Tag: ligjet

  • “Jo debat për minimumin jetik”, PS rrëzon kërkesën e PD në konferencën e kryetarëve

    “Jo debat për minimumin jetik”, PS rrëzon kërkesën e PD në konferencën e kryetarëve

    Mazhoranca socialiste në konferencën e kryetarëve rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike për zhvillimin e një mocioni me debat për mungesën e një ligji për përcaktimin e minimumit jetik.
    “Dhe unë dua ta bëj publikisht pyetjen që i bëra zotit Balla në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. Masa e ndihmës për personat e papunë apo ndihma ekonomike për familjet me të ardhura të ulëta është rreth 40.000 ALL të vjetra. Dhe zoti Balla do të duhet t’i shpjegojë shqiptarëve, a mundet ai vetë personalisht të jetojë me 40.000 ALL të vjetra në muaj, siç në fakt jeton një numër i konsiderueshëm i familjeve shqiptare”, tha Gazment Bardhi, kryetar i grupit parlamentar, PD.
    Kjo nuk është hera e parë që PS rrëzon kërkesat e opozitës, pasi që në mesin e muajit shtator, kur ka nisur parlamenti, mazhoranca ka rrëzuar pesë mocione me debat, tre kërkesa për komision hetimor dhe dy kërkesa për interpelancë me kryeministrin.

    Në këtë situatë PD akuzoi mazhorancën se po mbyll çdo hapësirë që rregullorja dhe Kushtetuta kanë sanksionuar për opozitën, duke ndalur edhe diskutimet për ligjet.
    “Ama është fakt dhe jo një gënjeshtër e gazetarëve siç akademiku Balla u përpoq ta servirte në opinionin publik, që deri më tani janë miratuar me dhjetëra ligje në dy muaj të kësaj legjislature dhe për asnjërin nga ligjet e miratuara nuk është lejuar debat parlamentar. Në asnjë prej ligjeve nuk ka pasur diskutime në parim, ashtu siç urdhëron Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe rregullorja e Kuvendit”, u shpreh Bardhi.
    Nga 10 seanca që parlamenti i ri ka zhvilluar, vetëm një seancë është zhvilluar normalisht duke diskutuar të gjitha pikat e rendit të ditës, në 9 seancat e tjera kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla ka kërkuar ndërprerjen e diskutimeve dhe kalimin në votim.
    Në seancën e fundit në parlament, deputetët diskutuan vetëm për institucionet e pavarura që raportuan në atë mbledhje, ndërkohë 7 ligjet e parashikuara në rendin e ditës u votuan pa lejuar asnjë diskutim për shkak të gjuhës që kryetari i PD Sali Berisha përdori ndaj ambasadorit të BE në Tiranë, Gonzato.

  • Pse na duhen gjykatat?

    Pse na duhen gjykatat?

    Nga Lutfi Dervishi
    Në një vend normal, loja luhet me tre role të qarta. Në sallën e gjyqit, Zoti quhet gjykatës, jo prokuror. Prokurori ka po aq të drejta sa avokati, as më shumë, as më pak. Njëri akuzon, tjetri mbron, ndërsa gjykatësi vendos, jo sipas humorit të ditës, por sipas provave dhe ligjit.
    Kur gjykatësi nuk bën dot punën e tij, nuk është e thënë që vendin e tij ta marrë në dorë prokurori, ministri, apo “juristët popullorë”.
    Koha kur “partia” vendoste se kush ishte armik dhe kush ishte fajtor, ka mbaruar. Të paktën kështu shkruhet në letër.
    Edhe pyetjet e tipit “Po pse ligjet tona do të na pengojnë për të dënuar armiqtë?” duhen varrosur bashkë me retorikën e viteve ’50!
    Vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ato të Gjykatës së Lartë dhe çdo akt normativ, nuk janë as sugjerime, as opinion miqësor në kafene.
    Janë për t’u zbatuar!
    Janë për t’u zbatuar, jo për t’u debatuar,
    jo për t’u dërguar në Venecia për konsultim,
    e aq më pak për t’u hedhur në kosh!
    Pse na duhen ligjet dhe gjykatat?
    Mos jemi më mirë pa ligj e gjykata? Jo!
    Sepse në mungesë të tyre, ligjin e bën më i forti.
    Mund të vijë dita që një mëngjes një polic të ndalon monopatinën dhe të thotë: “Do ta marr përkohësisht, se s’ke dokument që provon se është e jotja. Ligji? Do ta bëjmë pas 30 ditësh.” Mos e quani fantazi! Mund të vij kjo ditë!
    Ose Kryeministri del një ditë dhe shpall: “Nuk më pëlqejnë verandat e lokaleve. Hiqini të gjitha! Pastaj do bëjmë një rregullore që ta keni të qartë si duhet bërë.” Dhe kjo mund t’ju duket fantazi, por mund të ndodhë.
    Ose mund të ndodhë që Prokurori, i irrituar nga mbrojtja e fortë, të kërkojë në sallën e gjyqit arrestimin e avokatit! Kjo do të thoni ju nuk ndodh as në filmat e Netflix. Nuk ndodh në filma, por mund të ndodhë në realitet!
    Ndaj na duhen ligjet, gjykatat dhe mbi të gjitha, njerëzit që nuk i bëjnë temena pushtetit.

  • Këshilli i Integrimit me bashkëkryetarë, PS: Ligjet për BE miratim me procedurë të përshpejtuar

    Socialistët kërkojnë të kenë gjithçka nën kontrollin e tyre përsa i përket procesit të integrimit të Shqipërisë në BE duke i lënë sa më pak hapësirë opozitës.
    Pasi i hoqën PD komisionin për Çështjet Europiane, mazhoranca ka depozituar në Kuvend ndryshimet në ligjin për Rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Këto propozime ndryshojnë edhe drejtimin e Këshillit të Integrimit, i cili deri legjislaturën e shkuar kryetaren e ka patur nga radhët e PD, si drejtuese e komisionit për çështjet europiane.
    Ky mekanizëm parlamentar do të funksionojë me bashkëkryetare, jo nga komisionet e përhershme parlamentare, por nga kryetari dhe zv/kryetari i delegacionit shqiptar në Komitetin Parlamentar për Stabilizim dhe Asociim, Taulant Balla nga PS dhe Jorida Tabaku nga PD.
    Përpos bashkëdrejtimit ky ligj vjen edhe me një ndryshim të ri. Për të arritur objektivin e qeverisë së Edi Ramës për mbylljen e negociatave brenda 2027, socialistët nxitojnë për të miratuar në një kohë të shkurtër në një numër të lartë ligjesh.
    Për këtë arsye ata mendojnë që ligjet që synojnë përafrimin me ato të BE, marrëveshjet që lidhen me stabiliizim asociimin apo detyrimet e dala nga negociata do të duhet të kalojnë në kuvendin e Shqipërisë me procedurë të përshpejtuar.
    Përveçse sipas propozuesve socialistë, ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar,3/5 e anëtarëve të Kuvendit. Pavarësisht kundërshtive nga ana e opozitës, PS i ka votat e mjaftueshme për t’i kaluar këto ndryshime edhe e vetme.

  • Raporti i DASh, Salianji: Korrupsion i përhapur dhe gjykata joefikasese, ligjet favorizojnë të afërtit e pushtetit

    Raporti i DASh, Salianji: Korrupsion i përhapur dhe gjykata joefikasese, ligjet favorizojnë të afërtit e pushtetit

    Anëtari i Kryesisë së PD-së, Ervin Salianji komentoi raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e biznesit në Shqipëri.

    Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Salianji shprehet se ‘raporti i DASH zbuloi korrupsionin e përhapur përhapur dhe gjykata joefikase’.
    Më tej ai shton se ‘ligjet favorizojnë të afërtit e pushtetit’.
    Reagimi:
    DASH 🇺🇸 zhvesh qeverinë dhe rrëzon propogandën!
    Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve në Shqipëri është një dëshmi dhe pasqyrë e realitetit që qytetarët dhe bizneset ndjejnë çdo ditë. Në mënyrë të drejtpërdrejtë raporti pasqyron;
    Korrupsion të përhapur dhe gjykata joefikase, ku investitorët këshillohen të mos i besojnë sistemit tonë gjyqësor, por të kërkojnë arbitrazh ndërkombëtar. Ky është dështim i qeverisë për të garantuar sundimin e ligjit, shtet ligjor dhe sihuri juridike!
    Të drejtat e pronës të pasigurta, me tituj të mbivendosur, regjistrime të papërfunduara dhe një proces kompensimi të ngadaltë e të padrejtë, shpesh nën vlerën reale të tregut. Raporti thekson se pronat janë sektori i ekspozuar ndaj korrupsionit.
    Abuzime në trajtimin e investimeve, ku ligjet dhe incentivat favorizojnë të afërtit e pushtetit, ndërsa të tjerët mbeten të pambrojtur dhe shpesh të kërcënuar nga shteti me shpronësime apo zhvatje.Mungesë transparence dhe burokraci, që i detyrojnë investitorët të përdorin ndërmjetës për procese elementare, duke rritur kostot dhe rrezikun e abuzimeve.
    Përshkrimi i DASH përputhet plotësisht me historitë e shumta të padrejtësive, shpronësimeve të dyshimta, dhe ndjekjeve selektive që janë kthyer në normë në vendin tonë.

    Top Channel

  • ‘Po tallen me ligjet tona’, Britania zotohet të luftojë bllokimet ligjore që pengojnë largimin e emigrantëve

    ‘Po tallen me ligjet tona’, Britania zotohet të luftojë bllokimet ligjore që pengojnë largimin e emigrantëve

    Britania u zotua të mërkurën se do të luftojë ato që i quajti “pretendime shqetësuese të minutës së fundit” të përdorura për të bllokuar ose vonuar deportimin e emigrantëve, një ditë pasi një gjykatë bllokoi përkohësisht një azilkërkues i cili mbërriti me një varkë të vogël që po dërgohej në Francë.

    “Do të luftoj për t’i dhënë fund pretendimeve të bezdisshme dhe të minutës së fundit. Do t’i mbroj me forcë prioritetet e publikut britanik në çdo gjykatë. Dhe do të bëj gjithçka që duhet për të siguruar kufirin tonë”, tha ministrja e brendshme Shabana Mahmood në një deklaratë.

    Të martën, një burrë 25-vjeçar nga Eritrea, i cili mbërriti në Britani më 12 gusht, fitoi një urdhër të përkohshëm gjyqësor në Gjykatën e Lartë të Londrës që pengoi largimin e tij me një fluturim për në Francë sipas një skeme pilot “një brenda, një jashtë” të njoftuar nga Britania dhe Franca në korrik.

    Gjykatësi Clive Sheldon kishte thënë se kishte një “çështje serioze për t’u gjykuar” në lidhje me faktin nëse pretendimi i burrit për të qenë viktimë e trafikimit e pengoi largimin e tij në Francë.

    Mahmood tha: “Emigrantët që vendosin papritur se janë skllevër modernë në prag të largimit të tyre, pasi nuk kanë bërë kurrë një pretendim të tillë më parë, tallen me ligjet tona dhe bujarinë e këtij vendi.”

    Vendimi i gjykatës erdhi në një kohë kur qeveria e kryeministrit Keir Starmer përballet me presion në rritje për të ndaluar anijet e vogla që transportojnë azilkërkues përtej Kanalit nga Evropa, një rrugë me të cilën kanë ardhur deri më tani mbi 30,000 njerëz në vitin 2025.

  • Georgina, shtatzënë me fëmijën e tij të gjashtë? Ligjet saudite detyrojnë CR7 të martohet

    Georgina, shtatzënë me fëmijën e tij të gjashtë? Ligjet saudite detyrojnë CR7 të martohet

    16 Shtator 2025

    11:02

    Alfred Lleshi

    Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodriguez pritet të martohen, pasi modelja dhe influencuesja duket se është shtatzënë me fëmijën e gjashtë, sipas informacionit të transmetuar nga programi spanjoll “Vaya fama” në “Telecinco”. Gazetarja Alba Morales tha: “Po martohen, sepse ajo është shtatzënë dhe në vendin ku jetojnë nuk është e mundur ndryshe. Kanë vendosur të martohen, sepse ligjet saudite nuk lejojnë të jetosh bashkë pa qenë i martuar”.
    CR7 jeton në Riyadh, Arabinë Saudite, me familjen e tij dhe ka kontratë me Al-Nassr deri më 2027. Ligjet e vendit bazohen në traditën islame, ku marrëdhëniet jashtë martesës dhe shtatzënia e një gruaje të pa martuar janë të ndaluara dhe ndëshkohen rreptësisht. Megjithëse tashmë kanë pesë fëmijë, duket se rregulli nuk mund të shkelet më.
    Cristiano Ronaldo ka shprehur gjithmonë dëshirën për një familje të madhe, Georgina është një nënë e kujdesshme për fëmijët e tyre. Burime të ndryshme sugjerojnë se martesa mund të zhvillohet në korrik 2026, pas Botërorit të futbollit, që mund të jetë i fundit për sulmuesin, dhe po ashtu shënon 20-vjetorin e debutimit të tij me kombëtaren e Portugalisë.

  • “Nuk mund të votohesh këtu e të ‘pallohesh’ në Bruksel”/Manjani: Kodi Penal pronë e shqiptarëve, jo e zyrtarëve…

    “Nuk mund të votohesh këtu e të ‘pallohesh’ në Bruksel”/Manjani: Kodi Penal pronë e shqiptarëve, jo e zyrtarëve…

    Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar me ironi pas deklaratës së kreut aktual të këtij dikasteri, i cili tha se “Kodi i ri Penal do të miratohet vetëm nëse merr OK nga Brukseli”.
    Në një shënim të publikuar në rrjete sociale, Manjani e krahasoi këtë qëndrim me një barcaletë, duke nënvizuar se një fjali e tillë është pa sens logjik, politik dhe ligjor. “Pse, ore, ligjet tona do na i miratojë Brukseli?! Seriozisht?! Po ty pse të votuan njerëzit, për të bërë ligje apo për të bërë deklarata?! Nuk mund të votohesh e paguhesh këtu e të ‘pallohesh’ në Bruksel”, shkruan ai me tone ironike.
    Sipas Manjanit, askush nuk e do Shqipërinë më shumë sesa shqiptarët, prandaj ligjet duhet të bëhen e miratohen në Tiranë dhe jo të presin vulën e zyrtarëve burokratë të pa votuar. “Kodi Penal, si çdo ligj tjetër, është pronë e Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe jo e zyrtarëve të dynjasë”, theksoi ai, duke shtuar se një mentalitet i tillë tregon papërgjegjshmëri zyrtare dhe dëmton demokracinë.
    “Ministri i Drejtësisë ka thënë sot:
    “Kodi i ri Penal do miratohet vetëm nëse merr ok nga Brukseli”.
    E dini atë barcaletën, ku sekretarja i kërkoi drejtorit t’ia bënte rrogën sa të kryeinxhinierit të ndërmarrjes? Kur drejtori ia rrefuzoi kërkesën, me arsyetimin se smund ta ketë rrogën sa k/inxhinieri, sekretarja i tha:
    “Epo ik e pallohu me k/inxhinierin pra”.
    Ja, këtë barcaletë më kujtoi kjo sentencë publike, krejt pa sens llogjik, politik e ligjor të Ministrit  të Drejtësisë.
    Pse ore ligjet tona do na i miratojë Brukseli?!
    Seriozisht?!
    Po ty pse të votuan njerëzit për të bërë ligje apo për të bërë deklarata?! Nuk mund të votohesh e paguhesh këtu e të pallohesh në Bruksel!!!
    Shumë i keqardhur për këtë nivel papërgjegjmërie zyrtare në këtë vend!
    Askush, në asnjë kryeqytet botëror nuk e do Shqipërinë më shumë sesa shqiptarët ore, ejjj!
    Shqiptarët votojnë parlamentin e tyre që ligjet të bëhen e miratohen këtu dhe jo nëpër zyra burokratësh të pa votuar askund, krejt pa din e pa iman!
    Kodi Penal, si çdo ligj tjetër  është pronë e Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe jo zyrtarëve të dynjasë.
    Pa kuptuar këtë, nuk ka shanc të kuptohet as BE e as demokracia perëndimore.” – shkruan Manjani.

     
     
     

  • Si ka ndikuar Kodi i Hamurabit mbi sistemet ligjore moderne

    Si ka ndikuar Kodi i Hamurabit mbi sistemet ligjore moderne

    Kanë kaluar gati 3.800 vite që kur Hamurabi e shtriu sundimin e tij në të gjithë Mesopotaminë e lashtë, një rajon që ndodhej midis lumenjve Tigër dhe Eufrat, dhe që sot përfshin Irakun si dhe pjesë të Kuvajtit, Turqisë dhe Sirisë. Por mbreti babilonas ka një ndikim që ndihet ende sot.

    Kjo është për shkak të Kodit të Hamurabit, një koleksion prej 282 ligjesh dhe rregulloresh të shkruara me shkrimin kuneiform mbi sipërfaqen e një monumenti prej guri me një lartësi mbi 2 metra, që u zbulua nga studiuesi francez Zhak dë Morgan në vitin 1901, dhe që sot është pjesë e koleksionit të Muzeut të Luvrit në Paris.

    Historianët e cilësojnë Kodin e Hamurabit si një simbol të mbijetuar të një sistemi të lashtë mesopotamian për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, ndëshkimin e krimeve, dhe rregullimin e praktikave të biznesit. Ai ka pasur një ndikim të hershëm mbi zhvillimin përgjatë shumë shekujve të sistemeve juridike që ekzistojnë ende në shoqëritë e sotme.

    “Kodi përmban një mbishkrim të lashtë të ruajtur mirë dhe të detajuar mbi ligjin dhe rendin gjatë Dinastisë së Parë të Babilonisë”- thotë Keli-Ana Diamond, ndihmës/profesoreshë e historisë në Universitetin Vilanova. Sipas saj disa nga ligjet e Hamurabit mund të duken sot shumë të ashpra, madje edhe barbare. Pasi shitja e pronës së vjedhur dhe ndërtimi i një shtëpie me probleme që shembej, ishin që të dyja krime të dënueshme me vdekje.

    Po ashtu edhe dënimi për një skllav që e mohonte autoritetin e zotërisë së tij, ishte prerja e njërit prej veshëve. “Por ka të tjerë që sugjerojnë kujdes dhe përgjegjësi për grupet e margjinalizuara. Për shembull, ne shohim tek Kodi i Hamurabit atë që mund të cilësohet si pagesa më e hershme për ushqim”- thekson ajo.

    Po ashtu, Kodi përshkruan një sistem ligjor të lashtë mesopotamian, me parime që zbatohen ende nga gjykatat në SHBA dhe shumë vende të tjera të botës. Për shembull, Kodi përcakton se për të shpallur dikë fajtor për një krim, duhet të mblidhen provat e nevojshme. “Nga ky kod buron parimi që dikush është i pafajshëm derisa të provohet fajësia e tij”- nënvizon Diamond.

    Shtylla e Hamurabit përshkruan mbretin që merr në dorë ligjet nga Shamash, hyjnia mesopotiane e diellit, dhe që shërbeu edhe si gjykatës i Perëndive dhe njerëzve. Kjo histori e origjinës mund të ketë ndihmuar në promovimin e imazhit të Hamurabit si një sundimtar, fuqia e të cilit buron nga Perënditë. Por studiuesit thonë se në realitet, kodi i tij kishte evoluar nga praktikat e mëparshme. “Koleksioni më i hershëm i njohur i ligjeve, është ai i mbledhur nga Mbreti Ur–Nama 300 vjet përpara Hamurabit. Ai përmbante proporcionalisht më pak ndëshkime fizike dhe më shumë gjoba monetare sesa shohim në ligjet e Hamurabit”- shpjegon Amanda H.Podani, profesoreshë e historisë në Universiteti Politeknik  Pomona në Kaliforni.

    “Por në kohën e Hamurabit shumica e dënimeve ishin në fakt gjoba, pavarësisht se çfarë thoshin ligjet. Pra, ndoshta sistemi gjyqësor ka funksionuar në të njëjtën mënyrë gjatë atyre shekujve”- mendon ajo.

    Po ashtu shtylla përshkruan Nanain që adhuron perënditë Osiris dhe Anubis, hyjninë e vdekur që mban çelësin e jetës. “Kodi i Hamurabit ndryshon nga kodet e mëparshme të Mesopotamisë pasi është më i detajuar, dhe na ka dhënë më shumë njohuri mbi ligjet dhe rregullat e kohës, strukturën shoqërore dhe mënyrën se si ligjet zbatoheshin për grupe të ndryshme njerëzish”- thotë Daun Mekormak, dekan i Kolegjit të Studimeve Pasuniversitare në Universitetin Shtetëror të Tenesit, SHBA, i specializuar mbi historinë e Egjiptit dhe Lindjes së Mesme.

    “Teksa popullsia u diversifikua, kodet u përshtatën në përputhje me rrethanat e reja”- thekson ai. Por se sa rëndësi praktike kishte Kodi i Hamurabit në kohën e tij kjo është ende e paqartë. Siç e theksojnë historianët, ai nuk është një koleksion i plotë ligjesh.

    Edhe pse kodi përmban rregullore të hollësishme mbi çështje që variojnë nga pagesa e mjekëve për vendosjen në vend të kockave të thyera dhe deri tek kostoja e marrjes me qira të një kau për shirjen e grurit, ka ndërkohë edhe boshllëqe të dukshme, si mungesa e një ligji bazë kundër vrasjes.

    “Hammurabi nuk bëri asnjë përpjekje për të mbuluar të gjitha shkeljet e mundshme”- shprehet Podani. Ndonëse Hamurabi bëri një punë të madhe duke i gdhendur ligjet e tij në një monument guri, Podani mendon se të dhënat e mbijetuara mbi oborrin mbretëror mesopotamian nuk tregojnë se gjyqtarët konsultoheshin me kodin e mbretit për të marrë vendimet e tyre.

    Koleksioni i ligjeve të Hamurabit u shpall afër fundit të mbretërimit të tij 43-vjeçar. Pra më shumë sesa për qeverisjen aktuale mbreti mund të ketë menduar me shumë se si do të kujtohej nga brezat e ardhshëm. “Të dhënat tregojnë se Hamurabi kujdesej shumë që të shihej si një mbret i drejtë, si për kohën që sundoi ashtu edhe në të ardhmen- thotë Podani.

    Të njëjtin mendim ndan edhe Diamond: “Nuk ka shumë dyshime se Hamurabi donte të perceptohej si një sundimtar i drejtë që mbronte qytetarët e tij, përveçse edhe si një zëvendësues i perëndive në tokë, udhëheqës lufte, ndërtues dhe gjykatës suprem”. Ndaj Kodi i Hamurabit mund të shihet si një simbol i sistemit ligjor ekzistues mesopotamian të kohës së tij, risitë e të cilit patën një ndikim të qëndrueshëm.

    “Mesopotamianët patën një sistem që i kushtonte shumë rëndësi arritjes të së vërtetës së një çështjeje, nëpërmjet përdorimit të dëshmitarëve, dëshmive gojore dhe provave me shkrim, dhe duke i detyruar individët të betoheshin se po thoshin të vërtetën”- shpjegon Podani.

    Betimet ishin veçanërisht të efektshme, për shkak të besimit të thellë që kishin njerëzit se Zotat do t’i dënonin rëndë nëse gënjenin nën betim. Një panel gjyqtarësh dëgjonte një çështje të caktuar, dhe shpeshherë skribët regjistronin ngjarjet që ndodhnin gjatë një gjyqi. Të dhënat e kohës tregojnë se sistemi ishte efektiv dhe i besueshëm.

    Po ashtu Kodi është i rëndësishëm sepse promovoi konceptin se drejtësia duhet të jetë e drejtë dhe e paanshme. Përmes kodeve, Hamurabi përcolli mesazhin se ai ishte një mbret që donte të siguronte që cilido – dhe jo vetëm të pasurit dhe të fuqishmit, por edhe të varfërit – mund të merrnin drejtësi, thotë Podani. Është një ide që drejtësia moderne po përpiqet ende që ta zbatojë, edhe pse jo gjithmonë ia del.

  • Si kanë ndikuar ngjarjet e rastësishme në rrjedhën e historisë njerëzore

    Si kanë ndikuar ngjarjet e rastësishme në rrjedhën e historisë njerëzore

    Nga Tim Brinkhof

    Diku rreth vitit 193 Para Erës Sonë, gjenerali i famshëm romak, Shipion Afrini, udhëhoqi një delegacion nga Qyteti i Përjetshëm në Sirinë e sotme për t’i thënë mbretit të saj, Antiokut III, të mos tentonte të prekte territoret e Greqisë. Për herë të parë në histori, ky rajon i rëndësishëm kulturor dhe ekonomik, kishte rënë nën kontrollin e italianëve pas një sërë luftërash me Maqedoninë, dhe romakët nuk donin të hiqnin dorë prej saj.

    I pranishëm në oborrin sirian pas mbërritjes së delegacionit romak ishte Hanibali, komandanti i mërguar i luftës, që vite më parë kishte mbrojtur qytetin e pasur të Kartagjenës kundër ushtrisë romake dhe në luftërat me të gati e rrafshoi Republikën para se të mposhtej nga Skipioni.

    Pra lufta ishte hera e fundit që këta dy burra u përballën me njëri-tjetrin. Këtë herë, që të dy ishin mysafirë të ulur në tryezën e Antiokut, një rastësi tejet e rrallë që solli një bisedë po aq të pabesueshme. Duke biseduar në mënyrë miqësore gjatë darkës, Shipioni e pyeti Hanibalin se kush mendonte se ishte gjenerali më i madh i të gjitha kohërave.

    Hanibali renditi të parin Aleksandrin e Madh, pasuar nga Pirro i Epirit dhe të tretin renditi Shipionin. Tek e fundit kjo është një anekdotë që sado magjepsëse, nuk ndikoi në rrjedhën e historisë në ndonjë mënyrë të dukshme ose domethënëse. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për incidente të tjera “të rastësishme” që ndodhën në të kaluarën, siç është rasti i pushtimit të dështuar të Tajvanit nga Partia Komuniste e Kinës.

    Si e shpëtuan kërmijtë Tajvanin

    Gjatë Luftës Civile Kineze, e cila zgjati nga viti 1927 deri në vitin 1950, dhe u zhvillua midis komunistëve dhe nacionalistëve, gati 2 milionë njerëz që i përkisnin fraksionit të fundit u zhvendosën në Tajvan. Më të shumtë në numër sesa armiku i tyre pothuajse i mundur, komunistët nuk humbën kohë dhe nisën përgatitjen për një sulm amfib ndaj ishullit aty pranë.

    Për t’u përgatitur për zbarkimin, 30.000-50.000 ushtarë komunistë kaluan javë të tëra duke u stërvitur në kanalet jugore të Zhejiangut dhe në veri të Fujianit. Por pa dijeninë e tyre, këto kanale ishin të mbushur me kërmij që mbartnin një virus që kur i infekton njerëzit, shkaktonte ethe, kollitje të fortë, dhimbje muskujsh dhe urinim të përgjakur, mes disa simptomave të tjera.

    Brenda natës, forcat pushtuese komuniste dolën jashtë kontrollit. Kur mbërritën ilaçet nëpërmjet rrjeteve tregtare të dëmtuara rëndë të vendit, Ngushtica e Tajvanit nisi të ruhej nga luftanijet amerikane, duke hedhur në erë çdo plan për një pushtim të ardhshëm. Në këtë mënyrë kërmijtë, dhe më gjerësisht rastësia diktuan panoramën gjeopolitike ku jetojmë sot.

    Ligjet e veprimit njerëzor

    Ngjarje të tilla vënë në dyshim konceptin se historia shpaloset sipas parimeve të vazhdueshme dhe të vëzhgueshme. Ky nocion, i lidhur ngushtë me besimin dhe fenë është po aq i vjetër sa vetë njerëzimi, dhe u bë shumë popullor gjatë Iluminizmit.

    Kur shkencëtarë si Isak Njutoni mësuan se kozmosi u bindej disa ligjeve të fizikës, historianët filluan të kërkonin ligjet e tyre. Besimi tek këto ligje, i parapriu dëshmive bindëse për ekzistencën e tyre. “Ndryshimet e mëdha, duket se kanë ndodhur me njëfarë pashmangshmërie. Duket se ka pasur një prirje të pavarur ngjarjesh, një domosdoshmëri e paepur që e kontrollon përparimin e punëve njerëzore…”- shkroi Eduard P.Çeni në vitin 1927, në një nga esetë e tij të shumta.

    Studiues të tjerë kanë përdorur fjalë të ndryshme për të përshkruar të njëjtën ide. Megjithatë as historia, as sociologjia dhe as ekonomia, nuk kanë arritur ende të ofrojnë një teori të vetme, mbizotëruese, të pakundërshtueshme të zhvillimit njerëzor.

    Për shkak të këtij dështimi, nuk mund të mos pyesim veten pse kemi një kuptim rudimentar të diçkaje si Big Bangu, ndërsa mekanika e historisë vazhdon që të debatohet kaq shumë. Duke reflektuar mbi marrëdhëniet midis historisë dhe kozmologjisë, gjeologu Uollter Alvarez argumenton se jeta është në thelb e paparashikueshme. “Pamja e agjentëve të gjallë e çoi planetin tonë përtej sferës së fazave, për të cilat fizikanët mund të zbulojnë ligjet natyrore – plazmat, gazet, lëngjet dhe trupat e ngurtë – duke sjellë materien e organizuar në mënyra shumë më komplekse”- thekson ai.

    Historia sipas numrave

    Ashtu siç ligjet e fizikës që shprehen nëpërmjet matematikës, edhe të dhënat e papërpunuara mund të përmirësojnë kuptueshmërinë tonë mbi të kaluarën. Udhëheqës i kësaj qasje ndaj historisë – i njohur në qarqet akademike si Kliodinamika, pas muzës greke të historisë Klio – është Peter Turçin, studiues ruso-amerikan që është kryeredaktor i “The Journal of Quantitative History and Cultural Evolution”.

    Në vend se të studionte burimet primare, Turçin dhe ekipi i tij punojnë me bazat e të dhënave historike si “Seshat: Global History Databank”, një burim që përmban të dhëna numerike për më shumë se 400 shoqëri. Turçini e përdor këtë informacion, që përfshin çdo gjë nga madhësia e popullsisë deri te prodhimi industrial vjetor, për të kërkuar modele në rrjedhën komplekse të zhvillimit njerëzor.

    Duke u mbështetur kryesisht tek llogaritjet matematikore, Turçini mund të prodhojë prova më bindëse sesa historianët e zakonshëm. Për shembull, një nga studimet e tij identifikoi madhësinë e popullsisë dhe teknologjinë para-ekzistuese si faktorët më të rëndësishëm për risinë e teknologjisë ushtarake.

    Një tjetër studim nxori në pah se lufta, dhe sidomos forcat kalorsiake dhe armët prej hekuri, u dhanë mundësinë shoqërive të bëheshin më komplekse. Duke i bërë jehonë pozitivizmit shkencor dhe zellit fetar të Çenit, Kliodinamika sugjeron se vazhdimësia historike e tejkalon tej mase gjendjen e jashtëzakonshme historike.

    Megjithatë, projektet e tij edhe pse ambicioze dhe magjepsëse, kanë hasur në skepticizëm. Zakonisht, ky skepticizëm ka të bëjë me bazën e të dhënave, të cilat ashtu si vetë e kaluara mund të jenë më të rastësishme sesa mendojmë ne. / “Big Think” – Bota.al