Tag: madje

  • Syri i njeriut është i mbushur me baktere

    Deri më tani kemi mësuar për koleksionin e mikrobeve që jetojnë në stomakun dhe në lëkurën tonë, të cilat për fat të mirë na mbajnë shëndoshë e mirë.

    Por këto nuk janë të vetmet strehë mikrobesh në organizëm.

    Syri i njeriut përmban një koleksion unik mikrobesh që përbëjnë atë që njihet si mikrobioma e syrit.

    Kur ekuilibrat e mikrobeve prishen. atëherë shfaqen sëmundjet e syrit.

    Përse është e rëndësishme mikrobioma e syrit

    Studimet tregojnë se bakteret që jetojnë në sipërfaqe të syrit luajnë një rol stimulues dhe mbrojtës për sytë.

    Sipas ekspertëve, kjo mikrobiomë mund të shërbejë për krijimin e terapive inovative për trajtimin e shumë sëmundjeve të syrit.

    Madje në një të ardhme jo shumë të largët, shkencëtarët do të mund të përpunojnë bakteret në mënyrë të atillë sa të trajtojnë më me efikasitet të sëmundjeve të syrit.

    Mikrobioma e syrit është gjithnjë e rrezikuar nga baktere të këqija që vijnë nga ajri apo nga duart e palara.

    Megjithatë, një pjesë e madhe e tyre shkatërrohen ose eliminohen falë derdhjes së vazhdueshme të lotëve.

    Shkencëtarët kanë identifikuar katër lloje bakteresh që qëndrojnë në sy.

    Bëhet fjalë për llojet e baktereve: Staphylocoçi, Diphtheroids, Propionibacteria dhe Streptocoçi.

    Kjo mikrobiomë e rëndësishme është njësoj e rrezikuar nga përdorimi apo abuzimi i antibiotikëve, si ajo e stomakut.

    Mjekët shpesh rekomandojnë përdorimin e antibiotikëve të ndryshëm për shumë sëmundje të lehta të syve që në shumë raste nuk kanë nevojë për barna të tilla.

    Problemet e lehta me sytë (siç është skuqja) që shkaktohen nga infeksione virale nuk trajtohen me antibiotikë.

    Madje edhe infeksionet bakteriale të syrit mund të zgjidhen për 7-10 ditë pa ndërhyrje madhore me barna.

    Përdorimi i tepruar i antibiotikëve mund të shkaktojë probleme edhe në mikrobiomën e syve duke shkaktuar infeksione, probleme me imunitetin madje edhe sëmundje të rënda si kanceri.

  • E Djathta, si ego dhe identitet i munguar

    E Djathta, si ego dhe identitet i munguar

    Nga Ben Andoni
    Shqipëria po e kërkon prej kohësh të Djathtën e saj natyrale ose më mirë atë që ëndërronte ta kishte. Jo thjesht si nevojë ideologjike, por lidhur me perceptimin e saj për shtetin përballë korrupsionit të madh që shoqëron të Majtën dhe të gjithë strukturën e saj administrative. Zhgënjimi që la e Djathta e Berishës, dymbëdhjetë vite më parë bashkë me pushtetin, po e të njëjtit argument lidhur me korrupsionin; tashmë e Majta e ka çuar në nivele të papërfytyrueshme. Shqetësuese mbetet pse e Djathta nuk e percepton si duhet këtë situatë dhe të krijojë mundësinë e ta kthejë në favorin e saj. Pyetjet nuk mbarojnë. Pse janë zhdukur dhe pse nuk u identifikuan kurrë si duhet rrënjët e saj të vërteta? Kuptohet dhe ato që bashkëpunuan hapur në L2B me pushtuesit, kundër komunistëve. Nuk mund të mohohet se në fillim të viteve ’90 kishte shpresë prej një të Djathte, e cila lidhej me shumë me të persekutuarit por sidomos lodhjen dhe asfiksimin e njerëzve nga një utopi cfilitëse e komunistëve. Ashtu si kudo në Lindje, referuar studiuesve, tranzicioni drejt ekonomisë të tregut shkaktoi: Pabarazi të paimagjinueshme ekonomike; Papunësi të jashtëzakonshme; çoroditje sociale; e sidomos eksodin e të rinjve drejt Perëndimit, e cila ende nuk ndalet tek ne dhe po kthehet në gangrenë kombëtare. Për fatin e keq, kjo situatë nuk përkoi me atë narrativë që ngritën kudo në Lindje elitat liberale dhe “globalizimi”, duke çuar në perceptimin e një identiteti të vjedhur ose të gërryer. Në Shqipëri vijoi lufta për pushtet e opozitarëve të rinj, veshur me petkun e të Djathtës (por bash të majtë), ndërkohë që simotrat evropiane të krahut të Djathtë evropian e përdorën këtë gjendje duke ofruar: Kthimin tek “vlerat tradicionale”: Familje, pronë, fe artikuluar lirisht edhe nga kinse të Djathtët tanë; Një shteti të fortë kombëtar; një lloj sovraniteti dhe sidomos skepticizmin ndaj ndikimit të huaj (BE, OJQ-të, institucionet perëndimore). Veçse, Shqipëria bëri diferencë se vazhdon t’i trajtojë institucionet e huaja si religjion dhe fjalët e shefave të tyre të panegociueshme.
    Shembujt e Lindjes shkuan ndryshe dhe përfshijnë idetë dhe veprimin e partive “Ligj dhe Drejtësi” në Poloni, “Fidesz” në Hungari dhe forca të ndryshme nacionaliste në Ballkan.
    Me pak ndryshme, e gjithë ideologjia e Djathtë në Evropën Lindore ka ngjashmëri dhe lidhet që me shikimin ndaj probleme të kufijve (Shqipëri-Greqi, Bosnje-Serbi, Kosovë-Serbi); periudhave të gjata të dominimit e pushtimit të huaj (Plot 500 vjet qëndruan Osmanët në vend dhe po kaq në të gjithë Ballkanin); tranzicioneve të shpejta, si ato që ndodhën në vendin tonë; dhe pasigurisë kulturore, e cila lidhet me antropologjitë kombëtare të vendeve tona. Kuptohet se kjo është ajo lloj e Djathte që ecën në shina dhe aspak ajo që ka bërë udhë në Shqipëri. Dhe, jo vetëm për fajin e PD-së që mban flamurin e të Djathtës, por sepse qysh në fillimet e demokracisë shqiptare në vitet ’20 është nisur dhe po bitiset keq. Duhet të kujtojmë se në vitet ’20, Shqipëria ndjente si pakkush pasojat e Luftës së Madhe. Ajo sapo kishte dalë me pasoja të një katrahure, ku përshkrimi i Kadaresë për një njësit që kërkonte luftë mes ushtrive të gjithë vendeve është simbolika më e madhe e kohës. Asokohe, ata pak njerëz dhe njësi kulturologjike demokratike në Shqipëri përballeshin me një padituri të skajshme dhe mbi të gjitha mungesë totale literature dhe mediumesh ku mund të flitej, mendohej dhe të gjykohej për të Djathtën. E dërrmuan pastaj komunistët me batërdinë e tyre ndaj çdo force të Djathtë dhe sidomos individëve të nderuar, prehja e të cilëve në një masë jo të vogël do ishte në varre pa emër. Të mbijetuarit dhe sidomos pinjollët e tyre iu ngjitën të parët me pathos Lëvizjes së vitit ’90, por nuk mund të mbijetonin. Marifetçinjtë e Majtë ia dolën dhe qoftë me zgjuarsinë e përfitimit dhe pa pyetur për idealizmin e njerëzve që apelonin për “Shqipërinë si Evropa”, e shndërruan shpejt PD në njësi me ego mirëfilli arriviste. PD-ja pati disa tollovi dhe me kohë iu largua parimeve konservatore dhe sidomos një të Djathte të vërtetë, madje qysh në agun e veprimtarisë së saj. Anipse PD-ja arriti të bënte jetën politike ndërkombëtare dhe të anëtarësohet në grupin e partive politike të djathta të Qendrës. Por ajo që prisnin njerëzit nuk ndodhi kurrë. Filozofi Zhak Derrida na e kujton këtë prirje në ligjërimin e tij për fenomenologjinë ideologjike të Lindjes : “’E duhura’ nuk ka ekzistuar kurrë. Ekziston vetëm différance—shtyrja e pafundme e një vetvete që nuk vjen kurrë. Evropa Lindore kërkon një origjinë, por origjinat këtu sillen si fantazma: ato kthehen vetëm si fantazma, kurrë si themele”.
    Ndërkohë Partisë Demokratike i kanë firuar emrat e Djathtë, qoftë për efekt të kohës por edhe narrativës që ndoqi logjika e tyre  pas fitores më 22 mars 1992, kur duhet të bëhej dekriminalizimi i Shqipërisë dhe historia të kishte vendin e saj, madje të rishikohej në mënyrën sa më të mundur shkencore të saj. Baza nuk mund të priste. Ashtu si sot nuk pret më eksperimente. Nga zgjedhje në zgjedhje është tkurrur, pasi perceptimi i saj është larg perceptimit të grupit Berisha që e drejton partinë. Individët e “Lëvizjes studentore”, ku mbështetej kthesa dhe sidomos historia tashmë janë harruar sepse shumë njerëz të kësaj lëvizje erdhën dhe u kthyen sërish tek e Majta, habitati i tyre i origjinës. Mbulesa si demokratë dhe më vonë si liberalë ishte e mjaftueshme për kthesën. Egoja e pastër e të Djathtëve ka mbetur vetëm tek të ashtuquajturat klasat e përmbysura dhe të persekutuarit, që votojnë gjithmonë e pa asnjë logjikë vetëm e vetëm PD-në. Madje, edhe kur kjo e fundit nuk bën ndonjë gjë për ta. Egoja e të Djathtëve shqiptarë ushqehet vetëm nga një lloj urrejtje ndaj pasardhësve të Partisë së Punës, paçka se njerëz të PD-së madje edhe kryetari i tyre Berisha (dhe jo vetëm ai) kanë pasur lidhje organike me të. E sa për PS-në dihet ata as e mohojnë dhe madje e kanë krenari që nisën historinë qysh në vitin 1941. Në paradoksin e tyre kanë qenë pikërisht socialistët që kanë nderuar më shumë figura të së Djathtës dhe i janë bashkuar PD-së indirekt në rezistencën që bëhet për datën e vërtetë të çlirimit, një nga çudirat e shumta në vend pas ‘90. Kjo s’është se ka ndryshuar ndonjë gjë të madhe, pasi përfaqësues të familjeve të vjetra apo pasardhësit e ish-themeluesve të shtetit, administratës, parlamentit, gjyqësorit dhe diplomacisë, i gjen pak sot nëpër poste, e para sepse ata vetë nuk duan të identifikohen me një parti që nuk u bë kurrë e Djathtë; dhe e dyta brenda radhëve drejtuese të rangjeve të larta dhe të vetë Opozitës, ku me vetëm pak raste si ai i Alizotit, nuk do të gjesh gati asnjë të vijëmisojë linjën përbashkuese origjinale të Qendrës së Djathtë Demokratike të Shqipërisë së Vjetër. Sot të duket si gjueti në arkivat e historisë për të njohur pinjollët dhe të arrish t’u japësh atyre mundësi përfaqësimi. Me pak fjalë, PD-ka s’ka identitet. Mendimi post strukturalist e përshkroi edhe më mirë, paçka se shumë artistikisht. Derrida e shikonte mendimin e hapësirës sonë të Lindjes: Si identitet në rrënoja gjurmësh. “Identiteti këtu nuk është një monument i qëndrueshëm, por rrënoja mbishkrimesh: të gërvishtura, të mbishkruara, të fshira, e në fund të rishkruara përsëri”. Dhe, një sqarim gati poetik, për atë që nuk duam ta kuptojmë: “Çdo komb në këtë rajon është një palimpsest: Drejtshkrimi osman nën hartat vjenezë, nën sloganet sovjetike nën reklamat neoliberale, nën dëshirën e heshtur për diçka të duhur. Identiteti nuk zbulohet. Identiteti gjurmohet, gjithmonë në gjestin e zhdukjes”. Hapësirë e mbushur me një ego aq të sëmurë, që i shkon vetëm fjala e murgut të njohur rus Sofroni Sakharov, i cili e shprehte në mënyrën e vet fetare realitetin: “Shumica e njerëzve nuk janë ateistë. Ata thjesht e zëvendësuan Zotin me egon e tyre.” Ata që kanë pushtetin te PD-ja e kanë identitetin e tyre dhe ky është vetë Berisha. (Homo Albanicus)
     

  • Xhenxhefili është i shëndetshëm, por nuk është i mirë për të gjithë, kush nuk duhet ta konsumojë dhe pse?

    Xhenxhefili është i shëndetshëm, por nuk është i mirë për të gjithë, kush nuk duhet ta konsumojë dhe pse?

    Xhenxhefili është përdorur në mjekësinë tradicionale kineze që nga kohërat e lashta, dhe madje edhe Konfuci i famshëm e përdorte atë për shëndet dhe forcë.

    Fitoterapeutët rekomandojnë të mos konsumoni më shumë se katër gramë xhenxhefil në ditë , sepse sasitë më të mëdha mund të çojnë në fryrje, gazra dhe urth.

    Gjithashtu, njerëzit që kanë kolit ulceroz, sëmundje inflamatore, çrregullime të gjakderdhjes, si dhe gratë shtatzëna, duhet të shmangin konsumimin e xhenxhefilit.

    Xhenxhefili është përdorur në mjekësinë tradicionale kineze që nga kohërat e lashta, dhe madje edhe Konfuci i famshëm e përdorte atë për shëndet dhe forcë. Gjithashtu, për shekuj me radhë i janë atribuar veti afrodiziake.

    Popullariteti i tij ilustrohet qartë nga fakti se në atë kohë shërbehej rregullisht në tavolina, me kripë dhe piper. Ai përmban përbërës të quajtur xhenxhefil, të cilët kanë efekte anti-inflamatore, analgjezike, antikancerogjene dhe antipiretike, shkruan Miss7zdrava/24sata.hr.

    Prania e këtyre substancave është ndoshta çelësi i efektit të dobishëm të xhenxhefilit në parandalimin dhe lehtësimin e simptomave të sëmundjeve kronike inflamatore.

    Xhenxhefili në ushqime dhe pije përmirëson tretjen dhe ndihmon në trajtimin e ftohjeve, dhe nëse bëni kompresa të ngrohta me xhenxhefil dhe i fërkoni në trup, mund të shpëtoni nga tensioni, dhimbjet dhe ngërçet, madje mund të përshpejtoni shërimin.

    Pavarësisht të gjitha këtyre vetive të mira, xhenxhefili mund të shkaktojë efekte anësore, kështu që nuk duhet të konsumohet në sasi të tepërta.

    Kush nuk duhet të marrë xhenxhefil?

    Njerëzit me kolit ulceroz – njerëzit me sëmundje inflamatore të zorrëve mund të kenë simptoma shumë të pakëndshme nëse marrin sasi të mëdha xhenxhefili.

    Njerëzit me çrregullime të gjakderdhjes – xhenxhefili stimulon qarkullimin dhe rrit presionin e gjakut.

    Gratë shtatzëna – duhet ta shmangin pasi mund të shkaktojë dhimbje mitre. Gratë shtatzëna këshillohen veçanërisht të mos konsumojnë çaj xhenxhefili në dy javët e fundit të shtatzënisë.

    Para operacionit – sepse mund të shkaktojë gjakderdhje më të bollshme.

    Njerëzit që marrin lloje të caktuara ilaçesh – kjo vlen veçanërisht për ilaçet për zemrën, antihistaminat, ilaçet antitumorale dhe ilaçet për humbje peshe.

    Nëse jeni duke marrë ilaçe, sigurohuni që të konsultoheni me mjekun tuaj.

  • Gazeta greke: Mbeturinat shqiptare përmbytën plazhet kroate

    Gazeta greke: Mbeturinat shqiptare përmbytën plazhet kroate

    Rrymat e forta në detin Adriatik kanë nxjerrë një sasi të madhe mbeturinash, kryesisht nga Shqipëria, në bregdetin e Dubrovnikut në Kroaci, duke shkaktuar alarm tek autoritetet lokale. Dy nga vendet turistike më të njohura të qytetit, Plazhi i Banjës dhe Qyteti i Vjetër, u përmbytën javën e kaluar nga një sasi e madhe mbeturinash të nxjerra nga deti, shkruan New York Times. U deshën 2-3 ditë për të pastruar shpejt vijën bregdetare nga plastika, metalet dhe mbetjet mjekësore.
    Bazuar në etiketat dhe materialet e gjetura, shumica e mbeturinave janë nga Shqipëria, sipas autoriteteve lokale të cilat organizuan një fushatë pastrimi. Meqenëse Adriatiku është një det i mbyllur, rrymat e tij të parashikueshme ndihmojnë në përcaktimin e rrugës së mbeturinave.
    Problemi është i vjetër, raporton gazeta amerikane, e cila thekson se për vite me radhë, erërat jugore në Adriatik kanë nxjerrë ton mbeturina në bregdetin e Dubrovnikut. Vendasit madje kanë parë edhe kafshë të mbytura.
    Plastikat në veçanti janë një çështje kritike për qytetin me vetëm 42 000 banorë dhe 4.5 milionë netqëndrime turistike në vit. Në vitin 2020, Dubrovniku madje nënshkroi një angazhim për të zvogëluar mbeturinat plastike.
    Ndërkohë, Kroacia thotë se është në dialog të vazhdueshëm me Shqipërinë sepse “ne e dimë nga vijnë mbeturinat”. Ministria e Jashtme madje ka ofruar ndihmë financiare për menaxhimin e mbeturinave në vend. Ne shohim vetëm se çfarë pluskon, por një përqindje shqetësuese e madhe fundoset dhe mbetet në fund, shtojnë autoritetet kroate./ Protothema.gr

  • “Shqiptarët kishin votuar Edi Ramën, po qeveriste Belinda Balluku”/ Zhvillimet politike, Vangjeli: Morali e shkarkonte

    “Shqiptarët kishin votuar Edi Ramën, po qeveriste Belinda Balluku”/ Zhvillimet politike, Vangjeli: Morali e shkarkonte

    Shqipëria po përballet me një krizë të thellë politike, me në qendër të zhvillimeve zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e cila aktualisht mban statusin e të pandehurës dhe përballet me akuza penale. Situata ka zhvendosur vëmendjen nga çështjet ligjore drejt një udhëkryqi politik për qeverinë dhe maxhorancën.
    Analisti Lorenc Vangjeli, i ftuar në një emision televiziv, e cilësoi këtë moment si pikën më të nxehtë të krizës politike në vend, duke nënvizuar se posti i zëvendëskryeministres dhe roli i saj i fuqishëm në qeverisje e rëndojnë edhe më tej situatën.
    “Cili është problemi politik i Shqipërisë? Zëvendëskryeministri i vendit, zonja Balluku, është nën akuzë penale, madje dhe më shumë se kaq,” deklaroi Vangjeli, duke theksuar se për tre vite rresht Balluku ka qenë figura më e spikatur në qeveri pas kryeministrit.
    Sipas tij, ky është një problem politik që duhej zgjidhur përpara se të transferohej te debati juridik dhe tek pritja për vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Vangjeli argumentoi se kriza mund të ishte shmangur në dy mënyra: me dorëheqjen me vullnet të lirë të Ballukut ose me shkarkimin e saj nga kryeministri Rama.
    Duke komentuar dinamikat politike të ditëve të fundit, ai u shpreh se si kryeministri Rama, ka tendencë të shtyjë betejat e tij drejt fushës së drejtësisë, ndonëse sipas tij nuk është mësuar që pushteti i tij të kufizohet nga një pushtet tjetër.
    Vangjeli theksoi gjithashtu se pavarësisht mangësive, sistemi i drejtësisë ka arritur të diktojë axhendën politike në vend, duke ndikuar jo vetëm dy figurat kryesore të politikës, por edhe gjithë shoqërinë shqiptare.
    Vangjeli:
    Cili është problemi politik i Shqipërisë? Zëvendëskryeministri i vendit, zonja Balluku, është nën akuzë penale, madje dhe më shumë se kaq.
    Nëse është kritikë në një fragment, nuk do të thotë se nuk e duartroket në vendin tjetër. Nëse i njeh pavarësinë nga njëra anë, nuk do të thotë se nuk tenton të ushtrojë ndikim mbi të. Është normale kjo gjë. Tani ajo që po them dhe thelbi i kësaj historie është, Shqipëria ka një krizë politike, e madhe apo e vogël, kjo është tjetër histori. Po zëvendëskryeministri i vendit, njeriu numër dy në qeveri, madje dhe më shumë se kaq, se të paktën për nja tre vjet, shqiptarët vërtet kishin votuar Edi Ramën, po qeveriste Belinda Balluku. Ky njeri është nën akuzë, nën akuzë penale, madje, madje është marrë edhe me statusin e të pandehurit.
    Nuk ka të bëjë me e dinte s’e dinte Enverit. Në fund fare Enveri është përgjegjës. Ajo që po të them ka të bëjë me tjetër gjë.
    Fotografia e të gjithës do të thotë kjo: Shqipëria ka një problem politik dhe ne të gjithë jemi sulur tani çfarë vendimi do marrë Gjykata Kushtetuese e me radhë. Ky është një debat tjetër. Ky problem politik zgjidhej në dy mënyra: me atë të cilën nuk e shkruan ligji, po e ka kodifikuar morali dhe e kodifikon politika. O me largimin me vullnetin e saj të zonjës Balluku, ose me shkarkimin e saj nga kryeministri Rama.
    Dhe në këtë mënyrë, kjo gjë, ky debat bëhej nul. Tani le të presim si do vijë kjo histori. Dalim tek pyetja jote edhe njëherë. Dy njerëzit më të fuqishëm në Tiranë, qoftë Rama, qoftë Berisha, padyshim me instikt, i shtyn, i shtyn të të të sulen drejt sinoreve të drejtësisë. Njëri e bën disi më me elegancë, tjetri e bën me arrogancë. Po të dyja palët nuk janë mësuar që pushteti i tyre të kushtëzohet nga një pushtet tjetër. Madje madje edhe të diktohet nga një pushtet tjetër. Dhe madje madje akoma, ky pushtet i tretë, ende me 1 milion e 1 difekte, krejtësisht i papërkryer, krejtësisht i pakolauduar deri në fund, i ka diktuar ata dhe ka diktuar madje dhe axhendën e tyre dhe axhendën e të gjithë shoqërisë shqiptare.
    Tunelin e Llogarasë e kam kaluar dhe tani druhem, sepse më kujtohet një nga ato pjesët e përgjimit kur ai inxhinieri grek thoshte që ore nuk i hedhin hekur sa duhet betonit këta, dhe të hapësh tunel nuk do të thotë se është vrimë, të shposh një vrimë. Dhe dhe jo, absolutisht shpresoj shumë që të jetë e gabuar kjo gjë dhe të rrëzohet nesër në gjykatë.

  • I ndoqën deri në Norvegji, Juventusi “shpërblen” 400 tifozët që i mbështetën në ndeshjen e Championsit

    I ndoqën deri në Norvegji, Juventusi “shpërblen” 400 tifozët që i mbështetën në ndeshjen e Championsit

    Nuk ishte një udhëtim i zakonshëm për Juventusin dhe tifozët e tyre, të cilët mbërritën në Norvegjinë e ngrirë.
    Fluturimi çarter i rezervuar nga klubi për t’u kthyer në Caselle pësoi pak a shumë të njëjtin fat si fluturimet e tjera të planifikuara, pothuajse të gjitha u vonuan dhe u shtynë, shumë madje u anuluan dhe u riprogramuan për ditën tjetër. Kjo për shkak se reshjet e dendura të dëborës penguan aeroplanët të ngriheshin dhe madje të uleshin që nga orët e para të mëngjesit të djeshëm.
    Ky shqetësim i mbajti afërsisht 400 tifozët e Juventusit që ndiqnin ekipin “të burgosur” në aeroportin e vogël të Bodos për disa orë, duke festuar ende fitoren e ekipit në Ligën e Kampioneve.
    Prandaj klubi nderoi tifozët e Juventusit të pranishëm në stadiumin Aspmyra (nëpërmjet emailit) me një kupon prej 30 eurosh për t’i shpenzuar në dyqanin dixhital të klubit.

  • Lasgushi dhe Tirona

    Lasgushi dhe Tirona

    Nga Bedri Alimehmeti

    Kisha disa ditë që puna nuk po më ecte. Ulesha në tryezë i vendosur që nuk do të ngrihesha pa i dhënë fund edhe një tregimi.

    Por, qe e pamundur, më kot mundohesha, gjithçka hidhja jo nuk më pëlqente, por nuk më ngjiste fare.

    Shkurt ndihesha i shqetësuar ei mërzitur ngaqë po vononte përfundimi i ciklit “Tregimet e Tironës”, të cilëve ua kisha taks numrin nëntë. Kaq kishte qenë dëshira ime e kahershme.

    Ndërkohë kisha përfunduar tetë prej tyre, disa nga të cilët i kisha botuar në shtypin letrar, dhe kisha ngecur.

    Jo se më mungonin subjektet, përkundrazi në shënimet e mia kisha disa projekte të cilët, edhe pse i nisja, e kisha të pamundur t’i çoja deri në fund.

    Ndaj në shtjellën e këtij shqetësimi, sidomos ngaqë nuk po arrija ta bëja librin gati në kohën e duhur, u sorollata atë ditë nga njëra kafene në tjetrën. Derisa tek po shëtisja bregut të Lanës u përballa me një shokun tim të fëmijrisë.

    Kishim vite pa u takuar, ndaj e patëm të pamundur të shkëputeshim nga njëri tjetri, pa ndenjur e biseduar gjatë. Zumë vend në një kafene aty pranë dhe nisëm bisedën.

    Ai kishte kohë që më ndiqte në shtyp, në radio e në televizor, madje i kishte lexuar të gjithë librat e mi, dhe në fund të ligjëratës më pyeti se, ç’farë kisha në dorë?

    I tregova, madje i shpreha edhe shqetësimin, që jo pak po më mundonte ato ditë, teksa ende nuk po e çoja deri në fund atë çka i kisha vënë detyrë vetes. Kur i thashë për titullin e librit të ardhshëm, atij i bëri përshtypje ndaj më pyeti: “Përse ju tiransit i thoni Tirona dhe jo Tirana qytetit tuaj?” Atëherë u detyrova t’i rrëfeja këtë histori.

    Të njejtën pyetje thuajse si kjo e jotja, i thashë ia kishte bërë një ditë Lasgush Poradecit edhe miku i tij, arkitekti Petraq Kolevica, që nuk harronte ta vizitonte shpesh në atë banesën e thjeshtë në atë lagje periferike të Tiranës, ku banonte poeti ynë i madh.

    Për mua Lasgushi është padyshim një nga mendjet më të ndritura, që ka nxjerrë ky komb. Ai shkroi pak, por na la shumë.

    Lasgushi vërtet nuk ishte nga Tirana. Por fakti që ai kaloi në këtë qytet një pjesë të mirë, ndoshta më shumë se gjysmën e viteve të jetës, pa thënë se gjatë gjithë kësaj kohe jetoj mes tiransve, në një shtëpi të familjes së nderuar Mumajesi, në lagjen “Xhamia Sherif” (sot lagja nr.1), ku bashkë me ta përballoi halle e vështirësi të panumërta.

    Teksa përkulur ditë natë mbi makinën e shkrimit, për të siguruar bukën e gojës duke na sjellë në shqip poetët më të mëdhenj të botës.

    “Ky hamall i përkthimit” siç e quante ai veten, bëri të mundur krijimin e shumë fijeve të padukshme, që e lidhën përjetësisht me banorët e kësaj treve të begatë e të pafund në vlera njerëzore.

    Madje, ai i deshi shumë, por edhe ata ama e nderuan dhe e respektuan pamasë.

    Kudo që ta shihnin e përshëndetnin, qëllonte të ishte me një trastë në dorë, sigurisht pasi kishte psonisur diçka, ia merrnin nga dora dhe ashtu duke biseduar me të e përcillnin deri te porta e shtëpisë.

    Kur ia ndjenin trokitjen e bastunit nëpër pllakat e trotuarit ndaleshin dhe i hapnin udhën, teksa ai u dhuronte pambarimisht buzëqeshje të këndshme.

    Mahniteshin sidomos nga pamja e tij ngazëllyese në ditët e para të pranverës, kur pemët çelnin lule, zogjtë cicëronin gazmorë dhe mimozat të dehnin me kundërmimin e tyre.

    E Dajti dukej sikur i afrohej edhe ca më shumë qytetit, tek e shihnin të ecte i rinuar brigjeve të Lanës me kapelën karakteristike dhe pardesyn e hirtë shtrënguar në mes.

    Në raste të tilla nuk i afroheshin, e linin ashtu të qetë në përjetimin e atij meditimi poetik.

    Sigurisht e ndjenin që poetin tashmë se ndalte kush nga shuarja e atij përvëlimi të pakrahasueshëm malli për liqenin dhe qytetin buzë tij.

    Madje, e dinin që edhe pak ditë, ja sa të ngrohej ca moti, ai do të merrte rrugën për të mbërritur sa më parë atje.

    Dihet nga të gjithë, Lasgushi gjashtë muajt e dimrit i kalonte në kryeqytet, kurse gjashtë muajt e verës buzë “gjolit” në Poradecin e tij të dashur, të cilit i tha gjithnjë kështu dhe kurrë Pogradec.

    Gjatë kohës kur ishte në Tiranë e vizitonin herë pas here shokët e miqtë e tij të pendës. Mitrush Kuteli, Nonda Bulka, Eqerem Çabej, Andrea Varfi, Petro Marko. Pastaj Mustafa Greblleshi, Sterjo Spasse dhe Petraq Kolevica.

    Këta ishin miqt e ngushtë të Lasgushit, të tjerë nuk qaste në shtëpi.

    Kur puqeshin të gjithë tok dhe biseda ngrihej në nivele të atillë, që do t’ia kishin zili edhe profesorë të shquar universitetesh, tiransi Mustafa Greblleshi, të cilin poeti e donte aq shumë thoshte gjithnjë: “Kjo është Akademia Lasgush Poradeci”.

    Vetëm pak pasi ishte kthyer nga një shëtitje e tillë, kishte mbërritur atë ditë Petraq Kolevica. Pasi i tregoi disa poezi të përkthyera nga gjermanishtja në bisedë e sipër i tha:

    – Ama dhe këta tiransit, nuk ia thanë një herë tamam emrin Tiranës, qytetit të tyre, por gjithnjë Tirona, Tirona!Lasgushi e kishte parë gjatë në sy dhe më pas i kishte dhënë këtë përgjigje:

    – Që duhet ta kenë një arsye që i thonë Tirona e jo Tirana qytetit të tyre, unë nuk e diskutoj.

    Them kështu sepse, e di mirë që ky popull bujar ka qindra vite, më saktë shekuj që e quan kështu qytetin e tij. Dhe arsyeja kam mendimin se vjen pikërisht nga thellësia e shekujve.

    Arkitekti qe stepur për një çast, aq më tepër kur kishte vën re që nga sytë e poetit kishte nisur të fekste vezullimi i një drite të paparë.

    Gjithçka ishte e qartë, “masati” mendjes së tij pritej të shkëndijonte sërish, madje edhe më fuqishëm.

    – Ty të shqetëson shumë mbaresa ‘ona’, por duhet të dish që Perëndesha e lashtë e ilirëve, pra e të parëve tanë ishte Dodona.

    Madje, enkas për të ata ndërtuan tempullin e Dodonës, ku vinin ei faleshin për ditë. Në jug të Shqipërisë kemi një qytet shumë të bukur buzë detit, m’u aty ku ndahen dy detet e mrekullueshëm Joni dhe Adriatiku.

    Ai qytet sot quhet Vlora, por emri i tij i lashtë është Aulona. Po të shkojmë në veri dhe të ngjitemi në alpe, atje mes Bjeshkëve të Namuna kemi një lumë me bukuri përrallore, që quhet Valbona. Pra, edhe këto emra me ‘ona’ mbarojnë.

    Dhe ne na pëlqen dhe i duam shumë. Por nuk mbaron këtu llafi im. Po të kalosh detin Adriatik dhe të zbresësh në brigjet italiane ke një qytet mjaft të bukur, që mban emrin Ankona.

    Kurse në veri të Italisë gjëndet një qytet tjetër me emrin Verona, qyteti i Romeos dhe i Zhuljetës.

    Dhe italianët me sa di deri më sot, nuk janë jo shqetësuar por, as ankuar që emri i qytetit të tyre të mrekullueshëm mbaron me ‘ona’.

    Pas kësaj Lasgushi e ndali fjalën dhe mori frymë thellë. Kundërmimi i aromës së selfijonit ose borzilokut të sapoçelur, siç i thoshte ai nëpër vazot e radhitura me kujdes anës murit, ia zgjeroj edhe më shumë kraharorin. Arkitekti i zënë disi ngushtë pandehu se poeti kishte mbaruar dhe desh të shtonte diçka, por ai ia bëri me dorë të priste.

    – Nuk kam mbaruar, kam edhe më.- shtoi poeti – Po të përmend edhe dy emra qytetesh nga më të bukurit në Europë. Madje, njëri prej tyre është kryeqytet, Lisbona dhe tjetri Barcelona.

    Po gjithsesi këtë herë do të jemi sërish në Shqipëri në dheun e Arbërit, ku plot vajza të bukura quhen Elona, Bleona, Jona, Edona, Emona, Ermiona etj.

    Gjithë këta emra bukurish të rralla vijnë nga lashtësia dhe mbarojnë me ‘ona’. Dhe neve na vjen mirë, dhe i gëzohemi pamasë yllësisë së tyre.

    Ndaj dhe ky popull i urtë e punëtor, mikpritës në kulm, dashamirës e bujar, që nuk di të përgojojë askënd e ka një arsye të fortë që nuk i thotë kurrë Tirana. Por Tirona qytetit të tij, të cilin sigurisht e dashuron më shumë se sa ne.

    Unë kaq di të them, të tjerat kanë për detyrë t’i bëjnë historianët, arkeologët e gjuhëtarët, të cilët duhet të hulumtojnë, të kërkojnë e të gjejnë arsyen e vërtetë.

    Kaq kishte nxjerrë nga “masati” Lasgush Poradeci dhe kishte heshtur.

    Brenda pak çastesh, në mënyrë të habitshme perceptimi i tij qe zhytur në thellësi të paimagjinueshme e të mistershme të shekujve.

    Duke vërtetuar kësisoj edhe një herë potencën e pakrahasueshme që karakterizonte analizën e tij zhbiriluese prej gjeniu.

    – Tregim i bukur shumë! – foli bashkëbiseduesi im.

    – Cili!? – i thashë i habitur.

    – Ky që sapo më tregove. Dhe kot e vret mëndjen për të shkruar tregim tjetër. Ja tek e ke.

    Siç ma tregove, shko e hidhe në letër. Madje, me të do të parandalosh kundërvëniet, me që ke përdorur në vend të Tirana, Tirona.

    Shoku kishte plotësisht të drejtë. Ndaj dhe unë, merreni si të doni e vendosa këtë histori si në vend të një “parathënie”, në krye të këtyre tregimeve për Tironën.

    Por, pa harruar kurrsesi t’i përulem në këtë rast me respekt madhështisë së fjalës lasgushiane.

    Faleminderit poet i liqenit. Nderim për ty Lasgush Poradeci “shterg i fundit” i poezisë së vërtetë shqipe, që aq shumë i deshe tiransit e mi.

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    CILAT ISHIN AMANETET E POETIT, LASGUSH PORADECI- FLET E BIJA E TIJ

    Ai është një emblemë e poezisë tonë, një personalitet që i dha aq shumë letrave shqipe, por nuk mori sa duhej në këmbim.

    Lasgush Poradeci është pa dyshim një prej emrave që ka ngjallur debat ndër vite, për poetin brilant por edhe për faktin që krijimtaria e tij nuk u pozicionua si duhej.

    Sot, figura e tij komplekse kujtohet me admirimin e munguar ndër vite. Por edhe me krenarinë për një emër që dha aq shumë me përulësi të madhe.

    E bija e tij, Marie Gusho erdhi në “Esencë’ për një rrëfim të veçantë për gjërat që kanë mbetur ende pa thënë dhe për figurën e babait të saj. Me të cilin ajo ishte shumë e lidhur.

    Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

    ObserverKult

  • Vitamina D2 dhe Vitamina D3: Cili është ndryshimi dhe cila konsiderohet ‘më e mira’

    Vitamina D2 dhe Vitamina D3: Cili është ndryshimi dhe cila konsiderohet ‘më e mira’

    Komuniteti shkencor ndërkombëtar është i qartë: vitamina D2, që gjendet kryesisht në burime bimore, është dukshëm më pak efektive sesa vitamina D3, forma që prodhon vetë lëkura jonë kur ekspozohet në diell. Megjithatë, çdo suplementim duhet theksuar kërkon patjetër rekomandim mjekësor.

    Vitamina D është një nga nutrientët më të rëndësishëm për shëndetin: mban të forta kockat, dhëmbët dhe muskujt, ndihmon në parandalimin e infeksioneve, rregullon imunitetin, ndikon në presionin e gjakut, madje edhe në modulimin e gjeneve. Zbulimet e fundit shkencore i japin asaj rol të mundshëm mbrojtës edhe kundër melanomës, kancerit të zorrës së trashë dhe kancerit të gjirit.

    Vitamina D2 (ergokalciferoli) ka origjinë bimore gjendet te kërpudhat dhe disa bimë.

    Vitamina D3 (kolekalciferoli) është forma që trupi ynë e prodhon vetë falë diellit dhe gjendet natyrshëm në ushqime shtazore, si peshku, qumështi dhe sidomos vaji i mëlçisë së merlucit.

    Të dyja, pasi hyjnë në trup, shndërrohen në formën e tyre aktive, e cila kryen funksionet jetike brenda organizmit.

    Por sa i përket efektivitetit, një analizë e publikuar në Nutrition Review thotë se vitamina D2 mund të veprojë madje si antagoniste e D3, duke ulur efektin e saj në trup.

    Pse shkencëtarët preferojnë D3?
    Sipas konsensusit shkencor global, D3 ka përthithje më të lartë, biodisponibilitet më të mirë dhe një qëndrueshmëri më të gjatë në trup. Kjo do të thotë se trupi e përdor më mirë dhe për më gjatë krahasuar me D2.

    Ajo luan edhe një rol më të fortë në:

    -mbështetjen e sistemit imunitar,
    -rregullimin e kalciumit,
    -ruajtjen e niveleve optimale të vitaminës D në gjak.

    Një analizë e Emily Brown nga Universiteti i Surrey, që shqyrtoi 20 studime klinike, tregoi se në 18 prej tyre pjesëmarrësit që merrnin D2 kishin nivel më të ulët të vitaminës D3 në krahasim me placebo-n ose grupin e kontrollit.
    Për vegjetarianët striktë dhe veganët, të cilët nuk marrin burime tradicionale shtazore të D3, situata është më sfiduese. Ekziston vitamina D3 e përshtatshme për veganë, e nxjerrë nga likenet, por është më pak e përhapur sesa D2.

    Në vitin 2022, kërkuesit krijuan madje një domate të modifikuar gjenetikisht që prodhon D3, dhe aktualisht po testojnë nëse kjo rrit nivelin e vitaminës D te njerëzit.

  • Norris rrëfen ndryshimin që ndodhi në pak muaj, që solli përmbysjen e madhe në renditje

    Norris rrëfen ndryshimin që ndodhi në pak muaj, që solli përmbysjen e madhe në renditje

    Në fillim të këtij sezoni, Lando Norris ishte i pasigurt dhe i prirur për gabime, madje shpesh mposhtej nga Oscar Piastri. Megjithatë, ky version i Lando tani duket shumë larg. Që pas garës në Zandvoort, ku u tërhoq për një problem në makinë,  i shkaktuar nga britaniku ka qëndruar përpara shokut të tij të skuadrës çdo fundjavë dhe duke kërcyer nga -34 pikë në +24 pikë në renditje.
    Pas fitores së tij të dielën në Brazil, në pistën e Interlagos, piloti i McLaren la të kuptohej se ai me të vërtetë ka bërë një ndryshim mendor krahasuar me vitin 2024. Madje edhe pjesën e parë të këtij kampionati. “Gjithmonë ka njerëz atje që përpiqen të të rrëzojnë. Mendoj se kjo është mjaft normale”, tha britaniku.
    “Kur je në një skenë të madhe si Formula 1, ka kaq shumë njerëz që flasin dhe thonë gjëra, duke u përpjekur të ndikojnë te të tjerët për të arritur rezultate. Madje mund të dëgjosh duartrokitjet dhe mungesën e tyre. Nuk është gjëja më e mirë. Por mendoj se kam bërë një punë të mirë në muajt e fundit”, shtoi Lando Norris.
    “Në fillim të vitit, mendoj se isha shumë e shqetësuar për fjalët e të tjerëve dhe kjo nuk po ndikonte në mënyrën më të mirë. Thjesht kam mësuar t’i menaxhoj këto gjëra më mirë, jo të interesohem, sepse gjithmonë dua të lë një përshtypje të mirë. Gjithmonë do të përpiqem të shpreh pikëpamjen time dhe të them atë që besoj”, shtoi Norris.
    Lidhur me epërsinë e tij në renditje, një epërsi prej 24 pikësh që tani duket shumë e vështirë për Piastri ta rikuperojë me 3 gara nga fundi, britaniku po e mban hundën ulur dhe po përpiqet të mbajë një profil të ulët: “Jam shumë i lumtur, por ka ende shumë rrugë për të bërë. Nuk ka kuptim të jesh shumë i lumtur ose i emocionuar tani”.

  • Sa rrezikon Shqipëria të kthehet në Republikë Prokurorësh? Dumani flet ‘pa doreza’

    Sa rrezikon Shqipëria të kthehet në Republikë Prokurorësh? Dumani flet ‘pa doreza’

    Altin Dumani, kreu i SPAK, ka folur mbrëmjen e së mërkurës lidhur me punën e Prokurorisë së Posaçme, duke iu përgjigjur shumë dilemave që herë pas here hidhen nga politika në drejtim të kësaj strukture të posaçme.
    Madje nga poltika, qoftë mazhoranca dhe opozita, është hedhur ideja se po shkohet drejt një Republike prokurorësh me mënyrën se si po vepron SPAK.
    Por Dumani në intervistën televizive shprehet se janë disa institucione ku SPAK jep llogari.
    “Pavarësia është gjëja më e mirë që ka ndodhur me reformën në drejtësi. Pavarësia është e garantuar nga Kushtetuta, por duhet të ruhet.
    Kjo pavarësi shoqërohet edhe me llogaridhënie. Kontrollohemi nga ILD. Një shifër që kam marrë është se ka pasur mbi 150 ankesa ndaj Prokurorëve të Posaçëm dhe ka pasur 108 trajtime ankesash, madje në 5 raste është ndjekur edhe rruga ligjore dhe janë rrëzuar. Po kështu SPAK jep llogari para Kuvendit të Shqipërisë, ku paraqitet raporti vjetor, por kemi edhe KLP-në. Po kështu kemi systemin gjyqësor, ku sikundër po shihet tani çështjet po shkojnë deri në Kushtetuese, madje mund të shkojnë edhe në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut”, tha Dumani.