Tag: kuzhinë

  • Sarandë – Sistemi “Dual” në kuzhinë, shkolla “Hoteleri-Turizëm” me risi në vitin e ri mësimor

    Sarandë – Sistemi “Dual” në kuzhinë, shkolla “Hoteleri-Turizëm” me risi në vitin e ri mësimor

    Në vitin e ri mësimor 2025-2026 shkolla “Hoteleri-Turizëm” në Sarandë hyn me disa risi. Një prej tyre është futja për herë të parë e sistemit “Dual” në kuzhinë, për nxënësit e vitit të tretë. Drejtoresha e kësaj shkolle, Rudina Selimi, tregon se ky është një hap më tej në rrugën e partneritetit të kësaj shkolle me biznesin vendor, që plotëson kushtet për sistemin “Dual” në kuzhinë. Përmes tij, nxënësit në prag të mbarimit të studimeve, përgatiten përtej teksteve shkollore, nga një mentor profesional që gjendet në këto biznese.
    “Në partneritet me të gjitha biznese e Sarandës, kanë pranuar të bëjnë sistemin “Dual”, për të krijuar kushtet që nxënësit të zhvillojnë praktikat në bizneset e tyre”, u shpreh Selimi.
    Ndërkaq shkolla e Sarandës, që mban emrin e shqiptaro-amerikanit Antoni Athanas, sapo ka fituar fazën e parë të RCF gjermane dhe në këtë vit të ri mësimor, gjendet në vijim të aplikimit të fazës së dytë, për t’u bërë përfituese e mbështetjes financimit prej 400 mijë euro, shoqëruar me një varg mundësish.
    “Një nga projektet që ne kemi fituar në fazën e parë është projekti i RCF-së gjermane, i cili nëse arrijmë ta fitojmë deri në fund do të jetë një investim shumë i madh”, tha ajo.
    Deri në aritjen e përfitimit nga ky projekt, e sigurt është që Shkolla Profesionale për Hoteleri-Turizëm në Sarandë, bën këtë vit pjesë të programeve të saj mësimore sistemin “Dual” në kuzhinë. Sistemi “Dual” u aplikua për herë të parë një vit më parë në shkollat profesionale në vendin tonë.

  • Nuk keni peshore kuzhine? Këto truke të thjeshta do t’ju ndihmojnë të matni përbërësit me saktësi

    Nuk keni peshore kuzhine? Këto truke të thjeshta do t’ju ndihmojnë të matni përbërësit me saktësi

    Shumë njerëz në kuzhinë hasin problemin e mungesës së peshoreve ose gotave matëse të kuzhinës, veçanërisht kur ndjekin receta të reja. Megjithatë, lajmi i mirë është se është e mundur të përgatiten vakte të shijshme pa matje të sakta, duke përdorur enë kuzhine.

    Një lugë e madhe mund të shërbejë si masë bazë – ajo mban rreth 15 ml lëng ose afërsisht 10 deri në 12 gram miell. Një lugë çaji mban rreth 5 ml, ndërsa një filxhan standard kuzhine ka një kapacitet prej rreth 240 ml.

    Nëse një recetë kërkon gjysmë filxhani, mund ta vlerësoni atë si gjysmë filxhani kafeje të rregullt.

    Për ata që nuk kanë peshore, ja disa udhëzime praktike: një grusht miell është afërsisht gjysmë filxhani, ndërsa dy grushte janë afërsisht një filxhan. Një banane mesatare peshon rreth 120 gramë, një mollë rreth 150, ndërsa një vezë mesatare peshon midis 50 dhe 60 gramë. Gjalpi mund të matet edhe me lugë gjelle – një lugë gjelle përmban afërsisht 15 gramë.

    Është e rëndësishme që të përdorni të njëjtën enë për të matur të gjithë përbërësit në një recetë gjatë përgatitjes së pjatës.
    Në këtë mënyrë do të ruani proporcionet dhe do të arrini një rezultat të ekuilibruar. Nëse nuk jeni të sigurt për sasinë, shtoni përbërësit gradualisht dhe përshtatini ato sipas strukturës – veçanërisht kur bëhet fjalë për miell ose lëng.
    Kur përgatitni brumin, është e rëndësishme të mbështeteni në ndjesinë tuaj të brendshme: nëse brumi është shumë ngjitës, shtoni pak më shumë miell, dhe nëse është i thatë dhe i thërrmueshëm, shtoni një lugë gjelle lëng si ujë, qumësht ose vaj.

  • Të fshehtat e krijimeve të tij…/ Kur Roberto Bolanjo rrëfente me humor rrugën e tij në letërsi

    Të fshehtat e krijimeve të tij…/ Kur Roberto Bolanjo rrëfente me humor rrugën e tij në letërsi

    Nga Roberto Bolanjo

    Shpesh kuzhina ime letrare është një dhomë e zbrazët, ku nuk ka as dritare. Sigurisht mua do të më pëlqente që ajo të kishte diçka: një llambë, disa libra, një aromë të lehtë guximi; ama e vërteta është se nuk ka asgjë.Megjithatë, nganjëherë, kur jam viktimë e sulmeve të pafrenueshme të optimizmit (që nga ana tjetër përfundojnë në hare të frikshme), kuzhina ime letrare kthehet në një kështjellë mesjetare (me kuzhinë) a në një apartament në Nju Jork (me kuzhinë dhe pamje të privilegjuar) ose në një kasolle në shpatet e Kordiliereve (pa kuzhinë, por me një vatër zjarri).

    Në ato çaste, i përqendruar, përgjithësisht bëj atë që bën çdo njeri: humbas ekuilibrin dhe mendoj se jam i pavdekshëm. Nuk dua të them i pavdekshëm, në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale, sepse këtë mund ta mendoj vetëm një budalla dhe në atë pikë nuk arrij, por i pavdekshëm letrarisht, si qentë, fëmijët apo qytetarët e mirë, të cilët ende s’janë të sëmurë. Për fat të mirë apo të keq, çdo sulm optimizmi ka një fillim dhe një fund. Nëse nuk do të kishte fund, sulmi i optimizmit do të kthehej në synim politik. Ose në mesazh religjioz. Dhe prej aty, deri te varrosja e librave (nuk dua të them “djegia”, sepse do të ishte e tepërt) na ndanë veç një hap. E vërteta është se, të paktën në rastin tim, sulmet e optimizmit mbarojnë dhe me to mbaron edhe kuzhina letrare, ajo davaritet në ajër dhe mbetem vetëm unë, që sapo e kam marrë veten, por edhe një aromë tejet e lehtë kusish të pista, pjatash të latërzhyera, salcash të prishura.

    Nganjëherë, them me vete se kuzhina letrare është një çështje shijeje, domethënë është një fushë ku kujtesa dhe etika (ose morali, nëse më lejohet të përdor këtë fjalë) luajnë një lojë, rregullat e së cilës nuk i njoh. Talenti dhe epërsia, të përhumbur, kundrojnë këtë lojë, pa marrë pjesë në të. Vetëm guximi dhe trimëria futen në lojë, por edhe ato në çaste të llogaritura, të përpikta, madje vlen të thuhet se edhe ato nuk e tejkalojnë masën në pjesëmarrje. Vuajtja, dhimbja, vdekja, këto po, marrin pjesë, veç me kushtin që të luajnë duke qeshur. Le ta quajmë si një detaj të pashmangshëm kortezie.Biblioteka letrare është shumë më e rëndësishme se kuzhina letrare. Një bibliotekë është shumë më komode se një kuzhinë. Nëse një bibliotekë ngjan me një kishë, një kuzhinë çdo ditë ngjan më shumë me një morg. Poeti spanjoll, Gil de Biedma ka thënë: «Të lexosh është më e natyrshme se të shkruash». Mbase e tepëroj dhe le të thonë ç´të duan oftalmologët, por unë do të shtoja se është edhe shumë më e shëndetshme. Në të vërtetë, letërsia është një luftë e gjatë, nga tepëria në tepëri, deri në teprinë e fundit.Nëse do të më duhej të zgjidhja një kuzhinë letrare për të ndenjur atje gjatë një jave, do të zgjidhja atë të një shkrimtareje, veç jo të një shkrimtareje kiliane. Do të jetoja me shumë kënaqësi në kuzhinën letrare të Silvina Okampos, në atë të Alejandra Pisarnikut, në atë të shkrimtares dhe poetes meksikane Karmen Bulosa (Carmen Boullosa), apo në atë të Simone de Bovuar. Midis arsyeve të shumta, edhe për atë se janë kuzhina shumë të pastra.

    Ka plot net që e shoh në ëndërr kuzhinën time letrare: është tejet e madhe, sa tre stadiume futbolli, me çati të hakruara dhe tryeza të pambarimta, ku janë mbledhur gjithë qeniet e gjalla të tokës, ato që janë duke dhënë shpirt dhe ato që për pak kohë do të shuhen; një kuzhinë e ndriçuar në formë heterodokse, në disa zona me prozhektorë antiajror dhe në disa të tjera me pishtarë, dhe, sigurisht, nuk mungojnë edhe zona të errëta, ku mezi shquhen vetëm hije luhatëse apo kërcënuese, po ashtu ca ekrane ku, me bisht të syrit, mund të shikosh filma pa zë apo ekspozita fotosh; dhe në ëndërr apo në makth unë kaloj nëpër kuzhinën time letrare ku, nganjëherë, ndez një zjarr dhe pjek një vezë apo thek një fetë buke.

    Pastaj zgjohem me një ndjesi të jashtëzakonshme lodhjeje.Dhe, së fundi, një gjë mbetet e qartë: të mos kopjosh askënd. Të paktën, mos të të varën në sheshin publik. Megjithëse plagjiatorët, sot e kësaj dite, nuk i var kush. Përkundrazi, marrin bursa, çmime, detyra publike, dhe, në më të mirin e rasteve, bëhen best-sellers dhe liderë mendimi. Ç´fund i çuditshëm dhe i shëmtuar: lider mendimi. Që do të thotë bari kopeje ose udhëheqës shpirtëror i skllevërve, poet kombëtar ose babai i kombit, nëna e atdheut ose xhaxhai politik i atdheut.Në kuzhinën time letrare ideale banon një luftëtar, të cilin disa zëra (zëra që s´kanë as trup e as hije) e thërrasin shkrimtar. Ky luftëtar përherë është duke luftuar dhe e di se në fund, sido që të vijë puna, do të mposhtet. Megjithatë, vrapon nëpër kuzhinën letrare, që është prej çimentoje, dhe përballet me kundërshtarin e vet, pa i dhënë dhe pa i kërkuar mëshirë.Në shqip Bajram KarabolliShënim: Në këtë rrëfim të veçantë, me një humor tejet gazmor, shkrimtari kilian, Roberto Bolanjo, tregon të fshehtat e krijimeve të tij. Me një ton të shpenguar, të cilin e shohim gjithashtu te romani i tij Nokturne kiliane.

    ObserverKult

    ——————————————————

    Lexo edhe:

    BAJRAM KARABOLLI: FOLA ME VETEN… PËR T’IA BËRË QEJFIN…

  • Risia në kuzhinë: Si bashkëpunimi midis Jamie Oliver dhe Samsung po transformon përvojën e gatimit në çdo shtëpi

    Risia në kuzhinë: Si bashkëpunimi midis Jamie Oliver dhe Samsung po transformon përvojën e gatimit në çdo shtëpi

    Në botën moderne ku ritmi i jetës po bëhet gjithnjë e më i shpejtë, nevojitet një kuzhinë që të përshtatet me stilin tonë të jetesës: inteligjente, e organizuar dhe inspiruese. Pikërisht këtë vizion ndajnë Samsung dhe Jamie Oliver, një nga figurat më të dashura të kulinarisë në botë, të cilët kanë bashkuar forcat për të sjellë një përvojë kuzhine që nuk është vetëm një risi teknologjike, por edhe emocionuese për stomakun tuaj.

    Jamie Oliver, i njohur si kampion i ushqimit të shëndetshëm, ka botuar dhjetëra libra gatimi të përkthyer në dhjetëra gjuhë dhe është kthyer në një figurë frymëzuese për familjet në të gjithë botën falë recetave të tij të thjeshta, plot shije dhe të arritshme për këdo. Me pasionin e tij për t’u dhënë njerëzve mjete praktike për një jetesë më të mirë përmes ushqimit, bashkëpunimi i tij me një markë si Samsung vjen natyrshëm, një emër që përfaqëson inovacionin dhe prakticitetin.
    Ky bashkëpunim ka marrë jetë në formën e integrimit të recetave të Jamie Oliver drejtpërdrejt në pajisjet Samsung Bespoke AI. Në furrën Bespoke AI, përdoruesit mund të gatuajnë receta të zgjedhura nga vetë Jamie, me udhëzime të qarta, kohë dhe temperatura të paracaktuara që garantojnë suksesin në çdo përpjekje gatimi. Mjafton një klikim në ekranin e furrës ose përmes aplikacionit SmartThings, dhe vakti i përsosur është vetëm disa hapa larg.

    Për prindër të zënë që balancojnë punën, kujdesin për fëmijët dhe gjithçka tjetër që kërkon përditshmëria, kjo teknologji ofron lehtësi të jashtëzakonshme. Nuk ka më vend për stresin e pyetjes “Çfarë do të gatuaj sot?”, pasi furra ju udhëzon hap pas hapi dhe siguron që vakti të jetë i shijshëm dhe i shëndetshëm. Për profesionistët që kthehen në shtëpi pas një dite të gjatë në zyrë, koha në kuzhinë mund të jetë minimale, por kjo nuk do të thotë se duhet të bëjnë kompromis me cilësinë e ushqimit.

    Frigoriferët Samsung Bespoke AI janë gjithashtu një pjesë thelbësore e këtij revolucioni kuzhine. Me funksione inteligjente si menaxhimi i përbërësve në kohë reale dhe sugjerime për receta bazuar në ato që keni brenda frigoriferit, ata ndihmojnë përdoruesit të planifikojnë vaktet në mënyrë efikase dhe të evitojnë mbetjet ushqimore. Nëpërmjet lidhjes me SmartThings, mund të krijoni një listë pazari direkt nga frigoriferi, e cila mund të sinkronizohet me telefonin për një blerje të shpejtë dhe pa harruar asgjë.
    E gjithë kjo përvojë e personalizuar dhe e integruar është e ndërtuar mbi inteligjencën artificiale që Samsung ka rafinuar vit pas viti. Jo vetëm që pajisjet “mësojnë” mënyrën si ju gatuani, por ato edhe ju ndihmojnë të përmirësoni stilin tuaj të gatimit. Recetat e Jamie Oliver janë të përshtatura në mënyrë të përkryer për këtë teknologji, duke i kthyer ushqimet e përditshme në eksperienca të veçanta, pa kërkuar ndonjë përgatitje profesionale.
    Nëse dikur teknologjia në kuzhinë nënkuptonte vetëm funksione bazë, sot ajo është kthyer në një partner të përditshëm që jo vetëm ndihmon, por frymëzon. Ndërthurur me ekspertizën dhe pasionin e një figure si Jamie Oliver, rezultati është një kuzhinë që përmbush nevojat e të gjithëve nga familjet me fëmijë të vegjël, tek profesionistët e ngarkuar dhe deri tek adhuruesit e gatimit që duan të eksperimentojnë çdo ditë me diçka të re.

  • “As edhe një thërrime”, palestinezët në Gaza kërkojnë me dëshpërim për ushqim

    “As edhe një thërrime”, palestinezët në Gaza kërkojnë me dëshpërim për ushqim

    Palestinezët që presin për ushqim në një kuzhinë bamirësie në qytetin e Gazës kanë përshkruar vuajtjet e mëdha për të siguruar diçka për të ngrënë, teksa bllokada izraelite vazhdon pa ndërprerje.
    “Ja tenxherja ime, nuk ka as edhe një thërrime brenda,” tha një grua, ndërsa priste në radhë.
    “Kam një vajzë dyvjeçare. U ktheva në shtëpi me një tenxhere bosh dhe e gjeta vajzën time duke bërtitur nga uria, pa bukë e pa ushqim”, shtoi Umm Abdullah.
    Ajo rrëfeu se shpesh ka përleshje pranë kuzhinës bamirëse, pasi njerëzit përpiqen me çdo kusht të sigurojnë pak nga furnizimet e pakta.
    “Një herë më ra tenxherja mbi trup dhe u dogja, e në fund sërish ika pa asgjë”, tha ajo.
    Një tjetër grua, Riham Dwas, u shpreh se ndonjëherë merr ushqim e ndonjëherë jo.
    “Fëmijët e mi hanë vetëm nëse është hapur ndonjë kuzhinë bamirësie, përndryshe, mbeten pa ushqim”, tha ajo.
    Gati 500 mijë persona në Gaza po përballen me uri katastrofike.
    Sipas Al Jazeera të paktën 122 njerëz kanë vdekur nga uria që prej fillimit të luftës së Izraelit pothuajse 22 muaj më parë, shumica prej tyre që nga marsi, kur u vendos bllokada e plotë.

  • Përse nuk duhet të vendosësh akull mbi lëkurën e djegur

    Përse nuk duhet të vendosësh akull mbi lëkurën e djegur

    Kudo që të ndodhin, në kuzhinë, zyrë apo në plazh, të djegurat shoqërohen gjithnjë me dhimbje dhe lotë.

    Në fakt, studimet tregojnë se të djegurat janë ndër pesë aksidentet më të rëndomta që ndodhin në kuzhinë.

    Është pikërisht kjo e fundit që ofron edhe kurimin e të djegurave, gjithnjë në varësi të gradës së tyre.

    Një prej produkteve më të njohura kundër djegies që nuk mungon në asnjë kuzhinë është soda e bukës.

    Të djegurat ndahen në tre kategori: djegie e gradës së parë, gradës së dytë dhe të tretë.

    Djegiet e gradës së parë prekin kryesisht shtresën e jashtme të lëkurës. Këto djegie shoqërohen me dhimbje, skuqje dhe enjtje.

    Djegiet e gradës së dytë prekin shtresën e jashtme dhe atë poshtë saj.

    Simptomat janë të njëjta me të gradës së parë por në këtë rast vërehen flluska.

    Djegiet e gradës së tretë prekin shtresa të thella të lëkurës dhe lënë vraga të thella në lëkurë.

    Ndjeshmëria në këtë zonë të lëkurës shuhet me djegien.

    Djegiet e fytyrës, duarve, këmbëve dhe organeve gjenitale mund të jenë shumë të forta dhe të shkaktojnë dëme të pakthyeshme.

    A Duhet Të Vendosni Akull Mbi Lëkurën E Djegur?

    Hapi i parë dhe i menjëhershëm pas të djegurës është që ta mbani zonën e prekur në ujë të ftohtë për të paktën pesë minuta.

    Ekspertët e AgroWeb.org shprehen njëzëri se as akulli dhe as uji me akull nuk duhet as t’i afrohen zonës së djegur.

    Ata shpjegojnë se akulli mund të dëmtojë indet dhe qelizat në lëkurë, gjë që do krahasohej me një djegie të dytë.

    Pasi kanë kaluar pesë minuta, ju mund ta pastroni zonën me një krem antibiotik.

    Nëse plaga formon flluskë, mos e çani atë sepse do të jeni më të rrezikuar nga infeksioni.

    Kundër dhimbjes, ekspertët rekomandojnë të merrni medikamente si ibuprofeni që zbut inflamacionin dhe dhimbjen./AgroWeb.org

  • A duhet të vendosni akull mbi lëkurën e djegur?

    A duhet të vendosni akull mbi lëkurën e djegur?

    Kudo që të ndodhin, në kuzhinë, zyrë apo në plazh, të djegurat shoqërohen gjithnjë me dhimbje dhe lotë.
    Në fakt, studimet tregojnë se të djegurat janë ndër pesë aksidentet më të rëndomta që ndodhin në kuzhinë.
    Është pikërisht kjo e fundit që ofron edhe kurimin e të djegurave, gjithnjë në varësi të gradës së tyre.

    Një prej produkteve më të njohura kundër djegies që nuk mungon në asnjë kuzhinë është soda e bukës.
    Të djegurat ndahen në tre kategori: djegie e gradës së parë, gradës së dytë dhe të tretë.
    Djegiet e gradës së parë prekin kryesisht shtresën e jashtme të lëkurës. Këto djegie shoqërohen me dhimbje, skuqje dhe enjtje.
    Djegiet e gradës së dytë prekin shtresën e jashtme dhe atë poshtë saj.
    Simptomat janë të njëjta me të gradës së parë por në këtë rast vërehen flluska.
    Djegiet e gradës së tretë prekin shtresa të thella të lëkurës dhe lënë vraga të thella në lëkurë.
    Ndjeshmëria në këtë zonë të lëkurës shuhet me djegien.
    Djegiet e fytyrës, duarve, këmbëve dhe organeve gjenitale mund të jenë shumë të forta dhe të shkaktojnë dëme të pakthyeshme.
    Hapi i parë dhe i menjëhershëm pas të djegurës është që ta mbani zonën e prekur në ujë të ftohtë për të paktën pesë minuta.
    Ekspertët shprehen se as akulli dhe as uji me akull nuk duhet as t’i afrohen zonës së djegur.
    Ata shpjegojnë se akulli mund të dëmtojë indet dhe qelizat në lëkurë, gjë që do krahasohej me një djegie të dytë.
    Pasi kanë kaluar pesë minuta, ju mund ta pastroni zonën me një krem antibiotik.
    Nëse plaga formon flluskë, mos e çani atë sepse do të jeni më të rrezikuar nga infeksioni.
    Kundër dhimbjes, ekspertët rekomandojnë të merrni medikamente si ibuprofeni që zbut inflamacionin dhe dhimbjen.