Tag: investimeve

  • Kërcënimet gjeopolitike në rritje, BE-ja shtrëngon rregullat për kontrollin e investimeve të huaja

    Kërcënimet gjeopolitike në rritje, BE-ja shtrëngon rregullat për kontrollin e investimeve të huaja

    Parlamenti Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së po ndërmarrin hapa për të parandaluar rivalët si Kina, që t’i “shndërrojnë” investimet e tyre në armë.

    Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe Parlamenti Evropian kanë arritur një marrëveshje për të forcuar kontrollin e investimeve të huaja në bllok, ndërsa tensionet rriten për shkak të investimeve nga vende të tilla si Kina.

    Parlamenti kishte kërkuar një shqyrtim të gjerë të investimeve të huaja direkte, por janë shtetet anëtare të BE-së ato që kanë autoritetin përfundimtar mbi shqyrtimet e investimeve. Të dyja palët tani kanë rënë dakord për një tekst të përbashkët që forcon rregullat ekzistuese.

    Sipas marrëveshjes, shqyrtimet e detyrueshme tani do të mbulojnë pajisjet ushtarake, inteligjencën artificiale, teknologjitë kuantike, gjysmëpërçuesit, lëndët e para, infrastrukturën e transportit dhe atë digjitale, madje edhe sistemet zgjedhore.

    “Duke kërkuar që të gjitha shtetet anëtare të zbatojnë një mekanizëm shqyrtimi dhe duke forcuar bashkëpunimin midis tyre, rregullorja mbyll boshllëqet e mundshme për investimet me rrezik të lartë në tregun e brendshëm”, tha eurodeputeti Bernd Lange, kryetar i komitetit të tregtisë së Parlamentit.

    Ai shtoi se negociatorët e Parlamentit “kanë avokuar me sukses për një fushëveprim minimal më të gjerë të mekanizmave kombëtarë të shqyrtimit, duke siguruar që investimet në sektorë veçanërisht kritikë duhet të shqyrtohen nga të gjitha shtetet anëtare”.

    Mbrojtja e sigurisë ekonomike të Evropës

    Korniza e ripërpunuar rrjedh nga një iniciativë e Komisionit Evropian për të forcuar mbrojtjen ekonomike të BE-së.

    “Në muajt e fundit, është bërë e qartë se konteksti gjeopolitik ka ndryshuar ndjeshëm”, tha një diplomat i BE-së të enjten. “Tregtia nuk mund të shihet më gjithmonë si një transaksion neutral midis operatorëve të pavarur ekonomikë.”

    Ai vuri në dukje se disa raste të kohëve të fundit “demonstruan se instrumentet ekonomike janë përdorur si armë kundër Evropës për qëllime gjeopolitike”.

    Në shtator, Holanda e vendosi prodhuesin e çipave Nexperia, me seli në Holandë dhe në pronësi kineze, nën mbikëqyrje shtetërore, nga shqetësimi se njohuritë kritike nga objektet e saj evropiane mund të ktheheshin përsëri në Kinë.

    Pekini u përgjigj duke kufizuar eksportet e çipave në Evropë, duke kërcënuar kështu industrinë automobilistike të BE-së, e cila mbështetet shumë në këto komponentë. Edhe pse një marrëveshje SHBA-Kinë përfundimisht i riktheu eksportet, tensionet midis Pekinit dhe Hagës mbeten të larta.

    BE-ja ka pasur një mekanizëm bashkëpunimi për shqyrtimin e investimeve të huaja direkte që nga tetori i vitit 2020, por rezistenca fillestare ishte e fortë.

    “Në fillim, disa aktorë ekonomikë në të gjithë Evropën ngurronin të (zbatonin) një shqyrtim të tillë”, tha një burim parlamentar për Euronews. “Çështjet e investimeve janë thelbësore për ta dhe ndonjëherë ata nuk i shohin rreziqet.”

    Sipas rregullave të BE-së, Komisioni mund të kërkojë informacion dhe të japë opinione, por nuk mund ta detyrojë një shtet anëtar të shqyrtojë dhe bllokojë një investim.

    Për më tepër, një rregullore e vitit 2023 prezantoi një regjim të ri shqyrtimi për subvencionet jashtë BE-së të dhëna kompanive që operojnë në bllok – një tjetër veprim që e vendos Kinën fort në qendër të vëmendjes./ Euronews.

  • Skema e Investimeve shpjegohet nga ministri Salla, fermeri në Gramsh pajiset me mekanikë për ullishtarinë

    Skema e Investimeve shpjegohet nga ministri Salla, fermeri në Gramsh pajiset me mekanikë për ullishtarinë

    Skema Kombëtare e Investimeve po nxit zhvillimin e bujqësisë duke mbështetur fermerët dhe sipërmarrësit e sektorit privat. Një shembull i qartë është historia e Kodhel Çalës nga Gramshi, i cili në vitin 2014 vendosi t’i përkushtohej plotësisht bujqësisë dhe të ndërtonte një aktivitet të qëndrueshëm në vendin e tij.
    Me mbështetjen e qeverisë dhe përmes Skemës Kombëtare të Investimeve, Kodheli ka përfituar një traktor dhe një pompë spërkatëse, të cilat kanë rritur efikasitetin e punës, kanë ulur lodhjen fizike dhe kostot e prodhimit, duke përmirësuar ndjeshëm proceset ditore në plantacionin e tij prej 5.7 hektarësh ullinjsh.

    Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla së bashku me Kryetarin e Bashkisë së Gramshit, Besjan Ajazi vizituan plantacionin me ullinj, teksa diskutuan me Kodhelin mbi ndikimin e drejtpërdrejtë të skemës në uljen e kostove dhe rritjen e produktivitetit dhe zhvillimin e ekonomisë lokale.

    Në fermën me ullinj, Kodheli ka punësuar banorë të zonës, duke krijuar mundësi për familjet lokale dhe duke kontribuar në gjallërimin e ekonomisë së Gramshit.

    Plantacioni i tij vazhdon të prodhojë vaj ulliri cilësor “MadeInAlbania”, duke dëshmuar se mbështetja e duhur dhe investimet strategjike mund të shndërrohen në histori suksesi.

  • Frika për ndikimin e huaj në informacion, në ‘lupë’ çdo lek që futet nga jashtë në media

    Frika për ndikimin e huaj në informacion, në ‘lupë’ çdo lek që futet nga jashtë në media

    Qeveria do të kontrollojë dhe hetojë investimet e huaja direkte që do të bëhen në sektorë më rëndësi kritike për sigurinë kombëtare.
    Projektvendimi për rregulloren “Për procedurat për vlerësimin dhe shqyrtimin e investimeve të huaja direkte që lidhen ose ndikojnë në infrastrukturën publike kritike, teknologjinë kritike dhe mallrat me përdorim të dyfishtë, furnizimin me inpute kritike, aksesin në informacione të ndjeshme ose mbi lirinë e medias”, është të hedhur në Konsultim Publik nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit.
    Fokusi kryesor i kësaj rregulloreje do të jetë tek kontrolli investimeve të huaja në fushën e medias, me qëllim që të shmangen fushatat e dezinformimit apo ndikimet keqdashëse nga shtete të huaja.
    “Për të krijuar një balancë midis tërheqjes së investimeve dhe mbrojtjes së interesit publik duhet të garantohet që investimet në sektorin e medias dhe informacionit të mos cenojnë sovranitetin informativ, krijojnë monopole dhe të respektojnë standardet etike dhe profesionale”, thuhet në relacion.
    Investimet në media thuhet në rregullore duhet të trajtohet me kujdes të veçantë, duke siguruar kontroll kombëtar, mbrojtje ligjore, dhe monitorim të vazhdueshëm, në mënyrë që paratë e huaja të mos kthehen në burim ndikimi të dëmshëm për shoqërinë apo shtetin.
    “Përpunimi i të dhënave sensitive dhe media krijojnë rreziqe për ndikim politik, propagandë, apo rrjedhje informacioni. Fushëveprimi i shqyrtimit të investimeve të huaja në këto sektorë sensitivë është prioritar për shkak të shtrirjes së ndikimit në shoqëri dhe pasojave politike dhe ekonomike që mund të krijojë”, vijon më tej relacioni.
    Në nenin 3 të rregullores thuhet se investimet e huaja direkte kontrollohen në rast të një rritjeje të pjesëmarrjes në ndërmarrje në nivelet nga 20% deri 75% menjëherë. Kjo kategori do të merret në shqyrtim që do të thotë një procedurë që lejon vlerësimin, hetimin e deri tërheqjen e investimeve të huaja direkte.
    Në nenin 4 të projekvendimit, sqarohet se për të përcaktuar nëse një investim i huaj direkt, ndikon në sigurinë dhe rendin publik do të merret në konsideratë nëse ky investitor është i lidhur direkt ose tërthorazi me qeverinë e shtetit të tij, duke përfshirë organet shtetërore ose forcat e armatosura, të një vendi të tretë. Nëse investitori i huaj ka qenë i përfshirë në aktivitete që ndikojnë në sigurinë ose rendin publik në një shtet anëtar të BE-së ose nëse ekziston një rrezik serioz që investitori i huaj të përfshihet në aktivitete të paligjshme ose kriminale.
    Investimet do të hetohen nga Komiteti Ndërministror për Shqyrtimin e Investimeve të Huaja Direkte, nëpërmjet njësisë përgjegjëse brenda Ministrisë së Ekonomisë. Kjo rregullore do të zbatohet fillimisht vetëm për fushën e medias, ndërsa me hyrjen e vendit në BE, në rregullore thuhet se do të ketë kontroll për investimet e huaja edhe në infrastrukturën publike kritike, teknologjinë kritike dhe mallrat me përdorim të dyfishtë, ose furnizimin me inpute kritike. Ky projektvendimsynon përafrimin edhe dispozitat e Bashkimin Evropian.
    Përveç kontrollit të investimeve do të ketë edhe gjoba ndaj investitorëve që nuk respektojnë detyrimet e tyre. Në nenin 18 thuhet se me 5 mijë euro gjobiten investitorët që nuk paraqesin kërkesë për shqyrtimin e një investimi të huaj.
    10 mijë euro gjobë kur nuk japin informacionin e kërkuar dhe 50 mijë euro nëse investitori i huaj paraqet deklarata apo informacione të rreme.
    Por gjoba do të jetë sa dyfishi i vlerës së investimit nëse investimi i huaj direkt zbatohet, pavarësisht ndalimit të tij me vendim të Komitetit, kur merr miratim përmes informacionit të rremë.

  • “Vitet kalojnë, projektet shiten”/Tabaku akuza të ashpra: Skandal i dokumentuar, qeveria përgatiti një tunel të fshehtë

    “Vitet kalojnë, projektet shiten”/Tabaku akuza të ashpra: Skandal i dokumentuar, qeveria përgatiti një tunel të fshehtë

    Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka akuzuar qeverinë se përmes Korporatës së Investimeve të Shqipërisë (KIS) ka krijuar një strukturë të paqartë dhe të rrezikshme që administron pasuri publike me mungesë transparence dhe kontrolli.
    Me anë të një postimi në Facebook, deputetja demokrate theksoi se edhe FMN ka shprehur rezerva për këtë model, duke paralajmëruar se KIS nuk ofron mekanizmat e nevojshëm të transparencës dhe llogaridhënies.
    Sipas Tabakut, auditimi i fundit i KLSH-së ka zbuluar probleme serioze në funksionimin e KIS, përfshirë: mungesë të njësisë së auditimit të brendshëm, operim me dy versione bilancesh, tenderime të pasurive publike në kundërshtim me parimet e MSA-së, mungesë departamentesh të kontrollit dhe strukturave bazë të qeverisjes së mirë.
    Postimi i Jorida Tabakut:
    Shtatë vjet më parë, socialistët votuan në kuvend një ligj special që I hapte rrugë krijimit të Korporatës së investimeve (KIS). Duke I dhënë jetë një Golemi që do të kishte kontroll thuajse okult mbi pronat publike dhe që do të manaxhonte pa tendera dhe procedura brenda ligjeve milarda euro pasuri kombëtare.
    Rreziku i kësaj krijese qe shumë i dukshëm dhe i prekshëm për të gjithë. Jo vetëm për ne që e kundërshtuam me forcë por edhe për FMN që e kritikoi haptazi një projekt që nuk ofronte as transparencë dhe as llogaridhënie por që kontrollonte pasurinë e gjithë shqiptarëve.
    Vitet kalojnë, projektet e KIS u shiten shqiptarëve si prezantime futuriste ndërkohë që vetë ky institucion nuk ka lidhje me zhvillimin ekonomik të vendit. Në të kundërt, sa më shumë kalon koha dhe auditohet funksioni tij, aq më e qartë bëhet realiteti i një strukture pa kontroll, auditk dhe transparencë. Një ngrehinë e madhe ku operohet në fshehtësi dhe heshtje totale.
    Në një auditim të kryer pak kohë më parë nga KLSH u zbuluan disa të vërteta që për vite janë folur dhe tretur në oqeanin e madh të abuzimeve të kësaj shumice dhe qeverie. Korporata Investimeve, si një kompani që fsheh bilancet operon me dy versione bilancesh (e më pas ankohen për informalitetin). Dhe kjo nuk është aspak e rastësishme. Që prej krijimit, KIS nuk ka pasur asnjë njësi auditimi të brendshëm. Asnjë mekanizëm të brendshëm kontrolli. Asnjë strukturë që të garantojë mbrojtjen e pronës publike. Vetë KLSH nënvizon se mungesa e auditit “rrit ndjeshëm rrezikun operacional dhe financiar” dhe bën të pamundur kontrollin minimal të aktivitetit. Kjo është e paimagjinueshme për një entitet që administron qindra miliona euro pasuri publike.
    Po kështu tenderimet që KIS bën për pasuritë publike, bien në kundërshtim me parimet e MSA duke i hapur dyert abuzimit dhe njëkohësisht duke dëshmuar se KIS është ajo masha e errët që qeveria përdor për t’i ikur detyrimeve të integrimit. Duke dëshmuar sjelljen hipokrite të qeverisjes socialiste ku në mëngjes i këndojnë procesit të integrimit ndërsa në darke përmes KIS ndajnë tenderat në kundërshtim me MSA.
    Struktura organizative e KIS është një tjetër skandal i dokumentuar. KLSH konstaton se organigrama e miratuar në vitin 2019 nuk përmban funksione kyçe, nuk ka departament kontrolli, nuk ka audit të brendshëm dhe nuk siguron as bazën minimale të qeverisjes së mirë.
    Mirëpo ndonëse ka gjithë këto mangësi, në realitet KIS operon shpesh si një bankë financiare (ndonëse kjo nuk është e lejuar) duke i dhënë hua institucioneve publike dhe duke i krijuar vetes një risk të lartë financiar si për veten dhe për pronat publike që administron. Në ndërkohë paratë publike që ajo grumbullon shpenzohen në qira të shtrenjta dhe abuzive pa asnjë analizë çmimi dhe në kundërshtim me VKM që duhet të mbronin buxhetin e shtetit.
    Qartësisht KIS është një ngrehinë ku projektet ndryshojnë sipas interesave pa e vrarë mendjen për implikimet në buxhet apo arkën e shtetit. Ndërsa flasim janë zbuluar projekte nga KIS pa analiza, planifikim pa argumente dhe mospërputhje masive me realizimet. Pasi po sipas saj, projektet si Godina e Kadastrës, Kompleksi Qeveritar janë produkt i analizave të cekëta, të projekteve mbi tokë publike pa llogari të qeruara mirë dhe me procedura të shpejtuara në shkelje të ligjit.
    Dyert që hapi krijimi KIS në vitin 2018 ishin rruga përmes të cilës qeveria përgatiti një tunel të fshehtë për të trajtuar pasurinë kombëtare dhe miliarda euro projekte në errësirë totale. Dhe jo më kot edhe FMN e deklaroi qartazi skepticizmin për KIS.
    Detyra jonë, më parësore, është që Korporatën e Investimeve ta nxjerrim nga terri dhe ta auditojmë. Do të qe e udhës që Kuvendi Shqipërisë të propozojë mekanizma ligjorë për të audituar atë dhe për t’i ofruar kuvendit një mënyrë kontrolli mbi të. Shqipëria nuk mund të lejojë një korporatë shtetërore të veprojë në errësirë, pa rregulla dhe pa llogari, ndërsa pronat e qytetarëve kthehen në mall tregu për një rreth të ngushtë vendimmarrjeje.
    Prona publike është pasuria e shqiptarëve. Dhe nuk mund të preket në heshtje, në fshehtësi dhe me struktura që KLSH vetë i ka cilësuar të pambrojtura dhe të rrezikshme.

  • SHBA në alarm, nis verifikimin e investimeve të huaja të rrezikshme, siguria kombëtare në dorë të kinezëve me…

    SHBA në alarm, nis verifikimin e investimeve të huaja të rrezikshme, siguria kombëtare në dorë të kinezëve me…

    Shqipëria pritet të hyjë në një fazë të re të monitorimit dhe kontrollit të investimeve të huaja, pas sinjaleve të qarta të ardhura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat po nxisin ngritjen e një mekanizmi të posaçëm ligjor për filtrimin e investitorëve që mund të paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare. Ky mekanizëm, i cili është diskutuar së fundi mes Ambasadës amerikane dhe qeverisë shqiptare, vjen në një moment kur projekti “Smart City” ka shtuar shqetësimet mbi përfshirjen e kompanive të huaja në sistemet e survejimit dhe të dhënave sensitive të vendit.
    Alarmi i SHBA
    Në përgjigjen zyrtare për mediat, Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka sqaruar dje se një mekanizëm i tillë synon rritjen e përgjegjshmërisë dhe transparencës, duke garantuar që investimet e huaja të mos përbëjnë rrezik për sektorët kritikë të vendit. “Një mekanizëm për shqyrtimin e investimeve është një mjet ligjor që u lejon qeverive të shqyrtojnë investimet e huaja për t’u siguruar që ato nuk paraqesin rreziqe për sigurinë kombëtare. Një mekanizëm i tillë do të mbronte sektorët kritikë të Shqipërisë nga aktorë keqdashës dhe do të mbështeste një mjedis investimesh të hapur dhe transparent që është i drejtë dhe i parashikueshëm për kompanitë amerikane dhe të tjerë, duke forcuar rolin e Shqipërisë si një partner i besuar në ekonominë globale”, thekson ambasada.Gjithashtu, një zyrtar amerikan theksoi se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara në mbështetjen e partneriteteve të drejta dhe teknologjive të sigurta. “Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të mbështetur prosperitetin ekonomik dhe partneritete të drejta për amerikanët, përfshirë bizneset amerikane në Shqipëri, si dhe për të forcuar sigurinë e teknologjive kritike.” Këto deklarata vijnë në vazhdën e takimit pak ditë më parë mes të Ngarkuarës me Punë Nancy Vanhorn dhe ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj, ku palët diskutuan mbi ofrimin e ekspertizës amerikane për koncesionet dhe mbi nevojën për një mekanizëm më të fortë kontrolli të investimeve të huaja.
    Projekti “Smart City”
    Gazeta “SOT” e theksoi edhe në artikujt e kaluar se në qendër të shqetësimit amerikan qëndron projekti “Smart City”, një sistem i avancuar monitorimi që synon mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave në shkallë kombëtare. Projekti i qeverisë shqiptare për të integruar kamerat, radarët dhe sensorët në një platformë të vetme, synon të modernizojë menaxhimin e sigurisë dhe të trafikut në vend. Kontrata për zbatimin e sistemit është dhënë drejtpërdrejt kompanisë Presight AI, pjesë e grupit G42 nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Ajo është firmosur në Abu Dhabi dhe më pas është klasifikuar si dokument “sekret”. Ky klasifikim ka kufizuar transparencën publike, duke lënë të paqartë detajet teknike të marrëveshjes dhe shkallën e aksesit që kompania e huaj mund të ketë mbi infrastrukturën e sistemit.
    Lidhjet e Presight AI dhe G42 me teknologjinë kineze
    Grupi G42, i cili zotëron Presight AI, është përmendur më herët në raportime ndërkombëtare për lidhjet e tij me teknologji kineze dhe bashkëpunimin me kompani të ekspozuara ndaj inteligjencës kineze. Këto elemente janë bërë objekt shqetësimi për shumë vende perëndimore, të cilat prej vitesh po rrisin kontrollin mbi aksesin e aktorëve të huaj në sistemet kritike të teknologjisë së informacionit. Ekipi drejtues i Presight AI përfshin figura të rëndësishme nga qeveria e Emirateve, si Dr. Sultan Ahmed Al Jaber dhe Mansoor Al Mansoori, por në nivel të grupit mëmë G42, drejtimi ekzekutiv mbahet nga Peng Xiao, me origjinë kineze, i njohur për rolin e tij të mëparshëm në kompaninë kibernetike DarkMatter. Kjo strukturë drejtimi ka kontribuar në vlerësimin e riskut nga partnerët perëndimorë.Sistemet e monitorimit të këtij lloji funksionojnë përmes platformave të integruara, përditësimeve të rregullta të programeve dhe shpesh mbështeten në cloud për ruajtjen e të dhënave. Në situata të tilla, edhe nëse të dhënat kontrollohen nga autoritetet shqiptare, kontraktori i huaj mund të ketë rol në mirëmbajtjen, përditësimin ose diagnostikimin e sistemeve. Kjo krijon varësi teknologjike. Rreziku nuk qëndron vetëm në çështjen e privatësisë së qytetarëve, por edhe në faktin se Shqipëria është territor ku zhvillohen shpesh lëvizje te trupave, të personelit dhe të ekipeve operative aleate. Një sistem që mbledh dhe përpunon të dhëna në kohë reale mbi qarkullimin dhe aktivitetet në terren shihet me kujdes të shtuar, sidomos nëse kompanitë që e operojnë atë janë të perceptuara si të ekspozuara ndaj ndikimeve të vendeve që nuk konsiderohen partnere.
    Bashkëpunimi i Ramës me kinezët
    Nisma e SHBA-ve për një mekanizëm të ri shqyrtimi të investimeve duket se synon pikërisht vendosjen e një filtri të qartë mbi projektet e tilla, ku përfshihen teknologji të avancuara, të dhëna sensitive dhe akses në infrastrukturë kritike. Kujtojmë se ka qenë SHBA që ndaloi në 2019 pazarin e Ramës me kinezët për implementimin në Shqipëri të rrjetit “5 G”. Qeveria shqiptare mori vendim të anulonte futjen e teknologjisë 5G nga kinezet pas ndërhyrjes së amerikanëve pasi binte në kundërshtim me rregullat e sigurisë së NATO-s. SHBA i bëri disa herë thirrje Ramës që të kishte kujdes me implementimin e 5G duke e detyruar të tërhiqej nga marrëveshja me Huawei. Ai jo vetëm që u tërhoq nga çdo flirt me Huawei-n, por u bë zë i hapur pro nismës globale për rrjete të pastra, duke ftuar edhe vendet fqinje t’i bashkohen kësaj nisme. SHBA e quajti Shqipërinë “shembull për të tjerët” në rajon, ndërsa zyrtarët euro-atlantikë e konsideruan Tiranën si një hallkë të sigurt në zinxhirin e mbrojtjes kibernetike.

  • Këshilli i Investimeve paralajmëron: Siguria e pronës dhe Kadastër Digjitale e papërfunduar po frenojnë investimet…

    Këshilli i Investimeve paralajmëron: Siguria e pronës dhe Kadastër Digjitale e papërfunduar po frenojnë investimet…

    Progres-rekomandimet e fundit të Këshillit të Investimeve kanë nxjerrë në pah se çështjet e sigurisë së pronës dhe Kadastres Digjitale mbeten ndër më problematiket për zhvillimin e investimeve në vend. Sipas vlerësimit, këto fusha janë ndër më pak të avancuarat në zbatim, duke krijuar pasiguri ligjore dhe mungesë transparence për investitorët vendas dhe të huaj.
    Këshilli thekson nevojën e menjëhershme për regjistrimin dhe publikimin e pronave publike dhe atyre të bashkive në ASHK, si dhe vendosjen e një Kadastre Digjitale plotësisht të aksesueshme, që do të garantonte informacion të saktë dhe të hapur për përdorim ekonomik. Po ashtu, mungesa e publikimit të fondit të pronave për investime strategjike vazhdon të kufizojë orientimin e investimeve dhe planifikimin afatgjatë. Përveç çështjeve të pronës, rekomandimet evidentojnë një sërë sfidash të tjera që vazhdojnë të mbeten pa zbatim.
    Ndër më të rëndësishmet janë duke filluar nga hartimi i një strategjie kundër informalitetit, koordinimi më i mirë i investimeve publike midis nivelit qendror dhe vendor, si dhe fuqizimi i shoqatave të biznesit për të rritur rolin e tyre në advokim dhe konsultime publike. Gjithashtu, Këshilli vë theksin te nevoja për një kulturë të re në menaxhimin e burimeve njerëzore, ku kapitali njerëzor të trajtohet si aset zhvillimi, si dhe te investimet në teknologji, automatizimi dhe rikualifikimi profesional. Rekomandohen gjithashtu stimuj fiskalë për kërkim dhe zhvillim, si dhe përmirësim i shkëmbimit të të dhënave me bashkitë, për të garantuar informacion të përditësuar për bizneset. Sipas Këshillit të Investimeve, përparimi në zgjidhjen e çështjeve të pronës dhe digjitalizimit të të dhënave mbetet kusht themelor për ngritjen e një mjedisi më të sigurt, më transparent dhe më tërheqës për investime në Shqipëri.

  • Vrina, grabitja e radhës që kryeministri Rama po u fal oligarkëve

    Vrina, grabitja e radhës që kryeministri Rama po u fal oligarkëve

    Një oligark me lidhje tepër të fuqishme në kupolën qeverisëse ka filluar “punën” për zaptimin dhe vjedhjen e një sipërfaqeje të stërmadhe prone në fshatin Vrinë, në skajin më jugor të Shqipërisë, buzë detit Jon dhe në kufi me Greqinë. Projekti tepër i dyshimtë i Korporatës së Investimeve Shqiptare ka për synim grabitjen e plot 849 hektarëve buzë detit, një sipërfaqe tepër e madhe.
    (Letrat e grabitjes së madhe po kopsiten si gjithnjë nga ‘kuçedra’ e pasurive të fundit publike, Elira Kokona, e vendosur nga Edi Rama dhe oligarkët në krye të Korporatës së Investimeve pikërisht për piketimin dhe kalimin e pasurive të fundit publike në duart e klientëve të pushtetit).
    Padyshim që kjo do të jetë një nga vjedhjet më spektakolare, ku “dorë” të rëndë ka edhe vetë shteti, i cili lejon që prona publike të tjetërsohet dhe në të të ndërtohen resorte apo gjithçka tjetër.
    Një biznesmen tepër i fuqishëm, me lidhje tepër të forta politike, ka filluar të marrë kontakte me banorë të zonës, disa prej të cilëve kanë edhe certifikata pronësie në zonë. Prej shumë muajsh, biznesmeni në fjalë ka “urdhëruar” Kadastrën e Vlorës që të mos lëshojë asnjë certifikatë pronësie apo të mos kryejë asnjë transaksion shitje, duke qenë se ka lidhur tentakulat e tij në Korporatën e Investimeve Shqiptarë, për t’a marrë të gjithën!
    Faksimile: Faqja e internetit e Korporatës së Investimeve Shqiptare e cila shkruan se sipërfaqja në Vrinë është plot 849 hektarë
    Harta dhe të dhënat më sipër janë publikuar nga Korporata e Investimeve Shqiptare, e cila prej shumë kohësh po tenton që prona shtetërore që vlejnë dhjetëra miliona euro t’i kalojnë privatit. Madje, edhe ndërtesa ikonike, pallate sporti, stadiume apo edhe vetë Shtëpia e Fëmijës në Tiranë. Gjithashtu, edhe Pallati i Kongreseve do të ketë të njëjtin fat, teksa tashmë radha i ka ardhur edhe zonave të lakmuara bregdetare.
    Ndër këto zona është padyshim bregdeti shqiptar, ku pasi zonat nga Vlora, Himara dhe Saranda u uzurpuan nga Investitorët Strategjikë, të cilët morën prona falas në bregdet, apo iu falën taksat për 10 vite, radhën e ka Korporata, e cila ka të njëjtën qasje; grabitjen e pronave shtetërore!
    Vetë Korporata shkruan se në fshatin Vrinë do të bëhet një mega projekt, i cili do të shtrihet në plot 849 hektarë. Është në skajin më jugor të Shqipërisë, në kufi me zonën arkeologjike të Butrintit në veri dhe territorin grek në jug. E gjithë zona e stërmadhe është shtetërore, e pa ndarë me ligjin 7501 dhe është djerrë. Pra, është e gatshme që t’u falet privatit.
    Në foto: Harta e publikuar nga Korporata e Investimeve Shqiptare për territorin që do t’i falet privatit në Vrinë
    Por, si mund të tjetërsosh një pronë të stërmadhe shtetërore pa një konsultim publik? Pa një dëgjesë publike, qoftë me banorët e zonës, me grupet e interesit apo edhe me historianët apo arkeologët?
    Burime nga Kadastra e Sarandës i thanë redaksisë se prej disa kohësh kanë filluar verifikimet e statusit të pronës në atë zonë, për t’i hapur më pas rrugën ndërtimeve. Ose më saktë, prona private dhe ajo shtetërore, do t’i jepet firmave private ku shteti do të marrë një përqindje ndërtimi. Duket një skemë e mirëfilltë zhvatje, ku qeveria do t’i marrë pronën banorëve të zonës, më pas do të hartojë ndërtimet dhe do t’a shpallë në ankand.
    Faksimile: Njoftimi i Korporatës së Investimeve Shqiptare për projektin në fshatin Vrinë, në Konispol
    Referuar njoftime të shpallura nga Korporata e Investimeve Shqiptare, e cila thotë se ka nisur një verifikim të pronave në fshatin Vrinë, Konispol. Korporata shfajësohet se po bën këto verifikime në bazë të një VKM-je, të datës 20 nëntor 2024. Objekti i Vendimi është “për autorizimin e korporatës së investimeve shqiptare, për koordinimin e procesit të identifikimit të pronës shtetërore me interes për të realizuar projekte investimi në fshatin Vrinë, Bashkia Konispol”.
    “Korporata Shqiptare e Investimeve është ngarkuar me identifikimin dhe zhvillimin e pronave shtetërore me potencial investimi në zonën e fshatit Vrinë, Bashkia Konispol. Në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe njësitë e qeverisjes vendore, Korporata Shqiptare e Investimeve do të koordinojë verifikimin e të drejtave të pronësisë, përcaktimin e saktë të kufijve të pronave dhe përfundimin me përparësi të regjistrimit të tyre në regjistrat zyrtarë”, është një nga detyrat.
    Një tjetër është negociatat me subjektet private. “Korporata do të zhvillojë negociata me palët private që kanë lidhje juridike me pronat në fjalë, me qëllim qartësimin e statusit ligjor dhe definimin e qartë të pjesës shtetërore” shkruhet në njoftim.
    Faksimile: VKM-ja që i hapi rrugën tjetërsimit të pronave në Vrinë të Konispolit
    Detyra e tretë, pasi të kenë mbaruar dy të parat, është hartimi i masterplanit. “Në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT), KSI do të hartojë një masterplan zhvillimi për të gjithë zonën, duke siguruar një qasje të integruar dhe të qëndrueshme urbanistike. Shpenzimet për këtë proces do të mbulohen nga buxheti i KSI-së” thuhet në njoftim.
    Më pas, do të përgatitet një projekt zhvillimi konkret për pronën shtetërore. Duket se, katër detyrat kanë një emërues të përbashkët; tjetërsimin e pronës shtetërore, për t’ia dhënë më pas firmave dhe oligarkëve privatë.
    Prona është një fushë e stërmadhe, ngjitur me Parkun e Butrintit dhe ngjitur me Kalanë e Ali Pashës. Nëse fushat e stërmëdha duhet të jenë ndarë me ligjin 7501, synimi i privatëve do të jetë zona bregdetare, në kufi me Greqinë. Janë disa gadishuj të vegjël, disa plazhe dhe ishulli fundor i Shqipërisë, Tongo.
    E gjithë zona është përballë ishullit të Korfuzit, madje edhe qytetit me të njëjtin emër në Greqi. A mos ndoshta kjo zonë do të shndërrohet me resorte?! / Voxnews
    Plaçkitja e pasurive publike 
    Krahas ligjit klientelist për investimet strategjike, qeveria ka shpikur një tjetër nismë për të piketuar dhe kaluar në duart e të njëjtit rreth klientësh pronat dhe pasuritë e fundit publike që kanë mbetur. Pra, bëhet fjalë për Korporatën Shqiptare të Investimeve. Në krye të korporatës Edi Rama ka vendosur zonjën Elira Kokona, e gatshme për çdo operacion korruptiv me paratë dhe pasuritë publike.
    Një raport auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), që mori në analizë punën e saj nga krijimi deri në vitin 2024, konstatoi konflikte juridike në funksionimin e kësaj strukture dhe mungesë mekanizmash të qartë për monitorimin e efektivitetit të procedurave dhe të ekzekutimit të projekteve. Sipas KLSH-së, këto “paraqesin një risk të lartë operacional dhe institucional për menaxhimin e pronave shtetërore, si dhe nuk garantojnë sigurinë e tyre.”
    “Për më tepër, proceset e përcaktuara në këto akte ligjore nuk janë në përputhje me legjislacionin shqiptar mbi Prokurimet Publike, por mbështeten ekskluzivisht në kompetencat dhe procedurat e brendshme të AIC-së,” vëren më tej KLSH, duke evidentuar se Korporata nuk ka një metodologji standarde për seleksionimin e projekt-ideve, nuk ka studime fizibiliteti dhe ndryshon strategjitë e planet e punës nga viti në vit.
    Disa nga pasuritë publike që po u falen olirgarkëve kulla dhe hotele janë:
    Pallati i Kongreseve
    Shtëpia e Fëmijës “Zyber Hallulli”
    Kalaja e Petrelës
    Vrinë, Butrin, 849 hektarë
    Agjencia e Kthimit të Kompesimit të Pronave
    Kalaja e Ali Pashës në Butrint
    ATSH-ja mbi Gjykatën e Apelit
    Stadiumi “Selman Stërmasi” 
    Pallati i Sportit ‘Asllan Rusi’
    Stadiumi “Niko Dovana”, Durrës, 
    Stadiumi “Selman Stermasi”, Tiranë
    Stadiumi “Flamurtari”, Vlorë
    Stadiumi “Skënderbeu”, Korçë 
    Vilat qeveritare në Vlorë
    Vilat qeveritare në Velipojë
    Shkolla e Marinës në Vlorë
    Shtëpia e Fëmijës në Vlorë
    Muzeu Historik Kombëtar (i piketuar)
    Bibloteka Kombëtare (e piketuar)
    Kalaja e Prezës (piketuar)
    Ishulli i Sazanit
    Syri i Kaltër 
    Pylli i Sodës etj.
    Shuplaka amerikane 
    Departamenti Amerikan i Shtetit ka kritikuar ashpër ligjin kontrovers të Investimeve Strategjike. Në raportin për klimën e Investimeve 2025, DASH thotë se nga ligji kanë përfituar vetëm bizneset me lidhje të forta me qeverinë. “Pjesa e parëndësishme e investitorëve të huaj që kanë përfituar nga statusi i investitorëve strategjikë ka nxitur perceptimin midis investitorëve të huaj se ligji ka përfituar kryesisht kompanitë vendase me lidhje të forta me shumicën qeverisëse,” thuhet në raport.

    Qeveria e ka zgjatur disa herë afatin e ligjit për Investimet Strategjike, ku më i fundit ishte ai i zgjatjes deri në dhjetor të vitit 2026. Por investitorët e huaj nuk lejohen të përfitojnë nga ligji dhe barriera e parë është pikërisht Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve ose AIDA siç njihet ndryshe.
    Përtej kësaj, qeveria amerikane shikon edhe një tjetër problem tek ligji kontrovers.
    “Ligji për Investimet Strategjike, i miratuar në vitin 2015, i jep qeverisë të drejtën të shpronësojë pronën private për zhvillimin e projekteve private që konsiderohen projekte të veçanta strategjike. Pavarësisht dispozitës që qeveria do të veprojë kur palët nuk arrijnë një marrëveshje, klauzola është një burim polemikash sepse i jep qeverisë të drejtën të shpronësojë pronën private në interes të një pale tjetër private“, përfundon raporti./Prapaskena.com

  • Spiropali pret misionin e JETRO-s: Fokus rritja e investimeve japoneze në Shqipëri

    Spiropali pret misionin e JETRO-s: Fokus rritja e investimeve japoneze në Shqipëri

    Ministrja Elisa Spiropali ka pritur në një takim zyrtar Misionin e parë të Organizatës për Tregtinë e Jashtme të Japonisë (JETRO), agjencinë shtetërore japoneze për bashkëpunimin tregtar ndërkombëtar. Lajmin e bëri të ditur vetë ministrja përmes një postimi në Facebook, ku theksoi se në qendër të diskutimeve ishin mundësitë e zgjerimit të investimeve japoneze në Shqipëri dhe forcimi i marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.
    “Me kënaqësi prita Misionin e parë të JETRO-s, me fokus mundësitë e rritjes së investimeve japoneze në Shqipëri, fuqizimin e marrëdhënies ekonomike mes dy vendeve, në kushtet kur Shqipëria po prek një potencial në rritje në fushat e energjisë së rinovueshme, turizmit, manifakturës, inovacionit, dhe jo vetëm”, shkroi Spiropali.

  • E ngarkuara me punë e ambasadës së SHBA zbarkon në Ministrisë e Ekonomisë, Uashingtoni vendos nën lupë koncesionet e…

    E ngarkuara me punë e ambasadës së SHBA zbarkon në Ministrisë e Ekonomisë, Uashingtoni vendos nën lupë koncesionet e…

    Ambasada Amerikane ka ndarë ditën e djeshme pamje dhe detaje nga takimi që e Ngarkuara me Punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn ka zhvilluar  me Delina Ibrahimajn, në zyrën e ministres. Ambasada bën me dije se diplomatja VanHorn e ka njohur ministren shqiptare të ekonomisë me vizionin e presidentit Donald Trump dhe ka ndarë planet e ambasadës për të ofruar ekspertizë amerikane mbi partneritetet publike-private. Pra, mbi tenderat dhe koncesionet. Gjithashtu, diplomatja e lartë amerikane ka inkurajuar ministren Delina Ibrahimaj për miratimin e një mekanizmi të fuqishëm për shqyrtimin e investimeve në Shqipëri, sepse këto iniciativa promovojnë inovacionin, transparencën dhe përgjegjshmërinë në mënyrë që bizneset të lulëzojnë.
    “E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn u takua me Ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, për të çuar përpara vizionin e Presidentit Trump për partneritete të drejta ekonomike që lejojnë zhvillimin e inovacionit. Gjatë takimit të saj, znj. VanHorn ndau planet e ambasadës për të ofruar ekspertizë amerikane mbi partneritetet publike-private dhe inkurajoi miratimin e një mekanizmi të fuqishëm për shqyrtimin e investimeve në Shqipëri. Këto iniciativa promovojnë inovacionin, transparencën dhe përgjegjshmërinë në mënyrë që bizneset të lulëzojnë”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga Ambasada Amerikane në Tiranë, krahas pamjeve nga takimi i dy zonjave.
    Alarmi i amerikanëve
    Departamenti Amerikan i Shtetit kur publikoi disa javë raportin për klimën e investimeve në Shqipëri 2025 theksoi se përdorimi i vazhdueshëm i kontratave të partneritetit publik-privat (PPP) ka reduktuar mundësitë e konkurrencës, duke përfshirë edhe investitorët e huaj, në sektorin e infrastrukturës dhe sektorë të tjerë. “Emigracioni i punëtorëve të rinj dhe të kualifikuar ka krijuar mungesa fuqie punëtore që ndikojnë mbi perspektivat e investimeve. Komuniteti i biznesit raporton se fluksi i madh i të ardhurave të paligjshme nga trafiku i drogës, kontrabanda, shmangia fiskale dhe korrupsioni shtrembëron konkurrencën në treg. Investitorët raportojnë se mund të jenë objekt i shantazhit nga administrata publike, mediat dhe grupet kriminale.
    Raporte për korrupsion në prokurimet qeveritare janë të zakonshme, me investitorët që shpesh raportojnë raste ku korrupsioni shtyn ose pengon investimet në Shqipëri. Përdorimi i vazhdueshëm i kontratave të partneritetit publik-privat (PPP) ka reduktuar mundësitë e konkurrencës, duke përfshirë edhe investitorët e huaj, në sektorin e infrastrukturës dhe sektorë të tjerë. Analizat e dobëta dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP mbeten shqetësime të vazhdueshme Disa investitorë amerikanë janë përballur me mosmarrëveshje komerciale të ashpra me entitete publike dhe private, përfshirë disa që kanë shkuar deri në arbitrazh ndërkombëtar”, thuhet ndër të tjera në raport.
    Alarmi i SPAK
    Nga ana tjetër ndërhyrja e amerikanëve erdhi vetëm pak kohë nga raportimi i kreut të SPAK Altin Dumani në Komisionin e Ligjeve teksa evidentoi për vëmendje të shtuar ndaj mënyrës së përdorimit të parave publike dhe procedurave të prokurimit. Sipas Dumanit, veprat me rrezikshmërinë më të lartë janë pastrimi i produkteve të veprës penale dhe shkelja e barazisë në tendera. Këto shkelje janë vënë re me rritje gjatë viteve 2023–2024, duke sinjalizuar se skemat e përfitimit të paligjshëm po sofistikohen. SPAK vëren se strukturat përfituese shfrytëzojnë dobësi në kontrollet dhe filtrat e prokurimeve, duke minuar konkurrencën dhe integritetin e tregut publik. Raportimi thekson se keqpërdorimi i fondeve publike lidhet edhe me përfshirjen e subjekteve tregtare fiktive ose të lidhura klienteliste, të cilat përdoren për të justifikuar dhe kanalizuar pagesa në mënyrë të parregullt. Këto praktika, të kombinuara me shkelje në procedurat e prokurimit, cenojnë barazinë mes operatorëve ekonomikë dhe sjellin dëm financiar për buxhetin e shtetit.

  • Kuvendi në krah të minatorëve, deputetët e PD e të PS kërkuan mbështetjen dhe verifikimin e kushteve të punës

    Kuvendi në krah të minatorëve, deputetët e PD e të PS kërkuan mbështetjen dhe verifikimin e kushteve të punës

    Të majtë e të djathtë sot u rreshtuan në të njëjtën anë, në mbështetje të minatorëve të Spaçit, të cilët prej javësh kanë hyrë në grevë duke denoncuar kushte të rënda pune, paga të pabarabarta dhe shkelje të të drejtave sindikale.

    Në Komisionin për të Drejtat e Informimit, deputetët e PS-së dhe PD-së akuzuan kompaninë koncesionare për intimidim ndaj punëtorëve, shkelje të kushtetutës dhe mospërmbushje të detyrimeve të investimeve.
    “Kompania turke ka cenuar këtë të drejtë legjitime të qytetarëve të punësuar në këtë kompani. Trajtimi I diferencuar pagave me turqit dhe shqiptarët. Me listëpagesën po ka një diferencë ndonëse ju thatë sapo e verifikuam. Çdo punonjës turk merr 2 apo 3 herë më shumë se shqiptarët. Ka një kërkesë për revokim të lejes nga shërbimi gjeologjik për shkak se kompania nuk ka realizuar masën e  investimeve. Ka realizuar gjithsej vetëm 1.4% të investimeve në total të planifikuara për 2 vite. A e keni verifikuar këtë gjë?”, u shpreh deputeti i PD, Gazment Bardhi.
    “Diferencimi pagës është shkelje e rëndë shumë. Qëllimi i mirë është kjo situatë të marrë zgjidhje dhe jo në dëm të drejtave kushtetuese, por në zbatim të tyre. Të 67 të kthehen në punë ku ishin dhe të ulen të diskutojnë pa negociuar të drejtat kushtetuese. Rrogat e tyre të negociohen me normën e inflacionit”, tha Braçe.
    Deputeti i PS, Ardit Bido tha: “Pagat e turqve dyfish më shumë se shqiptarët për të njëjtën pozicion pune. Nuk kemi të bëjmë me orë shtesë që ndodhin nganjëherë por ndodh vazhdimisht.”
    Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, sqaroi se pse inspektimet e thelluara nuk janë kryer ende. Ndërsa tha se pagat, indeksimi i tyre sipas inflacionit dhe ditët shtesë të punës do të verifikohen: “Të gjithë punonjësit kanë të drejtën e grevës. Ne jemi të njoftuar për konfliktin, por për shkak të procedurave gjyqësore dhe njoftimit të grevës, nuk kemi mundësi të kryejmë inspektime të plota. Organizimin sindikal e mbështesim. Pagat, listëpagesat, indeksi i inflacionit dhe kushtet e punës do të verifikohen. Sipas inspektimeve të mëparshme, minatorët rezultojnë të siguruar, por çdo element, përfshirë diferencimin e pagave apo ditët shtesë, do të shqyrtohet.”
    Ndërsa palët politike kërkojnë urgjencë në zgjidhje, minatorët insistojnë se do të vazhdojnë grevën derisa të garantohen të drejtat e tyre kushtetuese dhe trajtimi i barabartë në punë.

    Top Channel