Aleanca e NATO-s ka pezulluar nga të gjitha tenderat kompaninë izraelite të armatimeve “Elbit Systems”, pas zbulimit të një skandali masiv korrupsioni ku dyshohet se janë paguar miliona euro ryshfet për zyrtarë dhe ish-gjeneralë të aleancës.
I ftuar në edicionin e mbrëmjes në Syri Tv, redaktori dhe gazetari Julian Hoxhaj, shprehet se kjo kompani, e akuzuar për korrupsion dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, ka lidhur në prill të këtij viti një kontratë me qeverinë shqiptare, detajet financiare të së cilës mbahen sekret.
Lajmi sipas Hoxhajt, u bë publik pas një investigimi të një rrjeti mediash europiane, të udhëhequr nga media holandeze “Follow the Money”, ku NATO jo vetëm që ka pezulluar kompaninë nga tenderat e ardhshëm, por ka anuluar edhe 13 kontrata aktive që “Elbit Systems” kishte me vende të ndryshme anëtare.
Skema e dyshuar përfshinte, shton gazetari, dhënien e miliona eurove ryshfet për zyrtarët e aleancës, me qëllim lidhjen e kontratave me vlerë miliarda dollarë për furnizimin me sisteme të ndryshme mbrojtjeje.
Një rast i cituar është ai i Portugalisë, ku një kontratë me vlerë mbi 100 milionë euro dyshohet se kishte çmime artificialisht të fryra, ndërsa hetimet dhe arrestimet kishin nisur në Europë, gazetari Hoxhaj shtoi se qeveria shqiptare, më 27 prill 2023, firmosi në Vlorë një marrëveshje me “Elbit Systems”.
Marrëveshja parashikon ngritjen e një qendre për përgatitjen e pilotëve ushtarakë dhe civilë në aeroportin e ri të Vlorës. Pjesë e marrëveshjes është edhe blerja nga Shqipëria e të paktën tre sistemeve të ndryshme ushtarake, përfshirë dronë dhe mjete të tjera luftarake.
Ndryshe nga vendet e tjera si Greqia, ku kontrata me vlerë 650 milionë euro është publike, marrëveshja e Shqipërisë me “Elbit Systems” është hartuar në mënyrë të tillë që çdo detaj financiar të mbetet sekret, theksoi ndër të tjera Hoxhaj.
E vetmja gjë që dihet publikisht është modeli i armatimeve që Shqipëria do të blejë. Ndërkohë që hetimet ndërkombëtare vijojnë, kontrata e qeverisë shqiptare me kompaninë e sanksionuar nga aleanca ku bën pjesë, mbetet aktive.
Është një lajm në fakt që në arenën europiane ka nisur prej disa muajsh. Por së fundi, një rrjet investigativ europian, përfshi ose nën udhëheqjen e Follow the Money, një media holandeze, kanë publikuar një investigim që tregon se së fundi aleanca e NATO-s ka pezulluar nga dhënia e tenderave kompaninë Elbit Systems. Është një kompani izraelite, e cila ka marrëveshje me disa vende anëtare të NATO-s, përfshirë dhe Shqipërinë. Janë të paktën 32 vende anëtare të NATO-s, përfshi dhe Shqipërinë, e cila i furnizonte këto vende me municione apo sisteme të ndryshme në fushën e mbrojtjes dhe të, po themi, aviacionit ushtarak. Dhe Shqipëria ka pikërisht një marrëveshje të tillë në fushën e aviacionit ushtarak, por do të ndalemi më vonë tek këto detaje. Pra, kompania është pezulluar nga marrja e tenderave dhe ndërkohë janë pezulluar dhe 13 kontrata aktive që aleanca, pra vendet anëtare të NATO-s, kanë pasur me këtë kompani.
Aleate të NATO-s, pra vende anëtare të NATO-s. Janë gjithashtu disa të arrestuar, janë të paktën pesë persona të arrestuar, që janë kryesisht ish-gjeneralë të NATO-s, të cilët pasi e kanë lënë detyrën si gjeneral, kanë shërbyer si bashkëpunëtorë apo konsulentë të kësaj kompanie, pra në për të lidhur kontratat në fushën e armatimeve me vendet anëtare të NATO-s. Shkaku i pezullimit të këtyre është pikërisht veprat e dyshuara penale të korrupsionit dhe grupit të strukturuar kriminal. Ajo që dihet deri më tani, sipas mediave, është që janë dhënë miliona euro ryshfet që ndaj zyrtarëve të Aleancës së Atlantikut të Veriut në mënyrë që ato të lidhnin kontrata me vlerë që shkojnë deri në miliarda dollarë me këtë kompani për të përfituar sisteme të ndryshme në fushën e mbrojtjes me këtë kompani.
Kompania në fjalë, Elbit System, është një kompani e cila në prill të këtij viti ka lidhur dhe një marrëveshje me qeverinë shqiptare për të ndihmuar qeverinë shqiptare për përgatitjen e pilotëve në fushën, pra pilotëve ushtarakë, por edhe pilotëve civilë, ku supozohet se do të ngrihet një qendër në aeroportin e ri të Vlorës që është duke u ndërtuar. Gjithashtu, ne kemi siguruar edhe memorandumin e bashkëpunimit që ka firmosur qeveria shqiptare me kompaninë dhe bëhet fjalë që edhe qeveria shqiptare është përfshirë në një marrëveshje biznesi, pra do të blejë disa sisteme, të paktën tre sisteme të ndryshme, përfshi dron dhe makina ushtarake, pra në fushën ofensive dhe defensive, të cilat do të blihen nga kjo kompani.
Ndryshe nga vendet e tjera të NATO-s, për shembull citoj Greqinë, citoj Rumaninë apo vende të tjera që kanë kontrata publike që dihet dhe vlera financiare e shpenzimit, për shembull në Greqi shkon 650 milionë euro sipas mediave izraelite, por edhe vetë kompanisë, me Shqipërinë kontrata është hartuar në mënyrë të tillë që çdo gjë të mbetet sekret. Pra vlera e saj dhe çdo detaj i kësaj kontrate është sekret. Më 27 prill nëse s’gabohem, është firmosur marrëveshja në qytetin e Vlorës, pra me përfaqësi nga Izraeli dhe ministri Edi Rama, po, dhe kjo marrëveshje vijon të jetë aktive. Dua të kujtoj këtu një detaj interesant që ndërkohë që Shqipëria e firmoste këtë marrëveshje, në aleancën, pra prokuroritë e vendeve të ndryshme anëtare të NATO-s, kryesisht në Belgjikë dhe në Luksemburg janë zhvilluar hetimet dhe po vijojnë hetimet, kishin nisur arrestimet. Në muajin maj janë bërë arrestimet e para, në korrik është bërë suspendimi, pra është bërë pezullimi i Elbit System nga NATO, nga marrja e tenderave, ndërkohë që Shqipëria ka kontratë aktive.









