Tag: piktori

  • Piktori Agim Sulaj me ekspozitën “Rrënjët 9”, në nëntë vjet indiferencë institucionale

    Piktori Agim Sulaj me ekspozitën “Rrënjët 9”, në nëntë vjet indiferencë institucionale

    Nga Julia Vrapi
    Portretet, kujtimet mbi bregdetin apo Vlora e dikurshme janë vetëm një pjesë e asaj, që vjen në tablo pikture në ekspozitën “Rrënjët”, që këtë vit shënon edicionin e nëntë në Tiranë. Piktori i njohur Agim Sulaj në prag të festave të nëntorit hapi ekspozitën e tij personale në Tiranë, por mes punëve në pikturë që janë ekspozuar, janë dhe ato që kanë fituar çmime në shtete të tjera. Ekspozita “Rrënjët 9” përmban punët e artistit të njohur, duke i sjellë publikut një pjesë të krijimtarisë së tij, por ndryshe nga në botë piktori Agim Sulaj këtu përballet  me indiferencën institucionale për artin e tij.
    Piktori thotë se për veprat e tij të artit ka munguar një komunikim nga institucionet me të si artist. “Këtu ka një indiferencë institucionale. Kam pasur dëshirë për të bërë një punë në qytetin e Vlorës, një valixhe që ka fituar deri në Londër çmime, por nuk u aprovua të bëhej, jo për mungesë fondesh, etj. Një punë e imja me Ali Pashën dikur këtu u hodh në magazinë në pluhur, ndërsa në Greqi e rregulluan e restauruan dhe e kanë në muze atë tablo pikture. Po ashtu dhe një punë tjetër e imja. Nuk ka një komunikim nga institucionet  me mua si artist. Unë përpiqem që dhe shifrat të jenë sa më minimale, që ti mbetet vendit si vepër, ndërsa në Itali e shtete të tjera funksionojnë më mirë gjërat sa i takon artit. Vitin që vjen kam disa murale, që do ti bëj në një qytet në Poloni. Janë veprat e mia fituese të çmimeve, që do të bëhen të mëdha atje në mure godinash. Këtu ka munguar një vlerësim, çmim nga institucionet në Shqipëri, madje as në Vlorë në qytetin tim të lindjes”, shprehet piktori Agim Sulaj. Herë pas here artistë të ndryshëm kanë shprehur dhe kritika ndaj institucioneve me politikat kulturore që ndiqen në vend. Por edhe piktori Agim Sulaj, i cili gjendet këtë muaj të fundit të vitit me ekspozitën e tij në Tiranë thotë se duhet më shumë vëmendje për artin pamor në vend. “Në Shqipëri nuk është ajo mbështetje që duhet për artin. Unë i shikoj dhe kolegët e mi, janë të bazuar mbi punën individuale. Si puna ime nesër do vijë dhe në krijues tjetër do hapë ekspozitë. Këtu të gjithë krijuesit nisen me iniciativa personale, nuk ka ndonjë mbështetje. Të ketë konkurse për artistët, ekspozita nga institucionet”, shprehet piktori Agim Sulaj në një reagim të tij.
    Ekspozita që u hap nëntor
    Piktori Agim Sulaj, një nga emrat e rëndësishëm të artit shqiptar, vjen në Tiranë me ekspozitën “Rrënjët”, në vitin e nëntë të prezantimit të tij të përvitshëm me publikun shqiptar. I njohur ndërkombëtarisht për realizimet e tij edhe me mesazhe sociale, artisti Sulaj sjell këtë herë një koleksion punësh, ku identiteti, kujtesa dhe lidhja me vendlindjen janë në qendër të rrëfimit artistik. Ai tregon se në këtë ekspozitë 90 përqind punimeve janë të reja, që janë ekspozuar për publikun. “Ashtu siç e shpjegon dhe titulli i ekspozitës është një rikthim te rrënjët e mia, të vendi ku kam lindur artistikisht si artist edhe si njeri. Dhe gjatë vitit ku jetoj në Itali unë kam mundësinë që të sjell këtu në Shqipëri një pjesë të krijimtarisë sime, qoftë veprat që kanë fituar çmime në konkurse të ndryshme, siç ishin këtë vit dy valixhet njëra në Portugali dhe tjetra në Poloni që janë veprat origjinale, po ashtu dhe tablotë që unë ia dedikoj vendit tim, kujtimet mbi fëmijërinë, kujtimet mbi bregdetin, Vlorën e dikurshme që unë e mbaj mend si tani, portretet e heronjve tanë dhe njerëzve të thjeshtë shqiptar nga veriu në jug të Shqipërisë.
    Me këtë ekspozitë unë përpiqem që të jem në Tiranë gjithmonë përpara festave të nëntorit”, tregon piktori. Ekspozita “Rrënjët 9” do të vijojë dy javë të qëndrojë e hapur për publikun dhe për artistin Agim Sulaj shënon edhe një moment të veçantë të aktivitetit të tij artistik përgjatë një viti. Edhe pse një artist me dhjetëra çmime ndërkombëtare dhe vlerësime në disa vende të botës, piktori i njohur Agim Sulaj vijon ta konsiderojë Tiranën një pikë të rëndësishme kthimi, ku arti i tij bashkon rrënjët personale me përvojën e madhe artistike të emigrimit. Piktori e karikaturisti me famë botërore Agim Sulaj në vite ka ekspozuar dhe është vlerësuar jo vetëm në të katër anët e Italisë, por edhe në Greqi, Amerikë, Turqi, Belgjikë, Francë, Azerbajxhan, Kinë, Poloni, etj. Ekspozitat e Agim Sulajt janë hapur në shtete të ndryshme, por dhe në Shqipëri punët e tij janë pjesë e ekspozitave, që ai hap çdo vit për publikun.

  • Debati për mozaikun, Anastas Kostandini: Vepra e ka mbyllur historinë e vet, nuk ka nevojë për ndërhyrje artistike

    Debati për mozaikun, Anastas Kostandini: Vepra e ka mbyllur historinë e vet, nuk ka nevojë për ndërhyrje artistike

    Nga Julia Vrapi
    Instalacioni artistik “Dielli i Ditës Tjetër” në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar ka ngjallur valë reagimesh në rrjete sociale. Në fasadën e muzeut, artistja Blerta Kambo ka sjellë ndërhyrjen artistike “Dielli i Ditës Tjetër”, ku në qendër qëndron gruaja me xhubletë, brezin me shqiponjën e Skënderbeut, e cila ngre duart lart, fitimtare, si metaforë e Shqipërisë që ecën përpara. Në “Dielli i Ditës Tjetër”, kjo figurë e njohur e mozaikut rishfaqet me kokë të qethur dhe me një shenjë në gjoksin e djathtë, siç është bërë me dije si shenjë solidariteti me të gjitha gratë që përballen ose kanë mbijetuar nga kanceri i gjirit. Instalacioni artistik në fasadën e MHK ka ngjallur reagime në rrjete sociale, por edhe një nga autorët e mozaikut, piktori i njohur Anastas Kostandini shprehet në një prononcim për gazetën “SOT” kundër ndërhyrjes që është bërë. Piktori thotë se e çmon shumë sensibilizimin dhe format e tjera kundër luftës me kancerin, por sipas tij nuk ka nevojë të mbërrihet deri te ndërhyrja tek mozaiku “Shqipëria” në MHK.
    “Këto janë të paimagjinueshme për brezin tonë, aq më tepër për mua. Kjo ndërhyrje artistike nuk ka lidhje fare me atë mozaik. Nuk ka nevojë mozaiku të Muzeu Historik Kombëtar që të shërbejë si një suport sensibilizimi. Duhet të lënë të qetë historinë kombëtare të funksionojë. Në jetën e përditshme do dalin lloj -lloj kancerash dhe nuk duhet të jetë ajo. Jam i indinjuar për këtë gjë. Sigurisht që e çmoj shumë sensibilizimin dhe format e tjera kundër kësaj lufte, por nuk ka nevojë të mbërrihet deri atje. Është më tepër një nevojë për të bërë një ekzibicionizëm personal, pavarësisht nga “arsyeja” për të cilën bëhet. Vepra e ka mbyllur historinë e vet dhe nuk ka nevojë për ndërhyrjen artistike “Dielli i Ditës Tjetër”, thotë piktori Kostandini.
    Vepra përfundoi në 1981
    Mozaiku “Shqipëria” është një vepër e punuar nga artistë të njohur, mes tyre dhe piktori Anastas Kostandini. Ndërhyrja artistike te mozaiku ka ngjallur një debat, por piktori Kostandini që gjithashtu del kundër saj thotë se nuk mund të bëhet art për art. “Për çfarëdo lloj arsye nuk është e përligjur ajo gjë. Çfarë pune kanë me të? Është tjetër gjë, ajo është një ikonë kombëtare. Ajo është historia jonë. Nuk më pëlqen ajo ndërhyrje që është bërë. Nuk mund të bëhet art për art. Ky është art për art kur merret një vepër dhe mbi të instalohet diçka tjetër”, vijon piktori. Ndër të tjera në reagimin e tij piktori Anastas Kostandini shpreh dhe kritika ndaj institucioneve. “Nuk mund ta imagjinoj dot që të ndërhyhet deri në një ikonë, e cila është mbyllur në vitin 1981. Ndonjë ditë do kenë punë dhe me atë skulpturën që është në varrezat e dëshmorëve, sepse çfarë nuk i shpik mendja”, vijon piktori.
    Ndërkohë që edhe Blendi Gonxhja, ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit i është përgjigjur debatit të ngritur në rrjete sociale duke shkruar se: “Fasada e Muzeut Historik Kombëtar ka marrë një dimension të ri përmes ndërhyrjes artistike “Dielli i Ditës Tjetër” të artistes Blerta Kambo, e cila lidh trashëgiminë kulturore me ndërgjegjësimin shëndetësor në një mesazh solidariteti, guximi dhe shprese”, por gjithashtu për debatin ka pasur një reagim edhe nga artistja Kambo. Siç është bërë me dije instalacioni është vendosur mbi mozaik në një distancë 10 centimetra nga sipërfaqja, si shtresë e përkohshme simbolike dhe pa asnjë ndërhyrje fizike në monument. Instalacioni do të qëndrojë 12 ditë. Mozaiku “Shqipëria” i fasadës së Muzeut Historik Kombëtar është punuar nga artistët Vilson Kilica, Josif  Droboniku, Agim Nebiu, Anastas Kostandini dhe Aleksandër Filipi. Mozaiku “Shqipëria” është më i madhi i këtij lloji në Shqipëri dhe ai u përurua bashkë me Muzeun Historik Kombëtar më 28 nëntor 1981 në Tiranë.

  • Omer Kaleshi, mjeshtri i vetmisë

    Në vend të in memoriamit

    Nga: Bajram Sefaj

    “…Duket sikurse ai (Kaleshi) ecën si i verbër midis rekuizitës shekullore të përfytyruar prej poetëve e piktorëve, që nga Geothe e Byron te Delacroix, me një padurim për të mbërritur në themelin e gjërave, atje ku është  baza, shtresa tektonike që nuk lëviz…”

    Në qoftë se nga teksti (frëngjisht e turqisht) i librit monografik të artit “Omer Kaleshi”, që për autor ka autorin e njohur shqiptar, Ismail Kadare, nuk mësohet edhe aq shumë mbi mjeshtërinë artistike të këtij piktori  me prejardhje shqiptare, kur “emrit të tij turk Omer, i mungon vetëm H-ja, për t’u bërë i njëjtë me emrin e poetit të madhe grek, atëherë, lirisht mund të thuhet se, mbi jetën e tij mëson gjëra fantastike. “Një zjarr i rënë në hambarët dhe stallën ngjitur me shtëpinë e tij, kujtim shqetësues i fëmijërisë, i ka lënë mbresë të thellë. Ishte një zjarr kriminal, i vënë për arsye urrejtje dhe hakmarrjeje, ndaj i është dukur dhe më i tmerrshëm. Dele dhe buaj digjeshin. Më vonë, kur urrejtja të bëhej edhe më e fortë, do të digjeshin njerëz”, thotë ndër të tjera Kadare, kurse piktori Omer, i qetë e zë-paktë, shton: “ Ka vjet që punoj në këtë dramë”, për të ardhur deri “…në atë të bardhë, të ftohtë anash, atë dëborë, atë brymë frigoriferike, ato na kujtuan morgun e madh të Prishtinës, ku hetuesit e TPI-së plotësojnë dosjet e tyre, në vitin e  egër 1999”. (Kadare).

    Omer Kaleshi, piktor turk, me origjinë shqiptare, ka vjet mbase decenie, që jeton e krijon në Paris, ku, pos veprës kolosale artistike, krijon edhe vetminë, madje më të madhe dhe më të qetë se Ludvig van Bethoven-it të shurdhër. Kaleshi, përnjëmend, është mjeshtër i vetmisë. Me këtë pohim pajtohet  gjithsecili që ka pasur rastin ta vizitojë atelienë  e tij dhe të rrijë e të bisedojë me të. Ndonëse ka në tokën e shqetësuar të gadishullit më aventurier të Evropës, Omer Kaleshi është njeri i shquar për butësi dhe tolerancë por, le të lexojmë bashkë një pjesë të tekstit të kapitullit të pestë të librit ku Kadare, me mjeshtërinë dhe zhdërvjelltësinë e tij tashmë të njohur dhe të pranuar nga të gjithë, hedh dritën më të fortë në një pjesë të mirë të rrugës jetësore të këtij piktori të mirënjohur.

    Katundi Serbicë në Maqedoni është një ndër më të largëtit e më të paarritshmit për udhëtarin. Omeri i vogël, që kishte lindur në këtë humbëtirë, shumë herët e kuptoi përse gjyshi i tij, i ardhur nga malet veriore të Shqipërisë, kishte zgjedhur për vendvendosje në këtë skutë të mënjanuar. Një rënie në gjak e kishte detyruar. Qysh në atë kohë emri i Shqipërisë, malet me mjegull  të së cilës dalloheshin nga rrafshulëta maqedonase, lidhej me një kërcënim… Ishte viti 1955. Një vit më pas, familja e tij, ashtu si mijëra familje të tjera, u mërgua në Turqi. Ishte koha e egër e terrorit të serbomadhit Rankoviq. Jugosllavia dëbonte nga trualli i vet një pjesë të kombësive josllave. Shenjat e para të spastrimit etnik  dukeshin në horizont… Në Ankara, Omeri punoi si elektricist. Ëndrra e tij për të shkuar  në Stamboll, në Akademinë e Arteve të Bukura, u krye më në fund! Më 1962, bashkë me dy studentë të tjerë, vendosën “të shikojnë botën”. E fillon nga Turqia. Për pesë muaj i bien  anekënd me autostop gjithë vendit. Shikojnë katunde, qytete,  pazare, dervishë, barinj, karvanë, saraje, tyrbe otomane, uzina, varre bidonvile. Vizitojnë rrënojat e Trojës, Bergamon, Hefesin , gjithça. Pas këtij shtegtimi, vëllai i tij, Hasan Kaleshi, profesor në Hamburg e në Prishtinë të Kosovës, ku edhe vdiq, e ndihmoi të marrë vizë  për të dalë në botë. Më 1963 udhëton  nëpër Itali dhe Francë. Më 1964 në Vjenë, Gjermani, Angli e Holandë. Më pas viziton Madridin e Toledon. Muzetë dhe galeritë janë magjepsëse kudo, por atë e tërheq sidomos Parisi. Kthehet në Paris dhe punon si lyrës ndërtesash. Një aristokrat shqiptar, një zotni i madh i kulturës evropiane e otomane, Abedin Dino, e ndihmon, ashtu siç kishte ndihmuar dhjetëra bashkëkombës të tij, të merrte letrat. Ca kohë lan qelqet në Drugstoren e Champs Elyseese. Një ditë aty gjithashtu, ra zjarri…”.

                    Mbase, duke pasur parasysh këtë biografi dramatike, ndjekur krejt me flakë e zjarr, edhe mund të kuptohet pse Omer Kaleshi, fill pas rinisë së tij të hershme, është ngujuar në kështjellën e vetmisë, për t’u bërë mjeshtër i saj. Ky piktor i vyer dhe i afirmuar, tash i shtyrë në moshë, me përjashtim të rasteve të rralla, kur në dyert e banesës atelie pret dikë, pjesën tjetër të jetës e bën midis figurave të tij, që, kryesisht, pra, janë barinj ose dervishë. “Këta njerëz, këto koka janë banorë  të Anadollit, po aq sa të luginave ballkanase, ata janë turq, shqiptarë, maqedonas, epirotë, hebrenj, trojanë, babilonas, pellazgë”, që edhe përbejnë plejadën e modeleve të tij më të shpeshta.                                                                                                                               (prill, 2002)

    Lexo edhe:

    “OMER KALESHI NUK ARRITI DOT TA PËRFUNDONTE AUTOPORTRETIN E TIJ”

    ObserverKult

  • “Ashtu si ti”, Bozheku godet Ramën: Piktori akuzon aktorin që futet në politikë

    “Ashtu si ti”, Bozheku godet Ramën: Piktori akuzon aktorin që futet në politikë

    Juristja Enida Bozheku ka reaguar lidhur me deklaratat e sotme të kryeministrit Edi Rama dhe kandidatit për Bashkinë e Tiranës, Florjan Binaj.
    Përmes një postimi në rrjetet sociale, juristja shprehet se në thelb, deklaratat ironizuese mes të dyve vijnë nga dy artisë në profesion, që kanë zgjedhur të jenë pjesë aktive e politikës.
    “Rama, piktori par excellence i kohës sonë, akuzon Binajn se është aktor- pra, artist – që i është bashkuar “kënetës” së opozitës! Nga ana tjetër, e vërteta është se Binaj është njëkohësisht i diplomuar për Arkitekturë dhe ka deklaruar hapur se figura e tij është apolitike.Në kuptim të Kodit Zgjedhor, mbështetja opozitare apo partiake i duhet Binajt vetëm për të siguruar regjistrimin në KQZ.
    Kthehemi te Piktori, i cili vetë vjen nga bota e artit. Për shembull, miku i tij Zelensky – që e do fort – vjen po nga komedia, është aktor. Ish-kryetari i bashkisë dhe sot deputet i tij, Erjon Isai, është gjithashtu aktor.Pra, Binaj qenka i papërshtatshëm si kandidat për kryetar bashkie sepse është komedian, ndërsa Piktori ynë qenka i përshtatshëm për kryeministër.
    Eh, punto nero, nero!”,-shkruan Bozheku.

  • Manet: Do të doja ta lexoja tani shkrimin e mrekullueshëm që do të bëni për mua sapo të vdes…

    Manet: Do të doja ta lexoja tani shkrimin e mrekullueshëm që do të bëni për mua sapo të vdes…

    Édouard Manet

    Nga Zija Vukaj

    Édouard Manet: “S’do të më vinte keq sikur të mund të lexoja, tani që jam gjallë, shkrimin e mrekullueshëm që do të bëni për mua sapo të vdes.”

    Këto pak fjalë që piktori i dërgoi kritikut Albert Wolff, kur tashmë aktiviteti i tij artistik po i drejtohej fundit, mund të jenë një lloj embleme për Manet. Por fati i tij nuk ishte i veçuar: në klimën e konformizmit tradicional të Perandorisë së Dytë, në Parisin që ziente në zgripin mes dy epokave, mosmarrëveshja dhe urrejtja zyrtare qenë pengesa me të cilën duhej të përplaseshin të gjithë apo, thuajse piktorët më të mëdhenj të kohës. Atij, Édouard Manet, i takoi, mbase, privilegji i përvojës së parë. Sepse qe ai që i pari, duke thyer skema tashmë të shteruara, shkaktoi stuhinë që do të hapte rrugën e impresionizmit dhe të pikturës moderne në përgjithësi.

    A ishte paramendim apo thjesht një fakt intuitiv? Është e vështirë të përfytyrohet Manet i butë, borgjez i vogël me sjellje elegante, kultivues, mbase i parregullsive borgjeze, në rolin e një shpërthyesi të trukuar. Në qoftë se qe aty parandjenja, nuk duhet ta imagjinojmë Manet si njëfarë doktor Jekyll, i cili me të zbardhur drita endej me të gjithë përulësinë dhe me një admirim të shtirur, nëpër sallat e muzeve parisiane e të huaja, për të studiuar kryeveprat e mjeshtërve të së kaluarës; dhe që në mbyllje të ateliesë së vet argëtohej ta përsëriste duke modifikuar deri në mënyrë qesharake, atë që sapo kish përfunduar së pari. (…)

    (…) Édouard Manet studionte dhe dashuronte mjeshtrit e së shkuarës, por gjuha e tij s’mund të ishte tjetër veçse moderne. E njëjta gjë do t’i ndodhte një shkrimtari të forcës së tij, nëse do të vihej të shkruante sot “Të fejuarit”: me siguri, i miri dhe i çiltri Renco, paksa tyryfyl në pafajësinë dhe çiltërsinë e tij do të shndërrohej në një djalosh të pabesueshëm për gjithçka; dhe Luçia engjëllore, pak irrituese në bardhësinë e saj të papërlyer, do të fitonte tonalitetet më të vrazhda dhe më autentike. Po çfarë fati do të kishte një shkrimtar që do të guxonte kaq shumë? Fatin e Manet, i cili rrallëherë që pa pikturat e tij të pranuara në Sallon, qe edhe i detyruar të dëgjonte qeshje gaztore dhe komente të tërbuara të publikut: e, sidomos, të vuante hedhjen baltë nga ana e kritikës militante.

    Para “Olympia-s” shkruante një gazetar i kohës, “turma qëndronte si para një dhome Morgu; dhe kjo me të njëjtën kureshtje të ligë me të cilën vështrohet një kufomë”. Dukej e papranueshme që Venera të tregonte ngjashmëri me kamarieren: fytyrën e një vajze çfarëdo, një prej të shumtave që takoheshin në rrugë apo në kafe. Deri ajo njollëza e errët, djathtas, në të cilën hijezohet figura (e do të thosha më shumë se figura, mungesa e maces), s’mbaronte kurrë së irrituari. Ishte vetë ideja e bukurisë që po përmbysej. E megjithatë, piktori tentoi, ndershmërisht, t’i shpjegojë popullit synimet e tij krejt modeste dhe aspak revolucionare.

    “Është sinqeriteti”, shkroi, “ajo që i jep veprës një karakter që mund të duket protestë, ndërsa në realitet piktori ka kërkuar vetëm të shprehë përshtypjen (impresionin) e vet… Nuk ka pretenduar as të përmbysë traditën, as të krijojë një pikturë të re. Ka dashur thjesht të jetë vetvetja dhe jo një tjetër.”

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    ZIJA VUKAJ: LIBRA, LIBRA, LIBRA…

  • “Magjia e vizatimit”/ Piktori Gazmend Leka, ekspozitë me mbi 80 krijime në Galerinë FAB

    “Magjia e vizatimit”/ Piktori Gazmend Leka, ekspozitë me mbi 80 krijime në Galerinë FAB

    Vizatimi është një akt i pastër, i çliruar nga gjykimi, një mënyrë për të komunikuar me ndjenjat përtej arsyes.

    Për piktorin Gazmend Leka, vizatimet nuk janë thjesht akt përgatitor drejt pikturës, por është magji më vete, ndaj ekspozitën me mbi 80 krijime në Galerinë FAB e titulloi “Magjia e Vizatimit”.
    Për mjeshtrin e penelit, vizatimi është një akt krijues që merr jetë në të brendshmen tonë dhe ndriçon shpirtin.
    “Për mua, vizatimi zë një vend shumë të rëndësishëm në krijimtarinë time, kam një lidhje shumë të fortë me të, sa herë që krijoj ciklet e pikturave, sigurisht që merrem edhe me koleksionin e vizatimeve. Këtë herë, nuk doja të ndërtoja vizatimin si një servil të pikturës, si një paradhomë të pikturës.
    Kam marrë disa imazhe, të cilat i kam pasqyruar në të gjithë krijimtarinë time 40-vjeçare dhe i kam ripërtypur edhe njëherë. Nga memoria ime, kam liruar disa figura, të cilat kishin një lloj aktivizimi, nuk kishin vdekur përfundimisht në shpirtin tim”, tha piktori Gazmend Leka.
    Vija që konturojnë portrete, ngjyra e nuanca që diferencojnë format, dritëhije që përballin botë të ndryshme.
    “Kjo është një lloj ndjeshmërie që ka njeriu kur merret gjatë me një gjë, është ajo përplasje që ke gjatë ditës, çohesh në mëngjes ka diell, në darkë bie nata. Edhe krijimi ka stilin e tij, ka momente kur fut dritën më të fortë, ka momente kur drita bëhet më përkëdhelëse dhe ka më shumë hije”, deklaroi piktori.
    Një tjetër element i veçantë janë titujt që qëndrojnë pas çdo krijimi që joshin më shumë publikun dhe nxisin imagjinatën.
    “Është fare normale që kur lind një fëmijë, duhet t’i vendosësh emër patjetër pa kaluar ai 30-40 ditëshi. Zakonisht përpiqem të mos ia vë emrin direkt, që pasi publiku të marrë emocionin e parë, kur lexon titullin, krijon edhe shtresat e mendimit”, u shpreh ai.
    Ekspozita, që është një ritregim i të gjitha personazheve të Gazmend Lekës në mbi katër dekada, mirëpret artdashësit në Galerinë FAB të Universitetit të Arteve deri më 2 nëntor.

    Top Channel

  • Gazmend Leka: Në një botë ku fjala është bërë e lehtë, e shpejtë dhe shpesh boshe, vizatimi mbetet një nga mënyrat…

    Gazmend Leka: Në një botë ku fjala është bërë e lehtë, e shpejtë dhe shpesh boshe, vizatimi mbetet një nga mënyrat…

    Nga Julia Vrapi
    “Magjia e vizatimit” këtë sezon vjeshte një ndër ekspozitat e reja në Tiranë. Magjia e vërtetë e vizatimit është se ai nuk kopjon realitetin, por e rikrijon atë në mënyrën më intime dhe personale, shprehet piktori i njohur Gazmend Leka, ekspozita e të cilit hapet këtë mbrëmje në galerinë FAB në Fakultetin e Arteve të Bukura-Universiteti i Arteve Tiranë. Vizatime laps sepia dhe karbon në këtë ekspozitë, që vjen e kuruar nga Ermir Hoxha. Me ekspozita personale piktori Gazmend Leka profesor i Universitetit të Arteve është prezantuar herë pas here në vend, por edhe jashtë, duke u mirëpritur me interesin e artdashësve, por këtë mbrëmje të 17 tetorit 2025 ai vjen me “Magjia e vizatimit”, ku prezanton një sërë punësh. Piktorit thotë se vizatimi nuk është një proces i thjeshtë krijimi, por një kthim në vendet e braktisura të kujtesës. Gazmend Leka kujton se vite më parë u gjend në Louvre pikërisht ditën kur u hap ekspozita me vizatimet e Leonardo da Vinci-t.
    Nëpër muret e ndriçuara me kujdes tregon ai, ishin ekspozuar disa vizatime të vogla, punuar në sepia e sanguina. Piktori Gazmend Leka shprehet se kanë kaluar shumë vite që atëherë, por gjithçka i është ngulitur në kujtesë. “Dritat në sallë ishin të ulëta, thuajse mistike. Vizitorët lëviznin me një heshtje përulëse, si pelegrinë në një vend të shenjtë. Në atë atmosferë të ngarkuar me solemnitet, papritur më dolën përpara dy kryeveprat e Leonardo-s, njëri vizatim dhe tjetra pikturë – Virgjëresha me djalin dhe Shën Ana me Shën Gjon Pagëzorin. I kishin vendosur pranë, ndoshta si një lloj pedagogjie muzeale, për të treguar kalimin nga skica në realizimin përfundimtar, edhe pse nuk ishin identike. Ishte një mënyrë për të edukuar vizitorin, për t’i zbuluar procesin krijues.
    Mua nuk më pëlqeu. M’u duk sikur piktura i merrte zërin tjetrës, ose e detyronte të justifikohej si pararendëse. Megjithatë, para vizatimit ngriva. Nuk lëvizja. Vështroja me kujdes çdo vijë, çdo prekje të lehtë, çdo sfumaturë. Hidhja një sy te piktura në krah dhe kthehesha sërish te vizatimi, sikur diçka më tërhiqte më me forcë. Më magjepsi”, tregon piktori, ndërsa shton që iu duk vepra më e bukur në botë. Në sytë e gjithkujt piktura është ajo që mbetet, shprehet piktori Gazmend Leka, ajo që riprodhohet më së shumti në albume, kartolina e në kalendarë. Por për të në atë çast piktura zuri vendin e vet, u bë “e bukur”, por e largët, përballë asaj që po rrezatonte më “thellë” vizatimi. “Prekja e sepias dhe karbonçinës flisnin më shumë se çdo ngjyrë, se çdo sfumaturë. Ishte si të shihje shpirtin përpara se të vishej me trup.
    Piktura, me gjithë përkryerjen e saj, m’u duk si përmbytje. Nuk po e shihja si “heqje mënjanë”, përkundrazi. Vizatimi në krah m’u shfaq si një thirrje e fshehtë, një pëshpërimë që vinte nga thellësia. E pamjaftuar, e papërfunduar, por e pakrahasueshme në frymë. Isha thjesht i paralizuar nga fuqia e tij, zhveshur nga çdo iluzion, çdo shkëlqim e çdo shtesë. Ndoshta ky vizatim edhe në kohën kur u krijua ndryshoi syrin e shikuesit, mentalitetin e tij, që të mos shihej më si shërbëtor servil i pikturës. Aty, atë çast, piktura m’u duk si gjuha e trupit dhe vizatimi si gjuha e shpirtit. Në fund të fundit, vetë Leonardo shkruante se: “Vizatimi është rruga më e sinqertë për të lexuar mendjen e dikujt”, thotë piktori Gazmend Leka.

     Vizatimi ndriçon shpirtin
    Hapja e një ekspozite me vepra arti është një ngjarje e bukur për kryeqytetin. Dhe ajo e një piktori të mirënjohur si Gazmend Leka në galerinë e FAB në Tiranë merr një vlerë të madhe dhe bëhet edhe pjesë e aktiviteteve të ndryshme këtë sezon vjeshte. Por ndërsa piktura të kënaq syrin piktori Gazmend Leka thotë se vizatimi ndriçon shpirtin. Ai thotë se vizatimi është aty ku banon e pathëna, e padukshmja. “Më ndodh shpesh të mendoj se piktura i ngjan jetës së jashtme, ndërsa vizatimi jetës së brendshme. Piktura të kërkon të jesh i plotë, vizatimi të lejon të jesh i thyer. Aty ku ngjyra flet për dritën, vija flet për hijen, që ngrihet nga mendja. Në skajet e një vizatimi, lëviz dora e Arkitektit të Madh, ku në qendër është njeriu lakuriq dhe i pambaruar, i sinqertë dhe i çuditshëm.
    Me këtë gjuhë, ne mund të bërtasim pa zë, të tregojmë dashuri pa objekt, të rrëfejmë ëndrra pa ngjyrë. Shpellë e vërtetë nuk është sfondi i errët i pikturës, por është vizatimi, aty ku banon e pathëna, e padukshmja, ajo që nuk është ngjizur ende, por ndihet si prani. Piktura të josh fort, vizatimi të fton brenda. Piktura të kënaq syrin, vizatimi të ndriçon shpirtin”, vijon piktori. Për Gazmend Lekën, piktura është rezultat, vizatimi është udhëtim dhe ndoshta për këtë arsye shprehet ai përpara asaj pikture të mrekullueshme, të përkryer, ndjeu një boshllëk. “Në një botë ku fjala është bërë e lehtë, e shpejtë dhe shpesh boshe, vizatimi mbetet një nga mënyrat më të thella e më të ndershme të komunikimit. Ai është më shumë sesa një art, është një magji e brendshme, që merr jetë përmes dorës së njeriut dhe shtrihet në letër si një frymë që nuk mund të ndalet. Magjia e tij qëndron në faktin se nuk ka nevojë për përkthim. Një vizatim, si edhe piktura, kuptohet njësoj si nga një fëmijë ashtu edhe nga një i moshuar dhe aty ku nuk arrijnë dot fjalët, fillojnë vijat”, shprehet piktori.
    Vizatimi një mjet i fuqishëm për të përballuar veten
    Një sërë punësh të piktorit Gazmend Leka prezantohen në këtë ekspozitë personale këtë mbrëmje në galerinë FAB, ku artdashësit për disa ditë me radhë do të gjejnë aty krijimet e tij. Por për piktorin vizatimi është gjithashtu mjeti i fuqishëm për të përballuar veten. “Magjia e vërtetë e vizatimit është se ai nuk kopjon realitetin, por e rikrijon atë në mënyrën më intime dhe personale. Objekti nuk është më objekt, por mënyra si ndihet thelbi i tij, pa të tepërta. Kjo e bën vizatimin një akt të thellë emocional, por edhe filozofik. Vizatimi, gjithashtu, është një mjet i fuqishëm për të përballuar veten”, thotë piktori Gazmend Leka. Sipas tij në një kohë kur gjithçka matet me shpejtësi, vizatimi na mëson të ndalemi  dhe të dëgjojmë atë që nuk flitet. “Në kaosin e vijave të hedhura kuturu fshihet vetë shkarravitësi që po vizaton. Është art-terapi. Është dëshmia se brenda njeriut fshihet diçka më shumë sesa logjika, një burim ndjenje, ëndrre dhe krijimtarie. Përmes tij, arrijmë të prekim të padukshmen, të shprehim të pathënën, të kuptojmë veten dhe botën. Dhe në një kohë kur gjithçka matet me shpejtësi dhe produktivitet, vizatimi na mëson të ndalemi, të shikojmë më thellë dhe të dëgjojmë atë që nuk flitet. Për këtë arsye, ndoshta, vepra më e madhe e Da Vinci-t nuk është Mona Lisa”, vijon piktori.

    Rikthimi
    Piktori Gazmend Leka thotë se shumë nga imazhet e tij përsëriten, që vijnë si për të më thënë diçka që nuk arriti ta dëgjojë herën e parë. Piktori thotë se po ribën veten nëpërmjet vizatimit. “Nuk është një proces i thjeshtë krijimi, por një udhëtim i brendshëm, një kthim në vendet e braktisura të kujtesës, ku gjërat e pathëna kanë mbetur pezull në ajër për shumë kohë. Në çdo vijë, në çdo nuancë që vizatoj, ndiej sikur po i jap formë një pjese të vetes, që më parë nuk kam ditur ta emërtoj. Shumë nga imazhet e mia përsëriten si refren. Janë figura, forma, dritëhije, sfumatura, që vijnë sërish dhe sërish, si për të më thënë diçka që nuk arrita ta dëgjoj herën e parë.
    E kuptoj se këto nuk janë përsëritje rastësore. Janë kujtime të mbjella dikur, ndoshta pa vetëdije, si fara të hedhura në një kohë të largët, që tani kanë filluar të mbijnë”, thotë piktori. Gazmend Leka tregon se kthehet tek ato imazhe jo për t’i kopjuar, por për t’i rifilluar, për t’i rishikuar me sytë sot. “Pse ndodh kjo? Pse më shtyn vetja të kthehem pas? Nuk është thjesht nostalgji. Është diçka më e thellë, një lloj arkeologjie e brendshme, ku bëhem kërkues i heshtur në tokën e vetvetes. Gërmoj në shtresat ku kam varrosur pjesë të pavetëdijshme të qenies sime, pjesë që atëherë nuk kisha as fuqinë dhe as dritën për t’i parë. Tani, me kohën që kam kaluar dhe me veten që kam ndryshuar, u rikthehem dhe ajo që zbuloj nuk është e njëjta gjë. Ishte kur ishte, s’është më.
    Edhe kur duket e njohur, flet ndryshe”, thotë piktori. Për piktorin Gazmend Leka të ribësh një imazh është si të ribësh një pjesë të vetes. Puna me veten sipas tij nuk është e lehtë, por është e domosdoshme. “Përsëritja në art nuk është kthim mbrapa. Është riformësim, rikonfigurim. Si një dialog që fillon atje ku kishte mbetur pezull, por me fjalë të reja. Është si një përpjekje për të kuptuar më mirë rrënjët që më kanë formësuar. Të ribësh një imazh është si të ribësh një pjesë të vetes, një akt i kujdesur dhe i ndershëm për ta kuptuar më thellë të kaluarën. Kjo lloj pune me veten nuk është as e lehtë, as e shpejtë, por është e domosdoshme. Mbase kjo është mënyra më e sinqertë për të mos e humbur unin tënd kur rikthen në duar ato copëza që të kanë ndërtuar, t’i shohësh me sy të rinj dhe t’u japësh një jetë tjetër. Në këtë mënyrë, përpara se të ecësh përpara, pranon se rruga drejt vetes kalon përherë nga e kaluara. Mbjellim nga e njëjta farë”, shprehet piktori Gazmend Leka. Ekspozita që hapet këtë tetor në galerinë FAB do të qëndrojë deri në datën 2 nëntor. Disa nga veprat e Gazmend Lekës janë pjesë e koleksionit të Galerisë Kombëtare të Arteve. Mbi 400 vepra të tjera janë shpërndare në koleksione private në Shqipëri, Amerikë, Francë, Zvicër, Itali, Turqi, Rusi, Gjermani, Holandë, Spanjë, Kanada dhe Japoni.

  • Bujar Arizi, piktori shqiptar përzgjidhet mes 100 artistëve më të mirë të kontinentit

    Bujar Arizi, piktori shqiptar përzgjidhet mes 100 artistëve më të mirë të kontinentit

    Në një lidhje direkte nga Greqia për emisionin “ABC e Mëngjesit”, piktori shqiptar me famë ndërkombëtare Bujar Arizi ndau me publikun shqiptar një lajm të rëndësishëm për karrierën e tij: ai është përzgjedhur për t’u botuar në librin prestigjioz të 100 artistëve më të mirë të Evropës.

    Arizi tregoi se propozimi për pjesëmarrje në këtë botim të veçantë erdhi pas një vlerësimi të punëve të tij të shpërndara në rrjete sociale dhe konkurse ndërkombëtare. “Më kontaktuan para dy javësh dhe më kërkuan të dërgoja një punim të fundit. Pas shqyrtimit nga komisioni, mora konfirmimin. Ishte një ndjenjë krenarie dhe lumturie e veçantë”, tha ai gjatë intervistës.

    Në libër do të pasqyrohet një nga nudot më të fundit të artistit, si dhe një biografi e shkurtër për rrugëtimin e tij artistik. Me mbi 32 vite që jeton në Greqi, Arizi rrëfeu se gjithçka nisi nga një udhëtim në Itali, më pas një ekspozitë në Greqi që e bëri të mbetej atje për të ndërtuar karrierën.

    “Kam fituar çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe kjo përzgjedhje është një tjetër vlerësim për artin tim abstrakt”, shtoi Arizi.

    Në intervistë, ai zbuloi edhe një tjetër projekt të rëndësishëm që po vjen së shpejti: një ekspozitë në Shqipëri në bashkëpunim me Ambasadën e Greqisë, ku do të ekspozohen peizazhe nga të dy vendet si një urë kulturore dhe emocionale mes tyre. “Ky do të jetë një rikthim i imi në Shqipëri, për të qenë më afër publikut shqiptar me veprat e mia”, përfundoi piktori.

    ObserverKult

    Videon me deklaratën e tij mund ta shihni duke klikuar më poshtë:

    ——

    Lexo edhe:

    PREMIERA, RECITALE E MBRËMJE GALA PËRGJATË TETORIT NË TKOBAP (PROGRAMI)

  • Piktori Mentor Berisha hap ekspozitë personale në Berlin (Foto)

    Piktori Mentor Berisha hap ekspozitë personale në Berlin (Foto)

    Ekspozita”Nëna dhe fëmija”, para publikut berlinez

    Piktori kosovar, Mentor Berisha, vazhdon që artin e tij ta ekspozoj nëpër qendra evropiane. Brenda një harku kohor jo të gjatë, ai pas Madridit dhe Vjenës, këto ditë, prej 24 shtatorit deri më 29 shtator, ka hapur ekspozitën e tij personale në Berlin. Në galerinë e këtij qyteti, Erstererster, Berisha ka hapur ekspozitën e titulluar “Nëna dhe fëmija” me 15 punime ku shpërfaqet motivi aq emotiv, që sjell raporti primar social në mes nënës dhe fëmijës“Janë punime të viteve të fundit. Më ka preokupuar ky motiv i përjetshëm dhe i patjetërsueshëm, pikërisht në kohën ku po përballemi me një krizë morale të familjes”, sqaroi Berisha.Pikturat e Berishës, dallohen përmes një qasjeje ekspresioniste, ai përdor teknikën spachtel dhe stilin alla prima, për të krijuar tekstura të trasha që ngjajnë me skulptura të ngritura mbi sipërfaqen e kanavacës – një proces që u jep veprave thellësi emocionale dhe plastike.Sipas Berishës ekspozita është mirëpritur nga publiku berlinez.”Më ka habitur gatishmëria e vizitorëve të cilët me aq spontanitet pyesin për ngjyrat e përdorura, për motivin dhe për Kosovën” , tregon Berisha, i cili po qëndron këto ditë në Berlin.

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    NË GJILAN U HAP EKSPOZITA “SOLIDARITETI SI REZISTENCË“ E PIKTORIT, MENTOR BERISHA

  • Historia e rrallë e pikturës “Nënat labe”, ishte pjesë e ekspozitës kombëtare më 1986

    Historia e rrallë e pikturës “Nënat labe”, ishte pjesë e ekspozitës kombëtare më 1986

    Nga: Uvil Zajmi

    I ftuar në një ekspozitë retrospektivë të organizuar nga familja e “Piktorit të Popullit”, Fatmir Haxhiu, në një përvjetor të tij, ku ishin edhe mjaft miq të artistit, një mbrëmje prekëse, plot emocion, kujtime, shoqëruar me piktura, vizatime, gjithçka që Haxhiu la pas, një trashëgimi me vlerë. Midis të ftuarve ishin edhe dy zonja të nderuara, me të cilat rastësisht u ndodha pranë. Pasi u prezantuam, mësova se ato kishin qenë mësuese në gjimnazin “Qemal Stafa”, ku edhe im atë, piktori Nexhmedin Zajmi, ka qenë një ndër pedagogët e parë të tij. Ndërsa, të pranishmit ndiqnin, pikturat njëra pas tjetrës, vëmendja u ndal kur u shfaq tabloja “Nënat labe”, e përmasave 1920×150, në vaj realizuar nga piktori Haxhiu në vitin 1986.

    Nisur nga shënimi i lënë nga vetë piktori, Fatmir Haxhiu, ishte dëshira, ideja e tij, për të paraqitur ndihmën e madhe që kanë dhënë nënat e gratë trime shqiptare në luftërat e vazhdueshme për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Një kompozim përgjithësues me terrenin e thyer, dhe peizazhin me dëborë, për të treguar edhe vështirësitë e natyrës, si dhe veshjet e grave, karakteristike të zonës së Labërisë.

    “Kjo tablo ka një histori të rrallë, vijoi rrëfyesi, djali i piktorit. E gjykova si një shprehje shoqëruese të një pikture, vepër arti, një histori, që e ka nxitur, provokuar frymëzuar autorin. Por, papritur, Artani shumë i emocionuar, nxori një letër, kërkoi qetësi, dhe nisi leximin. Të gjithë ne u përqendruam, për të dëgjuar çfarë përmbante ajo letër, me kureshtjen nëse kishte lidhje apo jo me pikturën. Dhe vërtet, historia, si ajo e veprës “Nënat labe”, të piktorit Fatmir Haxhiu, vështirë se mund ta ndeshësh. Një ngjarje e vërtetë, befasuese, tronditëse, deri në kufijtë e të pabesueshmes kur e dëgjon, informohesh për fatin e saj.

    LETRA

    “Pas ngjarjeve të vitit 1997, në gjimnazin “Qemal Stafa” të Tiranës, u vendos të bënim përpjekje për të ndryshuar “klimën”, si rezultat i atmosferës së rëndë të krijuar në të gjithë vendin. Ndërtuam lulishten para shkollës, mbollëm shumë pemë që sot janë bërë disa vjeçare, duke aktivizuar mjaft nxënës për të mbledhur material për historikun e gjimnazit e për të filluar punën për ringritjen e muzeut të shkollës (Gjimnazi u çel më 1925, një gjimnaz me shumë vlera e traditë, ku kanë dhënë mësim personalitete të kohës dhe kanë studiuar nxënës që kanë kontribuar në shumë fusha, brenda dhe jashtë vendit. Unë isha mësuesja koordinatore, që përveç mësimdhënies, mbuloja qeverinë e nxënësve dhe gjithë veprimtaritë në shkollë. U vendos që do të festonim 70-vjetorin e gjimnazit, dhe kishim përcaktuar detyrat për vendosjen në hollet e shkollës, të stendave, fotot e mësuesve të nderuar që kanë dhënë mësim në gjimnaz dhe të ish-nxënësve, personalitete në vite.

    Me drejtorin e gjimnazit të atyre viteve, zotin Gjegj Zaharia, shkuam në Ministrinë e Arsimit për të saktësuar emrat e mësuesve të nderuar me tituj “Mësues i Popullit” dhe “Mësues të Merituar”, të dhëna pas viteve 90-të. Kur mbaruam punë dhe do të largoheshim, u gjendëm përpara një pamje të pabesueshme. Dy punëtorë po transportonin materiale ndërtimi me një tezgë të improvizuar, që s’ishte asgjë tjetër, por tabloja origjinale “Nënat labe” e Mjeshtrit Fatmir Haxhiu. Piktura kishte qenë pjesë e ekspozitës kombëtare të vitit 1986. Nuk u besonim syve dhe u alarmuam. Shkova menjëherë për të marrë dy nxënës për ta shpëtuar e transportuar tablonë. Bashkë edhe me një pikturë tjetër, që kishte pësuar të njëjtin fat.

    E kemi mbajtur tablonë për gjashtëmbëdhjetë vjet në shkollë dhe në 8-vjetorin e gjimnazit në vitin 2010, pikturën e vendosëm në një kornizë dinjitoze. Profesorit të nderuar Fatmir Haxhiu nuk ia treguam asnjëherë si arriti piktura në shkollë. Në vitin 2000, i ftuar në 75-vjetorin e gjimnazit u befasua kur e pa, duke na shpjeguar qëllimin që e kishte shtyrë piktorin në realizimin e saj. Na premtoi se do të bënte një riprodhim dhuratë për gjimnazin, për ta marrë më pas origjinalin. Por, në atë kohë ai ishte shumë i impenjuar për realizimin e tablosë monumentale “Beteja e Fushë Kosovës”, për Muzeun Historik të Kosovës. Fatkeqësisht në marsin e vitit 2001, papritur kur ishte në kulmin e punës, ai ndërroi jetë. Sot jam e lumtur që ajo është pronë e familjes Haxhiu si një vepër arti e jo si një tezgë”.

    Për një çast Artani, ndaloi, pa nga salla, për të vijuar: “Nga një ish-mësuese në gjimnazin “Qemal Stafa,” Tiranë, 3 mars 2016″.

    Sigurisht që të gjithë ne, të pranishëm u befasuam. Atmosfera e krijuar, vërtet ishte e pabesueshme, e papritur për atë çfarë përmbante letra, rrëfimi, dhe ngjarja, i bëri të heshtin njerëzit, pati një moment pauze. Pa humbur kohë, Artani iu drejtua një gruaje, duke e prezantuar publikisht. Ktheva kokën dhe konstatova se ishte pikërisht, ajo mësuesja, protagonistja, autorja e asaj letre, e atij veprimi, gruaja që unë kisha në krah, dhe që isha prezantuar në fillim. E ftuar, ajo nuk e priste, që letra, të cilën ja kishte dërguar familjes, të bëhej publike aty. E mbetur disi e hutuar, kur Artani përfundoi leximin, ndërsa sytë, vëmendja, vështrimi i të gjithëve ishte drejtua, përqendrua tek ajo. Për të vijuar më pas me pikturat, vizatime e tjera, vepra, punë të piktorit të realizuara, e të lëna pas ndarjes së tij nga jeta. Të vendosura me estetikë, në stendat e galerisë. Një koktej më pas në mbyllje, me biseda, komente.

    GJERGJ ZAHARIA:” PIKTORI HAXHIU U NDA NGA JETA PA E DITUR HISTORINË E PIKTURËS SË TIJ”

    Ish-drejtor i gjimnazit “Qemal Stafa”, pikërisht në kohën, kur bëhet fjalë për historinë e tablosë, sot pa kaq vitesh, lidhur me atë ngjarje, kujton: “Ishte një befasi kur krejt rastësisht e pashë, më tërhoqi vëmendjen, një ngjyrë blu, në një kënd të tezgës së llacit”- shprehet për gazetën “Panorama”. Pastaj momenti kur piktori Haxhiu pa veprën dhe kërkesa e tij.

    Z. Zaharia, jeni në krye të një gjimnazi në Tiranë, me histori të madhe?

    Në hollin e gjimnazit kisha vendosur disa stenda me fotot e personaliteteve të shquar, si të artit figurativ, kinematografisë, muzikës, arsimit, shkencës, letërsisë, shkrimtarë, sportistë, njerëz me kontribut nga të gjitha fushat e jetës, ish-mësues, nxënës në atë gjimnaz. Por edhe heronj, dëshmorë. Ideja ishte që brezat e rinj të njiheshin me to. Muze më të bukur vështirë se gjeje atëherë, besoj edhe sot në një shkollë te mesme, gjimnazi, mendoj se nuk ka. Nxënësit, mësuesit ndërrohen, largohen, vinë të tjerë, ato njerëz, foto mbeten. I sheh në holl ato figura, sikur komunikon, jeton me to.

    Në Ministrinë e Arsimit për punë, por ju tërheq edhe diçka tjetër?

    Shkoja vazhdimisht në Ministrinë e Arsimit, duke qenë drejtor i një gjimnazi me emër, dhe nga fakti se e kisha afër, sigurisht edhe për siguruar ndonjë ndihmë për shkollën. Më kishte bërë përshtypje një pikturë që ndodhej në korridorin e katit të parë, dy nxënëse gjimnaziste me përparëse të zezë ulur në një stol. Më pëlqente shumë, doja ta çoja e ta vendosja në shkollë, tipike për atë mjedis. Por si? Duhet t’i lutesha administratorit, por ishte e vështirë. Ato bënin inventar, dhe ministria nuk mund ta jepte, ty, për shkollën tënde pikturën që kishte vlerë. Gjithsesi mëndja më punonte aty.

    Ristrukturim, pa limite?

    Filloi restaurimi, i ministrisë. U hoqën nga muret pikturat, fotot, duke i lënë nëpër korridore, pa kujdesje e vëmendje të veçantë. Mendova se kishte ardhur rasti për ta gjetur e marrë atë pikturën. I fiksuar te ajo pikturë, shkoja në ministri duke hedhur sytë për ta parë. Në atë rrëmujë, shoh dy punëtorë, me një tezgë që mblidhnin, hidhnin mbeturinat, dhe përgatisnin llaçin. Papritur më zuri syri midis llaçit e pluhurit, një si ngjyrë bojë qielli. Jo i sigurtë, se çfarë mund të ishte ajo, pasi as nuk të shkonte mëndja, bile po të mos ma kishte kapur syri, ngjyrën blu, gjithçka do të humbiste, nuk do të tregoja interes.

    Paraqitja imponuese e juaja, zbulon

    Tezgës ata, i kishin vënë dy shkopinj për ta mbajtur. I ndalova, dhe i them që lëreni pak këtu këtë tezgë se më duhet mua. I veshur me kostum kravatë, rregulli për zyrtarët, kujtuan se isha dikushi dhe pa bërë fjalë e lanë aty. Sa herë e kam menduar më pas, se po të më njihnin, ndoshta nuk do të më bindeshin. U larguan, për t’u kthyer pas pak, pasi edhe ata nuk e dinin se çfarë ishte realisht ajo tezgë.

    Jeni bashkë me një mësuese, protagoniste në këtë histori?

    Atë ditë, me mua në ministri ishte edhe Shpresa. Një mësuese heroinë kjo, tejet e rrallë e veçantë. Shpresa Bejo (Todri). Mbesa e Dhaskal Todrit, një grua, personalitet me të cilën organizoja aktivitete, konkurse. Kishte një dashuri pa kufi për nxënësit, me devotshmëri të paparë për t’i shërbyer. E prerë, e tillë ishte natyra e saj si arsimtare. Me një kontribut të jashtëzakonshëm për çfarë ka bërë në atë shkollë. Duke qenë shumë e shkathët, me pasionin për t’i çuar nxënësit e shkollës në degën e arkitekturës, ajo me nxënësit organizonin çdo të shtunë, si ditë pushimi, leksione në Galerinë e Arteve Figurative. Një angazhim sistematik dhe kur bënim konkurse të parët ishin fitues nga gjimnazi ynë, pasi kishin prioritet, falë kurseve të zhvilluara që i ofronin mundësi më shumë të ishin më të përgatitur. Gjithçka nga puna Shpresës që i shoqëronte.

    Reagoni pa humbur kohë, kërkoni ndihmë?

    Thërres Shpresën, i them sill urgjent disa nxënës këtu në ministri. Ajo njoftoi dhe erdhën, por që i vinte zor të merrnin tezgat e ta çonin në shkollë. Duke qenë unë aty i urdhërova. Dy tezga me llac, por ende pa ditur nga askush se çfarë fshihej, në ato pëlhura. I morëm në shkollë dhe unë nuk u morra më me to. I them Shpresës, merru ti, bëj çfarë të duash. Me mendimin që pasi t’i hiqet llaci, nëse ia vlente t’i mbajmë për shkollën, pasi konstatuam se tezgat ishin piktura, por pa ditur asgjë më shumë.

    Sa rrezikonte të prishej ajo pikturë në atë gjendje?

    Shpresa e dinte mirë si veprohej, pra me llaçin mund të ikte edhe boja, ngjyrat, pra duhej kujdes, ishte punë specialistësh. Duke pasur miqësi, njohje me punonjësit e galerisë kombëtare të arteve, i çoi atje, pasi pati komunikuar me ato të restaurimit. Janë dy piktura që punëtorët i kishin kthyer në tezga, janë me llaç si t’ia bëj? I kishte informuar.

    Keni kuriozitet të dinin se të kujt ishin ato tablo?

    Nuk kisha shumë interes për emrat, por piktura më duhej, më interesonte për shkollën. Sigurisht po të ishte e ndonjë autori të njohur, kishte vlerë të shumëfishtë. Ndërkohë, Shpresa i pastroi aq sa mundi pikturat pa i dëmtuar, me kujdesin e një njeriu, siç ishte ajo, pastaj i dërgoi në Galeri për një punë më profesionale. Befasia ishte se atje, kur i pa Sopi, i cili punonte në sektorin e restaurimit, shtangu, kjo është piktura ime e shpreh i surprizuar. Informoheni se cilët janë autorët, si vepruat? Unë i kam mësuar vonë se të kujt ishin pikturat, kur pas një kohe, vjen Shpresa e më thotë se ata piketuara, njëra është e artistit Fatmir Haxhiu, tjetra e piktorit Edi Sopi, të cilin e njihja se e kisha në lagje, te Medreseja dhe që kishte mbaruar për pikturë. Mbeta. Si ka mundësi i them. Ata të galerisë nuk e bënë bisedë me familjarët e Haxhiut. Kur ma solli në shkollë, u mahnita, piktura ishte shumë e bukur. Restaurimi ishte kryer në perfeksion. Ishte rikthyer piktura origjinale, nuk mund ta besoje, se pak kohë më parë kishte qenë tezgë llaci. “Nënat labe”, m’u kujtua filmi, dhe këtë do ta mbajmë për drejtorinë i them Shpresës dhe e vendosa aty.

    Jeni i fiksuar tek një tablo pronë e dikasterit?

    Nuk isha amator admirues i pikturës, as pasionant, por pikturën e atyre vajzave nuk do ta marrja në aspektin artistik, por për atë që më interesonte më shumë, për seriozitetin e shkollës, të thjeshta, në kuptimin e disiplinës së shkollës. Ajo mund ishte edhe e një piktori të panjohur, por më ishte fiksuar.

    Edhe si tematikë, më duhej për gjimnazin, për faktin se kishte filluar, një farë liberalizmi në shkolla, nxënës, mësuese që vinin me minifunde dhe isha kundër atyre veshjeve.

    Pati interesim nga ministria për pikturat e humbura?

    Absolutisht, nuk u kujtua askush nga ministria për dy pikturat nga të cilat njëra prej tyre rrinte në zyrën time. As nuk ia kujtuam, nuk i thamë, nuk i treguam, asgjë, përkundrazi. Realisht interesimi i tyre ishte zero. Vinin në zyrën time, në raste kontrolli, takime, as nuk e dinin se ekzistonte ajo pikturë dhe që ishte e ministrisë. Për atë të Sopit, nuk e di çfarë u bë.

    Keni një vizitë, jo të zakontë në zyrën tuaj?

    Ndërkohë, në aktivitete të ndryshme, artistike, sportive, përvjetorë shkolle, thërrisnim ish-nxënës që jetonin, familjarët e aty jo, fëmijët, prindërit, Shpresa ishte mjeshtre në të tillë organizime. Një ditë, në një veprimtari të tillë, vjen edhe Fatmir Haxhiu. E ftuam, pa idenë, dhe me mendimin se kishim pikturën e tij në shkollë. Jemi në vitin 2001.

    Cili është kontakti i parë i piktorit me mjedisin?

    Nuk i thamë, as ai nuk dinte gjë, madje as mua nuk më shkoi ndërmend. E njihja si Fatmir, artist, por pa bërë në ato momente lidhjen artist-pikturë. Pa i dhënë rëndësi, si diçka e zakontë në të përditshmen rutinë, u ul në një kolltuk, në drejtori, me pikturën në mur, por fillimisht nuk e pa. Edhe si piktor, ndoshta nuk e mendonte, që një vepër tij, ndodhet në drejtorinë e një shkolle dhe ai këtu në këtë zyrë bashkë me pikturën e tij. Aq më shumë me atë temë, pra luftën, heroizmin e grave.

    Vjen një moment, që biseda ndryshon?

    Duke hedhur sytë përreth e sheh, e njohu, pati një reagim: “Kjo është piktura”- më thotë. Aty unë u kujtova, po i përgjigjem profesor Fatmiri, ju jeni autori i kësaj pune. Një pikturë shumë e bukur, vijoj unë, tashmë i përqendruar te biseda.

    Ka një propozim nga piktori, i papritur për ju?

    Piktura e kompletonte zyrën. Kur vinin njerëz të ndryshëm, deri edhe nga ambasadat, i tërhiqte vëmendjen, tregonin interes, e shihnin me mjaft admirim. Këto ia shpreha edhe Fatmirit. Ishte një çast, kur me shumë kujdes, më pyeti nëse mundet ta merrte? Jo ta marr, por unë do t’ju bëj një tjetër pikturë, identike si kjo që edhe ti të mos e dallosh. Por, kjo ka tjetër vlerë, se është origjinale. Ty nuk të intereson se është e tillë apo kopjim, mjafton kur ta shohësh, e ke këtu, nuk do e kuptosh, po dora ime do ta bëjë.

    Çfarë ju befasoi me shumë?

    Unë nuk e dija dashurinë, lidhjen që ka piktori me një vepër të tij, dhe kur befasishëm ndodhet para saj. Jam jashtë kësaj marrëdhënie piktor-pikturë. Po ta kisha menduar më parë, nuk do të kisha future në zyrë, se realisht rrezikonte të më ikte piktura, që me aq vështirësi e risollëm në gjendjen e parë dhe që unë isha dashuruar tashmë me të, si pjesë e zyrës, shkollës. Të vjen keq ta heqësh, të është mësuar edhe syri.

    Ka një marrëveshje me artistin e madh?

    Po i them kjo po, bëhet menjëherë, nuk kam asnjë kundërshtim por bëjeni më parë ju, që unë mos ta heq, duket dhe bosh muri. Jo vetëm unë, por i gjithë stafi pedagogjik jemi mësuar me këtë pikturë dhe njerëzit kur do hynë e do të dalin, ku është piktura, mos e ka marrë drejtori në shtëpi do mendojnë. Ato nuk do më thonë mua, por do më përflasin nëpër korridore. Ato nuk e dinë që keni ardhur ju. Unë nuk mund të mbledh kolektivin e ti them, erdhi piktori dhe e morri. Ti bëje atë, rëndësi ka origjinalen e ke këtu e jetë këtu. Dhe kështu u ndamë.

    Dhe si vijoi, u realizua “shkëmbimi” i premtuar?

    Kur pas disa ditësh, ai papritur ndërroi jetë. U befasova, u trishtova, pikëllova, si nuk ia plotësova atë dëshirë, më mbeti peng. Por, nuk mund ta mendoja kurrë, pasi ai ishte aktiv me shëndet të mirë. Pas vdekjes së tij, Shpresa u lidh me familjen, fëmijët, Artanin djalin kryesisht. Organizuam një aktivitet më nxënësit, dhe në mënyrë ceremoniale, ia dorëzuam origjinalen. Ndërkohë, shumë korrekt ata kishin përgatitur dhe na sollën një pikturë tjetër, si dëshirë e familjes Haxhiu.

    Z. Zaharia, në mbyllje, flisni edhe për një ekspozitë, pak të veçantë?

    Me artistin Bujar Kapexhiu, realizuam në shkollë ndërmjet karikaturës tri stenda të bukura, të mëdha. I vura në katin e parë. Me temë veshjen kryesisht të mësuesve, nxënëseve. Një ndër to ishte një karikaturë me nxënësit duke parë mbathjet e mësueses ngjyrë të kuqe. Fenomene të kësaj natyre, pati bujë duke dhënë mesazhin që mos eja në shkollë me veshje jo estetike. Ato karikatura flisnin më shumë se gjithçka tjetër. E shihje se sa hyje në hollin e shkollës, një kryevepër e Kapexhiut./panorama

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    KATËR TABLO PËR SHQIPTARËT REALIZUAR NGA PIKTORI FRANCEZ CHARLES BARGUE