Tag: komitetit

  • Ndahet nga jeta ish-bashkëpunëtori i afërt i Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë

    Ndahet nga jeta ish-bashkëpunëtori i afërt i Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë

    Ndahet nga jeta në moshën 88-vjeçare në Durrës Muho Asllani, ish-funksionar i lartë i PPSH-së.

    Muho Asllani njihet si një ndër bashkëpunëtorët e diktatorit Enver Hoxha, si anëtar i Byrosë Politike dhe më pas i Ramiz Alisë, duke mbajtur disa poste të larta në hierarkinë e Partisë së Punës në vitet ’80.
    Pas viteve ’90 Asllani iu qëndroi bindjeve të veta duke mos kërkuar asnjëherë ndjesë për krimet e diktaturës komuniste, së cilës ai i kishte shërbyer si pjesë e nomenklaturës.
    I lindur në Bërdicë të Shkodrës ku mbaroi dhe arsimin bazë.
    Në Shkodër mbaron teknikumin bujqësor dhe më pas ndjek Institutin Bujqësor që e mbaron në vitin 1964. Në Kongresin e VI të PPSH-së, zgjidhet direkt anëtar i Komitetit Qendror të Partisë.
    Në janar të vitit 1974 u emërua Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Matit dhe në korrik të po atij viti u emërua me detyrën e Sekretarit të Parë të rrethit të Kukësit.
    Në maj të vitit 1976 u emërua zëvendësministër i Bujqësisë. Në mars të vitit 1979 emërohet Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së Burrelit. Ka qenë Sekretar i Parë, në Shkodër.
    Në 1981 bëhet anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror dhe emërohet Sekretar i Parë në Durrës, detyrë nga e cila u shkarkua në vitin 1991.

  • Vendosi bomba pranë selive të Komitetit Kombëtar Republikan një natë para trazirave të 6 janarit, FBI-ja arreston pas gati 5 vitesh autorin

    Vendosi bomba pranë selive të Komitetit Kombëtar Republikan një natë para trazirave të 6 janarit, FBI-ja arreston pas gati 5 vitesh autorin

    FBI ka kryer një arrestim të rëndësishëm të enjten, duke ndaluar një person që dyshohet se ka vendosur bombat artizanale pranë selive të Komitetit Kombëtar Republikan (RNC) dhe atij Demokratik (DNC) një natë para trazirave të 6 janarit 2021 në Kapitolin e SHBA-së.

    Sipas dy burimeve të zbatimit të ligjit, i arrestuari besohet të jetë autori i pajisjeve shpërthyese të gjetura më 5 janar 2021, i cili deri më tani ishte identifikuar vetëm nga pamjet e paqarta të kamerave të sigurisë, ku shfaqej me kapuç, doreza dhe maskë fytyre.
    Arrestimi vjen pas një hetimi gati pesëvjeçar, i cili ka qenë një nga çështjet më sfiduese për FBI-në, për shkak të mungesës së provave të qarta vizuale dhe gjurmëve të drejtpërdrejta.
    Autoritetet pritet të japin detaje të mëtejshme mbi identitetin e të dyshuarit dhe akuzat ndaj tij në orët në vijim.

    Top Channel

  • Komitetit Ekzekutiv i UEFA-s/ Merren vendimet për stadiumet

    Komitetit Ekzekutiv i UEFA-s/ Merren vendimet për stadiumet

    Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s u mblodh sot në Shtëpinë e Futbollit Europian në Nion, ku i pranishëm ishte edhe presidenti Armand Duka dhe vendosi që Gjermania të jetë vendi pritës i UEFA Women’s EURO 2029.
    Turneu me gjashtëmbëdhjetë skuadra do të zhvillohet në tetë stadiume (Këln, Dortmund, Dyseldorf, Frankfurt, Hanover, Leipzig, Mynih dhe Wolfsburg) në verën e vitit 2029.
    Për t’u zgjedhur vend pritës kërkohej shumicë absolute në raundin e parë të votimit, dhe rezultati ishte: Gjermania 15 vota, Danimarkë/Suedi 2 vota, Poloni 0 vota.
    Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s vendosi gjithashtu për vendet pritëse të turneve finale të disa kampionateve të të rinjve.
    Kampionati Europian i vajzave U-17
    2028: Belgjikë
    2029: Turqi
    Kampionati Europian i vajzave U-19
    2028: Portugali
    2029: Itali
    Kampionati Europian i djemve U-17
    2028: Lituani
    2029: Moldavi
    Kampionati Europian i djemve U-19
    2027: Çeki
    2028: Bullgari
    2029: Holandë
    Mbledhja e radhës e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s është planifikuar për 11 shkurt 2026, në prag të Kongresit të 50-të të UEFA-s që do të zhvillohet në Bruksel, Belgjikë.

  • Kreu i Komitetit Ushtarak të NATO-s: Po shqyrtojmë një sulm kundër Rusisë

    Kreu i Komitetit Ushtarak të NATO-s: Po shqyrtojmë një sulm kundër Rusisë

    “NATO po merr në konsideratë një sulm parandalues kundër Rusisë në përgjigje të sulmeve hibride. Ndoshta duhet të jemi më agresivë se kundërshtari ynë!” – Kështu ka deklaruar për Financial Times admirali Giuseppe Cavo Dragone, kreu i Komitetit Ushtarak të NATO‑s.
    “Po shqyrtojmë mundësinë për të vepruar në mënyrë më agresive dhe parandaluese, në vend se thjesht të reagojmë”, ka theksuar Dragone.
    Disa diplomatë, veçanërisht nga vendet e Evropës Lindore, i kërkojnë Aleancës të mos mjaftohet më vetëm me reagime, por të kundërpërgjigjet.
    Sipas admiralit italian, një “sulm parandalues” mund të konsiderohet si një “veprim mbrojtës”.
    Megjithatë, “kjo shkon përtej mënyrës sonë të zakonshme të të menduarit dhe vepruarit”, ka nënvizuar ai.
    “Ndoshta duhet të jemi më të ashpër se kundërshtari ynë. Pyetjet që lindin kanë të bëjnë me kuadrin ligjor dhe juridiksionin: kush do ta ndërmarrë?”, ka shtuar ai.
    Financial Times përmend misionin e NATO‑s Baltic Sentry, i cili patrullon Detin Baltik dhe ka parandaluar përsëritjen e incidenteve si ato të prerjes së kabllove.
    “Që nga fillimi i operacionit ‘Baltic Sentry’ nuk ka ndodhur asgjë. Kjo do të thotë se parandalimi po funksionon”, vlerëson Dragone. Megjithatë, ai pranon se një nga problemet është se vendet e NATO‑s kanë “shumë më tepër kufizime krahasuar me kundërshtarët, për shkak të etikës, ligjeve dhe juridiksionit”.
    “Nuk dua të them që ky është një pozicion i humbur, por është më i ndërlikuar se ai i kundërshtarit”, ka shtuar admirali.
    “Duhet të analizojmë me kujdes se si arrihet parandalimi: përmes veprimeve hakmarrëse apo përmes një sulmi parandalues?”, ka përfunduar kreu i Komitetit Ushtarak të NATO‑s.

  • OKB: Izraeli po zbaton një politikë ‘de facto’ të torturës

    OKB: Izraeli po zbaton një politikë ‘de facto’ të torturës

    Komiteti i Kombeve të Bashkuara kundër torturës thotë se ka prova që Izraeli po zbaton një “politikë shtetërore de facto të organizuar dhe të përhapur të torturës”.
    Komiteti rishikon rregullisht të dhënat e të gjitha vendeve që kanë nënshkruar konventën kundër torturës, duke marrë dëshmi nga qeveritë e tyre dhe nga grupet e të drejtave të njeriut.
    Siç shkruan BBC, gjatë rishikimit të Izraelit, si grupet izraelite ashtu edhe ato palestineze të të drejtave të njeriut dhanë detaje tronditëse mbi kushtet në qendrat e paraburgimit izraelite. Pretendohet se mijëra palestinezë janë arrestuar nga Izraeli që prej sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023.
    Sipas ligjeve izraelite për paraburgimin administrativ dhe për “luftëtarët e paligjshëm”,  të dyshuar që nuk mund të klasifikohen si të burgosur lufte, ata mund të mbahen për periudha të gjata pa akses te avokatët apo familjarët.
    Shumë familje palestineze thonë se kanë pritur me muaj për të mësuar se një i afërm i tyre ishte arrestuar, gjë që komiteti i OKB-së e cilësoi si “zhdukje e detyruar”.
    Komiteti ishte veçanërisht kritik ndaj përdorimit të raportuar nga Izraeli të ligjit për “luftëtarët e paligjshëm” për të arrestuar grupe të tëra palestinezësh, përfshirë fëmijë, gra shtatzëna dhe të moshuar.
    Por janë kushtet e raportuara në paraburgim ato që përbëjnë pjesën më të rëndë të konkluzioneve të komitetit, të publikuara sot.
    Sipas provave, palestinezët shpesh privohen nga ushqimi dhe uji, dhe i nënshtrohen rrahjeve të rënda, sulmeve nga qentë, elektroshokut, “waterboarding”-ut dhe dhunës seksuale. Disa pretendohet se mbahen të lidhur vazhdimisht, u mohohet e drejta për të përdorur tualetin dhe detyrohen të mbajnë pelena.
    Komiteti i OKB-së përfundoi se trajtime të tilla “përbëjnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”. Ai tha se provat e një “politike shtetërore de facto të organizuar dhe të përhapur të torturës” nga Izraeli përbëjnë një nga aktet që përbën krimin e gjenocidit sipas ligjit ndërkombëtar.
    Izraeli i ka mohuar vazhdimisht akuzat se po kryen gjenocid ndaj palestinezëve në Gaza.
    Një anëtar i komitetit, Peter Vedel Kessing nga Danimarka, tha se ai dhe kolegët e tij ishin “thellësisht të tmerruar” nga ato që dëgjuan. Anëtarët e komitetit shprehën gjithashtu shqetësim për mungesën e hetimeve apo ndjekjeve penale mbi akuzat për torturë. Ata i bënë thirrje Izraelit të nisë hetime të pavarura dhe të sigurojë që përgjegjësit, përfshirë oficerë të lartë ushtarakë, të mbahen përgjegjës.
    Izraeli, i cili prej kohësh e akuzon OKB-në për paragjykim ndaj tij, nuk komentoi publikisht sot mbi gjetjet e komitetit, por gjatë seancave ambasadori Daniel Meron, i cilësoi akuzat për torturë si “dezinformim”.
    Ai tha se Izraeli është “i përkushtuar të respektojë detyrimet tona në përputhje me vlerat dhe parimet morale, edhe përballë sfidave të shkaktuara nga një organizatë terroriste”.
    Në përfundimet e tij, komiteti i OKB-së dënoi pa ekuivok sulmin e Hamasit të tetorit 2023 dhe pranoi sfidat e sigurisë me të cilat përballet Izraeli. Por paralajmëroi se shkeljet e ligjit ndërkombëtar nga njëra palë nuk justifikojnë që pala tjetër të bëjë të njëjtën gjë. Sipas konventës, ku Izraeli është palë, ndalimi i torturës është absolut: nuk lejohet në asnjë rrethanë.

  • Rutte mbledh shefat e inteligjencës së NATO-s në Bruksel, pjesë edhe drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni/ Fokus te kërcënimet globale dhe mbështetja për Ukrainën

    Rutte mbledh shefat e inteligjencës së NATO-s në Bruksel, pjesë edhe drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni/ Fokus te kërcënimet globale dhe mbështetja për Ukrainën

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u takua të mërkurën në Bruksel me drejtuesit e shërbimeve civile dhe ushtarake të inteligjencës nga të 32 aleatët, ku mori pjesë edhe drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni.

    Takimet e Komitetit të Inteligjencës Civile të NATO-s (CIC), Komitetit të Inteligjencës Ushtarake (MIC) dhe sesioni i përbashkët CIC-MIC u mbajtën këtë javë në selinë e Aleancës.
    “Pa kontributin e shërbimeve aleate të inteligjencës nuk do të ishim në gjendje të përballonim kërcënimet gjithnjë e më të sofistikuara,” tha Rutte, duke theksuar se inteligjenca është thelbësore për planet e mbrojtjes, vlerësimin e kapaciteteve të kundërshtarëve dhe vijimin e ndihmës për Ukrainën.
    Gjatë takimeve u zhvilluan diskutime strategjike mbi çështje kyçe të sigurisë, përfshirë agresionin rus në Ukrainë, marrëdhëniet e Moskës me Kinën, Korenë e Veriut, Bjellorusinë dhe Iranin, si dhe të ardhmen e inteligjencës së NATO-s, me fokus tek teknologjitë e reja dhe ato disruptive.
    Rutte nënvizoi se lufta në Ukrainë tregon se “siguria nuk është rajonale, por globale”, duke theksuar se aleatët po shkëmbejnë inteligjencë më shpejt dhe më gjerësisht se kurrë më parë.
    Kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admirali Giuseppe Cavo Dragone, tha se aleatët përballen çdo ditë me kërcënime shumëdimensionale dhe vlerësoi “thellësinë dhe cilësinë” e inteligjencës së Aleancës, e cila ndihmon vendimmarrjen dhe operacionet.
    Takimet vjetore shërbejnë për harmonizimin e politikave dhe strategjive të inteligjencës, duke forcuar mbështetjen për planet dhe operacionet e NATO-s. Përveç seancave vjetore në Bruksel, komitetet mblidhen rregullisht përgjatë vitit.

    Top Channel

  • Pas Olta Xhackes/ Hotel 45 mln euro tek ish Kinoteatri i Ksamilit/ Një avokat shpallet shpallet investitor strategjik

    Pas Olta Xhackes/ Hotel 45 mln euro tek ish Kinoteatri i Ksamilit/ Një avokat shpallet shpallet investitor strategjik

    Në Korrik të këtij viti, Komiteti i Investimeve Strategjike miratoi statusin e investimit strategjik për një hotel me 11 kate që do të ndërtohet në Ksamil. Sipas Komitetit, ky do të jetë një investim prej 45 milionë eurosh, që do të ketë 155 dhoma në total, nga të cilat 92 dhoma deluxe dhe 8 suita.
    “Vlera e investimit të projektit të investimit “ENEA/Hotel Ksamil” i plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë 45,000,000 (dyzet e pesë milionë) Euro,” thuhet në vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike.

    Vendimi i Komitetit te IS
    Por kush është investitori strategjik, që do të ndërtojë këtë hotel?
    Kompania ndërtuese e hotelit, e cila përfitoi statusin e investitorit strategjik quhet AICA Imobiliare. Ajo zotërohet nga Armand Hoxha, një avokat nga Durrësi me 98 për qind dhe Aldo Giovanni Gerli, edhe ky një avokat nga Italia me 2 për qind të aksioneve.
    Investimi
    AICA është një kompani e themeluar në dhjetor të vitit 2021, Ajo ka rreth 1.9 milionë euro asete, pjesa dërrmuese e të cilave vijnë nga një tokë në Ksamil dhe një ndërtesë në Ksamil. Bëhet fjalë për ndërtesën e ish Kinoteatrit të Ksamilit.
    Përmes statusit zoti Hoxha ka marrë edhe 2500 mijë metër katrorë tokë shtetërore falas në zonën më të lakmuar të bregdetit shqiptar. “Në përputhje me legjislacionin për investimet strategjike, miratohet, në parim, masa mbështetëse konsolidim toke, si dhe vënie në dispozicion e pasurisë së paluajtshme, në pronësi të shtetit shqiptar, për zhvillimin dhe realizimin e këtij projekti investimi strategjik me destinacion zhvillimin e projektit të integruar turistik,” thuhet në vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike.
    Në një faqe të dedikuar interneti, zoti Hoxha e quan veten si një sipërmarrës, investitor dhe njeri vizionar. Në përshkrimin e vetes ai thotë se është i bazuar në Dubai ku ka ndërtuar biznese të fuqishme në mbarë botën.
    “Me seli në Dubai dhe që operon në nivel global, Armand ka themeluar dhe drejtuar një portofol të larmishëm kompanish, duke përfshirë AICA, 4H Real Estate, Advisor & Management dhe Pay to Go. Me çdo sipërmarrje, ai ka ndërtuar më shumë sesa thjesht biznese, ai ka ndërtuar ekosisteme që lidhin njerëzit, idetë dhe mundësitë përtej kufijve,” thuhet në përshkrimin e faqes personale të internetit.

  • Rrezik për përmbytje në vend, ministri i Mbrojtjes thërret mbledhjen e Komitetit të Emergjencave Civile në Shkodër

    Rrezik për përmbytje në vend, ministri i Mbrojtjes thërret mbledhjen e Komitetit të Emergjencave Civile në Shkodër

    Ministria e Mbrojtjes njoftoi se, pas një inspektimi fillestar në disa pika të konsideruara kritike për parandalimin e pasojave nga reshjet e shiut, Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu do të drejtojë sot një mbledhje urgjente të Komitetit të Emergjencave Civile.
    Mbledhja do të zhvillohet në orën 17:00, në zyrat e Prefekturës së Qarkut Shkodër, një nga zonat më të ekspozuara ndaj rrezikut të përmbytjeve dhe situatave të vështira hidrike gjatë reshjeve intensive.
    Sipas njoftimit, inspektimi paraprak është kryer në vendet ku janë identifikuar rreziqe potenciale, me synimin për të garantuar gatishmëri të plotë dhe masa të koordinuara midis strukturave shtetërore, ushtrisë dhe emergjencave civile.
    Mbledhja pritet të fokusohet në vlerësimin e situatës aktuale, përditësimin e planeve të reagimit dhe përcaktimin e masave të menjëhershme për menaxhimin e mundshëm të situatave problematike që mund të shkaktojnë reshjet në vijim.

  • Pas rikthimit të pengjeve, Izraeli ashpërson qëndrimin ndaj terrorizmit: Projektligji për dënimin me vdekje kalon në komitet

    Pas rikthimit të pengjeve, Izraeli ashpërson qëndrimin ndaj terrorizmit: Projektligji për dënimin me vdekje kalon në komitet

    Komiteti Ministror për Sigurinë Kombëtare i Knesset-it miratoi të hënën avancimin e një projektligji që propozon dënimin me vdekje për terroristët.

    Koordinatori për të Burgosurit dhe Personat e Zhdukur, Gal Hirsch, i tha komitetit para votimit se kryeministri Benjamin Netanyahu e mbështet këtë legjislacion. Hirsch shtoi se kundërshtimi ndaj projektligjit “ka humbur rëndësinë” pas kthimit të pengjeve dhe “situatës aktuale me Hamasin” siç u shpreh ai.

    Ai e përshkroi më tej projektligjin si “një mjet në kutinë e mjeteve që na lejon të luftojmë terrorin dhe të sigurojmë lirimin e pengjeve”. Ministri i Sigurisë Kombëtare nga e djathta ekstreme, Itamar Ben-Gvir, deklaroi gjatë diskutimit se “nuk do të ketë diskrecion sipas këtij ligji. Ky është qëndrimi dhe qasja ime. Sapo lejon diskrecion, nuk kupton që gjithçka ka ndryshuar këtu”. Ai shtoi se “qasja ka ndryshuar” dhe këmbënguli se “të gjithë bien dakord që dënimi me vdekje për terroristët mund të shërbejë si pengesë. Sapo lejon diskrecion, minon efektin pengues”.

    Ben-Gvir tha gjithashtu: “Dua që të mos ketë asnjë nxitje për ta që të rrëmbejnë. Sapo një terrorist që ka kryer vrasje e di se do të përballet me dënimin me vdekje, nuk do të ketë më hezitime apo mendime të dyta. Qëndrimi im dhe i mbështetësve të projektligjit është i qartë: nuk duhet të ketë diskrecion, duhet të jetë i detyrueshëm dhe kjo pasqyron një ndryshim në doktrinën e sigurisë së Izraelit”.

    “Çdo terrorist që synon të vrasë duhet ta dijë se ka vetëm një dënim të mundshëm, vdekjen”, shtoi Ben-Gvir.

    Komiteti e kishte miratuar më parë projektligjin në shtator me katër vota pro dhe një kundër. Megjithatë, vendimi u anulua sepse votimi ishte zhvilluar gjatë pushimeve të Knesset-it dhe anëtarët e komitetit nuk kishin dëgjuar më parë qëndrimet e autoriteteve të sigurisë përkatëse. Pavarësisht paralajmërimeve nga këshilltari ligjor i komitetit, avokati Ido Ben Yitzhak, se votimi ishte i pavlefshëm, anëtarët vazhduan përpara.

    Kryetari i komitetit, deputeti Tzvika Fogel nga partia e ekstremit të djathtë Otzma Yehudit e Ben-Gvir-it, tha në atë kohë se këshilltarja ligjore e Knesset-it, Sagit Afek, i kishte kërkuar të mos e zhvillonte votimin. “I thashë se do ta merrja në konsideratë. Sot, më shumë se kurrë, e kuptoj që duhet të votoj”, tha ai.

    Projektligji u iniciua nga deputetja Limor Son Har-Melech nga Otzma Yehudit, me një propozim identik të paraqitur nga deputeti Oded Forer i partisë Yisrael Beiteinu. Ata që votuan pro përfshinin Fogel, Har-Melech, Forer, si dhe deputetin Zvi Sukkot nga Partia Sioniste Fetare dhe deputeten Tali Gottlieb nga Likud. Deputeti dhe rabini reformist Gilad Kariv nga demokratët votoi kundër projektligjit.

    Në seancën e shtatorit, Gal Hirsch mori pjesë për të përfaqësuar, siç tha ai, perspektivën e profesionistëve “qëllimi i vetëm i të cilëve është shpëtimi i pengjeve”, Hirsch kërkoi ndalimin e diskutimit për projektligjin, duke thënë: “Ende kemi 48 pengje për të rikuperuar. Ky diskutim nuk na ndihmon. Duhet ta shqyrtojmë këtë me lupë, ndërsa jetët e vëllezërve tanë janë në rrezik. Kjo nuk është qasja ime e zakonshme në punën e komitetit, por duhet të përmbush misionin e kthimit të pengjeve. Prandaj kam ardhur këtu për të kundërshtuar qëndrimin e komitetit.”

    Fogel e pranoi kundërshtimin e ngritur nga profesionistët, përfshirë Hirschin, por vendosi të mos i marrë parasysh vlerësimet e tyre.

  • FOTO/ Fredi Beleri i pranishëm në mbledhjen e Komitetit të Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri

    FOTO/ Fredi Beleri i pranishëm në mbledhjen e Komitetit të Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri

    Eurodeputeti Fredi Beleri është i pranishëm në mbledhjen e Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri, që po mbahet për herë të 20-të në Tiranë. 
    Konkretisht po mbahet sot takimi i 20-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri. 
    Takimi u bashkëkryesua nga kreu i grupit parlamentare të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe Marco Tarquinio, kryetar i delegacionit të Parlamentit Europian. 
    Balla, në hapje të takimit deklaroi se Shqipëria ndodhet në momentin më të rëndësishëm të rrugës drejt anëtarësimit në BE.