Tag: presidentit

  • Luan në 4 role, Barcelona e shpërblen Eric Garcia me rinovim deri në vitin 2031

    Luan në 4 role, Barcelona e shpërblen Eric Garcia me rinovim deri në vitin 2031

    11 Dhjetor 2025

    14:25

    Alfred Lleshi

    Eric Garcia, 24 vjeç, ka firmosur zyrtarisht kontratën e re me Barcelonën, e cila do ta mbajë në “Camp Nou” deri në vitin 2031. Mbrojtësi i gjithanshëm i bashkohet kështu listës së lojtarëve me marrëveshjet më afatgjata në klub, së bashku me Joan Garcia, Ronald Araujo dhe Lamine Yamal. Deri tani, kontrata e tij ishte e vlefshme deri në vitin 2026, por Barça nuk ka pasur asnjë dilemë për vazhdimësinë e tij, duke vlerësuar profesionalizmin dhe paraqitjet shumë të mira.
    Nënshkrimi u krye në zyrën e presidentit Joan Laporta, në prani të zv.presidentit Rafa Yuste, drejtorit sportiv Deco dhe menaxherit të lojtarit, Iván de la Peña. Edhe prindërit dhe motra e Eric ishin të pranishëm në ceremoninë e firmës.
    Këtë sezon, Garcia është adaptuar në 4 pozicione të ndryshme. Hansi Flick i ka besuar atij si qendërmbrojtës nga të dyja anët, ashtu edhe si mbrojtës i djathtë, madje edhe si mesfushor qendror. Në ndeshjet e fundit, ai është bërë partner ideal i Pedrit në dyshen e mesfushës, duke u kthyer në një element kyç për Barcelonën.
     
     

  • Peskov: Rusia dëshiron paqe afatgjatë me Ukrainën, jo armëpushim

    Peskov: Rusia dëshiron paqe afatgjatë me Ukrainën, jo armëpushim

    Rusia po punon për të arritur paqe në Ukrainë, jo një armëpushim, tha sot në një konferencë për shtyp zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke komentuar deklaratën e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në lidhje me gatishmërinë e Kievit për një “armëpushim energjetik”.

    “Para së gjithash… ne po punojmë për paqen, jo për një armëpushim”, tha Peskov, duke deklaruar se “paqja e qëndrueshme, e garantuar dhe afatgjatë, e arritur duke nënshkruar dokumentet përkatëse, është një përparësi absolute”, raporton TASS, duke raportuar se deklaratat e Zelensky-t, intervista e Presidentit të SHBA-së Donald Trump për Politico dhe fjalimi i tij i drejtpërdrejtë drejtuar udhëheqësit rus Vladimir Putin ishin temat kryesore të informimit.

    Peskov tha se deklarata e Zelensky-t në lidhje me gatishmërinë për të mbajtur zgjedhje presidenciale në Ukrainë është “mjaft e re” nga perspektiva e Kievit, por ai theksoi se presidenti rus ka “folur për një kohë të gjatë” për nevojën për këtë, prandaj Moska do të “shohë se si do të zhvillohen ngjarjet në atë drejtim”.

    Peskov tha gjithashtu se deklaratat e presidentit amerikan për Politiko në lidhje me anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe humbjen e territorit të Kievit përkojnë kryesisht me qëndrimin e Rusisë.

    Pajtueshmëria e deklaratave të Trump mbi Ukrainën me qëndrimin e Rusisë është e rëndësishme “nga perspektiva e perspektivave për një zgjidhje paqësore”, shtoi zëdhënësi i Kremlinit.

  • Ukraina do ta ndajë me SHBA-në planin e rishikuar për paqe

    Ukraina do ta ndajë me SHBA-në planin e rishikuar për paqe

    Ukraina do të ndajë me Shtetet e Bashkuara të martën planin e rishikuar të paqes për t’i dhënë fund luftës së Rusisë, pas bisedimeve në Londër mes presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe liderëve të Francës, Gjermanisë dhe Britanisë.
    Kievi, nën trysni nga Shtëpia e Bardhë për ta pranuar sa më shpejt një marrëveshje paqeje, po kërkon ta baraspeshojë një draft të mbështetur nga SHBA-ja, i cili shihet nga shumë si i leverdishëm për Moskën.
    Takimi i organizuar me nxitim midis kryeministrit britanik, Keir Starmer, presidentit francez, Emmanuel Macron, kancelarit gjerman, Friedrich Merz, dhe Zelenskyt, kishte për qëllim forcimin e pozicionit të Ukrainës.

    Zelensky u tha gazetarëve pas takimit me liderët evropianë se plani i rishikuar përbëhet nga 20 pika, por se ende nuk ka marrëveshje për çështjen dorëzimit të tokave, që është kërkesë e madhe e Moskës.
    S’ka marrëveshje për dorëzimin e tokave ukrainase
    “Qëndrimi i amerikanëve, në parim, është gjetja e një kompromisi”, tha ai. “Natyrisht, ka çështje të ndërlikuara që lidhen me tokat, dhe ende nuk ka kompromis për këtë”, theksoi Zelensky.
    Ai e përsëriti qëndrimin e tij të njohur se Ukraina nuk mund të heqë dorë nga asnjë pjesë e tokës së vet.
    Starmer, Macron, Merz dhe Zelensky synojnë gjithashtu të sigurojnë garanci sigurie nga SHBA-ja për të ndihmuar në parandalimin e sulmeve nga Rusi në të ardhmen, e cila nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
    Publikimi i një plani armëpushimi nga SHBA-ja muajin e kaluar ka marrë vëmendjen e liderëve evropianë, të cilët frikësohen se Kievi mund të detyrohet t’i pranojë shumë nga kërkesat ruse, diçka që, sipas disa prej tyre, mund ta destabilizojë kontinentin.
    Por, megjithëse zyrtarët amerikanë thanë se janë në fazën përfundimtare të arritjes së një marrëveshjeje, deri tani ka pak shenja se Ukraina ose Rusia janë të gatshme të nënshkruajnë marrëveshjen kornizë të hartuar nga negociatorët e Trumpit.
    “Ne qëndrojmë përkrah Ukrainës dhe, nëse do të ketë armëpushim, ai duhet të jetë i drejtë dhe i qëndrueshëm”, tha Starmer pasi mirëpriti liderët në rezidencën e tij në Downing Street.
    Macron dhe Merz shprehën gjithashtu vendosmërinë për të vazhduar me një plan të fortë, në një periudhë që kancelari gjerman e përshkroi si “vendimtare … për të gjithë ne”.
    Zelensky vuri në pah baraspeshën e vështirë që fuqitë evropiane duhet ta gjejnë teksa përpiqen të negociojnë kushte më të mira në raport me planin e propozuar nga SHBA-ja.
    “Ka disa gjëra që nuk mund t’i menaxhojmë pa amerikanët, gjëra që nuk mund t’i menaxhojmë pa Evropën; prandaj duhet të marrim disa vendime të rëndësishme”, shtoi ai.
    Ukraina po përjeton tani një nga periudhat më të vështira të luftës.
    Trupat ruse po çajnë përpara ngadalë në lindje, dhe qytetet e fshatrat ukrainase po përballen me orë të tëra ndërprerjesh të rrymës për shkak të sulmeve të intensifikuara ruse ndaj rrjetit energjetik dhe infrastrukturës tjetër kritike.
    I dërguari i presidentit amerikan Donald Trump, Steve Ëitkoff, dhe dhëndri i tij Jared Kushner, sollën një plan të rishikuar në Moskë javën e kaluar, pastaj zhvilluan bisedimesh disaditore me zyrtarët ukrainas në Majami, të cilat përfunduan të shtunën pa ndonjë përparim.
    Zelensky i quajti diskutimet konstruktive, por jo të lehta.
    Trump tha të dielën se ishte “i zhgënjyer” me Zelenskyn, duke e akuzuar atë se nuk i kishte lexuar propozimet e fundit të mbështetura nga SHBA-ja./REL

  • Ivanka Trump, lexime mbi Shqipërinë

    Ivanka Trump, lexime mbi Shqipërinë

    E bija e presidentit amerikan Ivanka Trump siduket po joshet të mësojë më shumë për Shqipërinë.
    Pas disa vizitave te ne me të shoqin Jared Kushner, tashmë që duan dhe të inestojnë në Sazan, ajo ka nisur të lexojë libra që ia zgjerojnë njohjen mbi Shqipërinë.
    Në një fotografi të publikuar në Instasotyr, Ivanka ka postuar tre libra: “Albania: From Anarchy to Balkan Identity” nga Miranda Vickers dhe James Pettifer, “The Albanians: A modern history” po nga Miranda Vickers dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” nga Ismail Kadare.
    Bashkëngjitur me këtë postim, vajza e presidentit amerikan shkruan: “Kërkim!”.
     
     

  • Deputeti demokrat reagon ashpër: Gjinia e tretë e presidentit Begaj!

    Deputeti demokrat reagon ashpër: Gjinia e tretë e presidentit Begaj!

    Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimit të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, lidhur me ligjin për barazinë gjinore.
    Në një postim ironik në rrjetet sociale, Boçi akuzon kreun e shtetit se ka zgjedhur “heshtjen”, në vend që të ushtrojë detyrimet kushtetuese për ta dekretuar ose kthyer për rishqyrtim ligjin që, sipas tij, “prek në themel raportin e shoqërisë me identitetin, familjen dhe edukimin”.
    Sipas deputetit demokrat, heshtja e Presidentit është “një firmë pa bojë”, që e vendos atë në krah të kryeministrit Edi Rama në “luftën kundër familjes”.
    Postimi i Luçiano Boçit
    Kur Parlamenti miraton një ligj që prek në themel raportin e shoqërisë me identitetin, familjen dhe edukimin, Presidenti ka detyrimin minimal që të flasë.
    Të japë një qëndrim.
    Të përdorë një nga dy instrumentet që i jep Kushtetuta.
    Ta dekretojë, ose ta kthejë për rishqyrtim.
    Presidenti i Republikës zgjodhi një të tretë.
    Heshtjen.
    Në vend të detyrës për të mbrojtur dy gjinitë e Zotit, Presidenti zgjodhi gjininë e tretë (alternativen), me ligj dhe qëndrim.
    As nuk e dekretoi ligjin për barazinë gjinore, as nuk e kundërshtoi.
    Në fakt e pranoi, pasi ligji kështu konsiderohet i miratuar.
    E la të kalonte si një tren pa frena, me pasoja të llahtarshme në përplasjen që do krijojë me shoqërinë e të ardhmen.
    Kjo heshtje nuk është as e pafajshme, as neutrale. Heshtja në këtë rast është miratim absurd.
    Është një firmë pa bojë.
    Kur nuk kundërshton, ke zgjedhur tashmë një anë, edhe nëse bën sikur nuk je aty në atë anë, në krah të Ramës me shpatë në dorë kundër familjes.
    Presidenti për sytë e publikut u arratis nga përgjegjësia, por për Ramën ama, thjesht bëri sejmenin e përhershëm.
    Në vend të jetë garanci, apo filtër e ndalesë kontrolli, Presidenti bën policin që jep leje të kalojë treni megjithëse semafori është i kuq.
    President!
    Tani dhe vetë mos harro! Sipas këtij ligji nuk je më ‘Zoti’ President, por ‘Identiteti i vetëpërcaktuar’ President.
    Identitet i vetëpërcaktuar President!
    Ligji për barazinë gjinore nuk është një ligj teknik.
    Është ligj me ndikim të thellë shoqëror, kulturor dhe edukativ afatgjatë.
    Prek shkollën, familjen, administratën, gjuhën zyrtare dhe konceptin e identitetit.
    Përmbys vlerat e krijon trauma sociale e psikologjike.
    Ndaj zgjedhja e luksit të spektatorit, nuk të shpëton nga dënimi i historisë, sepse disfatat dhe harrohen, por turpet jo.

  • FIFA i jep Presidentit Donald Trump Çmimin e Paqes

    FIFA i jep Presidentit Donald Trump Çmimin e Paqes

    Presidentit Donald Trump i është dhënë çmimi i ri i paqes nga FIFA në shortin e Kupës së Botës.
    Sipas mediave të huaja, organi qeverisës i futbollit botëror, i cili njoftoi çmimin vjetor muajin e kaluar, tha se ai do t’u jepet “individëve që kanë ndërmarrë veprime të jashtëzakonshme për paqen”.
    Trump ka bërë fushatë prej kohësh për Çmimin Nobel për Paqen, për përfshirjen e tij në zgjidhjen e konflikteve globale, përfshirë armëpushimin e arritur midis Izraelit dhe Hamasit në tetor.
    Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i cili ka ndërtuar një marrëdhënie të fortë me presidentin e SHBA-së, e mbështeti atë për çmimin Nobel në fillim të këtij viti.
    Infantino po i dhuron Trumpit një trofe të madh të artë, të formuar nga duar që mbajnë tokën dhe një medalje ari në skenë.

  • “Nuk ka kompromis për fundin e luftës” Kremlini pret shpresat, Putin: Nëse Europa do luftë, jemi gati

    “Nuk ka kompromis për fundin e luftës” Kremlini pret shpresat, Putin: Nëse Europa do luftë, jemi gati

    Bisedimet e gjata deri pas mesnatës në Kremlin, mes presidentit Vladimir Putin dhe të dërguarve të Donald Trump, Steve Wittkof dhe Jared Kushner nuk prodhuan kompromis për ndonjë marrëveshje të mundshme paqeje për Ukrainën.
    Këtë e tha këshilltari i lartë i politikës së jashtme në Moskë, Yuri Ushakov  pas diskutimeve 5-orëshe, teksa theksoi se nevojitej shumë punë për të shkuar drejt një kompromisi. Sipas tij, Putin i kishte përcjellë një sërë sinjalesh të rëndësishme presidentit Trump, por se palët kishin rënë dakord për të mos i zbuluar detajet për mediat.
    Uashkov bëri të ditur se kishin diskutuar, atë që e quajti “problem territorial”, e që lidhet me pretendimet e Rusisë për të përvetësuar të gjithë rajonin e Donbas, ku Ukraina kontrollon ende 5 mijë km katrorë.
    “Natyrisht, diskutuam me kolegët amerikanë mbi përmbajtjen e atyre drafteve të planit të paqes, ato dokumente që amerikanët i dorëzuan Moskës pak kohë më parë. I shqyrtuam këto dokumente. Disa draft-propozime amerikane dukeshin pak a shumë të pranueshëm, por nevojiten diskutime. Disa formulime që na janë propozuar nuk mund të pranohem nga ne Putin nuk e fshehu qëndrimin kritik, madje negativ, ndaj tyre.”
    Uashakov shtoi se nuk ishte planifikuar ndonjë takim Putin-Trump aktualisht, edhe pse foli për bisedime konstruktive dhe mundësi të mëdha bashkëpunimi ekonomik mes SHBA dhe Rusisë. Pasi përshkuan sheshin e kuq, nga mauzolemi i themeluesit të Bashkimit Sovjetik Vladimir Lenin tek kullat e Kremlinit, Wittkof dhe Kushner zhvilluan bisedimet me Ushakov dhe këshilltarit tjetër, Kirill Dmitriev, përmes përkthyesve.
    Në një reagim nga Shtëpia e Bardhë pas takimit, Trump tha se situata nuk ishte aspak e lehtë.
    “Me lejoni t’iu them, është një lëshim i madh”, tha ai, teksa shtoi se nga 25 mijë deri në 30 mijë njerëz çdo muaj po vdisnin në luftë. Që paqja është ende e largët u kuptua qartë nga tonet e presidentit Putin në një deklaratë më herët gjatë ditës. Ai paralajmëroi fuqitë europiane se nëse nisnin një luftë me Rusinë, Moska ishte gati të luftonte dhe se mundja e tyre do të ishte as aq absolute sa nuk do të mbetej më askush për të negociuar.

  • Aeroporti i Vlorës dhe tuneli i Llogarasë qoka të Edi Ramës për Erdoganin, ja kulisat e një korrupsioni skandaloz

    Aeroporti i Vlorës dhe tuneli i Llogarasë qoka të Edi Ramës për Erdoganin, ja kulisat e një korrupsioni skandaloz

    Tuneli i Llogarasë dhe Aeroporti i Vlorës nuk janë thjesht projekte infrastrukturore, por pjesë e një rrjeti të ndërlikuar lidhjesh politike, aferash, qokash dhe biznesi ndërkombëtar. Dokumentet e SPAK tregojnë se kompania turke “A S L İNŞAAT”, e drejtuar nga Abdulkadir Kart – një investitor i njohur personalisht dhe rekomanduar nga presidenti Rexhep Tajip Erdogan  u përzgjedh për ndërtimin e tunelit jo për garë të hapur, por si një “porosi” e drejtpërdrejtë nga kreu i shtetit turk. Një skenar të ngjashëm përshkruhet edhe në rastin e Aeroportit të Vlorës, ku biznesmeni turk Hysen, mik i ngushtë i Erdoganit, propozoi partneritetin me miliarderin shqiptar Behgjet Pacolli me porosi të presidencës turke, duke krijuar konsorciumin që mori koncesionin e projektit. Çështja nuk është thjesht zgjedhja e kompanive, por mënyra se si politika dhe ndikimi ndërkombëtar përcaktojnë fituesit e projekteve strategjike, ndërsa kryeministri Edi Rama duket të ketë luajtur rolin e ndërmjetësit për të përmbushur “porositë” e presidentit turk.
    Tuneli i Llogarasë qoka e Ramës për Erdoganin
    Biznesmeni Abdulkadir Kart, drejtues i kompanisë turke “A S L İNŞAAT” që realizoi tunelin e Llogarasë, rezulton se është një nga investitorët turq më të preferuar nga presidenti Rexhep Tajip Erdogan dhe i rekomanduar prej tij në të gjitha vendet mike të Turqisë. Është pikërisht kjo kompani që ndërtoi për 33 muaj tunelin e Llogarasë. Ky detaje del në dosjen e SPAK për tunelin e Llogarasë, ku bie në sy fakti se turqit e “A S L İNŞAAT” kanë qenë rekomandim i Presidentit Erdogan për realizimin e kësaj vepre të rëndësishme në jug të vendit. Turqit e “INTEKAR” i kanë njoftuar autoritetet shqiptare pas shpalljes së tenderit ndërkombëtar se kishin bërë një bashkim shoqërish me “A S L İNŞAAT” dhe ajo kishte eksperiencë në ndërtimin e autostradave, sepse kishte ndërtuar dy të tilla në Turqi. “Kjo eshte nje shoqeri qe ka ndertuar nje tunel autostrade 2x 14 km ne Turqi, dhe eshte gjithashtu nje shoqeri qe Presidenti e njeh, e vlereson dhe e perdor si reference”, thuhet në mesazhin që tregon qartë se pjesëmarrja e biznesmenit Abdulkadir Kart ka qenë porosi e vet presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan. Pra, ndryshe nga çfarë aludohet se gara ka qenë e paracaktuar apo se turqit janë përzgjedhur para se të shpallej tenderi, komunikimet tregojnë një anë tjetër të historisë; “A S L İNŞAAT” ka ardhur në Shqipëri me porosi dhe si ndërtues i besuar i presidentit të Turqisë. Madje, në fotografitë që janë publike, Abdulkadir Kart qëndron krah presidentit Erdogan në takimet e tij ndërkombëtare dhe ai e referon atë tek të gjithë homologët dhe liderët e vendeve që kërkojnë të realizojnë vepra strategjike. Sipërmarrësi turk ecën krah presidentit të vendit të tij dhe atij të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev. Firmën e Abdulkadir Kart e mbajnë dhjetëra superprojekte të nisura nga kompania e tij e parë “ASL” në vitin 1996, kryesisht në Turqi, por edhe në shtete të tjera. Njohja e tij me Rexhep Tajip Erdogan ka qenë shumë e hershme, që para viteve 2000 kur presidenti turk sapo kishte dalë nga burgu dhe askush nuk i qëndronte pranë. Puna si inxhinier dhe veprat në të cilat Abdulkadir Kart kishte marrë pjesë, kur ishte ende shumë i ri, e afruan atë me Erdogan për të ecur për dekada me radhë në të njëjtën rrugë.

    Biznesmeni Abdulkadir Kart me presidentët Erdogan dhe Aliyev
    Mesazhi i turqve që ndërtuan Tunelin e Llogarasë:
    Pasi rihapet tenderi i Tunelit të Llogarasë, data përcaktohet 30 gushti 2021. 11 ditë më herët, më 19 gusht ministrja Belinda Balluku i shkruan Evis Berberit dhe I dërgon një mesazh në anglisht që e kishte marrë nga turqit. “I përkthyer në shqip, mesazhi thoshte: INTEKAR YAPI TUR. ELEKTINSAN. dhe TİC. LLC., si shoqëri, punimet dhe dokumentacioni ynë për tenderin e tunelit të Llogarasë janë përfunduar në nivelin 95%, dhe studimet tona të kostove vazhdojnë. Ne kemi krijuar një bashkim shoqërish (joint venture) duke përfshirë shoqërinë ASL INS TAAH. VE SAN. TİC. LTD. ŞTİ me ne. Kjo është një shoqëri që ka ndërtuar një tunel autostradal 2×1, 4 km në Turqi, dhe është gjithashtu një shoqëri që Presidenti e njeh, e vlerëson dhe e përdor si referencë. Si përfaqësuesit tanë në Shqipëri, ashtu edhe avokatët tanë në Shqipëri, po vazhdojnë punën dhe negociatat me znj. Arta në lidhje me tenderin. Në selinë tonë në Ankara, inxhinierët tanë po përfundojnë dokumentacionin për tenderin dhe po vazhdojnë studimet e kostove. Përveç kësaj, më 18.08.2021, menaxherët e shoqërisë dhe inxhinierët tanë nga Turqia do të vijnë në Shqipëri për të parë trasenë dhe vendin ku do të ndërtohet tuneli, si dhe për të finalizuar detajet. Si shoqëri, ne do të jemi plotësisht gati për tenderin e tunelit të Llogarasë përpara datës së tenderit. Me respekt”.
    Shkeljet
    Në dosjen e SPAK-ut është faktuar shkelja e barazisë në tendera dhe madje edhe shpërdorimi i detyrës në bashkëpunim me pasoja të rënda. Por, dosjes së SPAK-ut, ndonëse hetimet vijojnë, i mungon ende çatia, kolona, thelbi; Ku kanë përfunduar 50 milionë euro? Të gjitha manovrat dhe shkeljet janë bërë me një qëllim; Përvetësimin e parave. Pasi ka fituar tenderin pa plotësuar kriteret, grupi turk ka kontraktuar kompaninë shqiptare për ndërtimin e tunelit, me 140 milionë euro, të njëjtën kompani që kishte fituar në procedurën e parë dhe që iu hoq tenderi. Po ku kanë përfunduar paratë që përlanë turqit dhe në çfarë forme janë kamufluar pasi kanë dalë nga arka e shtetit shqiptar? I mbetet SPAK ta zbulojë.
    Aeroporti i Vlorës
    Gjithashtu përveç tunelit të Llogarasë, emri i Erdoganit del dhe te koncesioni i Aeroportit të Vlorës. Disa ditë më parë, në një rrëfim të biznesmenit miliarder Behgjet Pacolli u  hodh më shumë dritë për mënyrën se si bëhen “garat” e koncesioneve të mëdha në Shqipëri, ku personat dhe kompanitë paracaktohen paraprakisht. Pacolli deklaroi publikisht se ai ishte futur në lojë në ndërtimin e aeroportit të Vlorës nga një biznesmen turk, mik i presidentit Erdogan. Ai tha se turku me emrin Hysen e kishte telefonuar për t’i propozuar ta ndërtonin bashkë aeroportin. “Marr një telefonatë nga një person në Turqi cilin unë e kisha njohur herët në Kazakistan, një i ashtuquajtur Hyseni. Thotë unë kam marrë një telefonatë prej presidencës turke që të udhëtoj në Shqipëri me 2 detyra, e para që të ndërtoj një spital dhe e dyta që qenka një aeroport atje dhe ne mundemi me qenë bashkëfinancues”, tha ai. Pak më vonë Pacolli formoi konsorciumin me “YDA Group” për të ndërtuar Aeroportin e Vlorës, me një vlerë fillestare prej 104 milionë eurosh. Vlera aktuale, sipas Pacollit, arriti në 140 milionë euro. Në tenderin e shpallur në fund të 2020-ës ka pasur një varg shkeljesh. Fillimisht ishte kërkuar që të ndërtohej një aeroport për 10 milionë pasagjerë dhe me dy kulla kontrolli. Që fituesit të ishin ata që u paracaktuan, katër ditë para garës, kapaciteti u zbrit në 2 milionë dhe kullat përfunduan në një.  Për më tepër kompania tjetër konkurrente, britanikja AL-DE, ndonëse me kushte shumë më të favorshme për interesin publik, u skualifikua nga gara me justifikimin banal se nuk kishte dorëzuar dokumentacionin e plotë. Britanikët e AL-DE Corporation LTD e denoncuan garën e parregullt dhe për këtë çështje SPAK ka njoftuar se ka hapur hetim, për shpërdorim detyre, favorizim të palëve të caktuara dhe shkelje të pabarazisë në tendera. Por nuk përfundon këtu. Pas marrjes së tenderit fiktiv kompania fituese kishte tre aksionerë: Mabco Construction e Pacollit me 58 për qind, YDA Group, e turqve që kishin ndërtuar edhe spitalin elektoral të Fierit me 40 për qind dhe 2A Group e Valon Ademit me 2 për qind. YDA Group, siç u tha, ishte përfshirë në koncesion për shkak të përvojës së saj për ndërtimin e aeroportit, pa të cilën nuk mund të justifikohej përmbushja e kritereve të garës. Prandaj ajo u “shpërblye” me 40 për qind të aksioneve. Po ç’ndodhi? Ndonëse u shpallën fitues, turqit e YDA Group u tërhoqën menjëherë pas përfundimit të procesit duke paguar një shumë qesharake, 4200 euro për 40%-shin e tyre.

  • Vodhën shtëpinë e ish-presidentit francez, por harruan cigaren elektronike/ Hajdutët kthehen për ta marrë, përfundojnë në pranga

    Vodhën shtëpinë e ish-presidentit francez, por harruan cigaren elektronike/ Hajdutët kthehen për ta marrë, përfundojnë në pranga

    Dy burra janë akuzuar dhe arrestuar për një grabitje në shtëpinë e ish-presidentit francez François Hollande dhe bashkëshortes së tij, aktores Julie Gayet, në Paris.

    Sipas prokurorisë së Parisit, të dy të dyshuarit, të moshës rreth 30 vjeç dhe të lindur në Algjeri, u ndaluan dhe u dërguan në paraburgim të premten e kaluar.
    Mediat franceze raportojnë se autorët arritën të vidhnin një orë dore dhe një iPad që i përkiste Julie Gayet.
    Në një kthesë të pazakontë, njëri prej autorëve u rikthye më vonë në shtëpi për të marrë cigaren elektronike që kishte harruar. Edhe pse arriti të largohej duke kërcyer gardhin, hetimi çoi më pas në identifikimin dhe arrestimin e tij dhe bashkëpunëtorit. Ora e Hollande u gjet dhe iu kthye ish-presidentit.
    Burime pranë usg-presidentit thanë se policia reagoi shpejt, duke kufizuar pasojat e vjedhjes. Megjithatë, hetimi po shqyrton mangësitë në siguri, pasi dera e banesës nuk ishte e kyçur dhe porta e kopshtit ishte lënë hapur.

    Top Channel

  • Shalli i presidentit Rugova ​dhe sari i Nënë Terezës nën hijen e shpatës së Skënderbeut

    Shalli i presidentit Rugova ​dhe sari i Nënë Terezës nën hijen e shpatës së Skënderbeut

    Nga Visar Zhiti në ditën e lindjes së Ibrahim Rugovës

    PRESIDENTI RUGOVA gjithmonë më shfaqet me atë shallin dramatik në qafë dhe ashtu është dhe në bronz në shtatoret e tij. E mbante si malësorët e Rugovës, të cilët lidhnin mbi krye një shall të bardhë, të gjatë, e kishin për gjithë jetën, me të dhe i mbulonin. Dridhem kur e kujtoj, se kam lexuar, madje kam shkruar poezi edhe unë, që u duhej dhe si qefin po t’i vrisnin në rrugë armiku apo për gjakmarrje…

    Presidenti Rugova atë shall e kishte si porosi dhe shenjë, eci me dramën e popullit të tij në qafë dhe thoshte se do ta hiqte, kur të çlirohej Kosova.…

    Presidenti Rugova u bë bëmatari i madh i së pamundurës, sepse na dukej e pamundur atëhere një Kosovë e pavarur nga shteti federativ jugosllav, një bashkësi e panatyrshme, thoshim, ku Serbia bënte pushtuesin agresiv mbi popullin shqiptar, që kishte derdhur shumë gjak e kishte luftuar shumë për lirinë e të drejtat e veta.

    Me Rogovën si prijës, mrekullisht po shkohej drejt një zgjidhje përfundimtare, siç flitet me gjuhën politikës. Dhe Presidenti Rugova ishte një politikan i zoti, por edhe shkrimtar, studiues i shkëlqyer, kritik arti.

    Ai sikur kishte marrë dhe bekimin e shenjtores tonë, Nënë Tereza, gruaja më e njohur e planetit në shekullin XX dhe gëzoheshim që prindërit e saj vinin nga Kosova.

    Dhe ajo vuri shaminë e bardhë mbi krye, sarin siç quhet në Indinë e largët, ku shërbeu si murgeshë katolike. Sarin e mbanin gratë e varfëra atje, prandaj e morën dhe Motrat Misionare të Dashurisë si simbol i pastërtisë shpirtërore dhe i të vërtetës.

    Nënë Terezës a do t’i jetë ndërmendur shalli i bardhë i malësorëve të Rugovës, në Kosovën dhe të saj? Ç’do të ketë menduar kur takonte Presidentin Rugova me shall?

    Ndërsa Presidenti Rugova e dinte mirë sarin misionar të Nënë Terezës, me ato tre vijat blu të virtytit anëve. Edhe Indinë e dinte dhe prej andej i erdhi si shpërblim “gandizmi”, që gjeti shpirtin binjak te Rugova.

    Ai vetë si President do vinte gurthemelin e parë të Katedrales së Prishtinës, që do të niste të ndërtohej në Kosovën e lirë në vitin 2005 dhe do pagëzohej me emrin e Nënë Terezës.

    Jam i lumtur që midis firmëtarëve që kërkuan të ngrihej ajo katedrale.është dhe emri im. Thirrjen ma dha ta firmosja poeti ynë Ali Podrimja. Nisma kishte qenë e Presidentit Rugova. Ishte dhe 600 vjetori i lindjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, “Mbrojtësi i paepur i qytetërimit Perëndimor” – siç shkruhet në piedestalin e statujës së tij madhështore mbi kalë në Romë.

    Hija e Shpatës së Skënderbeut binte dhe mbi fytyrën e Rugovës.

    Është dita e lindjes së Presidentit historik dhe të parë të Kosovës. Presidenti Rugova bëri histori. 

    ​Dhe Ballkani është i vështirë, për të thonë se prodhon histori më shumë nga ç’mundet…

    Ndërsa perandoria komuniste binte dhe Jugosllavia shpërbëhej duke u bërë më e egër në qendrën e saj në Serbi, ku në Beograd kishte dhe akademi se si mund të shfaroseshin shqiptarët nga trojet e tyre në Kosovë, qëndresa vazhdonte, të drejtat e shqiptarëve nëpërkëmbeshin, mohoshin verbërisht dhe derdhej gjak shqiptari.

    Më të qartë se kurrë, këmbëngulës dhe me një dinjitet martirizues, shqiptarët po prireshin nga Rugova, ai arriti t’i mbledhë rreth vetes dhe Çështjen e Kosovës ia bëri të njohur opinionin botëror, sensibilizojë botën pa u lodhur në kërkesat për të drejtën kombëtare. Rugova po quhej tashmë si “Gandi i Ballkanit”.

    Lider në pushtim, intelektual i klasit të parë, politikan sa i thjeshtë dhe enigmatik, filozof gandist në Ballkanin e egër, akademik, i njohur në kulturën kombëtare, kryetar i shkrimtarëve dhe kryetar i partisë së parë opozitare, i Lidhjes Demokratike, që të kujtonte në emër Lidhjen e hershme të Prizrenit, me portretin e Papa Vojtilës në seli, tani për të kundërshtuar hapur regjimin komunisto-shoven të sllavëve të jugut, hordhitë e të cilëve i vranë babanë dhe gjyshin mbas Luftës së Dytë Botërore.

    Jetimi që do të bëhej ati i një kauze, asaj të çlirimit, duke iu kushtuar i tëri pavarësisë së vendit, që dëshironte ta fitonte me mjete paqësore, edhe pse kishte përballë egërsi, padrejtësi, mashtrime, dhunën e një shteti të kthyer në stalinist, plot krime nga më makabret.

    Rugova i shmangej së keqes për të mos u bërë si ajo dhe u dilte përballë të gjithave. Dhe u bë ikona e paqes në popullin e vet të pakët, duke e bëri të njohur “Çështjen e Kosovës” në Europë e SHBA, si rrjedhojë dhe veten.

    Vetëm pushtuesi nuk po kuptonte dhe zhbindej gjithnjë e më ligsht. Nga që po bëhej dhe më mizor, bijtë e popullit rrëmbyen armët, U bë UÇK-ja. Ishte kushtrimi i brendshëm skënderbejan. Duhej shpata e Heroit.

    Në Dardani, në Nish në vitin 1443 ndodhi beteja e madhe e qëndresës kundër osmanëve. Aty ishte Skënderbeu… Betejën e udhëhiqte komandanti i shquar hungares,  Janosh Huniadi. Ai fitoi dhe Skënderbeu i braktisi osmanët dhe u kthye në atdhe, që të vazhdonte luftën dhe të merrte në zotërim trojet, që familja Kastrioti i kishte dhe në Kosovë.

    Skënderbeu në alenacë me Huniadin u bënë mbrojtës të Europës…

    Ndërsa Rugova kërkonte ndërhyrjen e botës për mbrojtje dhe pavarësi, paqe e stabilitet, ndodhi ajo që s’kishte ndodhur, “kryqëzata morale”. Për herë të parë në historinë e vet, koalicioni më i madh ushtarak, NATO, ndërmori një aksion luftarak kundër një shteti europian, fqinjit dhe pushtuesit njëkohësisht të vendit të Rugovës.

    U arrit çlirimi, aq i vështirë të fitohej vetëm me gjakun e derdhur të shqiptarëve.

    Dhe atëhere në shtetin ende pa vend a në vendin ende pa shtet, në kryeqytetin e të cilit po viheshin shtatoret e të rënëve më të fundit dhe krahas tyre, në radhë të parë ato, shtatoret e Skënderbeut dhe të Nënë Terezës dhe populli zgjodhi President Ibrahim Rugovën, njeriun urtak dhe të vendosur, të paepurin dhe të ballëpërballshmin, vizionarin, të armatosurin pa asnjë armë, me fushëbetejë idealet dhe të drejtën, qëndresën paqësore, bisedimet, diplomacinë, bindjen, sa dhe robërisë së vet nuk i iku përmes plojës.

    Dhe kur po kurorëzohej çështja, ëndrra, pavarësia, në prag të bisedimeve përfundimtare, ikën para kohe nga jeta duke krijuar, krahas dhimbjes së përgjithshme, një bosh të madh, po edhe pështjellim civil. Ç’do të bëhej pas tij?

    Në kohën postRugoviane, siç po e quanin…

    Natyrisht, vlerat dhe meritat e Rugovës janë të padiskutueshme, puna dhe vepra e tij janë të pashlyeshme e mbi të gjitha një përvojë e rëndësishme dhe emblemë njëkohësisht, instirucion I presidentit, porositë e së cilës kanë vlerë të gjithmontë. Rugova punoi me shokë, me popullin e tij, u besua dhe u çmua, u mbështet fuqimisht nga dheu amë, nga Tirana, pra ai hapi një hulli, ku mund të vazhdojnë të tjerë. Ai e la përkushtimin suprem dhe frymën e vet, që vazhduesit t’i çonin më tej.

    Pra, gjithsesi ai ka pasues, punën, idetë dhe bashkëpunëtorët. Po edhe vetë Rugova ishte pasues, nuk u krijua nga e veçanta dhe shpirti i tij nuk u importua, por sublimoi nga historia dhe shpirti i popullit të vet, që e do paqen, harmoninë, di ta njohë popujt e tjere, të bashkëjetojë dhe të jetë i pamposhtur deri në sakrificë përballë vuajtjeve.

    Ai sikur bashkoi durimin e Skënderbeut, kur ishte nën pushtuesin në kryeqytetin e perandorisë otomane, me hovin e shenjtë të Nënë Terezës, që ikte nëpër botë në ndihmë të plagëve të njerëzimit. Rugova aspiroi qytetërimin perëndimor, kulturën katolike… për t’u bërë edhe më shumë frymëzues i bashkimit, duke i bashkangjitur vetes, krahas fesë myslimane të tanishme dhe atë më të hershmen, të krishterën, sepse ai e dinte mirë se popull nuk do të thotë vetëm të gjallët e tij, por edhe gjeneratat e të vdekurve.

    Pas paqes vjen buzëqeshja. Nënë Tereza buzëqeshte bukur, Rugova tronditshëm. Po Skënderbeu? Apo ia la të ardhmes…

    Rugova pa nga larg pavarësinë e gjysmës së mbetur dhe priu si një profet në ecjen e funeraltë drejt saj, dhe në mbërritje shkoi të shplodhet për të lënë ta prekin të tjerë e të tjerë çlirimin, me mijëra, vetë popullin. Prandaj dhe e lindi trualli amtar…

     Në qytetet tona të mëdha, në Tiranë dhe në Prishtinë, në sheshet kryesore që kanë emra të përbashkët “Skënderbej”, “Nënë Tereza”, qytetarët me mijëra mblidhen dhe përkujtojnë Presidentin Rugova, lule dhe qirinj dhe fjala e bukur shqipe…

    Në Ballkanin ende të trazuar, në Europë dhe përtej oqeanit, në kontinentin amerikan, në SHBA, pra, shtete nga e gjithë bota, e kanë njohur Presidentin Rugova, i kanë ndjerë fuqinë e brendshme plot paqe. Dhe kujtojnë takimiet me të. Ai i habiste të gjithë, u dhuronte gurë. Gurë të Kosovës, të pasurisë së saj, që vezullonin. Dhuratë e thjeshtë dhe emocionale, plot me mesazh. Dhe si  symbol i qendresës shqiptare, por dhe si shkak përse bëhej lufta. Ja, për këto! Dhe i tregonte botës që ne jemi me ju si këta gurë.

    Rugova – një gur i madh e i bukur, i çmuar e plot me xixëllima diellore në historinë e shqiptarëve.

    —————————————————

    *Nxjerrë nga libri “Rugova, Prijësi Intelektual”, përgatitur nga shkrimtari Ndue Ukaj, botim i Fondacionit që mban emrin e Presidentit të parë, Prishtinë…

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    KUJTIM M. SHALA: RUGOVA MEDITANS