Tag: filmi

  • “Fundi i këtij filmi dihet!”/ Lëvizjet e Salianjit, Dash Sula:Partia Demokratike është pronësi e Berishës

    “Fundi i këtij filmi dihet!”/ Lëvizjet e Salianjit, Dash Sula:Partia Demokratike është pronësi e Berishës

    Ish-deputeti demokrat, Dashnor Sula, foli sot në studion e News24 për lëvizjet e fundit të Ervin Salianjit brenda Partisë Demokratike, të cilat kanë ‘trazuar ujërat’ në parti. 
    Sula tha se ndonëse Salianji po tenton të krijojë frymë të re brenda partisë, Partia Demokratike, mbetet në pronësi të kryetarit aktual, Sali Berisha. 
    “Unë e di fundin e këtij filmi. Fundi i filmit është se, PD është pronësi e Berishës”, tha ish-deputeti. 
    Dashnor Sula: Unë e di fundin e këtij filmi. Fundi i filmit është se, PD është pronësi e Berishës. Partitë regjistrohen në gjykatë, ky ka mundësi të ketë certifikatë pronësie nga hipoteka. 
    Nga 1991 deri më sot atë parti e ka udhëhequr dhe e ka kontrolluar Sali Berisha. Kush thotë që Basha, që të ketë iluzion se Lulzim Basha të ketë qenë kryetar partie nuk kanë qenë kurrë. 
    Lulzim Basha nuk ka qenë kurrë kryetar i PD, por i udhëhequr nga Berisha. 
     

  • ‘Testueset’: Filmi që rikthen në vëmendje gratë që rrezikonin jetën duke provuar ushqimin e Hitlerit

    ‘Testueset’: Filmi që rikthen në vëmendje gratë që rrezikonin jetën duke provuar ushqimin e Hitlerit

    Historia e vërtetë e Margot Wölk, gruas së fundit të mbijetuar që provoi ushqimin e Adolf Hitlerit për të shmangur helmime të mundshme, rikthehet në vëmendje përmes filmit të ri të regjisorit të njohur italian Silvio Soldini. Filmi, i bazuar në romanin “Testueset” të Rosella Postorinos, sjell në ekran përvojat tronditëse të një grupi grash gjermane të detyruara të shijonin vaktet e Fyhrerit nën kërcënimin e armës.

    Protagonistja e filmit, Rosa Sauer, interpretuar magistralisht nga aktorja Eliza Salt, është një figurë e frymëzuar nga Margot Wölk. E larguar nga Berlini i bombarduar, Rosa strehohet në Grosse Partz të Prusisë, në një periudhë kur Gjermania po shënonte humbje të rënda pas disfatës në Stalingrad dhe varfëria po thellohej në vend.

    Rreziku i përditshëm në tryezën e Hitlerit

    Sipas rrëfimeve të Wölk, të cilat dolën në dritë vetëm në vitin 2012, 15 gra detyroheshin çdo ditë të konsumonin ushqimin e Hitlerit – shpesh vakte të bollshme vegjetariane – për të verifikuar nëse ishin helmuar. Ato uleshin në të njëjtën tavolinë, shijonin çdo pjatë dhe prisnin për një orë, një përjetësi e vërtetë përballë frikës së vdekjes së menjëhershme.

    Filmi pasqyron tensionin, frikën dhe mizorinë e kohës, duke përfshirë presionin e SS-ve, izolimin e grave dhe pasigurinë e vazhdueshme. Historia merr edhe dimension personal, kur Rosa përfshihet në një marrëdhënie të rrezikshme me togerin e SS, Zingler – një dinamikë e pushtetit mes dëshirës, frikës dhe mbijetesës.

    Dilemat historike dhe skepticizmi

    Ndërsa shumë nga detajet e filmit mbështeten në rrëfimin e Margot Wölk, historianë si Sven Felix Kellerhoff kanë shprehur skepticizëm, duke sjellë prova se dieta e Hitlerit përgatitej në një zonë hermetike sigurie. Megjithatë, mungesa e dokumenteve zyrtare dhe dëshmia e vetme e mbijetuar e lënë çështjen të hapur. Vetë regjisori thekson se filmi synon të japë “të vërtetën emocionale”, më shumë se atë historike.

    Në realitet, Wölk kishte rrëfyer se pas evakuimit në vitin 1944 u përdhunua disa herë nga oficerë të SS dhe më pas nga ushtarë të Ushtrisë së Kuqe, ngjarje të cilat e bënë atë e vetmja e mbijetuar e grupit të testueseve.

    Paralele me politikën e sotme

    Soldini thekson se filmi i tij nuk është vetëm një rikrijim i epokës naziste, por një reflektim i klimës politike moderne, ku dhuna dhe paranoja mbeten të pranishme. Ai vëren ngjashmëri midis retorikës së Hitlerit pas dështimit të atentatit të vitit 1944 dhe deklaratave të bëra nga ish-presidenti Donald Trump pas sulmit ndaj tij në vitin 2024.

    Një histori që mbetet aktuale

    Me skena klaustrofobike, atmosferë gri dhe intensitet emocional, filmi ofron një portretizim të fortë të grave të pafajshme të përdorura si mburoja njerëzore nga regjimet totalitare. “Testueset” ngre pyetje mbi kufijtë e nënshtrimit, mbijetesës dhe moralit, duke rikthyer në qendër historinë e grave të panjohura që jetuan mes luksit të rrezikshëm të tryezës së Hitlerit dhe frikës së përditshme të vdekjes.

    Në këtë mënyrë, filmi i Soldinit jo vetëm rishkruan një kapitull të harruar të Luftës së Dytë Botërore, por bëhet edhe një paralajmërim për kohët moderne, ku format e dhunës dhe shtypjes vazhdojnë të rimarrin forma të reja.

  • Dokumentari “117” i vitit 1976  me regji nga Besim Sataçiu do të shfaqet në Arkivin e Filmit

    Dokumentari “117” i vitit 1976  me regji nga Besim Sataçiu do të shfaqet në Arkivin e Filmit

    Filmi dokumentar “117” realizim i vitit 1976, dokumenton jetën rurale midis shqiptarëve të Kosovës. Filmi me regji të Besim Sahatçiut dhe fotografi të Afrim Spahiut shfaqet më 26 nëntor pasdite në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit në Tiranë. Dokumentari “117” i xhiruar në fshatin kosovar Nevokaze, siç është bërë me dije më parë, i vlerësuar nga kritika si “portret shpirtëror i kombit” ai shënoi pikën kthesë në kinemanë dokumentare kosovare, duke futur vlera të larta estetike të papara ndonjëherë në historinë e filmit kosovar. Filmi që do të shfaqet në Arkivin e Filmit është në vijim dhe të aktiviteteve të Javës së Kulturës Kombëtare, që nisi më datë 21 nëntor dhe vijon deri më 5 dhjetor.  Regjisori, Besim Sahatçiu, u lind më 2 tetor 1935, në Pejë, ai ndërroi jetë në vitin 2005. Shkollën fillore dhe të mesmen, Sahatçiu i kreu në qytetin ku u lind.
    Më tej ndoqi dy vjet letërsi botërore në Universitetin e Beogradit. Pas ndërprerjes së studimeve, për shkak të shërbimit ushtarak të detyrueshëm, punoi katër vjet si përkthyes në “Rilindje”. Më pas u regjistrua në degën e regjisurës pranë Akademisë së Teatrit e të Filmit në Zagreb. Besim Sataçiu (gjyshi i këngëtares Rita Ora) ishte një personalitet me influencë në shoqërinë shqiptare.  Sahatçiu ka qenë regjisor i filmave, regjisor i teatrit, regjisor i dhjetëra emisioneve televizive dhe laureat i çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Në Tiranë më parë janë shfaqur dhe të tjerë filma, që janë realizuar prej tij. Një vit më parë në muajin nëntor, “Era dhe lisi” filmi i regjisorit të njohur nga Kosova, Besim Sahatçiu u shfaq në Tiranë. “Era dhe Lisi” (1979) me regji të Besim Sahatçiut është i njohur për temën e guximshme, që trajton në lidhje me sfidën sociale në Kosovën e pas Luftës së Dytë Botërore e gjer në mesin e viteve të 60-ta, përmes metaforave stilistike që e kryqëzojnë gjuhën poetike me atë të dokumentarit. Filmi, realizim i vitit 1979 u shfaq vjet në nëntor në kinemanë e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave në Tiranë.
     
     
     

  • Anna Frank dhe filmat e frymëzuar nga historia e saj

    Anna Frank dhe filmat e frymëzuar nga historia e saj

    “Pavarësisht nga gjithçka, unë ende besoj se njerëzit në thelb janë të mirë… Dëshira ime më e madhe është të bëhem gazetare dhe më vonë një shkrimtare e famshme. Pas luftës, në çdo rast kam dëshirë të publikoj një libër me titull ‘Aneksi i Fshehtë’”/(Ditari i Ana Frankut).

    Këto janë fjalët e Ana Frankut (Anne Frank), të shkruara në ditarin e gjetur nga Miep Gies (që kishte ndihmuar familjen Frank të fshihej në Amsterdam në strehën e tavanit, mbi një fabrikë erëzash). Ditari u botua nga babai, Otto Frank, kur ai u kthye si i mbijetuari i vetëm i familjes nga kampet e përqendrimit.

    Më poshtë janë filmat kinematografikë dhe televizivë (sipas renditjes kronologjike të publikimit), që janë frymëzuar nga historia e saj dhe ditari i çmuar që Ana ia la njerëzimit, duke dëshmuar se çfarë do të thotë fjala çnjerëzim.

    THE DIARY OF ANNE FRANK (1959)

    Katërmbëdhjetë vjet pas vdekjes së Ana Frankut, me regji nga George Stevens, ky është filmi i parë që tregon historinë e saj në kinema. Bazohet në përshtatjen teatrale të ditarit.

    Filmi hapet me Otto Frankun, i cili më 1945 kthehet nga kampi i shfarosjes ku u internua. I vetmi i mbijetuar i familjes së tij, kthehet në Amsterdam dhe shkon në tavan ku ishte fshehur me vajzat dhe gruan Edith. Pikërisht aty ai e gjen ditarin e së bijës, të cilin fillon ta lexojë dhe kujton momentin kur u fshehën. Nga fundi i filmit, kur anëtarët e familjes Frank kuptojë se janë zbuluar, ata presin në heshtje teksa trupat SS heq raftin që çon në strehën e tyre. Skena e arrestimit nuk tregohet, madje edhe tregimi i detarit përfundon me një re pluhuri të përzier me britmat e nazistëve. Filmi përfundon me Otton që rilexon ndoshta fjalinë më të famshme në ditar, sigurisht ndër më zemërthyerit pas mendimit: “Pavarësisht nga gjithçka, unë ende besoj se njerëzit në thelb janë të mirë”.

    Ky film është prezantuar në Festivalin e 12 të Kanës, ndërsa ka fituar tri çmime Oscar.

    ANNE NO NIKKI… (1978/1995)

    “Anne no nikki: Anne Frank monogatari” është film me regji nga Eiji Okabe, i prodhuar nga Nippon Animation në vitin 1978. Historia është frymëzuar nga ditari i shkruar në vitet 1942-1944, gjatë jetës së saj klandestine të Anne Frankut. Në vitin 1995 u prodhua një tjetër animacion me regji nga Akinori Nagaoka, me titull “Anne no nikki”.

    THE LAST SEVEN MONTHS OF ANNE FRANK (1988)

    Është ky një dokumentar televiziv holandez me regji nga Willy Lindwer që kujton, siç thotë titulli, shatë muajt e fundit të jetës së Anës. Dhe, numri 7 është gjithashtu edhe numri i shtatë grave të intervistuara, të gjitha të burgosura me Anën në kampin transit Westerbork dhe në kampet e përqendrimit Auschwitz e Bergen-Belsen. Ato janë të fundit që kanë mundur ta shohin Anën të gjallë.

    Ky dokumentar ka fituar një Emmy Award dhe intervistat e përfshira në të u botuan në vitin 1992 në librin me të njëjtin titull.

    THE ATTIC – THE HIDING OF ANNE FRANK (1988)

    Është ky një film televiziv i bazuar në librin e Miep Giesit, “Anne Frank Remembered”, me regji nga John Erman. Ky film e tregon historinë e Ana Frankut dhe të familjes së saj të fshehur derisa nuk zbulohen, arrestohen dhe më pas internohen.

    ANNE FRANK REMEMBERED (1995)

    Është ky një dokumentar britanik i vitit 1995, me regji nga Jon Blair, që merr çmimin Oscar për Dokumentarin më të Mirë. Dokumentari ka si narrator aktorin dhe regjisorin e famshëm Kenneth Branagh dhe shfaq aktoren Glenn Close duke lexuar fragmente nga ditari i Ana Frankut.

    MI RICORDO ANNA FRANK (2010)

    Me regji nga Alberto Negrin, është ky një film televiziv, subjekti i të cilit është bazuar në librin “Mbaj mend Ana Frankun” – refleksionet e një shoqeje të fëmijërisë nga Alison Lesle Gold. Filmi tregon për miqësinë e Hanneli Goslarit dhe Ana Frankut dhe momentin kur, pas përfundimit të luftës, shoqja më e mirë e Anës do të zbulojë se ajo nuk mbijetoi. Otto Frank do t’i tregojë asaj dhe do të bëhet babai birësues i Hannelit që do ta ndihmojë atë që të fillojë një jetë të re.

    DAS TAGEBUCH DER ANNE FRANK (2016)

    Është film me regji nga Hans Steinbichler në vitin 2016. Filmi është një përshtatje filmike e “Ditarit…” që tregon për vitet e Anës në Frankfurt, kur ishte një fëmijë i lumtur. Pastaj vazhdon me  tregimin në Amsterdam dhe jetën e fshehur, deri në vdekjen e saj në kampin e përqendrimit.

    #ANNEFRANK. PARALLEL STORIES (2019)

    Në realizmin me regji nga Sabina Fedeli e Anna Migotto, aktorja fituese e çmimit Oscar, Helen Mirren, gjurmon jetën e Anna Frankut përmes faqeve të ditarit të saj, duke rrëfyer paralelisht edhe jetën e pesë grave të cilat, kur ishin fëmijë dhe adoleshente, u dëbuan në kampe përqendrimi, por i mbijetuan Holokaustit./gazeta shqip

    Lexo edhe:

    KUSH E SPIUNOI ANNA FRANKUN? ZBULOHET PAS 77 VITESH

  • Filmi i ri “Christy” pati performancë të dobët në kinema, reagon Sydney Sweeney!

    Filmi i ri “Christy” pati performancë të dobët në kinema, reagon Sydney Sweeney!

    Aktorja e njohur amerikane, Sydney Sweeney, ka reaguar pas rezultateve të filmit të saj të fundit, “Christy”, një dramë biografike për boksieren e famshme, Christy Martin. Filmi, i cili u lansua më 7 nëntor në mbi 2,000 kinematë amerikane, arriti të fitojë 1.3 milion dollarë në javën e tij të parë të premierës, duke u renditur në vendin e 11-të mes filmave të tjerë të shfaqur atë fundjavë. Megjithatë, ndonëse shifrat nuk ishin ato që priteshin, audienca ka reaguar pozitivisht, me një vlerësim 99% në Rotten Tomatoes.

    Në një postim emocionues në rrjetet sociale, Sweeney shprehu krenarinë e saj për këtë projekt dhe për ekipin që e krijoi atë. Ajo theksoi se ky film përfaqëson mbijetesën, guximin dhe shpresën dhe se ka ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit për dhunën në familje. “Ky film është një nder i madh për mua. Jam krenare për këtë histori që treguam dhe për mundësinë për të përfaqësuar dikë si Christy Martin, një grua kaq e fortë dhe e qëndrueshme,” shkroi aktorja.
    Sweeney beson se arti nuk është gjithmonë për shifra, por për ndikimin që lë tek të tjerët. Ajo e mbylli postimin duke falenderuar publikun për mbështetjen dhe duke shtuar se nëse filmi ka ndihmuar një grua të bëjë hapin e parë drejt sigurisë, atëherë ata e kanë arritur qëllimin e tyre.
    “Christy” tregon historinë e boksieres Christy Martin, një gruaje që luftoi për t’u bërë një nga boksierët më të njohur në botë, duke sfiduar normat dhe presionet shoqërore.

  • Filmi “Me fjalë tjera” fiton çmimin kryesor në MedFilm Festival

    Filmi “Me fjalë tjera” fiton çmimin kryesor në MedFilm Festival

    Filmi artistik i metrazhit të gjatë “Me fjalë tjera”, me skenar dhe regji nga Val Jashari dhe producent Valmira Hyseni, ka triumfuar në MedFilm Festival në Romë, duke fituar çmimin kryesor në seksionin Med WIPS (Works in Progress), me një vlerë prej 10 mijë euro.

    Ky film është prodhim i WaveMaker Films, në bashkëprodhim me Live Production, dhe mbështetet nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra e Filmit të Malit të Zi.

    Aktualisht, “Me fjalë tjera” ndodhet në faza e post-produksionit dhe pritet të përfundojë në gjysmën e parë të vitit 2026, duke e vendosur Kosovën në hartën e festivaleve ndërkombëtare të filmit./rtk

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    NJË FJALOR ME SHARJE DHE MALLKIME, EDMOND TUPJA SJELL LIBRIN E TIJ TË FUNDIT NË PANAIRIN E LIBRIT: JA PËRSE VENDOSA TA BOTOJ

  • “Kapedani” pa censurë: Ja si reagoi Enver Hoxha kur e pa filmin

    “Kapedani” pa censurë: Ja si reagoi Enver Hoxha kur e pa filmin

    Albert Vërria

    Ai ishte një personazh që kishte fuqi dominuese artistike, një personazh që mund të luante sot një komedi e nesër një dramë. Një njeri me botë, me humor, që përçohej nga roli te grupi i xhirimit, e mbi të gjitha qejfli, qejfli i së bukurës. Kështu e kujtonte Muharrem Fejzo, të madhin Albert Vërria, “Kapedanin” e filmit të tij.

    Në intervistën për “Gazeta Shqiptare”, të dhënë kohë më parë, tashmë regjisori i ndjerë tregon marrëdhënien e tij me aktorin e njohur, garën për ta përzgjedhur si personazh kryesor si dhe faktin pse filmi nuk u censurua, edhe pse kishte ankesa që po talleshin…

    – Si e keni njohur Albert Vërrinë?

    Me Bertin jam njohur që në atelieret e Institutit të Lartë të Arteve. Unë e kisha atë student në lëmin e krijimit të figurës skenike. Atë kohë, ai interpretonte tek “Ylli i Alpeve”, i Andon Panos, ku kishte një rol tepër interesant. Makiazhi i tij, grimi, i jepte dorë për të krijuar një figurë skenike shumë të mirë.

    Që aty Berti spikati si aktor me cilësi të rralla aktoreske, me një botë të tijën shumë origjinale dhe vetë psikofiziku i tij ishte shumë i mirë. Ishte i shkurtër, me një portret jo adapt për kinematografinë në kuptimin që kërkon fytyra fotozhenike, por me një karakter të veçantë. Ai krijoi aty një personazh jashtëzakonisht interesant. Që aty, duke e pasur si student, dalloja tek ai pasionin e madh, dëshirën e madhe që të përfitonte nga çdo gjë.

    Dihet që lënda e grimit dhe makiazhit nuk është ndonjë lëndë kryesore, megjithatë, ajo bëhet e domosdoshme, kur do të krijosh një tip më vete, kur do të krijosh plastikën e rolit. Ky qe takimi me Bertin. U ndamë miqësisht me të në vitin 1966. Berti pastaj shkoi në Vlorë, edhe u inkuadrua në teatrin “Petro Marko”.

    – Si u vendos të xhirohej filmi “Kapedani”?

    Në vitin 1970-1971 unë kisha mbaruar filmin tim të parë, “Montatorja” dhe qeveria në atë kohë, politika kërkonte sa më shumë filma. Ishte një moment i favorshëm për të prodhuar. Shfaqeshin pak filma rusë e francezë, por në numër të kufizuar, ndaj duheshin prodhuar filma shqiptarë. Në këto rrethana, në Kinostudio erdhi një kërkesë e skenaristit, shokut tim të fëmijërisë, Skënder Plasari, i cili kishte shkruar një komedi për film.

    Atëherë u shqyrtua skenari, por nuk i dilte zot njeri. Askush nuk kishte provuar ende të bënte film në lëmin e komedisë. Jo vetëm kaq, por të gjithë kolegët e mi kishin kërkesa të tjera me të tjera tematika. Atëherë në këtë përzgjedhje ishte kërkesa e një kolegut tim, Fehmi Hoshafi.

    U bëmë dy veta që kërkonim të xhironim këtë film. Drejtoria e Kinostudios në atë kohë kishte praktikë që filmin e parë ta bënin dy regjisorë. Debatonim gjerë e gjatë për skenat e filmit dhe idenë qendrore të tij. Më herët kishte tituj të tjerë, por pas debatesh u vendos që të ishte ky titulli, pra “Kapedani”.

    – Pse e mori rolin Vërria, edhe pse ishte shumë më i ri se personazhi i tij?

    Kinoprovat ishin të shumta. Për rolin, konkurroi aktori i famshëm Mihal Popi, konkurroi Nikolin Xhoja, Albert Vërria e të tjerë. Për rolin e “Kapedanit” duhej krijuar një çift shumë interesant: një çift në konflikt me njëri-tjetrin, qoftë nga ana fizike, qoftë nga tipologjia e qoftë nga ana lojës artistike. Mihal Popi nuk mundej të përballonte xhirimet tona që do të ishin anë e kënd Shqipërisë. Atëherë, ai vetë dha dorëheqjen dhe mbeti Nikolin Xhoja. Çifti Bert-Nikolin rezultoi të ishte shumë i suksesshëm, edhe pse jo aq në fillim.

    – Për ç’arsye?

    Lindi problemi i krijimit të figurës nga ana e makiazhit, nga ana e kostumit, etj. U bënë shumë përpjekje, derisa u arritën ato figura që shihen sot e kësaj ditë në Shqipëri e më gjerë. Mbasi u vendos figura skenike e këtyre dy aktorëve, që në fotot e para e kuptuam që shkonin shumë mirë njëri me tjetrin. Berti megjithëse ishte shumë i ri, me punën e talentuar të piktorit e grimierit Llukan Bushi, u arrit që pamja e tij të jepte një moshë të përafërt me atë të rolit që kishte dhe moshën e Beqos, të Nikolin Xhojës.

    Kështu që spektatori nuk e dallon ende që Berti ishte në të 30-atat, e kolegu tek të 60-atat. – Si u përshtatën ata të dy me njëri-tjetrin? Kjo ishte interesante. Berti kuptoi specifikën e rolit. E respektonte shumë Nikolinin si aktor më të vjetër, si aktor me përvojë, por ama nuk e harronte asnjëherë personalitetin e personazhit të vet.

    Pasi ai ishte Kapedani, duhej të dominonte në çdo rrethanë, duhej të vendoste për çdo gjë, madje duhej të ndikonte edhe mbi Beqon, i cili po ashtu si Kapedani, duhej të ishte kundra grave. Gjithë problemi i tij ishte te kryetarja e kooperativës. Berti pati rastin të tregonte se kishte talent të rrallë. Ishte me një botë të madhe shpirtërore, por edhe me një gamë të mirë artistike, me një gamë që fillonte nga komedia deri te tragjikja.

    – Skenat në rrugë, skena në taksi, skena kur i bie çibuku dhe pothuaj merr flakë shtëpia. Çfarë këshillash i jepnit ju Bertit gjatë kohës që xhironit? Çfarë ndodhte pas kamerës?

    Kishte shumë dubla. Se ndodhte që Nikolini harronte tekstin ose anonte te dialekti i Durrësit, ndërsa Berti ishte vlonjat puro. Megjithatë, nuk e kishim shumë të vështirë, sepse të dy e kuptuan dhe e përvetësuan shumë mirë figurën që kishin secili. Me Bertin ishte më shumë kërkesa që kishim ne regjisorët, sepse shpesh nuk ishim në unison, edhe pse skenari na bashkonte të dyve.

    Njëri kërkonte që Kapedani të ishte më teatral, ndërsa unë doja që të ishte më i natyrshëm, të lozte vetveten. Doja të ishte vetvetja, sepse Berti nuk kishte nevojë të vishte ndonjë lëkurë tjetër. Me Bertin kishim këtë konflikt, sepse ai nuk dinte nga të anonte: nga kjo figura pikante dhe e fryrë apo nga personazhi i natyrshëm.

    – Në cilat rrethe u bënë xhirimet?

    Në Borsh, është pjesa e xhirimeve në fshat, por ka pasur xhirime edhe në Sarandë. Kanë qenë skena të vështira. Berti duhej të hipte në kalë, por e kishte frikë, se nuk kishte hipur asnjëherë. Ai afrohej me shumë kujdes, edhe pse ne morëm një kalë të rraskapitur, siç ishin atëherë ata të komunales. Kur erdhi puna te skena e ëndrrës që tërheq bishtin e kalit dhe që në të vërtetë po tërheq çarçafin, Berti bëri një provë dhe kali ktheu kokën që të shikonte.

    Berti u tremb nga kali dhe tha, “unë e nuk bëj këtë pjesë, se do më bjerë me shkelm”. Ne qeshnim dhe i thoshim të mos kishte frikë. Sigurisht që Berti e bënte edhe për humor. Ai jo vetëm interpretonte në mënyrë të mrekullueshme, por në sheshin e xhirimit krijonte humor për të gjithë të pranishmit. Humori i tij kalonte nga roli tek vetë ai dhe tek grupi i xhirimit.

    – Batutat e filmit a u bënë edhe batutat tuaja?

    Po, e jo vetëm kjo, por unë kam ndjekur shpesh në filmat e mi, parimin që xhirimi të dikton, nuk mundesh të jesh strikt i skenarit me pikë e me presje. Të tilla kanë qenë edhe batutat e Bertit e situatat në këtë film. Ishin disa batuta e skena të tijat edhe të Beqos që u krijuan aty për aty.

    – Në përgjithësi, filmi i shpëtoi censurës. Si është e mundur?

    U hap muhabeti që një veteran ishte ngritur e kishte thënë pse po tallen me ish-partizanët, me një pjesë të luftës, me një njeri të luftës. Por, këtë film e kishte parë shoku Enver dhe kishte qeshur. Kaq mjaftoi. Orteku zbriti poshtë, filmi u pëlqye, u shkruan disa artikuj. Me kohën, filmi fitoi edhe më shumë simpati tek publiku. Meqë ishte kinokomedia e parë shqiptare, filmi kaloi nëpër kaseta dhe u shpërnda gjithandej, madje edhe në Kinë, ku u dublua. Filmi mbetet si vlerë në kinematografinë shqiptare.

    – Ju si e morët vesh që filmi ishte pëlqyer nga Enver Hoxha?

    Kishim një operator të Kinostudios që shfaqte filmat në Bllok. Ai quhej Bajram e mbiemrin nuk ia kujtoj (bëhet fjalë për Bajram Vilën). Ishte i vetmi që futej atje dhe merrej me shfaqjen e filmit për ata të Bllokut. Kur dërgohej ndonjë film për t’u parë, të nesërmen në Kinostudio, ne ishim në krye të shkallëve, duke parë çehren e Bajramit, fizionominë e tij, që ne i thërrisnim Berom. Nëse ai vinte i qeshur, filmi shpëtonte, nëse ai ishte i vrenjtur a i kërrusur, filmi kishte probleme. Ishte njeri i studiuar, njëri intelektual.

    – Ai vetë fliste? E pyesnit Bajramin se çfarë u tha në Bllok për filmat?

    Ai vetë nuk thoshte asnjë fjalë. Nëse vinte i kërrusur, e kuptonim se nuk qe mirë puna, filmi ishte me probleme. Kur u shfaq “Kapedani”, erdhi duke qeshur e duke maskuar veten, sepse nuk donte të prononcohej.

    – Nga e morët vesh se Enveri kishte qeshur?

    Ishin instancat e tjera. Pasi erdhi Beromi duke qeshur ne e pyetëm dhe ai tha: “Pashë që shoku Enver qeshi”. Kaq na duhej ne. U gëzuam se kemi sakrifikuar, sepse jemi lodhur për ta realizuar me ato mjete që kishim. Ishin tepër të rënda nga pesha dhe të vështira. Të organizoje atmosfera të caktuara, ishte e vështirë.

    – Më tej, ju nuk kishit frikë për të ardhmen e filmit, se mund të mos pëlqehej nga publiku?Kishim frikë se po hapeshin fjalët se Kinostudio po tallej me një veteran. E dyta, nuk ishte mësuar spektatori me komedi, por qe befasi që u mirëprit e u duartrokit.

    – Disa skena që u krasitën, pse u krasitën?U hoq një pjesë nga ëndrrat për shembull, sepse kanë qenë më të gjata, janë hequr disa pjesë me Beqon, sepse u dukën si të tepruara.

    – Pse të tepruara?Të tepruara, duke u parë në këndvështrimin politik, sepse na u tha se mund të rëndonte batuta. Me ato batuta mund të aludohej me nëntekstin që kishin, mund të merrte teksti kuptime të tjera.

    – Çfarë batutash ju hoqën?Nuk i mbaj mend.

    – Kur u hoqën?Pasi u xhirua.

    – Kush i kërkoi krasitjet?Instancat e larta, që nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës e deri tek anëtarët e Komitetit Qendror që ishin atëherë. Anastas Kondo ishte përfaqësues i Komitetit Qendror, që vinte e shikonte filmat.

    – Sa minuta janë hequr?Shumë pak, nuk kanë dëmtuar thelbin.

    – Ndër vite për këtë film, keni pasur kritika se i shërbyet propagandës së kohës?Ajo ishte kryesorja. Shtypi, media e të gjithë atëkohë u vlerësua për transmetimin e forcës së gruas si forcë e rëndësishme për Shqipërinë.

    – A mendoni se ka ndikuar ndopak në marrëdhëniet meshkuj- femra?Qëllimi ky ishte. Po të shohësh sekuenca të filmit, Kapedani rrethohet nga femrat.

    – Në film nuk i duronte gratë, po në jetën e përditshme, si ishte Albert Vërria në raport me femrat?Ishte shumë qejfli. Ishte i jashtëzakonshëm dhe e shfaqte këtë. Ai ishte me gjithë mend shumë vlerësues te e bukura, te njeriu, te femra e kudo. Kishte energji pozitive.

    – Sot, si e kujtoni filmin “Kapedani”?Filmi “Kapedani” me Bertin që sot më mungon me bën ende të vuaj. Më pikoi në zemër humbja e tij, isha në Itali kur e mora vesh. Ishte tri vite më i ri se unë. Unë në një mesazh që i dërgova: i thashë ‘Berti më prit se jam afër teje. Do të vij e do të shohim se mos bëjmë ndonjë figurë tjetër matanë’. Për herë të fundit e kam takuar në 60- vejtorin tim. Shumë vite më parë. Me atë rast u shfaq filmi dhe qe ftuar edhe Berti. Nga ai takim e më pas ka ndodhur rrallë që të takoheshim. Ai vazhdoi punën e tij me filma të tjerë.

    – Keni bashkëpunuar edhe tek “Operacioni i zjarrit”, që ai ka rolin e Hilukut. E morët ju në film?

    Po, e mora tek ai film pasi nga Kapedani u krijua miqësi dhe vlerësim mes nesh. Kush nuk e mban mend Bertin me atë rolin e shurdh-memecit? Kush nuk e mban mend plastikën e tij? Berti tregoi gamën e madhe të interpretimit dhe aftësitë aktoriale. Pastaj ai rolet e karakterit i kishte të tijat, një seri të tillë, që vlerësohet. Tek “Operacioni i zjarrit” krijoi këtë personazh tipik. Më vonë më 1974 e kam marrë te filmi “Shpërthimi”. Edhe pse një rol episodik, ai nuk ngurronte të pranonte edhe role të vogla. Ishte me shpirt e zemër të madhe. Pasioni i tij nuk donte t’ia dinte sa ishte roli.

    – Ai nuk pati probleme me regjimin?Jo, fare. Madje me Kapedanin ai u propozua për deputet në Kuvendin Popullor nga Vlora. U ngritën dhe thanë emrin e tij. Ai e pranoi, sepse ishte dhe vlerësim dhe nder, plus përfitimeve ekonomike. Ai mori titullin “Artist i Popullit” më 1979. Nga “Kapedani” ai doli më i përfituara nga të gjithë.

    – Ç’biseda bënit në shesh-xhirime?Ne nuk kishim kohë të lirë sepse do bënim bisedën në tryezë për xhirimet për të nesërmen. Nëse prishej koha, duhej të prisnim se nuk ka lidheshin skenat e planet më njëri-tjetrin, ose mund të mungonte një teknik e prishej e gjithë puna. Ishim në stres gjithë kohës.

    Mungonte filmi si celuloidi, ose edhe gjëra më të vogla që na prishnin punë e na hanin kohë. Ata bashkë, Berti me Nikolin Xhojën, bënin gallatë pa fund, gallatën e dynjasë e qeshnin gjithë kohës, ndërsa neve duhej të merreshim me këto punët e tjera. Përgatiteshim për të nesërmen. Nuk mbaj mend që të kisha një rast, të ulesha e të bënim një bisedë të zakonshme.

    – Si ishte ai si natyrë?E qeshur, shumë e qeshur. Nuk e kam parë a dëgjuar ndonjëherë që të përflasë të tjerët. Nuk e kam dëgjuar që të flasë për kolegët keq, as Nikolinin e as Bertin. Të dy sot janë në atë botë, e mbase janë takuar, bashkë me Sandër Prosin, Stavri Shkurtin, etj./urbannews.al

    ——————

    Lexo edhe:

    Natasha Lako: Njohja ime me Muharrem Fejzon, fillon nëpërmjet traumës së parë, brenda kinostudios…

  • Artan Maku: Në filmin e animuar shqiptar ka rënë niveli artistik  

    Artan Maku: Në filmin e animuar shqiptar ka rënë niveli artistik  

    Filmi i animuar shqiptar ndër vite ka pasur suksese, por është përballur edhe me probleme në realizmin e tij. Në një rrëfim për filmin e animuar shqiptar  regjisori Artan Maku ndër të tjera flet edhe për nivelin artistik. Në intervistën për gazetën “SOT” regjisori i animacionit Artan Maku njëkohësisht dhe drejtor artistik i festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar “Anifest Rozafa” dhe “Anifest A-Gjiro” thotë se sukseset e animacionit dekada më parë ishin politikat për fëmijët. Regjisori Artan Maku sjell në vëmendje edhe problemet me të cilat përballet animacioni shqiptar gjatë këtyre viteve, që sipas tij kanë ndikuar dhe në rënien e nivelit artistik. Ai thotë se filmat tani po trajtohen ndryshe, jo më frymën dikur, por kjo sipas tij është edhe në dëm të nivelit artistik. Regjisori Artan Maku ka realizuar filma të ndryshëm ndër vite, ku filmi më i fundit i tij është ai me titull  “E mallkuar”, që u shfaq premierë në tetor të vitit 2023.
    -“Zana dhe Miri” njihet si filmi i parë i animuar shqiptar. Ky film me autorë realizues Vlash Dobroniku dhe Tomi Vaso mban si datë krijimi, vitin 1975. Por nëse flasim për prodhime të animacionit shqiptar vite më parë, ju si krijues çfarë mund të na thoni më shumë rreth asaj që përcillnin këto realizime filmash?
    “Zana dhe Miri” filmi i parë i animuar shqiptar u shfaq në kolektiv më 25 nëntor 1975 në sallën e madhe të Kinostudios. Filmi i animuar lindi si film i mungesës së filmave për fëmijë. Sukseset e animacionit dekada më parë ishin politikat për fëmijët. Pas vitit 1960 ka pasur një vakum, boshllëk filmi për fëmijë, sepse më parë mbulohej me filma kinezë dhe rusë. Më vonë u lind e domosdoshme dhe politika e fëmijëve. Politika e edukimit për fëmijët, që në Kinostudio u pa e arsyeshme që të krijohej filmi i animuar shqiptar, që fliste shqip, që transmetonte ideologjinë shqip dhe edukimi ishte shqip. Kryesisht ishin filma me tematika edukative dhe nuk lejoheshin koncepte të tjera. Konceptet e tjera që bëheshin nga krijues të ndryshëm ose izoloheshin ose bllokoheshin,  e vetmja gjë ishte ideologjia. Ne nuk duhet të keqinformonim fëmijët, nuk duhet të bënim abstragime shumë, nuk duhet të bënim hiperbolizime shumë, por realitetin ta shprehim ashtu siç është. Pra të ishte film didaktik për fëmijët.
    -Ju si krijues herë pas here keni sjell në vëmendje punën që është bërë me filmin animuar shqiptar ndër vite, por jeni shprehur se pas 1990-tës u larguan edhe krijues jashtë Shqipërie. Çfarë solli kjo me realizimin e filmave, me çfarë u përball animacioni shqiptar?
    Për inerci të asaj kohe, ku krijuesit primare kishin vënë shpirtin, pasioni mbi filmin e animuar, kjo vazhdoi dhe pas viteve 1990. Konceptet ishin të njëjta, ishte e vështirë për t’u thyer konceptet. Kishte një hap zhvillimi në vitin 1985 dhe pastaj filloi i zhvilluar. Një pjesë që nuk e ndjente se nuk e kapte këtë ritëm, ritmin e kohë së sotme u larguan dhe ikën jashtë vendit. Por këtu mbetën një pjesë shumë pak. Erdhi një grup tjetër krijuesish, që kishin mbaruar studimet në Akademinë e Arteve, por erdhën me koncepte të tjera, me mentalitet tjetër.
    Ata filluan që ta thyenin edhe këtë lloj didaktike dhe një lloj pedagogjike, që kishte filmi i animuar në atë kohë. U zhvillua filmi i animuar, filluan të trajtoheshin me konceptin e figurës artistike në film. Pati një zhvillim dhe filmi i animuar filloi të hapi dyert nëpër festivalet ndërkombëtare. Pati dhe krijues, të cilët janë dhe sot dhe ky brez që erdhi pas viteve 1990 filluan të ngrinin nivelin e filmit të animuar, sipas trashëgimisë dhe frymës që gjeti aty. Më vonë ose tani në këtë periudhë filluan të degjenerojnë dhe filloi të degjenerojë edhe fryma artistike e filmit të animuar. Nuk po e shohim në frymën e atëhershme te ndershmëria, pastërtia dhe sinqeriteti që ishte mbi filmin e animuar. Tani po trajtohen ndryshe, por kjo është në dëm të nivelit artistik të filmit të animuar shqiptar.
    -Ju po flisni për problemet në animacionin shqiptar, ndërkohë që prej vitesh ju zhvilloni dhe një festival ndërkombëtar në vendin tonë për filmin e animuar. Ju jeni drejtori artistik i “Anifest Rozafa” dhe “Anifest A-Gjiro”. Si është ky përfaqësim i animacionit shqiptar këto vite në festivalin që ju drejtoni?
    Unë si Artan që merrem me filmin e animuar, me festivalin e filmit të animuar, shumë herë nuk mund t’i fus dot në konkurrim.
    -Pse e thoni këtë?
    Po sepse janë realizime të dobët të filmit të animuar. Kam takuar edhe krijues, që merren me filmin e animuar dhe i kam thënë më thoni çfarë doni të tregoni, më thoni fabulën, mesazhi që ju doni të tregoni me filmin?Unë kam dhënë dhe mësim në Universitetin e Shkodrës. I pyes studentët, ku e kanë mesazhin e këtij filmi? Më tregoni mënyrën se si është konceptuar filmi? Filmi i animuar si ai artistik ka koncept regjisorial dhe nuk mund të trajtohet, hajde po rris lëvizjet dhe ngjarjet kot më kot. Ka një koncept regjisorial, që ndahet në faza dhe regjisori i trajton për të nxjerrë mesazhin e filmi. Iu kam thënë të rinjve ma tregoni mesazhin e filmit të animuar? Thonë ku e dimë ne. I pyes, më thoni kodin e filmit të animuar, sepse ka 13 kode.
    Suksesi i një filmi të animuar duhet të ketë 13 kode të zbërthyeshme? Përgjigja e tyre: ç’më duhet mua. Pyes, po si e bën filmin? E bën kompjuteri është përgjigja. I them, ku është roli jot si krijues, që ke marrë përsipër të realizosh një film të animuar? Kur kthen kokën dhe bën një përmbledhje shikon, që filmat e animuar nuk shfaqen në kinema qëndrore, pra të jetë një grup realizimesh. A organizohen me shkollat, kopshtet, të rinjtë, në përputhje me moshat dhe shfaq filmin? Kjo nuk bëhet. Por këtë vit u aprovuan nga bordi në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë (QKK) skenarët e Bujar Kapexhiut dhe Shaqir Veselit dhe këta janë krijues të mirëfilltë dhe me vlera, që ka pasur  Kinostudio, që ka pasur në grupin e filmit shqiptar.
    Por në QKK më parë janë aprovuar dhe filma nga krijues, që nuk kanë njohuri për filmin. Me këto problematika që shohim, filmi i animuar shqiptar në vitet e fundit ka qenë një dështim. E para gjë, fillon në bordin e filmit. Aty ku fillon dhe filmi i animuar. Në bordin e filmit, ku miratohen dhe projektet e animacionit  pranë Qendrës Kombëtare të Kinematografisë (QKK) nuk duhet të vijnë njerëz që manipulojnë situatat, por duhet të vijnë artistë të mirëfilltë. Unë personalisht edhe Gazmend Lekën do ta kisha pranuar në bord, që ka qenë udhëheqës artistik i asaj kohe, sepse unë e shoh nga pikturat që bën njëri dhe tjetri. Janë që kanë filozofi, që reflektojnë. Bordi duhet të ketë krijues artistë të mirëfilltë. Ndaj presim që bordi i ri që do të krijohet më vonë të jetë me artistë krijues të mirëfilltë.
    -Ju si krijues keni 44 vite me filmin e animuar, ku keni realizuar filma të ndryshëm. Çfarë mund të thoni për punën tuaj me animacionin?
    Unë filmin e animuar e kam pasur koncept. Tek -tuk mund të kem pasur ndonjë film didaktik. Po përshembull filmi “Jo kështu Piku” nuk pëlqehesha nga drejtoria e asaj kohe, kishte aventurë. Për filmin “Portreti” u dënova në 1989, sepse më akuzuan se po hedh figurën e Enver Hoxhës poshtë, gjë që nuk kishte fare lidhje. Këtë e ngritën dhe në 1988 dhe në 1989. Si Artan mbështetem te një filozofi dhe koncept i caktuar. Lexoj si filozofinë indiane, se nuk është kot, filozofia është kulturë. Filozofia është sinteza e  një jete të caktuar dhe e një shoqërie të caktuar. Unë mbështetem te filozofia. Edhe filmi i fundit “E mallkuar” ka pasur shumë debat këtu, ndërsa ka pasur suksese gati në 40 festivale pjesëmarrje dhe ka marrë edhe çmime të ndryshme, por këtu ka pasur debate dhe është keqinterpretuar dhe nuk kanë dashur ta pranojnë.
    Intervistoi: Julia Vrapi
     

  • Një mbrëmje me “Kapedanin”,  klasiku që bashkon brezat në Kino Armata

    Një mbrëmje me “Kapedanin”, klasiku që bashkon brezat në Kino Armata

    Më 12 nëntor, nga ora 19:00, në Kino Armata do të shfaqet filmi klasik shqiptar “Kapedani”, si pjesë e ciklit “Netët e Filmit Shqiptar”.Ky program kulturor zhvillohet në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Kosovë dhe Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, me synim promovimin e trashëgimisë kinematografike shqiptare për publikun kosovar.

    “Kapedani” mbetet një nga filmat më të dashur të kinemasë shqiptare. Historia e Sulos, luftëtarit me mustaqe të bardha që përpiqet të kuptojë pse gratë po fitojnë të njëjtat të drejta si burrat, është kthyer në simbol të një epoke të artë të Kinostudios “Shqipëria e Re”.

    Filmi spikat për trajtimin e guximshëm dhe me humor të temës së ndryshimeve shoqërore, duke u dalluar nga prodhimet e tjera të kohës, shpesh të mbërthyera nga kufizimet ideologjike. Me një përzierje të rrallë ironisë, realizmit dhe fantazisë, “Kapedani” hapet me skenën tashmë ikonike ku protagonisti përballet me armiqtë historikë të Shqipërisë, nga osmanët te nazistët — në një betejë imagjinare plot ngjyra e simbolikë.

    Vepra mbetet një dëshmi e çmuar e historisë kulturore shqiptare, e cila për shkak të izolimit politik për shumë vite nuk mori vlerësimin që meritonte jashtë vendit.Sot, me versionin e restauruar në 4K dhe titra në disa gjuhë të huaja, “Kapedani” po rikthehet si një kryevepër e kinemasë së Europës Lindore.

    Restaurimi digjital u realizua në kuadër të projektit “Sezoni i Filmave Klasikë”, një iniciativë e Association des Cinémathèques Européennes (ACE), me mbështetjen e Programit Creative Europe – MEDIA. Procesi u krye nga DABIMUS srl, një spin-off i Universitetit të Barit “Aldo Moro”, në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit.

    Filmi është realizuar nga regjisorët Fehmi Hoshafi dhe Muharrem Fejzo, me skenar të Skënder Plasarit dhe muzikë të Tahsim Hoshafit.Në rolet kryesore interpretojnë mjeshtërisht Albert Verria, Nikolin Xhoja, Flora Mërtiri, Robert Ndrenika, Reshat Arbana dhe shumë aktorë të tjerë të njohur të kinemasë shqiptare.

    ObserverKult

  • Pse Meriton Mjekiqi mungoi në premierën e filmit “ADN”?

    Pse Meriton Mjekiqi mungoi në premierën e filmit “ADN”?

    Pak ditë më parë, filmi “ADN” me regji të Rike Roçit dhe Erjola Doçit zhvilloi premierën e tij të parë në Tiranë. Mbrëmja u mirëprit nga publiku dhe u shoqërua me atmosferë të veçantë.
    Ndërsa këtë të mërkurë filmi u shfaq edhe në Prishtinë, ku u organizua një tjetër event i posaçëm për të mirëpritur aktorët dhe publikun kosovar.
    Mirëpo, një detaj ra menjëherë në sy.
    Krahas Rikes, Erjolës dhe aktorit Azem Gagica, mungesa e Meriton Mjekiqit – një prej figurave më të dukshme të kastit të filmit – u vu re menjëherë. Meriton nuk ishte i pranishëm në tapetin e kuq dhe as në salla gjatë shfaqjes së filmit, gjë që ngjalli menjëherë pikëpyetje rreth arsyeve të mosprezencës së tij.
    Më shumë se kaq, ai nuk ka ndarë asnjë postim apo reagim në rrjetet sociale në lidhje me premierën, ndryshe nga bashkëprotagonistët e tjerë që ndanë momente, fotografi dhe emocione nga ngjarja. Kjo ka shtuar edhe më shumë misterin rreth raportit të tij aktual me projektin.
    Në rrjet kanë nisur spekulimet, ku disa ndjekës mendojnë se mungesa mund të lidhet me angazhime personale, të tjerë flasin për marrëdhënie të ftohura mes aktorëve, ndërsa pjesa tjetër pret një sqarim të drejtpërdrejtë nga vetë Meriton.