Tag: iranian

  • Edhe Australia e penalizon Gardën Revolucionare Islamike të Iranit

    Edhe Australia e penalizon Gardën Revolucionare Islamike të Iranit

    Australia ka shpallur Trupën e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) si një organizatë terroriste. Ky hap shënon një përshkallëzim të rëndësishëm të presionit ndërkombëtar ndaj aparaturës terroriste të regjimit të Teheranit. IRGC-ja, Trupa Revolucionare e Gardës së regjimit iranian, është forca kryesore e shtypjes brutale dhe të përgjakshme të protestave të popullit iranian, si dhe një faktor kyç i paqëndrueshmërisë rajonale dhe eksportit të terrorizmit ndërkombëtar. Para kësaj, qeveritë e Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë e kanë shpallur gjithashtu IRGC-në si një organizatë terroriste. Zonja Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), e quajti këtë shpallje si “një hap i domosdoshëm në përballjen me terrorizmin dhe luftënxitjen, një masë e vonuar prej kohësh nga vendet e tjera, veçanërisht Bashkimi Evropian dhe shtetet evropiane. Ky është një veprim i kërkuar në mënyrë të përsëritur nga përfaqësuesit e zgjedhur të popullit në Parlamentin Evropian dhe në parlamentet kombëtare. Vonesa dhe hezitimi në listimin e makinerisë më të madhe të terrorit dhe luftënxitjes në botë vetëm e inkurajojnë regjimin iranian të vazhdojë vrasjet e tij brenda dhe jashtë Iranit, si dhe të vazhdojë ndjekjen e bombës bërthamore”. Hameed Orayzi- Ashraf 3

  • Programi bërthamor/ Diplomati iranian udhëton në Paris, bisedime me homologun francez më 26 nëntor

    Programi bërthamor/ Diplomati iranian udhëton në Paris, bisedime me homologun francez më 26 nëntor

    Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot, do të zhvillojë bisedime me homologun e tij iranian në Paris më 26 nëntor për të diskutuar çështjet dypalëshe dhe rajonale, si dhe programin bërthamor të kontestuar të Iranit, tha të hënën ministria e jashtme e Francës.

    “Kjo do të jetë një mundësi për ne që t’i bëjmë thirrje Iranit që të përmbushë detyrimet e tij ndaj IAEA-s dhe për një rifillim të shpejtë të bashkëpunimit me agjencinë”, tha ministria e jashtme përpara udhëtimit të Abbas Araqchi-t në Francë.

    Dy ministrat do të diskutojnë gjithashtu fatin e dy shtetasve francezë, të cilëve nuk u lejohet të largohen nga Irani pasi janë liruar dhe qëndrojnë në ambasadën franceze në Teheran, tha ministria.

    Zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Iranit konfirmoi vizitën e planifikuar, duke shtuar se Araqchi do të diskutonte gjithashtu fatin e një studente iraniane, e cila u lirua me kusht nga Franca në fund të tetorit. Teherani tha në atë kohë se do të përpiqej për lirimin e plotë të studentit.

    Mahdieh Esfandiari, një studente që jeton në qytetin francez të Lionit, u arrestua këtë vit për postime anti-Izrael në mediat sociale./ Reuters.

  • Sportistët nga mbarë bota, dënojnë dënimin me vdekje të boksierit iranian

    Sportistët nga mbarë bota, dënojnë dënimin me vdekje të boksierit iranian

    Një artikull ekskluziv i Fox News raporton se një grup atletësh ndërkombëtarë kanë nënshkruar një letër të hapur ku dënojnë ashpër vendimin e regjimit iranian për të ekzekutuar kampionin e boksit Mohammad Javad Vafaei Sani. Ai është arrestuar dhe dënuar me vdekje për shkak të pjesëmarrjes në protestat pro-demokracisë të vitit 2019 dhe për mbështetjen e opozitës iraniane PMOI (MEK).
    Letra, e firmosur nga disa figura të njohura të sportit, bën thirrje për ndërhyrje nga Kombet e Bashkuara, federatat ndërkombëtare të sportit dhe qeveritë botërore për të shpëtuar jetën e boksierit. Mes nënshkruesve më të spikatur janë aktivistja amerikane për sportet e grave Riley Gaines dhe legjenda e tenisit Martina Navratilova, të cilat, pavarësisht pikëpamjeve të tyre politike të ndryshme, janë bashkuar në këtë kauzë humanitare.
    Në letrën e tyre, atletët shprehin indinjatën e thellë për vendimin e shpallur më 4 tetor 2025 nga autoritetet iraniane. Ata kujtojnë se Vafaei Sani ka kaluar mbi pesë vjet në burg nën tortura dhe izolim për shkak të bindjeve të tij politike. Po ashtu, letra thekson historinë e errët të Iranit në ekzekutimin e sportistëve për arsye ideologjike, duke përmendur raste si ato të futbollistit Habib Khabiri, volejbollistes Forouzan Abdi dhe mundësit të njohur Navid Afkari, i ekzekutuar në vitin 2020.
    Autoret e deklaratës e cilësojnë këtë rast si një pjesë të fushatës së gjerë të shtetit iranian për të frikësuar popullsinë dhe për të heshtur kundërshtarët politikë. Ata theksojnë se sporti duhet të përfaqësojë shpresë, unitet dhe guxim — vlera që, sipas tyre, po shkelen me ekzekutimin e një kampioni për mendimet e tij.
    Sipas Fox News, Gjykata e Lartë e Iranit e ka rrëzuar disa herë vendimin e dënimit me vdekje, por Gjykata Revolucionare e Mashhadit e ka rikthyer përsëri, derisa në apelimin e tretë vendimi u konfirmua përfundimisht. Ky zhvillim ka ngjallur reagime të gjera ndërkombëtare.
    Rasti i Vafaei Sani-t ka bërë që dy figura të njohura, Riley Gaines – një konservatore dhe përkrahëse e ish-presidentit Donald Trump – dhe Martina Navratilova, e njohur për qëndrimet e saj liberale, të bashkohen në mbështetje të një qëllimi të përbashkët: mbrojtjes së jetës së një sportisti të pafajshëm dhe mbështetjes së të drejtave të njeriut.

  • Teherani përballet me krizë uji për shkak të thatësisë së madhe

    Teherani përballet me krizë uji për shkak të thatësisë së madhe

    Zyrtarët iranianë kanë paralajmëruar për ndërprerje të ujit të pijshëm në disa pjesë të Teheranit, pasi shteti po përballet me krizë të madhe të ujit, të shkaktuar nga thatësirat.
    Paralajmërimet kanë ardhur pasi presidenti iranian, Masud Pezeshkian ka thënë se kryeqyteti iranian ka mundësi që të evakuohet tërësisht, nëse situata vazhdon të përkeqësohet.
    “Shfrytëzimi racional i ujit do të duhej të kishte nisur më herët”, ka thënë Reza Hajikarim, udhëheqës i Industrisë së Ujit Iranian, në disa deklarata për televizionin shtetëror.

    “Aktualisht, 62 për qind e ujit të Teheranit sigurohet nga burimet nëntokësore dhe nivelet në to kanë rënë shumë”.
    Ministri iranian i Energjisë, Abbas Ali Abadi, ka bërë të ditur se do të nisë racionalizimi i furnizimit me ujë në disa rajone të Teheranit.
    “Kjo do të ndihmojë në shmangien e humbjeve, edhe pse situata mund të jetë më e vështirë”, Abadi për një televizion shtetëror.
    Issa Bozorgzadeh, zëdhënës i industrisë së ujit, ka thënë se situata e ka arritur pikën ku autoritetet po detyrohen të vendosin kufizime në sasitë e ujit që mund të konsumohet.
    “Nëse konsumi nuk zvogëlohet për 10 për qind, ndërprerja e furnizimit të qëndrueshëm me ujë është diçka e sigurt”, ka thënë ai.
    Kriza e ujit në Iran është pasojë e mungesës së reshjeve, dhe thatësisë së madhe për pesë vjet rresht.
    Mirëpo disa ekspertë besojnë se për situatën duhet fajësuar edhe keqmeanxhimin ndër vite, sidomos në sektorin e bujqësisë.

  • Trump kërkoi paqe me Iranin, por thirrja e tij dështoi në Teheran dhe Jerusalem

    Trump kërkoi paqe me Iranin, por thirrja e tij dështoi në Teheran dhe Jerusalem

    Mes bujës që shoqëroi vizitën e Donald Trump në Lindjen e Mesme dhe armëpushimin mes Izraelit dhe Hamasit, një pjesë e rëndësishme e prezantimit të presidentit amerikan si ndërmjetës paqeje kaloi thuajse pa vëmendje.
    Në një skenë të pazakontë, në parlamentin izraelit (Knesset), Trump i zgjati degën e ullirit një armiku të papritur: Iranit, kundërshtarit të përhershëm të shtetit hebre.
    “Do të ishte fantastike të arrinim një marrëveshje paqeje me ta. A nuk do të ishte bukur?” tha ai. “Mendoj se ata duan.”
    Çmimi për t’i dhënë fund gati gjysmë shekulli armiqësie mes Uashingtonit dhe Teheranit, që daton nga pushtimi i ambasadës amerikane pas revolucionit iranian në vitin 1979, do të ishte që regjimi teokratik të ndalonte financimin e grupeve militante si Hamasi dhe Hezbollahu dhe “më në fund të njohë të drejtën e Izraelit për ekzistencë”, siç tha Trump.
    Kjo deklaratë nuk u prit mirë në Jerusalem, ku politikanët janë të kushtëzuar nga dekada armiqësie dhe e shohin regjimin islamik iranian si kërcënim ekzistencial. Por reagimi në Teheran, 1 mijë e 600 kilometra larg, ishte edhe më i ftohtë.
    Pas refuzimit të ftesës së pazakontë të Trump për të marrë pjesë në një takim në Sharm El-Sheikh të Egjiptit, organizuar për të festuar fundin e luftës në Gaza dhe për të shpallur një epokë të re paqeje në rajon, zyrtarët iranianë mbajtën një qëndrim të ashpër dhe të njohur.
    Ata nuk ishin të gatshëm të falnin bombardimet amerikane të qershorit mbi objektet bërthamore në Fordow, Isfahan dhe Nantanz, as vrasjen e gjeneralit Qasem Soleimani në janar 2020 gjatë presidencës së parë të Trump.
    “Edhe pse mbështesim angazhimin diplomatik, as Presidenti Masoud Pezeshkian dhe as unë nuk mund të angazhohemi me homologë që kanë sulmuar popullin iranian dhe vazhdojnë të na kërcënojnë e sanksionojnë,” shkroi ministri i jashtëm iranian, Abbas Aragchi, në rrjetet sociale, duke shpjeguar refuzimin e ftesës për takimin në Sharm El-Sheikh.
    Si rrjedhojë, nisma diplomatike e Trumpit ka pak gjasa të japë fryte së shpejti. Madje, me dyshimet në Teheran që janë më të larta se zakonisht, sidomos pas një sulmi izraelit që ndodhi pikërisht kur negociatorët iranianë po përgatiteshin për raundin e gjashtë të bisedimeve për programin bërthamor, një përshkallëzim ushtarak duket më i mundshëm.
    “Dikush mund të shohë optimizëm në dëshirën e Trump për diplomaci dhe dialog. Por kemi qenë në këtë rrugë më parë, dhe përfundoi me luftën e qershorit,” tha Nader Hashemi, profesor i politikës së Lindjes së Mesme në Universitetin Georgetown.
    “Deklaratat e Trump në Knesset nuk janë të reja, por jemi në një moment tjetër. Nga perspektiva iraniane, përfundimi logjik i luftës së verës dhe bombardimeve amerikane është: nuk mund t’u besosh SHBA-ve. Nuk mund të besosh Trump-in. Ai është krejtësisht i paparashikueshëm. Rruga e vetme e sigurt për Iranin është forcimi i kapaciteteve ushtarake, mbrojtja ajrore, raketat… dhe të gjejë mënyrën për të siguruar armë bërthamore pa u sulmuar sërish.”
    Sipas Hashemi-t, cikli i sulmeve të mëparshme kur “Izraeli sulmon, Irani hakmerret, SHBA-të ndërhyjnë”, ka gjasa të përsëritet gjatë presidencës së Trump-it, ndoshta më shpejt se sa pritet.
    Pengesa kryesore për vizionin e Trump për një “trekëndësh paqeje” mes SHBA-ve, Izraelit dhe Iranit është udhëheqësi suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei, 86 vjeç, dhe fraksioni i tij i ashpër në pushtet.
    Që kur zëvendësoi Ayatollah Ruhollah Khomein-in në vitin 1989, Khamenei e ka bërë qëllim të jetës së tij kundërshtimin e politikës së jashtme amerikane në Lindjen e Mesme dhe mohimin e legjitimitetit të Izraelit.
    Sipas Abbas Milani, drejtor i studimeve iraniane në Universitetin Stanford, shpresat për një ndryshim të madh në politikën iraniane janë të kota për sa kohë Khamenei është gjallë dhe në pushtet.
    “Është e realizueshme vetëm nëse kemi një elitë tjetër në pushtet në Iran, sigurisht jo me Khamenei-n në krye dhe klikën e tij që kontrollon pjesën më të madhe të regjimit,” tha Milani. “Mendoj se shanset për një marrëveshje janë zero.”
    Ai e krahasoi ftesën e Trump për pjesëmarrje në Sharm El-Sheikh me “ftesën për zjarrvënësin që të festojë fundin e zjarrit”, duke theksuar se Irani vazhdon të mbështesë Hamasin dhe të kundërshtojë zgjidhjen me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez.
    Megjithatë, natyra e pazakontë e ftesës mund të trazojë më tej një regjim që tashmë është i dobësuar nga protestat masive kundër ligjeve të rrepta për hixhabin.
    “Kjo ka krijuar debat dhe përçarje brenda regjimit, me disa që publikisht thonë: ‘Duhej të kishim shkuar. Pse të mos flasim me Trump?’” tha Milani.
    “Krijimi i këtyre ndarjeve brenda një klase sunduese që dikur ishte thuajse monolitike (e njëtrajtshme), të paktën në politikën e jashtme, mund të jetë një pasojë e paqëllimshme ose e qëllimshme e kësaj ftese të çuditshme.”
    “Gjithnjë e më shumë, njerëzit në Iran po sfidojnë Khamenei-n, ndonjëherë me emër, ndonjëherë me aludime për bashkëpunëtorët e tij të afërt,” shtoi Milani.
    “Nëse Trump po vepron instinktivisht, por po përpiqet të ndezë këto tensione dhe tensionet brenda elitës sunduese janë kushti i parë për tranzicion, ndoshta është në rrugën e duhur.”
    Ai përfundoi: “Situata në Iran është shumë delikate. Kërkon takt si ai i një neurokirurgu.”
    Në mungesë të atyre aftësive të rralla, rezultati më i mundshëm afatshkurtër është përshkallëzimi i tensioneve mes kërkesave të shtuara nga SHBA-të dhe Izraeli dhe kundërpërgjigjes së fortë iraniane, tha Sina Toossi, analist në Qendrën për Politikë Ndërkombëtare.
    “Sipas perceptimit dominues në administratën Trump, Irani është i dobësuar dhe mund të marrim më shumë se një marrëveshje bërthamore,” argumentoi ai, citon The Guardian.
    “Ata duan të detyrojnë dorëzimin, që do të thotë njohje e Izraelit dhe fundi i rolit të Iranit në rajon. Ka pasur kërkesa që Irani të kufizojë programin e tij të raketave. Nëse ndjekin këtë rrugë, do ta përshkallëzojnë.”
    “Irani, nga ana tjetër, do të qëndrojë i palëkundur dhe do të forcojë marrëdhëniet me Kinën, Rusinë dhe vendet fqinje, duke krijuar kosto për SHBA-të. Situata mund të nxehet më tej në të ardhmen e afërt.”

  • Gara e fotografëve në Fier, çmimin e madh e fiton një iranian. Kameramani i TCH merr vendin e tretë

    Gara e fotografëve në Fier, çmimin e madh e fiton një iranian. Kameramani i TCH merr vendin e tretë

    Në Fier, mbrëmja e çmimeve të Fokus 16 ka përmbyllur ditët e një prej aktiviteteve më të rëndësishme ndërkombëtare të fotografisë artistike në vend.

    Në hollin e Teatrit “Bylis” dhe në galerinë “Vilson Kilica” u ekspozuan punimet e 208 fotografëve nga 58 vende të botës, duke sjellë për publikun histori, ndjenja dhe realitete që kalojnë kufijtë e një imazhi.
    Çmimin e parë në kategorinë “Temë” e fitoi fotografi iranian Majid Hojati, me veprën “Fundi i një perspektive si vizion”. Në këtë edicion u nderuan edhe në kujtim Alqi Golkoshi dhe Leon Cika, për kontributin e tyre të vyer në zhvillimin e fotografisë shqiptare.
    Arben Alliaj, drejtor i Fokus 16: “Fokus nisi si një nismë lokale vite më parë, për t’u shndërruar sot në një laborator të shpirtit njerëzor…”.
    Mbrëmja e çmimeve u shoqërua me interpretime muzikore instrumentale dhe popullore, si një përqafim mes artit vizual dhe trashëgimisë që jeton përmes tingujve. Ndër fituesit shqiptarë, juria veçoi me çmime të treta fotografët Neritan Trifoni në kategorinë “Njerëzit” dhe Vlasov Sulaj në kategorinë “Temë”.
    Në morinë e imazheve, u reflektuan plagët e botës moderne  dhimbja, uria dhe pasojat e konflikteve të ngrira në një kornizë, si çaste pa kufij.
    Në një kohë kur imazhi dominon komunikimin dhe teknologjia ka ndryshuar mënyrën tonë të perceptimit, fotografia artistike mbetet si një dritare e lirë e mendimit dhe ndjenjës njerëzore.
    Ekspozita Fokus 16 pritet të udhëtojë në disa vende të Ballkanit, si dhe në Itali e Spanjë, duke vijuar rrugëtimin e saj përtej kufijve të Shqipërisë.

    Top Channel

  • Afati për rivendosjen e sanksioneve po afron, Evropa kritikon Iranin për “vonesa”

    Afati për rivendosjen e sanksioneve po afron, Evropa kritikon Iranin për “vonesa”

    Liderët evropianë kanë thënë se Irani nuk ka bërë ende mjaftueshëm për ta shmangur rikthimin e sanksioneve ndaj programit të tij bërthamor teksa afati po afron, megjithëse palët u pajtuan t’i vazhdojnë bisedimet ndërkohë që koha po kalon.

    “Ka një mundësi për diplomaci. Por, afatet po mbarojnë dhe do të shohim. Ne duhet të shohim veprime konkrete edhe nga ana e Iranit”, tha më 23 shtator shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, pas takimit me ministrin e Jashtëm iranian.
    Ministrat e Jashtëm të Francës, Britanisë dhe Gjermanisë – të njohur si E3-ja evropian – së bashku me Kallasin zhvilluan bisedime me homologun e tyre iranian, Abbas Araqchi, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
    Para takimit, ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, tha se “duhet të jetë e qartë për të gjithë se, pas gjithë taktikave vonuese të Iranit, mundësitë për ta arritur një zgjidhje diplomatike para se të nisë kthimi i sanksioneve, janë jashtëzakonisht të pakta”.
    Pas seancës, një burim diplomatik francez i tha agjencisë së lajmeve Reuters se bisedimet do të vazhdojnë për të “eksploruar të gjitha mundësitë deri në fund” për të shmangur rivendosjen e sanksioneve të OKB-së.
    Ministria e Jashtme e Iranit tha në një deklaratë: “Duke pasur parasysh lëvizjen e padrejtë dhe të paligjshme për të filluar rivendosjen e sanksioneve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, gjatë takimit u paraqitën disa ide dhe propozime për vazhdimin e diplomacisë, dhe u pajtuam që konsultimet të vazhdojnë”.
    Më 28 gusht, E3-shi nisi një proces 30-ditor për rivendosjen e sanksioneve, periudhë që përfundon më 27 shtator.
    Vendet evropiane e akuzojnë Iranin se ka dështuar ta respektojë marrëveshjen historike të vitit 2015, e njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), me fuqitë botërore, e cila synonte të parandalonte zhvillimin e armëve bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
    Irani filloi të tërhiqej nga zotimet e veta pas vendimit presidentit amerikan Donald Trump, i cili në mandatin e tij të parë e tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja në vitin 2018 dhe rivendosi sanksione shkatërruese kundër Teheranit.
    Në korrik, Irani pezulloi bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike si përgjigje ndaj bombardimeve të kryera nga SHBA dhe Izraeli në objektet kryesore bërthamore në Fordo, Isfahan dhe Natanz.
    Një nga kushtet që E3-shi kishte vendosur për të shtyrë procesin ishte që Teherani të rifillonte plotësisht bashkëpunimin me agjencinë e OKB-së para fundit të gushtit.
    Sanksionet e lidhura me marrëveshjen bërthamore dhe çështje të tjera kanë dëmtuar rëndë ekonominë iraniane dhe shpesh kanë shkaktuar trazira në rrugë për shkak të rritjes së çmimeve dhe mungesës së mallrave dhe furnizimeve jetike.
    Ato gjithashtu kanë penguar industrinë iraniane, pasi sektorë të rëndësishëm kanë mbetur pa pjesë zëvendësuese dhe burime të tjera.
    Kreu i agjencisë bërthamore të OKB-së, Rafael Grossi, i tha Reutersoit se kishte “bisedime intensive” mes tij, Iranit, fuqive evropiane dhe Shteteve të Bashkuara për të arritur një marrëveshje.
    Teherani po vazhdon ta sfidojë trysninë e Perëndimit lidhur me programin e tij bërthamor dhe procedurat e pasurimit të uraniumit.
    Udhëheqësi suprem, Ajatollah Ali Khamenei, ka hedhur poshtë mundësinë e bisedimeve me Uashingtonin për këtë çështje.
    “Në rrethanat e tanishme, bisedimet me Qeverinë amerikane nuk sjellin asnjë përfitim për interesat tona kombëtare”, tha ai në një fjalim të transmetuar nga televizioni shtetëror iranian.
    Khamenei akuzoi Trumpin se nuk dëshiron të zhvillojë bisedime të vërteta, duke iu referuar kërkesës së SHBA-së që Teherani ta ndalë plotësisht pasurimin e uraniumit ose ta kufizonte rrezen e veprimit të raketave të tij.
    “Këto nuk janë bisedime, janë diktate”, tha Khamenei.
    Presidenti iranian Masud Pezeshkian – i konsideruar nga shumë si një figurë më e moderuar por me fuqi të kufizuara – tha se ai është për dialog në marrëdhëniet ndërkombëtare.
    “Por, nuk mund të negocioni me dikë që kërkon të demonstrojë forcë, të shtypë, të shkatërrojë dhe të shkaktojë dëme”, shtoi ai, pa përmendur emra.
    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se planifikon të takohet me Pezeshkianin në OKB më 24 shtator.
    “Ose Irani bën një gjest dhe kthehet në rrugën e paqes dhe përgjegjësisë që e bën të mundur të rikthehemi në binarë… ose sanksionet do të duhet të rivendosen”, tha Macron. /rel

    Top Channel

  • Netanyahu: Shkatërrimi i boshtit iranian është qëllimi ynë për vitin e ardhshëm

    Netanyahu: Shkatërrimi i boshtit iranian është qëllimi ynë për vitin e ardhshëm

    Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu shpalli planin e ri ndaj goditjes së armiqve të vendit, duke njoftuar se vitin e ardhshëm objektiv do të jetë boshti iranian.
    “Jemi të angazhuar në një luftë në të cilën po mbizotërojmë mbi armiqtë tanë dhe duhet të shkatërrojmë boshtin iranian, dhe kemi fuqinë për ta bërë këtë.
    Kjo është ajo që na pret në vitin e ardhshëm, i cili mund të jetë një vit historik për sigurinë e Izraelit”, tha Netanyahu.
    Deklarata u bë gjatë një takimi me Forumin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), së bashku me shefin e Shtabit të IDF-së, gjenerallejtënant Eyal Zamir dhe ministrin e Mbrojtjes, Israel Katz, raporton The Times of Israel.

    “Dua të përsëris se jemi të vendosur të arrijmë të gjitha objektivat tona të luftës”, shtoi ai, “jo vetëm në Gaza, jo vetëm për të përfunduar eliminimin e Hamasit, për të liruar pengjet tona dhe për të siguruar që Gaza të mos përbëjë më kërcënim për Izraelin, por edhe në fronte të tjera, për të hapur mundësi për siguri, për fitore dhe gjithashtu për paqe”.
    Izraeli po vijon prej më shumë se një jave fazën e dytë të operacionit në Gaza, ku ka objektiv mposhtjen e plotë të Hamasit dhe lirimin e pengjeve.

  • Programi bërthamor i Iranit, ministri i Jashtëm: Kemi paraqitur një propozim të drejtë dhe të balancuar

    Programi bërthamor i Iranit, ministri i Jashtëm: Kemi paraqitur një propozim të drejtë dhe të balancuar

    Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha se kishte paraqitur një propozim “të drejtë dhe të balancuar” për fuqitë europiane mbi programin bërthamor të Teheranit për të parandaluar rivendosjen e sanksioneve të OKB-së ndaj Republikës Islamike.

    “Irani paraqet një propozim krijues, të drejtë dhe të balancuar që adreson shqetësimet reale dhe është i dobishëm për të dyja palët”, shkroi Araghchi në X mbrëmë.
    Ai shtoi se propozimi iu paraqit dje Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Gjermanisë, një grup vendesh të njohura si E3, si dhe Bashkimit Evropian.
    “Zbatimi i kësaj ideje mund të bëhet shpejt dhe të lejojë që vijat e kuqe përkatëse të pajtohen për të parandaluar një krizë”, paralajmëroi ai, duke shtuar se “Irani nuk mund të jetë aktori i vetëm përgjegjës”.
    Deklarata e ministrit iranian erdhi ndërsa Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet, përveç ndonjë ngjarjeje të papritur, të japë dritën jeshile sot për të rivendosur sanksionet ndaj Teheranit. Sipas burimeve diplomatike, Irani nuk ka nëntë votat e nevojshme për të ruajtur status quo-në dhe për të parandaluar rivendosjen e sanksioneve deri në fund të muajit.
    “Ajo që po bëjnë europianët është politikisht e anshme dhe e motivuar politikisht. Ata po bëjnë një gabim në disa nivele duke u përpjekur të keqpërdorin mekanizmin e përfshirë në Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA)”, u tha sot gazetarëve në Gjenevë zëvendësministri i jashtëm iranian Saeed Hatibzadeh. Ai tha se të gjitha opsionet ishin në tryezë nëse diplomacia dështonte.
    “Nëse europianët ndjekin këtë rrugë, ata po maksimizojnë paparashikueshmërinë dhe janë përgjegjës për çdo rrezik të mundshëm në të ardhmen”, tha ai. Vendet e E3 janë ndër ato që nënshkruan marrëveshjen ndërkombëtare të vitit 2015 (JCPOA) që vendosi kufizime në aktivitetet bërthamore iraniane në këmbim të heqjes së sanksioneve ndaj Teheranit.
    Marrëveshja kishte për qëllim të parandalonte Iranin nga blerja e armëve bërthamore, një qëllim që fuqitë perëndimore dhe armiku i saj i betuar Izraeli kanë dyshuar prej kohësh se ai po e ndjek, diçka që Teherani e mohon.

    Top Channel

  • Australia dëbon ambasadorin iranian pas zbulimit të sulmeve Antisemite në territorin e saj

    Australia dëbon ambasadorin iranian pas zbulimit të sulmeve Antisemite në territorin e saj

    Australia po dëbon ambasadorin iranian në Canberra, pasi agjencia e inteligjencës së vendit zbuloi se Irani qëndronte pas të paktën dy sulmeve antisemite në tokën australiane.

    Organizata e Inteligjencës së Sigurisë e Australisë (ASIO) e kishte lidhur Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të Iranit me dy sulme zjarrvënëse vitin e kaluar, që synonin një restorant në pronësi të hebrenjve në Sydney dhe Sinagogën Adass Israel në Melbourne, tha kryeministri Anthony Albanese në një konferencë për shtyp.
    “Këto ishin akte të jashtëzakonshme dhe të rrezikshme agresioni të orkestruara nga një komb i huaj në tokën australiane”, tha Albanese.
    Ambasadori iranian, Ahmad Sadeghi, dhe tre anëtarëve të tjerë të stafit diplomatik u është dhënë shtatë ditë afat për t’u larguar nga vendi, tha Albanese. Është hera e parë që Australia ka dëbuar një ambasador të huaj që nga Lufta e Dytë Botërore.
    Australia ka pezulluar gjithashtu operacionet në ambasadën e saj në Iran për sigurinë e zyrtarëve të saj konsullorë, dhe australianët në Iran janë nxitur të largohen nga vendi.
    Albanese tha se IRGC-ja e Iranit – një krah elitar i ushtrisë iraniane që konsiderohet instrumental në shtypjen e disidencës në vend dhe në projektimin e fuqisë së Iranit jashtë vendit duke financuar milicinë në të gjithë Lindjen e Mesme – do të listohej gjithashtu si një agjenci terroriste. SHBA-të vepruan për ta shpallur atë një grup terrorist në vitin 2019.
    “E kam thënë shumë herë se populli australian dëshiron dy gjëra: Ata duan që vrasjet në Lindjen e Mesme të ndalen dhe nuk duan që konflikti në Lindjen e Mesme të sillet këtu. Irani është përpjekur të bëjë pikërisht këtë”, shtoi Albanese.
    “Ata janë përpjekur të dëmtojnë dhe tmerrojnë australianët hebrenj dhe të mbjellin urrejtje dhe përçarje në komunitetin tonë”, tha ai.
    Australia po përballet me një rritje të sulmeve antisemite. Policia po heton lidhjet me kriminelë të paguar.
    Drejtori i Përgjithshëm i ASIO-s, Mike Burgess, tha se sulmet antisemite në Australi u drejtuan nga IRGC-ja dhe u kryen nga “një grup ndërmjetësish”.
    Dy sulmet e lidhura me Iranin nga ASIO përfshijnë një sulm me zjarrvënie në tetor 2024, në Lewis’ Continental Kitchen pranë Bondi Beach në Sydney, i cili u kishte shërbyer banorëve të Sydney-t ushqim për më shumë se 50 vjet.
    Sulmi i dytë ndodhi në Sinagogën Adass Israel në Melbourne dhjetorin e kaluar, kur dy sulmues të maskuar u panë duke hedhur lëng brenda ambienteve përpara se t’i vinin flakën. Hetuesit e antiterrorizmit në Victoria kanë ngritur akuza për sulmin në sinagogën Adass. Arrestimi më i fundit u bë javën e kaluar. Policia pretendon se tre individë hynë me forcë në vendin e faljes dhe i vunë flakën qëllimisht.
    Sulmet antisemite në Australi janë rritur që nga fillimi i hakmarrjes së Izraelit për sulmin ndërkufitar të Hamasit më 7 tetor 2023. “ASIO është ende duke hetuar përfshirjen e mundshme të Iranit në një numër sulmesh të tjera. Por dua të theksoj se ne nuk besojmë se regjimi është përgjegjës për çdo akt antisemitizmi në Australi”, tha Burgess.
    Ministri i Punëve të Brendshme i Australisë, Tony Burke, i quajti veprimet e Iranit një “sulm të jashtëzakonshëm” që arriti në një “nivel të ri dhe krejtësisht të papranueshëm”.
    “Australia u sulmua dhe Australia u dëmtua”, tha Burke.
    Ministrja e Jashtme Penny Wong u bëri thirrje australianëve të largohen nga Irani pasi aftësia e qeverisë për t’i mbrojtur ata do të ishte “jashtëzakonisht e kufizuar”.
    “I bëj thirrje çdo australiani që mund të jetë duke menduar të udhëtojë për në Iran, ju lutem mos e bëni. Mesazhi ynë është, nëse jeni australian në Iran, largohuni tani nëse është e sigurt ta bëni këtë”, tha ajo.
    Ndërkohë që ende nuk ka pasur ndonjë koment zyrtar nga qeveria e Iranit, mediat iraniane nxituan të denonconin pretendimet e Kanberrës për përfshirjen e vendit në sulme. Agjencia shtetërore e lajmeve Fars tha se Australia kishte bërë “akuza të pabaza”, ndërsa agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Tasnim tha se ambasadori i Iranit po dëbohej me “pretekste të rreme”.
    Ambasada e Iranit në Canberra nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së CNN për koment.

    Top Channel