I ftuar në emisionin “Ndryshe” me Elona Duro dhe Edea Demaliaj, artisti i njohur Big Basta ka folur për rrugëtimin e tij në muzikë dhe për ndryshimet që ka pësuar tregu muzikor shqiptar ndër vite. Përveçse reper, ai është edhe producent dhe autor tekstesh, duke kontribuar prej vitesh në formimin e kulturës urbane në vend.
Duke u kthyer pas në kohë, Big Basta përmendi me nostalgji festivalin “Top Fest”, të cilin e cilësoi si një nga pikat më të rëndësishme të karrierës së tij.
“Më vjen keq, sepse gjithmonë më është dukur një festival i sinqertë, i drejtë, pa hile. Kishte shumë çmime, dhe kjo e bënte më të dukshme drejtësinë e tij,”- tha ai.
Në fillimet e karrierës, ai u vlerësua me çmimin “Best New Artist”, duke hapur rrugën për një periudhë të artë të muzikës urbane shqiptare.
Duke bërë një krahasim mes të shkuarës dhe realitetit aktual, Big Basta tha se sot mungon autenticiteti në tregun muzikor.
“Mos harro që jemi bërë gjeneratë facoletash njëpërdorimëshe. Gjithçka është njëpërdorimëshe. Si produktet e atëhershme, si ‘Top Fest’, apo ndikimi i madh i ‘Top Albania Radio’ dhe ‘Top Channel’. Atëherë kënga bëhej hit vetëm nga transmetimi,”- u shpreh ai.
Artisti kujtoi edhe kushtet e thjeshta të kohës, kur mungonin format e tjera të publikimit, por ekzistonte pasioni dhe përkushtimi i vërtetë për muzikën.
Në vijim, Big Basta zbuloi një detaj interesant për fillimet e tij:
“Nuk besoj ta kem thënë diku, por ajo kënga na kushtonte 250 mijë lekë të vjetra. ‘Sweet Company’ dhe Big Basta. Për inçizimin, masterin tek Edi Kraja. Ishte shembulli më i mirë që me pak mund të bësh diçka shumë të mirë.”
Në fund, ai shprehu mendimin se sot shumë artistë po largohen nga muzika për t’u marrë me fusha të tjera.
“Më duket sikur artistët kanë filluar të bëjnë karshillëk kundrejt publikut. Po implikohen në shumë fusha të tjera, shpesh edhe padrejtësisht,” – përfundoi ai.
Tag: festival
-

Big Basta: “Top Fest” ishte një festival i ndershëm, sot jemi bërë gjeneratë ‘njëpërdorimëshe’
-

Tetori dhe Festa e Librit në Amerikë
(Panairi i Katërt në Shtëpinë e Shkrimtarëve)
Ditën e shtunë, në Galerinë e Artit në qytetin e Stamford, CT, ora 11:00 e paradites deri më 17.00 të pasdites, kur gjethet e zverdhura dhe shirat e parë të vjeshtës ravijëuan portretin unikal të këtij mes-tetori të ngrohtë, u zhvillua Edicioni i Katërt i Festës së Madhe të Librit në Amerikë, Panairit të organizuar nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, në Tubimin e radhës. Në këtë festë të fjalës, kulturës dhe lidhjes njerëzore, ku breza të ndryshëm takohen për të përjetuar fuqinë e leximit, të shkrimit dhe të lidhjes kulturore e frymëzimit artistik midis shkrimtarëve të njohur shqiptarë e shqiptaro-amerikanë, poetë, përkthyes, gazetarë, piktorë, producentë filmash dhe artistë nga fusha të ndryshme erdhën për t’u lidhur përmes librit dhe kulturës me nismën që synon të ngulisë dashurinë për leximin në çdo brez dhe të lidhë fuqinë e fjalës së shkruar me shpirtin e komunitetit tonë.
Në emër të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, moderatorja, poetja dhe studiuesja Dr.Yllka Filipi i uroi mirëseardhjen të gjithë pjesëmarrësve, bashkëpunëtorëve, botuesve, gazetarëve, miqve të artit dhe të fjalës në këtë ditë të mbushur me frymëzim, emocion dhe dashuri në pasionin për librin. Bërthama e fortë e kësaj feste të librit u bënë botimet e reja të anëtarëve të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amnerikanë. Fjala ju dha Presidentit të Shoqatës z. Adnan Mehmeti i cili u shpreh: Përshëndetje të gjithëve dhe mirë se vini në Tubimin e Shkrimtarëve 2025. Tetori, si muaji i librit dhe i leximit, bashkon shpirtin krijues të autorëve me lexuesit. Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë ka tashmë 24 vjet veprimtari të pandërprerë në shërbim të kulturës dhe letërsisë shqipe. Gjatë këtyre viteve, mbi 200 anëtarë kanë lënë gjurmën e tyre me vepra, botime dhe pjesëmarrje aktive në jetën kulturore të komunitetit tonë. Shoqata ka qenë dhe mbetet një vatër bashkimi: një vend ku krijuesit ndajnë përvojën, frymëzimin dhe përkushtimin ndaj fjalës. Do të vazhdojmë të mbështesim krijimtarinë, të hapim dyer për autorët e rinj dhe të zhvillojmë nisma që forcojnë lidhjen mes krijuesve shqiptarë në Amerikë dhe në trojet tona. Gjatë veprimtarisë së saj, Shoqata ka organizuar tre edicione të Panairit të Librit Shqip (2009, 2010, 2024) dhe Ekspozitën e Librit (2021), duke afruar autorë, botues dhe lexues nga mbarë Shtetet e Bashkuara. Sot, Panairi i Librit Shqip 2025, në edicionin e katërt, vazhdon këtë traditë. Këto panaire kanë një veçanti që i dallon nga të tjerët: janë krijuar posaçërisht për shkrimtarët, poetët, përkthyesit dhe krijuesit shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në SHBA. Ato janë mundësi, për ata që mbajnë gjallë gjuhën shqipe në mërgim mund të shprehin historitë e tyre, duke shkruar mes dy brigjeve. Çdo libër i ekspozuar ruan një histori emigrimi, një kujtim nga vendlindja dhe përpjekjen për të ruajtur gjuhën dhe kulturën tonë përmes shkrimit. Që prej panairit të parë, qëllimi i Shoqatës ka qenë i qartë: të krijojë një platformë për autorët shqiptarë në Amerikë, duke u dhënë vlerësimin që meritojnë. Ky panair është një pikëtakim që lidh krijuesin me lexuesin, bashkatdhetarët me artin dhe fjalën me komunitetin. Ai dëshmon se kultura shqiptare jeton përtej kufijve dhe se fjala jonë nuk shuhet, por udhëton dhe e mban gjallë trashëgiminë tonë kudo që jemi. Çdo shkrimtar, me fjalën e tij, ndez një dritë që ndriçon përtej kohës. Letërsia është mënyra më fisnike për të folur me përjetësinë. Siç thotë Gabriel García Márquez, “Letërsia është mënyra më e bukur për ta jetuar jetën dy herë: një herë në realitet dhe një herë në kujtesë.” Le të shërbejë kjo ditë si frymëzim për ata që duan të shkruajnë, si nxitje për ata që ende nuk e kanë botuar librin e parë, dhe si besim se kultura është forca që na bashkon kudo që jemi.
Dr.Bexhet Asani i cili në fjalën e radhës u paraqit përpara lexuesit në këtë ceremoni me një libër të ri, ndër të tjera u shpreh: “Një dashuri e vjetër dhe një dashuri e re – Struga për Ismail Kadarenë” Jam i lumtur që libri im më i ri, u prezentua para mikeshave dhe miqve të mi shkrimtarë e artistë, me rastin e Panairit të librit, edicioni i katërt, këtu në këtë Galeri të Artit në qytetin e Stamfordit, në Kenerikë.
Shkrimtari ynë i shquar Ismail Kadare, këtu e 23 vjet më parë, pikërisht në muajin maj dhe tetor të vitit 2002, vizitoi qytetin tonë – copëzën e parajsës siç duam ta quajmë ne dhe të gjithë ata që e vizitojnë Strugën. Ismail Kadare në tetor të vitit 2002, kërkoi të mbante një takim me intelektualët struganë. Ne këtë takim e pritëm me entuziazëm. Në fund të takimit kandidati për Çmimin Nobel Ismail Kadare midis tjerash tha: “Ju falënderoj për këtë bisedë kaq të ngrohtë, për praninë tuaj kaq miqësore, kaq të mençur! Më prek shumë interesimi juaj për letërsinë, kulturën, për fatin e popullit shqiptar. Të ndodhesh në mesin e bashkëkombasve këtu, me të cilët merresh vesh kaq mirë! Ju falënderoj edhe njëherë të gjithëve!” Ky libër ka edhe një kapitull “Nga jeta kulturore në qytetin e Strugës”. E shkrova këtë kapitull për të vënë në pah, pse shkrimtari Ismail Kadare, e vizitoi këtë qytet të vogël por me një kulturë të begatshme, veç bukurive natyrore.Shkrimtari, studiuesi dhe aktivisti Pashko Camaj u prezantua me botimin e tij të ri, romanin simbolik titulluar “Porosia e Kullës”, si përshkrimi i rrugëtimit të brendshëm shpirtëror të shqiptarit drejt ëndrrës amerikane. Ky itinerar merr ngjyrat dhe trajtën e filozofisë jetësore të vetë autorit ku besimi, shpresa dhe optimizmi do të bëhen lejtmotivi i mesazhit që përcjell ai në vepër.
Më tej shkrimtarja Veneta Callpani erdhi para lexuesit shqiptaro-amerikanë me librin e saj më të ri në gjuhën angleze: Lessons Learned. A transformative journey through healing and resilience. (Mësimet e nxëna. Një udhëtim transformues drejt shërimit dhe qëndresës.) Autorja ndau me auditorin emocionet më pikante gjatë procesit të shkrimit të kësaj vepre. Një emocion të veçantë përcolli Letra Përshëndetëse dërguar nga Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, Prof. Dr. Xhemil Bytyçi, Prishtinë, 11.10.2025, përmbajtja e së cilës u nda me publikun në sallë. Me rastin e evenimentit tuaj tradicional të shkrimtarëve dhe artistëve në tryezën e kulturës mbarë shqiptare në SH.B. A. që mbahet më 11.10. 2025, Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, përzemërsisht ju uron dhe ju përgëzon për këtë nismë.
Ju që punoni e veproni në aspektin e ngritjes së kulturës në atdheun tuaj të dytë të, SH.B.A. në emër të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe në emrin tim personal me zemërgjërsi ju urojmë këtë aktivitet të shumëfishtë. Njëkohësisht ju dëshërojmë punë të mbarë dhe suksese të mëtejshme. Në këtë eveniment pa dyshim do të shpalosni arritjet më të larta letrare dhe artistike të shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë. Shpresojmë se në të ardhmen mund të kemi mundësinë për një bashkëpunim të ndërsjelltë me shkrimtarët e trojeve të origjinës kombëtare. Duke iu uruar punë të mbarë edhe një herë pranoni përshëndetjet tona të përzemërta!
Fjala iu dha gjithashtu autorëve që prezantuan botime të reja. Arjana Gaba, me vëllimin poetik Sytë e Gruas, botuar nën kujdesin e Prof. Dr. Fatmir Terziut në Britaninë e Madhe, Liljana Liço, poete; Luiz Thaçi, publicist; Gjon Ivezaj, historian; Pal Ndrecaj, poet; Alma Jaku, poete; Merita Prenga, poete me dy botime më të fundit: vëllimeve poetike Shpirti të Kërkon dhe Kjo jam Unë; si edhe Bora Balaj, shkrimtare dhe stiliste e talentuar dhe shumë dashamirësve të letërsisë. Këtu spikatën midis të tjerash disa poezi të zgjedhura nga botimet e reja të cilat u interpretuan mjeshtërisht nga vetë autorët. Sa shumë emocion! Po! Sa shumë shpirt!
Shkrimtari Aurel Naçe, njëherësh edhe producent filmash me metrazh të shkurtër, pasi prezantoi dy librat e tij në poezi dhe prozë, u shpreh se këto takime krahas rëndësisë për trashëgiminë letrare dhe kulturore krijojnë edhe ura miqësie eëbashkëpunimi midis shkrimtarëve, pse jo duke krijuar mundësinë edhe për inskenimin e veprave letrare si romanet apo drama a proza e shkurtër, në kinematografi. Aurel Naqi është autor i dy librave, vëllimi me lirika Në buzët e një gruaje dhe librin në prozë Në krahët e mbrëmjes fshihet puthja. Ka shkruar dhe drejtuar disa projekte të vlerësuara, përfshirë Your Turn, The Last Kiss dhe Red Rose Aroma, ky i fundit i njohur në skenën ndërkombëtare të festivaleve me 13- çmime dhe 5- nominime. Filmi i shkurtër i tij Red Rose Aroma (i njohur gjithashtu si Aroma e Trëndafilit të Kuq) ka marrë vlerësime të rëndësishme, duke përfshirë çmimin Best Drama në Toronto International Nollywood Film Festival (TINFF). Ai gjithashtu fitoi çmime kryesore në disa festivale: -Fort Lauderdale International Film Festival; Venice Shorts Festival (Kaliforni) Vienna Film Festival (Austri); Ballkan Nordic Short Film, Best Actress; Film Crash Festival (Los Anxhelos); Best Cinematography, Best Director, Best International Film, Best Actress, Best Drama (NLIFF); Best International Film at Oregon International Film Festival. I nominuar për Best Drama dhe Best Actress (Enxhi Cuku) në Philadelphia Film Festival Best Drama at Oregon International Film Festival. U shfaq në Louisville International Film Festival, ARPA International Film Festival, dhe pas premierës në Kinema Millennium, Tiranë, u shfaq në Myrtle Beach International Film Festival, Sunscreen International Film Festival.
Një moment prekës përcolli edhe fjala e bashkëshortes së poetit të ndjerë Luigj Çekaj, e cila ndau me publikun vargje nga krijimtaria e tij, të cilat u interpretuan me profesionalizëm të lartë nga poeti dhe ish-kryetari i Shoqatës, z. Mhill Velaj. Shkrimtarja Age Ivezaj prezantoi gjithashtu përpara audiencës romamin e saj Kush na mallkoi, (Who cursed us), botuar në shqip dhe anglisht vetëm disa muaj më parë, një Sagë Mbijetese e Malësorëve Shqiptarë midis dy Kontinenteve.
Studiuesja dhe shkrimtarja Dr.Yllka Filipi në fjalën e saj ngriti disa çështje delikate që shqetësojnë procesin e komunikimit letrar në ditët e sotme, të cilat zgjuan interes dhe u pritën me duartrokitje nga auditori. Çfarë trajte po merr sot marrëdhënia shkrimtar-lexues? A ekziston më leximi i librit fizik në revolucionin digjital? Sa ndikon dixhitalizimi në rënien në letargji të sensorëve të prekjes së fletës së librit me dorë, faqes me reliev, fletës së butë a materialit të ashpër, efektit vizualizues të stisur nga ngjyra e fletëve të zverdhura, (si në librat e vjetër), aromës së rafteve ku libri është ruajtur si zgjim i ndërgjegjësimit fillestar fonetik shpirtëror. Apo si deaktivizim për ta bërë sa më joefektive skemën e komunikimit letrar në procesin klasik dhënës (autor)- mesazh (vepër)- marrës (lexues). Çfarë po ndodh sot në epokën e re digjitale, ku vepra ekziston më së shumti në formën e saj të paprekshme, (botimet dhe leximet on-line). Raporti i pabalancuar. mbi modelin e lexuesit tradicional, (përpara erës dixhitale) dhe lexuesit modern (të erës dixhitale), a do të ndikojë gradualisht në çuarjen e modelit fillestar drejt zhdukjes? Qasje, kjo e cila do të botohet në shtypin e Diasporës Shqiptare dhe në Atdhe.
Kjo ceremoni u mbush me shkëmbime përvojash letrare, frymëzimesh artistike, çaste emocionuese nga botimet e reja dhe u finaliazua me dhurimin e librave me autografë të cilët u nënshkruan nga vetë autorët e pranishëm në sallë, si edhe me një fotografi të përbashkët me të gjithë pjesëmarrësit për të pasuruar Arkivën e Shkrimtarëve.
Një mirënjohje e veçantë iu kushtua artit të piktorit George Pali, pikturat e të cilit ishin ekspozuar në çdo mur të kësaj galerie e cila priti me dashamirësi dhe bëri të mundur zhvillimin e kësaj ceremonie të librit në këtë hapësirë plot dritë dhe frymëzim. Në fjalën e tij përshëndetëse z.Pali u shpreh: Kjo galeri është më shumë se një vend ekspozimi. Është një shtëpi arti ku fjala dhe paneli takohen, ku libri dhe piktura flasin gjuhën e shpirtit duke e kthyer këtë vend në një strehë për librin dhe artin shqiptar. Krenaria e kësaj ceremoniu u bë edhe prania e grupit të piktorëve të tjerë të talentuar z. Adriatik Baliaj, z. Gazmend Bakalli, z. Arjan Hasanlliu të pranishëm në tubim. Jo vetëm si një lexuese e pasionuar e letërsisë, por edhe si krijuese. gazetarja sportive Edona Thaçi në fjalën e saj pëshëndetëse i premtoi audiencës se shumë shpejt do të botojë librin e saj të parë. Më tej Presidenti i Shkrimtarëve poeti Adnan Mehmeti falenderoi edhe njëherë përzemërsisht të gjithë të pranishmit për këtë festë kaq të bukur të kryefjalës së vetme që i jep kuptimin e plotë të qenurit shkrimtar, Librit! Takimi u mbyll nën një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, prej nga ku të gjithë të pranishmit morën pjesë në një koktejl të organizuar nga bizneset më në zë shqiptare në Stamford, njëherësh dashamirës të artit të bukur të fjalës shqipe, GR Art Gallery, Europa Balkan Food Market, FarmHouse at the crossroads dhe Vinny’s Backyard. Të gjithë shkrimtarët njëzëri i uruan gjithashtu suksese Kombëtares sonë Kuq e Zi në fitoren e sigurtë, në Ndeshjen Ndërkombëtare Legjendare me Serbinë, të shtunën e dytë të Tetorit të Librit Shqip në Amerikë./Y. F.
ObserverKult
————- Lexo edhe:
YLLKA FILIPI: METAMORFOZA E PENËS SË GRUAS
-

Banda frymore nga Shqipëria, Evropa dhe Ballkani në festivalin që e shndërron Korçën në skenën e muzikës frymore
Nga Julia Vrapi
Banda frymore nga Shqipëria, Evropa dhe Ballkani këtë tetor në qytetin Korçës, pjesë e një festivali ndërkombëtar. Ky festival për tre ditë do ta shndërrojë Korçën në skenën e muzikës frymore ndërkombëtare. Festivali ndërkombëtar i bandave frymore “AirBeat Korça Festival” nis më 24 tetor në qytetin e Korçës, si një nga ngjarjet e rëndësishme kulturore këtë sezon, ku veç koncerteve që pritet të zhvillohen përgjatë tre ditëve nuk do të mungojnë edhe master-class me artistë të njohur. Qendra e Artit dhe Kulturës Korçë shprehet se “AirBeat Korça Festival” është më shumë se një koncert”. “24 – 26 tetor 2025 Korça shndërrohet në skenën e madhe të muzikës frymore ndërkombëtare! Për tre ditë rresht, qyteti do të pulsojë në ritmet e dhjetëra bandave frymore nga Shqipëria,
Evropa dhe Ballkani, duke sjellë tinguj, energji dhe emocione pa kufij. AirBeat Korça Festival është më shumë se një koncert – është një festë e madhe muzikore dhe kulturore, e lidhur me ditën e çlirimit të qytetit tonë, dhe nder të dirigjentit të parë Thoma Nasi”, thuhet në materialin e Qendrës së Artit dhe Kulturës Korçë. E frymëzuar nga tradita e orkestrave të famshme si “Banda Liria” dhe “Banda Vatra”, kjo ngjarje sjell bashkim të brezave dhe e çon trashëgiminë tonë në një skenë ndërkombëtare.
“Një homazh i veçantë i kushtohet mjeshtrit të madh Novruz Nure( Lulushi) pasuria e të cilit kulturore dhe artistike mbetet frymëzim për brezat që vijnë. AirBeat Korça Festival #luluFEST- aty ku historia, muzika dhe arti frymor bashkohen në një spektakël të paharrueshëm!”, thuhet në materialin e festivalit. “Banda e Lirisë” u krijua në qytetin e Korçës më 1 tetor 1908. Sipas materialit nga Qendra e Artit dhe Kulturës Korçë bëhet me dije se iniciatorë të themelimit të saj u bënë drejtuesit e klubit “Dituria Shqip” në Korçë. Ndërsa banda “Vatra” është krijuar më 1912 nga patriotët shqiptarë të Drenovës, Dardhës dhe Korçës të vendosur në USA.
Master-class nga artistë të njohur në festival
Festivali këtë tetor vjen në vijim dhe të tjera veprimtarive të tjera kulturore që janë zhvilluar në këtë qytet, ku për tre ditë me radhë rrugët dhe sheshet e qytetit do të mbushen me tingujt e bandave muzikore. Ilir Gjoka, pedagogu i Oboes do të mbajë master-class pranë Qendrës së Artit në Korçë në kuadër të “AirBeat Festival”. Ilir Gjoka është aktivizuar si solist koncertist ku shquhet interpretimi për herë të parë i disa veprave të muzikës shqiptare për oboe solo,të asambleve të ndryshme kamertale, si dhe të repertorit botëror të instrumentit të oboes. Ilir Gjoka gjatë gjithë kohës ka kontribuar me pasion në sferën pedagogjike duke qenë specialisti më i kualifikuar i profesoratit në specialitetin përkatës e më gjerë.
Elvis Rudi, një prej flautistëve më në zë të brezit të tij, e që kombinon karrierën artistike me punën si pedagog gjithashtu do të mbajë master-class në kuadër të “AirBeat Festival” në Korçë. Ka bashkëpunuar me institucione të rëndësishme si brenda, ashtu dhe jashtë vendit. Anëtar i ansamblit kontemporan “Asmus”. Orkestra e TOB-it ( flaut i parë), Orkestra e RTSH ( solist), Trio e Konservatorit të Biel- Bienne ; Kuinteti “Çesk Zadeja”, Kuinteti i Universitetit të Arteve. Shkumbin Bajraktari që është një nga emrat më të njohur në fushën e muzikës klasike në Kosovë, me një karrierë të gjatë dhe të pasur si pedagog, performues dhe themelues i institucioneve muzikore një tjetër artist, që do të mbajë master-class në ditët e festivalit në Korçë. Shkumbin Bajraktari është klarinetist solist në Orkestrën Simfonike të Filharmonisë së Kosovës. -

“International Dance Festival of Tirana” nën drejtimin artistik të Preljocajt, shfaqje dhe program në hapësira publike
Nga Julia Vrapi
Shfaqje premiera dhe evente të tjera janë pjesë e “International Dance Festival of Tirana” këtë vit që shënon edicionin e katërt. Festivali këtë tetor vjen me një program të pasur që bashkon figura të njohura të dancit bashkëkohor dhe një brez të ri koreografësh, duke vendosur gjuhë të ndryshme artistike krah njëra-tjetrës. “International Dance Festival of Tirana” do të zhvillohet nën drejtimin artistik të koreografit të njohur Angelin Preljocaj, me shfaqje në teatro, si dhe një program artistik në hapësirat publike në Tiranë. Për festivalin një ditë më parë u shpreh dhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja, duke e cilësuar si një nga ngjarjet më të mëdha kulturore. ““International Dance Festival of Tirana”, nën drejtimin artistik të Angelin Preljocaj, rikthehet për takimin e përvitshëm, ku nga data 9 deri më 25 tetor, kryeqyteti do të mirëpresë një nga ngjarjet e saj më të mëdha kulturore, me shfaqje ndërkombëtare në skenat kryesore të teatrit dhe një program falas në mbi 10 hapësira publike të qytetit. Për të mos u humbur!”, shprehet ministri Blendi Gonxhja në rrjete sociale. “International Dance Festival of Tirana” në edicionin e katërt të tij realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Teatrit të Operas dhe Baletit të Tiranës (si bashkëprodhues), Bashkisë së Tiranës, Bashkimit Europian përmes EU4Culture, Ambasadën e Francës në Shqipëri, Ambasadën e Spanjës dhe Institutin Italian të Kulturës në Tiranë. Sipas materialit në faqen e festivalit, “IDFT” do të zhvillohet në teatro dhe hapësira të qytetit, me 15 premiera dhe nëntë evente publike me hyrje të lirë.
G.U.I.D. i Ballet Preljocaj hap këtë vit edicionin e katërt të fesitvalit
G.U.I.D. i Ballet Preljocaj do të hapë këtë vit edicionin e katërt të “International Dance Festival of Tirana” (IDFT) me shfaqje publike falas në vende të ndryshme të Tiranës më 9 dhe 10 tetor. Shfaqjet sipas materialeve rreth Festivalit Ndërkombëtar të Kërcimit në Tiranë do të mbahen në aeroport, një qendër komunitare, sheshin “Skënderbej” dhe Pazarin e Ri, ku G.U.I.D. takohet me audienca të ndryshme në hapësira të zakonshme të qytetit. “Me dy shfaqje çdo ditë, festivali nis këtë vit jo brenda teatrit, por në rrugë, sheshe dhe në jetën e përditshme të Tiranës”, thuhet për festivalin. “IDFT” vjen si një nga ngjarjet e rëndësishme kulturore këtë sezon sërish nën drejtimin artistik të Angelin Preljocajt, që radhitet ndër koreografët më të mirë në botë. Që nga fillimet e tij, ai ka krijuar 61 vepra koreografike, duke filluar nga solo në formacione më të mëdha duke përfshirë Romeo & Juliet, Borëbardha, Liqeni i Mjellmave. Atij i pëlqen të alternojë balete të mëdhenj narrativë me pjesë më abstrakte si Empty Move, Still Life, Deleuze/Hendrix. -

Queer Film Festival/ Nis sonte edicioni i 6-të dhe do të shtrihet në 11 qytete, i vetmi festival i zërave LGBTQI+
“Queer Film Festival” çel sonte në mbrëmje edicionin e gjashtë, i cili ndryshe nga vitet e tjera, këtë herë do të shpërndahet në 11 qytete të vendit.
I themeluar nga aktivisti Arbër Kodra, ky është festivali i vetëm që i kushtohet kinemasë dhe zërave LGBTQI+: “Përmes këtij programi të larmishëm filmash, diskutimesh të ndryshme në panele, ne promovojmë empatinë dhe ndryshimin shoqëror nëpërmjet artivizmit”.
Kjo maratonë 2-javor, ka misionin të promovojë diversitetin dhe të drejtat e njeriut përmes fuqisë së artit dhe kinemasë.
Aktivistja për të drejtat e njeriut, Zhaklin Lekatari thotë: “Patjetër që jam shumë emocionuar të jem pjesë e edicionit të gjashtë të këtiij festivali, i cili duke parë edhe atmosferën më duket shumë si një akt rezistence, si një mënyrë shumë e mirë për të treguar që historitë queer, historitë LGBT janë histori që na përkasin të gjithëve, ku të gjithë mund të identifikohemi.”
Artistja Elsa Lila do të jetë kumbara e këtij edicioni: “Jemi të gjithë bashkë këtu për të dhënë disa mesazhe të forta solidaritete, paqeje, mirëkuptimi. Të bëhemi të gjithë bashkë, të kalojmë mbrëmje të bukura kulturore, të përballojmë së bashku emocione të filmave që sjellin tematike shumë të ndjeshme”.
Në programin e pasur të filmave vendas e ndërkombëtarë që do të shfaqen në Kinema Agimi dhe Vila 31, këngëtarja veçon “Djalin me pantallona rozë”, që tregon bullizmin ndaj një adoleshenti.
“Ky djali ishte 15 vjeç dhe shkolla e tij ndodhej përballë shkollës së vajzës sime dhe ne këtë djalë e njihnim. Është shumë ndryshe kur e përjeton nga afër dramën e bullzimit të një adoleshenti, që nuk bën gjë tjetër veçse shpreh seksualitetin e tij duke veshur pantallona rozë. Me këtë ngjarje, diçka ndryshoi përgjithmonë në komunitetin tonë të prindërve. Më jep forcë fakti që këto histori tregohen”, thotë artistja.
Hyrjet në të gjitha ditët e festivalit që do të zgjasë deri në 15 tetor, nga do të jenë të lira për publikun.Top Channel
-

“Balkan Jazz Showcase”/ Festivali që mblodhi bashkë në Tiranë grupe nga Greqia, Italia, Maqedonia e Veriut e Turqia
Në kryeqytet po mbahet edicioni i pestë i “Ballkan Jazz Showcase”, një festival ku Ballkani takon Mesdheun, me grupe nga Shqipëria, Greqia, Italia, Maqedonia e Veriut dhe Turqia.
“Ne jemi munduar të sjellim atë që është më tipike e Ballkanit. Natyrisht, në fokusin e këtij edicioni janë grupet shqiptare të rinj. Do të jetë grupi ‘Just Trio’ dhe ‘Andi Kongo & UART Combo’, që është një orkestër e të rinjve të Universitetit të Arteve”, u shpreh Besim Petrela-organizator i “Ballkan Jazz Showcase”.
Mbrëmjen e kaluar, u ngjitën në skenë Argalios, një trio që përzien rrënjët tradicionale greke me elementë modernë…
Dhe ansambli italo-shqiptar i jazz-it, me Gent Rushin në piano, një grup që bashkon traditën mesdhetare me shijen bashkëkohore të jazz-it. Më shumë se një festival, “Ballkan Jazz Showcase” është një panair, që ka për qëllim bashkimin e kulturave dhe shkëmbimin e grupeve artistike.
“Ka drejtorë të festivaleve të ndryshme, përfshirë drejtorin e festivalit të Stambollit, Shkupit, Prevezës, të cilët shkëmbejnë grupet”, tha Besim Petrela-organizator i “Ballkan Jazz Showcase”.
Sipas organizatorëve, edicion pas edicioni, është vënë re një interes gjithnjë e më i shtuar për jazz-in, zhanrin që lindi në fillim të shekullit XX në SHBA dhe vazhdon të evoluojë edhe sot.
“Jemi në ekonomi tregu. Katedra e Jazz-it është rritur sepse e kërkon tregu. Ka shumë prurje, shumë të rinj që vijnë nga shkollat e mesme, nga Liceu Artistik për muzikën jazz”, deklaroi Besim Petrela, organizator i “Ballkan Jazz Showcase”.
Muzikë, art dhe Ethno Jazz, ky festival do të vazhdojë deri të dielën në mbrëmje në ambientet e Universitetit të Arteve.Top Channel
-

Video Art për herë të parë në “TIFF”, dy programe eksplorojnë ndërthurjen mes artit, shoqërisë e shprehjes bashkëkohore
Nga Julia Vrapi
“Tirana International Film Festival” një festival i dedikuar filmit për herë të parë i kushton një hapësirë të veçantë kategorisë Video Art, duke përfshirë programe, që eksplorojnë ndërthurjen mes artit, shoqërisë dhe shprehjes bashkëkohore. Programi i përditshëm i festivalit përfshin filma nga 71 vende të botës, por më 24 shtator në seksionin RetrospecTIFF shfaqet “Obsession”, videot që artisti Fani Zguro ka realizuar në periudhën 2006-2025 dhe “The Anarchist” punime nga disa artistë që do të prezantohen tek qendra e artit “Agimi” në Tiranë. “Obsession” ky program solo nga artisti konceptual Fani Zguro sjell një kolazh të videove të tij të krijuara gjatë gati dy dekadave. Sipas materialit shpjegues të programit, duke ndërthurur elementë të video art-it dhe kinemasë eksperimentale, “Obsession” ofron një udhëtim intim në praktikën e tij artistike.
“Pas shfaqjes, artisti do t’i bashkohet publikut në një bisedë mbi temat, teknikat dhe kontekstet krijuese të veprave, duke krijuar një dialog reflektues mes artit bashkëkohor dhe shoqërisë”, thuhet rreth këtij programi. Kategoria Video Art përfshin dhe “The Anarchists- The Illegal We Do Immediately, The Unconstitutional Takes a Little Longer” që do të prezantohet tek qendra e artit “Aigimi”. Në materialin shpjegues, thuhet se i frymëzuar nga thënia e famshme e Henry Kissinger, kjo retrospektivë bashkon punime nga disa prej artistëve më të njohur bashkëkohorë ndërkombëtarë dhe rajonalë, përfshirë Miguel Calderón, Maria Thereza Alves & Jimmie Durham, Jakup Ferri, Dora Garcia, Manuela Garcia, Johan Grimonprez, Lia Perjovschi, Santiago Sierra, Bert Theis, Shingo Yoshida dhe Fani Zguro. “Programi sjell një reflektim të guximshëm mbi artin, politikën dhe format e rezistencës përmes praktikave të ndryshme artistike”, thuhet rreth këtij programi.
Ditët e TIFF
“Tirana International Film Festival” i dedikon një hapësirë këtë edicion të 23-të kategorisë Video Art, por sipas organizatorëve të festivalit së bashku këto dy programe e pozicionojnë RetrospecTIFF, si një hapësirë për dialog kritik dhe ndjeshmëri artistike. “Duke ftuar publikun të angazhohet me imazhet në lëvizje në mënyra që sfidojnë, provokojnë dhe frymëzojnë”, thuhet rreth këtyre dy programeve. “Tirana International Film Festival 2025” (TIFF) që do të zhvillohet këtë shtator është dhe një nga eventet kulturore më të rëndësishme në vend. Regjisorët, producentët, kuratorë, studiues dhe artistët nga Shqipëria, Ballkani dhe mbarë bota do të jenë pjesë e TIFF këtë vit. “Tirana International Film Festival” është tani pjesë edhe e Rrjetit të Festivaleve në Rajonin e Adriatikut, që është programi i përbashkët i tre festivaleve themelues- Festivali i Filmit në Sarajevë (BiH), Festivali i Filmit Auteur (Serbi) dhe Festivali i Filmit në Zagreb (Kroaci). Festivali “Tirana International Film Festival” në edicionin e 23 të tij këtë vit në Tiranë vijon deri më 27 shtator. -

“TIFF” në edicionin e 23, më shumë se 200 filma të përzgjedhur nga 71 vende të botës
Nga Julia Vrapi
Më shumë se 200 filma të përzgjedhur nga 71 vende të botës janë këtë vit në “Tirana International Film Festival”. Festivali ndërkombëtar i filmit nis nesër në Tiranë, duke sjellë në ditët e tij një program të pasur, mes tyre fitues të çmimit “Luani i Artë” në Festivalin e Venecias. Edicioni i 23-të i “Tirana International Film Festival” (TIFF 2025) këtë vit do të zhvillohet nga data 21 deri më 27 shtator dhe sjell në ditët e tij veç prodhimeve kinematografike pjesë e festivalit janë edhe disa aktivitete. Programi i përditshëm i festivalit, që përfshin mbi 200 premiera të filmave nga 71 vende të botës, në konkurrim janë në të gjitha kategoritë dhe zhanret, si fiction, dokumentar, animacion, etj. Më herët Agron Domi, drejtor dhe bashkëthemeluesi i “Tirana International Film Festival” tha për mediat që është dashur një punë prej disa muajsh për përzgjedhjen e filmave garues në këtë festival, që këtë vit shënon edicionin e tij të 23-të në kryeqytet. Filmat këtë vit do të vlerësohen nga 8 juri ndërkombëtare, të përbëra nga emra të njohur të industrisë kinematografike. Filmi “Father Mother Sister Brother” i regjisorit Jim Jarmusch, që fitoi “Luanin e Artë” në Festivalin e 82-të Ndërkombëtar të Filmit në Venecia në Itali hap edicionin e 23-të të “Tirana International Film Festival” dhe do të shfaqet në sallën e kinemasë Millennium. Por edhe premiera e filmit të restauruar “Liri a vdekje” prodhim kinematografik i vitit 1978 do të jetë në “Tirana International Film Festival” në 27 shtator. Filmi është nga regjisorët Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro, skenari i tij është shkruar nga Vath Koreshi. Këtë vit kinematë dhe hapësirat për filmat dhe aktivitetet në festival janë: Kinema Millennium; Qendra e Artit Agimi; Kino Piramida; Vila 31 x Art Explora ; Librari Babel; Open Air Tirana.
TIFF në jetën kulturore
“Tirana International Film Festival 2025” (TIFF) që do të zhvillohet këtë shtator është dhe një nga eventet kulturore më të rëndësishme në vend. Regjisorët, producentët, muratorë, studiues dhe artistët nga Shqipëria, Ballkani dhe mbarë bota do të jenë pjesë e TIFF këtë vit! Me “TIFF 2025”, sipas organizatorëve Tirana shndërrohet në kryeqytetin e filmit. “Tirana International Film Festival” në edicionin e 23-të nis më 21 shtator, por filmi më i mirë i shkurtër në festival kualifikohet për çmimet “Oscars 2025”, si dhe “European Film Awards 2024”. Filmat studentorë të përzgjedhur zyrtarisht në “Tirana International Film Festival” kanë të drejtë të konkurrojnë për Çmimet Student Academy (SAA). Për herë të parë, TIFF prezanton këtë vit një juri speciale, Capture Frame Jury, e cila do të vlerësojë kuadrin më të bukur fotografik nga filmat dokumentarë. Kjo juri përbëhet nga artistë vizualë. “Tirana International Film Festival” është tani pjesë edhe e Rrjetit të Festivaleve në Rajonin e Adriatikut, që është programi i përbashkët i tre festivaleve themelues- Festivali i Filmit në Sarajevë (BiH), Festivali i Filmit Auteur (Serbi) dhe Festivali i Filmit në Zagreb (Kroaci). “Tirana International Film Festival” është një festival ndërkombëtar filmi i themeluar në vitin 2003, i cili synon të krijojë një qendër kulturore për kinemanë alternative dhe të pavarur në Shqipëri dhe rajon. “TIFF 2025-edicioni 23” këtë vit ka edhe mbështetjen financiare nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. -

Filmi fitues i “Luanit të Artë” në festivalin e Venecias 2025 hap edicionin e 23-të të “TIFF”
“Tirana International Film Festival”
Nga Julia Vrapi
Filmi “Father Mother Sister Brother” i regjisorit Jim Jarmusch, që fitoi “Luanin e Artë” në Festivalin e 82-të Ndërkombëtar të Filmit në Venecia në Itali hap këtë shtator edicionin e 23-të të “Tirana International Film Festival”. “TIFF 2025” këtë vit do të zhvillohet nga data 21 deri më 27 shtator dhe sjell në ditët e tij prodhime kinematografike të ndryshme, ku pjesë e festivalit janë dhe disa aktivitete. Filmi që do të hapë edicionin e 23-të të “Tirana International Film Festival” (TIFF) do të shfaqet edhe mbrëmjen e datës 23 shtator në sallën e kinemasë Millennium me bileta për publikun. Filmi i regjisorit Jarmuschit është ndërtuar mbi tre histori, që eksplorojnë marrëdhëniet midis prindërve dhe fëmijëve.
Mes protagonistëve në rolet e filmit janë emra të njohur si Cate Blanchett, Adam Driver, Tom Waits dhe Charlotte Rampling. Festivali i filmit në Venecia ku “Luani i Artë” shkoi për filmin “Father Mother Sister Brother” është dhe një ndër eventet më të rëndësishmit kulturor që mbahet çdo vit. Festivali këtë vit shënoi edicionin e 82-të nisi më 27 gusht dhe u mbyll më datë 6 shtator 2025, duke e kthyer Venecian në qendër të vëmendjes së industrisë së filmit për disa ditë. Në këtë edicion në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venecia ishin 21 filma që konkurruan për çmimin e madh “Luani i Artë” për filmin më të mirë, ndërsa shumë të tjerë u shfaqën jashtë konkurrimit gjatë ditëve të tij. Për atë çfarë prezanton me filmat çdo vit gjatë zhvillimit të tij Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Venecia është në qendër të vëmendjes jo vetëm të artistëve të kinemasë, por edhe të kritikës e publikut.
“TIFF” si pjesë e aktiviteteve artistike
“Tirana International Film Festival 2025” (TIFF) që do të zhvillohet këtë shtator është dhe një nga eventet kulturore më të rëndësishme në vend, ku përgjatë ditëve të tij emra të njohur të kinemasë, artistë të ndryshëm dhe më gjerë bëhen pjesë e aktiviteteve që zhvillohen. Drejtor i “TIFF” është Agron Domi, por ndërsa “Tirana International Film Festival” në edicionin e 23-të nis më 21 shtator filmi më i mirë i shkurtër në festival kualifikohet për çmimet “Oscars 2025”, si dhe “European Film Awards 2024”.
Filmat studentorë të përzgjedhur zyrtarisht në “Tirana International Film Festival” kanë të drejtë të konkurrojnë për Çmimet Student Academy (SAA). Një vit më parë në “TIFF 2024” programi kombinoi mbi 200 premiera të filmave në konkurrim në të gjitha kategoritë dhe zhanret. Të gjithë filmat e përzgjedhur ishin prodhuar në vitin 2023-2024. Rreth 3700 filma dhe 67 skenarë aplikuan për në “TIFF 2024” nga 115 vende të botës. Pjesë e festivalit ishte dhe SCREENPLAY ContesTIFF, që synon të vlerësojë nga prodhuesit dhe distributorët skenarin më të mirë dhe të mundshëm për t’u prodhuar prej tyre.
“Tirana International Film Festival” është tani pjesë edhe e Rrjetit të Festivaleve në Rajonin e Adriatikut, që është programi i përbashkët i tre festivaleve themelues- Festivali i Filmit në Sarajevë (BiH), Festivali i Filmit Auteur (Serbi) dhe Festivali i Filmit në Zagreb (Kroaci). “Tirana International Film Festival TIFF 2025-edicioni 23” këtë vit ka dhe mbështetjen financiare nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Por ashtu si edhe në edicionet e mëparshme edhe në “TIFF 2025”,filmat pjesëmarrës në garë janë ndarë sipas kategorive, ku juritë e zgjedhura do të vlerësojnë më të mirët. -

Check-In Festival në Gjirokastër, artistët më në zë të momentit elektrizojnë skenën
Muzika, aventura dhe tradita u ndërthuren në një eksperiencë të paharrueshme.
Edicioni i pestë i Check-In Festival u rikthye në qytetin e Gjirokastrës për dy net me radhë, me energji dhe surpriza të reja.
Shumë qytetarë u bashkuan për të kënduar dhe kërcyer nën tingujt e muzikës live, që u performua nga artistët më në zë të momentit, Ahmet Kilic, Johkoba, Alban Skënderaj, Tayna dhe Ledri Vula.
Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi ndau pamje nga koncerti dhe performance e këngëtarëve të cilët elektrizuan skenën./atsh/KultPlus.com