambetura, dhe që qytetarët të fillojnë të përdorin këtë shërbim.
    “Më në fund ka filluar alokimi i pjesshëm i mjeteve financiare prej 25 milionë eurosh nga borxhet e vitit 2024, nga Ministria e Financave drejt kryeqytetit.
    Drejtoria e Financave e kryeqytetit do të vazhdojë punën sot, jashtë orarit të rregullt të punës, me qëllim të procesimit sa më të shpejtë të pagesave”, ka njoftuar kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
    Për shkak të borxheve, “Trafiku Urban” dhe transportuesit privatë ndërprenë shërbimet që prej javës së kaluar dhe protestuan përpara godinës së Komunës së Prishtinës dhe qeverisë.
    Zgjidhje është gjetur vetëm pas vendimit të Kuvendit Komunal për alokimin e mjeteve financare, pas të cilit nisi lëvrimi i fondeve nga Ministria e Financave.
    Gjatë ditëve të kaluara, Komuna dhe qeveria në detyrë kanë akuzuar njëra-tjetrën për situatën e krijuar.

  • Rikthehet transporti publik në Prishtinë pas më shumë se një jave mungesë

    Rikthehet transporti publik në Prishtinë pas më shumë se një jave mungesë

    Autobusët e transportit publik e rifilluan punën të mërkurën në mëngjes në Prishtinë, më shumë se një javë pasi i kishin lënë banorët e kryeqytetit të Kosovës pa transport publik, si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes komunës dhe Qeverisë në detyrë.
    Trafiku Urban në Prishtinë njoftoi të martën vonë se do ta rifillonte punën dhe autobusët e tij u panë duke qarkulluar nëpër rrugët e kryeqytetit mëngjesin e së mërkurës.
    Në njoftimin e saj, Trafiku Urban theksoi se po rifillonte shërbimet pasi kishte nisur ndarja e mjeteve nga Ministria e Financave në detyrë dhe pagesa e faturave dhe borxheve nga Komuna e Prishtinës ndaj tij dhe transportuesve privatë.

    “Gjatë ditëve të fundit, ndërprerja e transportit ka qenë e pashmangshme për shkak të pamundësisë financiare të krijuar nga mospagesa e detyrimeve të Komunës ndaj ndërmarrjes”, tha ajo.
    Në muajt e fundit, Qeveria në detyrë dhe zyrtarët komunalë kanë shkëmbyer akuza të vazhdueshme ndaj njëri-tjetrit për gjendjen e ndërlikuar me financat në komunë.
    Transporti publik u rikthye pasi Ministria e Financave në detyrë i ndau të martën 2.7 milionë euro për mallra dhe shërbime për komunën e Prishtinës, disa ditë pasi komuna i miratoi të hyrat vetanake të vitit 2024, në vlerë prej 28 milionë euro.
    Ministri i Financave në detyrë, Hekuran Murati, tha të martën se kjo shumë ishte proceduar veçmas nga pjesa tjetër prej 25.9 milionë eurove e projekteve kapitale, “në mënyrë që të kryhet sot me prioritet, sepse kapitalet duke qenë në shumë linja marrin kohë më gjatë dhe nuk ishte e mundur të kryheshin sot”.
    Ai i arsyetoi vonesat në ndarjen e të hollave për komunën, pas kritikave të vazhdueshme nga kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama.
    “Vendimi i marrë nga Komuna e Prishtinës të enjten në mbrëmje për të hyrat vetanake, sipas legjislacionit në fuqi fillimisht duhej të kalonte verifikimin e ligjshmërisë, proces ky që bëhet nga ana e MAPL-së”, tha Murati.
    Murati shtoi se “është për keqardhje sjellja e deklaratat dezinformuese nga ana e komunës së Prishtinës që gjoja Ministria nuk po bën alokimin e mjeteve, kur në fakt edhe ata vetë e dinë që kemi të bëjmë me procedura që nuk mund të tejkalohen”.
    Mosmarrëveshjet me komunës dhe Qeverisë në detyrë detyruan qytetarët e kryeqytetit gjatë gjithë javës së kaluar dhe fillimit të kësaj jave të shikonin për alternativa për të udhëtuar.

  • Nëntë ditë pa autobusë në Prishtinë, protesta vazhdon

    Nëntë ditë pa autobusë në Prishtinë, protesta vazhdon

    Punëtorët e transportit publik “trafiku urban” dhe operatorëve privat në Kosovë edhe sot do të bllokojnë rrugën nga Qeveria deri te objekti i Komunës së Prishtinës, në shenjë proteste për borxhin që kjo e fundit ka ndaj tyre.

    Ata kanë paralajmëruar se protesta do të vazhdojë derisa të alokohen mjetet nga Komuna e Prishtinës.
    Të enjten më 27 nëntor është mbajtur një seancë e jashtëzakonshme në kuvendin komunal të Prishtinës, ku u votuan transferimi i mjeteve vetjake në vlerë 28 milionë euro.
    Pritet që Ministria e Financave t’i alokojë paratë nga thesari tek komuna për të vazhduar alokimi i mjeteve për te transporti publik dhe privat.
    Komuna i detyrohet trafikut urban 2.4 milionë borxh dhe 2 milionë operatorëve të sektorit privat.
    Nga 24 nëntori, trafiku urban nuk ka funksionuar duke mos ofruar shërbime për qytetarët dhe duke protestuar para Komunës së Prishtinës.

  • Ibrahim Rugova: Estetika dhe politika

    Ibrahim Rugova: Estetika dhe politika

    Foto: Hazir Reka

    Ibrahim Rugova i përket brezit të 68-tës, dhe më tej Qarkut Kulturor të Prishtinës. Në fund të viteve gjashtëdhjetë të shekullit njëzet Prishtina u bë qytet universitar duke u prirë nga një lëvizje e fuqishme studentore e kulturore, që mblidhte për të parën herë të rinjtë e tokave shqiptare: në Kosovë e rreth Kosovës.Kjo lëvizje kulturore e intelektuale, krejt natyrshëm e bëri qendrën në Universitetin e Prishtinës, për ta shpërndarë ndikimin e vet çlirues edhe në shtresa të tjera të shoqërisë. Fuqia e kësaj lëvizjeje u përqendrua në kulturë e krijimtari, me artikulim më të fuqishëm në letërsi, me shenjën e fuqishme nacionale e autentike dhe me shenjën e modernitetit përnjëherësh, shkruan Sabri Hamiti.

    Sipas tij, njëri nga më përfaqësuesit e kësaj lëvizje është Ibrahim Rugova, me përcaktim kritik letrar e studiues i letërsisë dhe i kulturës shqiptare.

    Rreth librit “Refuzimi estetik”

    Sipas akademik Sabri Hamiti “Refuzimi estetik”, është libri i fundit kritik i Ibrahim Rugovës, ndërsa në trajtën e ndërtimit formal duket të jetë vazhdim i librit të mëhershëm Strategjia e kuptimit.

    “Kjo jo vetëm sepse e përbëjnë kryesisht tekste kritike që lidhen me autorë bashkëkohorë dhe vepra e ide letrare aktuale, por edhe pse kapitujt e tij nuk emërtohen në bazë të çështjeve të shqyrtuara, por në bazë të klasifikimit të formave të kritikës së autorit. Në këtë vështrim, kemi një vetëklasifikim të shkrimit të autorit”.

    Ndërsa vetë autori, Ibrahim Rugova, në parathënien e këtij libri tregon se në këtë libër janë përfshirë disa ese, kritika, vështrime e studime të botuara brenda viteve 1980 – 1986.

    “Klasifikimin e tyre e bëmë sipas zhanreve të kritikës dhe të studimit në tri pjesë: Teori e kritikës, Ese e kritikë dhe Vështrime e studime, ngjashëm me një klasifikim që patëm bërë në librin Strategjia e kuptimit (1980), do të thotë se në njëfarë dore edhe ky libër do konsideruar si vazhdim i tij në planin tematik dhe në atë të prosedeut kritik”.

    Në vazhdim mund ta lexoni një pjesë të shkëputur nga libri “Refuzimi estetik”:

    Estetika dhe Politika

    Zhvillimi i tezës sonë mbi refuzimin estetik na shpie te raporti i njohur arti, apo estetika dhe politika. Pak histori për kthjellim. Duke u nisur nga tradita letrare evropiane, pra nga antika greke, e në formë më doktrinare nga vepra Politeja (Qyteti, Shteti) e Platonit, do shohim më mirë historinë e raporteve, apo të konflikteve midis artit dhe politikës, apo pushtetit. Etimologjia e fjalës Politikë vjen nga kuptimi i shtetit, si formë e pushtetit. Kështu, titullin e veprës së Platonit, herë e përkthejnë Shtet e herë Republikë me atë latine, në përkthimet moderne, pra me atë latine si res publica, si diçka e përgjithshme, si gjë publike, si gjë e hapur. Pos tjerash, edhe çështjen e artit Platoni e merrte si res publica, si gjë publike, si çështje apo interes të përgjithshëm, thënë me terminologji më moderne. Dhe duke ia shtruar artin interesit të gjësë së përgjithshme, në praktikën dhe në teorinë estetike u ngritën raportet më të precizuara arti-politika, arti-ideologjia, apo estetika-politika në planin teorik e filozofik.

    Pos në këtë vepër, ku Platoni e vënte artin në shkallë më të ulët të botës së ideve duke e lidhur me konceptin e mimesisit, ai këtë e bënte edhe në dialogun për Ijonin, ku poetin omonim endacak nuk e çmonte si njeri të mendjes, po më shumë të ndjenjës, të ekstazës dhe boheminë e tij e lidhte me veprën e tij, me recitimet e tij, pra me artin oral të tij. De facto Platoni e gjykonte artin e tij në bazë të sjelljeve të autorit, të Ijonit.

    Mendojmë se këtu zë fill përzierja e raportit autori-vepra, që në shoqërinë bashkëkohore mori forma të pazgjidhshme, deri në kohën tonë. Kështu lind gjykimi i veprave për shkak të autorëve apo i autorëve për shkak të veprave, pra çështja e gjykimit të krijuesit. Pastaj Horaci kërkon nga arti të ketë edhe të këndshmen e edhe të dobishmen, dulcei et utilei.Çdo shoqëri kërkon idenë e vet, madje edhe artin e vet, po çdo shoqëri nuk mund të bëjë artin e vet, sepse arti krijohet në të gjitha shoqëritë apo sistemet, apo në të gjitha politikat. Mund të themi se çdo shoqëri ka politikën e vet, e artin e vet jo, sepse arti është i të gjitha shoqërive, sepse ngrihet përmes refuzimit dhe aprovimit estetik që përmban në vete.

    Në vazhdën e këtij argumenti historik, mesjeta me ideocentralizmin e saj relegjioz, kryesisht përmes krishterimit e kufizoi zhvillimin e ideve dhe të mendimit të lirë, e madje toleroi vetëm atë tip të letërsisë që i përçonte idetë apo ideologjinë e saj, pra vetëm letërsinë religjioze dhe letërsinë kalorsiake.

    Dominonte utopia teiste pa përjashtim. Renesansa me decentralizimin e saj dhe me ringjalljen e kulturës antike e të gjuhëve dhe popujve të tjerë, pos latinitetit kristian, ngriti vetëdijen e kohëve moderne dhe çlirimin gradual të ideve dhe të artit në përgjithësi. Në frymën e Renesansës do shikuar edhe renesansën në kuptimin teologjik – reformën e Luterit.

    Thënë ndryshe Renesansa i ngriti në nivel kulturor gjuhët popullore në vetë vatrën e latinitetit, ku vepronte imperializmi i gjuhës latine dhe në viset e tjera të Evropës. Në këtë kohë të Renesansës dhe të reformave teologjike i kemi edhe veprat e para shqiptare nga Barleti dhe Buzuku dhe nga shkrimtarë të tjerë. Konflikti, apo mospajtimet midis artit dhe politikës vijuan edhe në shtetet borgjeze deri në kohën tonë dhe për këto të përmendim dënimin e veprës së Bolderit për shkak të përmbajtjes së saj dhe zhdukjen misterioze të Emil Zolas, si duket për arsye të mbrojtjes së Drajfusit e raste të tjera. Në shoqërinë socialiste që u konstitua pas Revolucionit të Tetorit (1917), me dëshirë që artin ta fusë nën kontrollin e vet sidomos në vitet ‘30 në BRSS u zhdukën dhe u dënuan shumë vepra e shumë shkrimtarë. Në formë tjetër të platformës nacionale-naziste në Gjermaninë e Hitlerit u persekutuan shumë shkrimtarë, dijetarë e filozofë dhe u detyruan të largohen nga vendi. Le ta përkujtojmë Tomas Manin me këtë rast. Do përmenduar se edhe pas Luftës së Dytë në shumë vende socialiste u persekutuan autorë dhe u anatemuan vepra të ndryshme.

    Në historinë e kulturës dhe të letërsisë shqiptare kemi raste të këtij konflikti. Kështu në shek. XVII Budi zhduket në mënyrë misterioze nga Vatikani, meqë kërkonte konstituimin e inteligjencës kishtare shqiptare, pastaj Nezimi zhduket nga autoritetet turke, si duket për popullaritetin e tij dhe për veprën që e bënte në gjuhë të vet.

    Është sunjifikativ edhe rasti i S. Frashërit, i cili nga fundi i shekullit të kaluar po sillte kulturën evropiane në Turqi, por kur e shkroi veprën, “Shqipëria ç’ka qënë…”, u mbyll në burg shtëpiak. Këto të dhëna nga kultura jonë, flasin për konfliktin e intelektualëve shqiptarë me pushtetin pushtues. Në kohën e Monarkisë shqiptare të Zogut, intelektualët shqiptarë u ndeshën me pushtetin e brendshëm, pra të kombit të vet. Kështu një kohë u injoruan Çajupi, Asdreni, Grameno e të tjerë dhe në vitet ‘30 kemi edhe viktimën e parë fizike të këtij pushteti, ekzekutimin me vdekje të intelektualit të ri Ismet Totos, për shkak të pjesëmarrjes në kryengritjen e Delvinës më 1937. Për këtë raport në kohën pas luftës e këndej nuk po flasim në kulturën shqiptare në përgjithësi, por pati raste të mospajtimeve ideologjike dhe estetike, e në Jugosllavi edhe vetëm për shkak të ngritjes së letërsisë shqiptare, e cila para luftës nuk mund të krijohej në gjuhën amëtare.

    *Shkëputur nga libri “Refuzimi estetik” i botuar nga Sh. B. “Faik Konica” më 2005

    Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në Cerrcë të ko­munës së Istogut. Më 1945 komu­nis­tët jugosllavë ia pushkatuan ba­bain. Shkollën fillore e mbaroi në vendlind­je, ndërsa shkollimin e me­sëm në Pejë, më 1967. Diplomoi në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prish­tinës, më 1971.

    Gjatë një viti aka­demik (1976-77) qëndroi në Paris, në École Prati­que des Hautes Études, nën mbikëqyrjen e prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Më 1984 mori doktoratën në letërsi në Universitetin e Prishtinës.

    Më 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

    Ibrahim Rugova Është autor i dhjetë librave. Ishte që në nismë redaktor në gazetën e studentëve “Bota e re” dhe në revistën shkencore “Dituria” (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Pastaj, për afro dy dekada, punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës si hulumtues i letërsisë. Për një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës Gjurmime albanologjike.

    Më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

    Më 1989 u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë politike në Kosovë, që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komu­nist në fuqi.

    Në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të 24 majit 1992 u zgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës, ndërsa në mars të vitit 1998 u rizgjodh Kryetar i Republikës, kur partia e tij, LDK-ja, fitoi shumicën e vendeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

    Nën udhëheqjen e Rugovës, LDK-ja fitoi 58% të votave të elekto­ratit në zgjedhjet lokale, të sponsorizuara ndërkombëtarisht, në Kosovën e pasluftës, në tetor të vitit 2000. Në mbështetje të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 17 nëntorit 2001, u zgjodh Kryetar i Kosovës.

    Më 1995, iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Dani­markë; më 1996, u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII Sorbonë, Francë; më 1998, iu nda Çmimi Saharov i Parla­mentit Evropian; në vitin 1999, mori Çmimin për paqe të qytetit Mynster (Münster), Gjermani; në vitin 1999 u shpall qytetar nderi i qyteteve ita­liane: Venedik, Milano dhe Breshia (Brecscia); në vitin 2000, mori Çmi­min për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrasco i Formiguera”, në Barcelonë, Spanjë, doktoratën e nderit Honoris causa të Universitetit të Tiranës më 2004, etj..

    Gjatë karrierës së tij politike u takua me shumë burrështetas perën­dimorë e botërorë.

    Vdiq në Prishtinë më 2006.

    Veprat:

    Prekje lirike, Prishtinë, 1971;Bibliografia e kritikës letrare shqipe, Prishtina, 1974;Kah teoria, Prishtinë, 1978;Kritika letrare / koautor Sabri Hamiti/, Prishtinë, 1979;Strategjia e kuptimit, Prishtinë, 1980;Vepra e Pjetër Bogdanit 1675-1685, Prishtinë, 1982;Kahe dhe premisa të kritikës shqiptare 1504-1983, Prishtinë, 1985;Refuzimi estetik, Prishtinë, 1987;Pavarësia dhe demokracia, Prishtinë, 1991;The Glowof Passion, një antologji e letërsisë bashkëkohore në ish-Jugosllavi, në gjuhën angleze, Prishtinë, 1991.Marie-Françoise Allain, Xavier Galmiche: I. Rugova, La question du Kosovo, Paris, 1992;Marie-Françoise Allain, Xavir Galmiche: I. Rugova, Çështja e Kosovës, Pejë, 1993.Kompleti i veprave të Ibrahim Rugovës në tetë vëllime, Faik Konica, Prishtina, 2005.

    E përgatiti: A. S. – ObserverKult

    Lexo edhe:

    DITA E PESTË E FESTIVALIT POETIK TË PRISHTINËS I KUSHTOHET TËRËSISHT POETËVE TË RINJ

    DITA E KATËRT E FESTIVALIT POETIK TË PRISHTINËS/ LEXIME POETIKE E PROMOVIME, DEBAT PËR TEATRIN, KËNGË KORALE

    DITA E TRETË E FESTIVALIT POETIK TË PRISHTINËS/ POEZI, KRITIKË , DEBAT E MUZIKË…

    DITA E DYTË E FESTIVALIT POETIK TË PRISHTINËS/ PROMOVIM LIBRI, DEBAT TEMATIK, TAKIME POETIKE…

    DITA E PARË E FESTIVALIT POETIK TË PRISHTINËS I KUSHTOHET LETËRSISË SHQIPE NË MAQEDONI

  • Prishtina në kaos, transporti publik do të jetë i pezulluar edhe nesër

    Prishtina në kaos, transporti publik do të jetë i pezulluar edhe nesër

    transporti publik ne prishtine

    KOSOVË- Transporti publik në Prishtinë do të jetë i pezulluar edhe ditën e nesërme, ndërsa greva e punëtorëve do të nisë nga ora 10.00.
    Kështu ka konfirmuar për Radio Kosovën, kryetari i Sindikatës së Trafikut Urban, Ilmi Gashi, duke thënë se greva do të vazhdojë deri në momentin që Komuna e Prishtinës ta shlyejë borxhin që ka ndaj operatorëve publikë dhe atyre privat.
    Duke filluar nga ora 10.00 e mëngjesit deri në orën 12.00, Trafiku Urban do të bllokojë rrugët nga Qeveria e Kosovës deri te Komuna e Prishtinës, në shenjë proteste për mosmarrjen e pagave dhe mos alokimin e borxhit nga Komuna e Prishtinës. Kryetari i sindikatës së Trafikut Urban në Prishtinë, Ilmi Gashi, duke folur për Radio Kosovën tha se sigurimi i fondeve të nevojshme për pagesa dhe stabiliteti i shërbimeve të transportit urban, janë dy kërkesat bazike të kësaj greve.
    “Nesër fillon greva në orën 10.00 deri në orën 12.00, me autobus do të dalim për bartjen e punëtorëve tanë deri të objekti i Komunës. Greva do të vazhdojë deri në momentin e alokimit të mjeteve në xhirollogarinë e Trafikut Urban. Vendimi që është marr të premten, ende nuk ka arritur për vërtetim në Ministrinë e Financave dhe atje e kemi premtimin që në momentin e verifikimit ato të alokohen në Komunën e Prishtinës dhe më pas komuna do të bëjë shpërndarjen sipas obligimeve që detyrohet. Nëse nuk alohohen, greva vazhdon në ditët me radhë, varësisht nga kushtet që do të kemi”, tha ai.
    Gashi ka shprehur keqardhjen për vështirësitë që janë shkaktuar nga pezullimi i transportit publik, por ka thënë se në momentin që mjetet alokohen, shërbimi i transportit publik do të rikthehet pa asnjë vonesë.
    “Ky vendim ka mundur të merret edhe muaj më parë, por pse ka ndodh kështu, e dinë ata vet. Sigurisht kanë pritë protestë me bë. Është njollë e keqe me prit protestë për ta marr një vendim. Shpresojmë shumë që të mos vjen në këtë gjendje më, qyteti i Prishtinës”, shtoi ai.

  • Vazhdon protesta, as sot s’ka transport publik

    Vazhdon protesta, as sot s’ka transport publik

    Banorët e Prishtinës, për të tretën ditë me radhë janë detyruar që të bëjnë zgjidhje alternative në mungesë të transportit publik. Për pasojë, kolona të gjata janë krijuar në kryeqytet e qytetarët janë përballur me pritje të gjata, ndërkohë që Qeveria në detyrë dhe zyrtarët komunalë kanë vazhduar akuzat ndaj njëri-tjetrit për situatën e komplikuar në komunë.
    Transportuesit e “Trafikut Urban” dhe ata privatë protestuan dje para Komunës së Prishtinës e Qeverisë duke kërkuar që t’u bëhet pagesa. Në një formë tjetër të protestës, ata për më shumë se dy orë pranë objektit të Komunës së Prishtinës dhe po ashtu pranë objektit të Qeverisë, vendosën autobusët. Në këtë segment të rrugës që lidh dy institucionet u krijuan kolona të gjata.
    Sindikalistët e “Trafikut Urban” dhe operatorëve publiko-privat kanë thënë se grevën do ta vazhdojnë deri në realizimin e kërkesës së tyre. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha dje se sa i përket situatës me punëtorët e Trafikut Urban, Ministrit Muratit as që i intereson kjo pjesë. Tha se i ka bllokuar edhe fonde të tjera, teksa pjesëmarrja e tij në protestën e punëtorëve tha se erdhi me ftesë të tyre.
    “I kanë bllokuar edhe fondet e tjera, edhe fondin për investime kapitale e shumë fonde tjera që na kanë pamundësu me i kry punët në kryeqytet, e me na qit neve keq që me i fitu zgjedhjet. Ministrit në detyrë nuk i intereson, pa asnjë emocion sillet ndaj protesuesve. Më ftuan dhe u bashkangjita”.
    Ai tha se punëtorët kanë punuar me muaj të tërë pa pagesë, me shpresën se pas zgjedhjeve do të paguhen.

  • Prishtina vijon të jetë në kaos, qytetarët humbasin punën, transporti publik vijon grevën

    Prishtina vijon të jetë në kaos, qytetarët humbasin punën, transporti publik vijon grevën

    Për të dytën ditë radhazi mijëra qytetarë të Prishtinës janë përballur me ndërprerjen totale të transportit publik.
    Për shkak të bllokadës financiare në Komunën e Prishtinës, i gjithë sistemi i autobusëve si ai publik ashtu edhe ai privat, ka ndaluar funksionimin duke lënë stacionet e qytetit të zbrazëta.
    Që nga orët e para të mëngjesit, qytetarët që zakonisht kanë si zgjidhje vetëm autobusin për të shkuar në punë, shkollë apo për nevojat e tyre të përditshme, janë detyruar të kërkojnë alternativa të tjera.

    Në shenjë proteste, punëtorët e transportit kanë bllokuar disa nga rrugët kryesore të Prishtinës me autobusë, duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme të situatës.
    Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama ka akuzuar Ministrinë e Financave në lidhje me këtë kaos, pasi sipas tij ka bllokuar fondet.
    Por nga ana tjetër, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës në mungesë të kauzave të saj politike ka vendosur ta marrë peng kryeqytetin.
    Ai është shprehur se ajo që po ndodh është një betejë politike që lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka vendosur ta bëjë në kurriz të qytetarëve./vizionplus.tv

  • Prishtina pa trasport publik/ Ministri Murati i përgjigjet akuzave të Ramës: Komuna s’bëri pagesat

    Hekuran Murati dhe Përparim Rama

    PRISHTINË- Ministri i Financave të Kosovës Hekuran Murati, ka reaguar ndaj akuzave të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, i cili tha se transporti publik urban do të pezullohet për shkak të bllokimit të buxhetit nga qeveria Kurti.
    Murati përmes një postimi në rrjetet sociale deklaroi se janë alokuar fondet e dhjetorit për Komunën e Prishtinës që të premten, madje para afatit ligjor, por stafi komunal nuk ka kryer pagesat dhe i ka lënë për të hënën. Ai akuzoi komunën se po e përdor situatën për propagandë politike në kurriz të qytetarëve.
    Reagimi i plotë:
    Të premten pasdite, Thesari e ka alokuar buxhetin e dhjetorit për Komunën e Prishtinës, para kohe, me idenë që të paguheshin disa fatura për shërbime esenciale, siç ishte energjia elektrike.
    Mirëpo në fund të ditës, nga Thesari më njoftuan që përkundër alokimit, stafi i Komunës së Prishtinës kishin përfunduar orarin dhe nuk e kishin kryer asnjë pagesë, me arsyetimin se “i kryejmë të hënën”.
    Fillimisht u habita, sepse kjo sjellje e tyre nuk përkonte me urgjencën që kishin paraqitur, kur kishin kërkuar alokim të parakohshëm.
    Në vend se të paguanin faturat gjatë orarit të punës, Përparim Rama me nënkryetarët e tij kishin vendosur që të bëjnë propagandë anti-qeveri gjatë fundjavës, duke u ankuar për gjoja bllokadën.
    Sepse po të paguanin faturat të premten, s’do të mund të vazhdonin propagandën të shtunën e të dielen
    Kjo e sqaron edhe arsyen pse Lumir Abdixhiku me deputetët tjerë të LDK-së nuk e votuan buxhetin për Prishtinën në Kuvend.
    Sepse në mungesë të kauzave reale, paskan vendosur që të mos i kursejnë as qytetarët e Prishtinës, me shpresën që mos dikush rastësisht u beson se fajin e paska Qeveria.

    /ZËRI

  • “E kemi kaluar para kohe”/ Pezullimi i transportit publik në Prishtinë, qeveria i përgjigjet kryebashkiakut: Buxheti…

    “E kemi kaluar para kohe”/ Pezullimi i transportit publik në Prishtinë, qeveria i përgjigjet kryebashkiakut: Buxheti…

    Ministri në detyrë i Financave në Kosovë, Hekuran Murati, ka reaguar pas konferencës së kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama i cili tha se shumë shërbime rrezikojnë të ndalen të hënën për shkak të bllokimit të buxhetit, për të cilin Rama tha se po bëhet për shkak të inateve politike.
    Murati ka shkruar përmes një postimi në Facebook se të premten pasdite, Thesari e ka alokuar buxhetin e dhjetorit për Komunën e Prishtinës, para kohe, me idenë që të paguheshin disa fatura për shërbime esenciale, siç ishte energjia elektrike.
    Mirëpo, sipas ministrit, Thesari është njoftuar se stafi i Komunës së Prishtinës kishin përfunduar orarin e punës dhe nuk e kishin kryer asnjë pagesë, me arsyetimin se “i kryejmë të hënën”.
    “Fillimisht u habita, sepse kjo sjellje e tyre nuk përkonte me urgjencën që kishin paraqitur, kur kishin kërkuar alokim të parakohshëm. Në vend se të paguanin faturat gjatë orarit të punës, Përparim Rama me nënkryetarët e tij kishin vendosur që të bëjnë propagandë anti-qeveri gjatë fundjavës, duke u ankuar për gjoja bllokadën. Sepse po të paguanin faturat të premten, s’do të mund të vazhdonin propagandën të shtunën e të dielën”, ka shkruar ai.
    Sipas Muratit, kjo zbulon, sipas tij, edhe arsyen pse Lumir Abdixhiku me deputetët tjerë të LDK-së nuk e votuan buxhetin për Prishtinën në Kuvend.
    “Sepse në mungesë të kauzave reale, paskan vendosur që të mos i kursejnë as qytetarët e Prishtinës, me shpresën që mos dikush rastësisht u beson se fajin e paska Qeveria”, ka shkruar ai.

  • Prishtina pa transport publik nga e hëna, Përparim Rama: Shkak buxheti i bllokuar nga qeveria Kurti

    Prishtina pa transport publik nga e hëna, Përparim Rama: Shkak buxheti i bllokuar nga qeveria Kurti

     
    P

    Përparim Rama

    RISHTINË- Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar sot përmes një konference për media se, duke nisur nga dita e hënë, do të ndërpriten linjat e autobuzave brenda kryeqytetit. Rama u shpreh se kjo vendimmarrje është pasojë e bllokimit të fondeve nga qeveria e Kosovës dhe se një situatë e tillë po ndodh për herë të parë në vend.
    Sipas tij, buxheti për kryeqytetin është ndalur për arsye politike nga qeveria Kurti, konkretisht nga Ministria e Financave. Ai theksoi se Komuna e Prishtinës ka kërkuar alokimin e fondeve për më shumë se një vit, por kërkesat e saj nuk janë marrë parasysh. Kryetari Rama bëri thirrje që institucionet të ndërhyjnë sa më shpejt për të zhbllokuar situatën.
    “Sapo përfundova takimin me ndërmarrjen e transportit publik dhe, që nga nesër, transporti publik fatkeqësisht do të ndalet. Me keqardhje të thellë e them se nuk e kam besuar se qytetarët e këtij vendi do të vihen në rrezik për shkak të çështjeve politike. Në historinë e shtetit të Kosovës, rrallëherë kemi parë qytetarët të rrezikohen deri në këtë shkallë. Për herë të parë po ndodh që qeveria qendrore t’i bllokojë hyrat vetanake të Kryeqytetit, duke cenuar shërbime jetike. Bëhet fjalë për funksione elementare për mirëqenien e fëmijëve dhe familjeve tona. Më shumë se një vit kemi kërkuar në mënyrë të vazhdueshme dhe në përputhje me ligjin alokimin e buxhetit për Kryeqytetin. Asnjë kërkesë nuk është trajtuar,”- tha Rama.
    Reagimi i ndërmarrjes publike komunale Trafiku Urban ka qenë i menjëhershëm. Ajo sqaroi se ndërprerja e transportit publik ndodh për shkak të mungesës së pagave dhe karburantit, dhe se rikthimi në funksion do të bëhet vetëm pas alokimit të mjeteve të bllokuara nga Ministria e Financave.
    “Gjatë ditëve të fundit jeni njoftuar për vështirësitë financiare me të cilat po përballet ndërmarrja. Si pasojë e këtyre vështirësive dhe mungesës së karburantit, përkundër vullnetit tonë, jemi të detyruar të ndërpresim qarkullimin e të gjitha linjave të Trafikut Urban, duke filluar nga e hëna, 24.11.2025. Qarkullimi do të rifillojë menjëherë pas lëshimit të mjeteve nga Ministria e Financave, të cilat i mundësojnë Komunës së Prishtinës të shlyejë obligimet financiare ndaj ndërmarrjes.
    Dëshirojmë të sqarojmë se ndërmarrja ka bilanc pozitiv dhe stabilitet financiar; megjithatë, vonesat e Komunës së Prishtinës në shlyerjen e obligimeve kanë krijuar këtë situatë të paqëndrueshme,” thuhet në njoftim./ZËRI