Nga Julia Vrapi
“Komunikim” që vjen me piktura është ekspozita e parë, si pjesë e një serie në vijim që do të hapen në galerinë FAB. Ky dialog viziv mes Fakultetit të Arteve të Bukura në Tiranë dhe Fakultetit të Arteve në Prishtinë i ka fillesat në vitet ’70-të, por këto ditë dhjetori 2025 rinisi tradita me ekspozitën e pedagogut të Pikturës në Fakultetin e Prishtinës, Agron Bytyçi. Përgjatë aktivitetit të tij prof. Agron Bytyçi ka qenë pjesëmarrës në më shumë se 100 ekspozita në vend dhe jashtë, ku këto ditë dhjetori ekspozita e tij personale “Komunikim” u çel në galerinë FAB. Ekspozita që vjen me punime në pikturë dhe e kuruar nga historiani i artit Zef Paci bëhet edhe pjesë e jetës artistike këtë muaj të fundit të vitit në Tiranë, ku po zhvillohen aktivitete të ndryshme.
Galeria FAB shprehet se këto ekspozita të përbashkëta nga bashkëpunimi mes dy fakulteteve do të jenë pjesë e kalendarit të saj vjetor. “Patëm kënaqësinë të ristartonim marrëdhënien historike mes Fakultetit të Arteve të Bukura Tiranë dhe Fakultetit të Arteve në Prishtinë për një seri ekspozitash të përbashkëta, shkëmbimesh eventesh personale dhe ato në nivel studentësh, të cilat në kalendarin vjetor të Galerisë FAB dhe asaj të Fakultetit të Prishtinës shpresojmë të jenë disa nga momentet më entuziaste të këtij dialogu viziv, që i njeh fillesat e veta që në vitet ’70-të të shekullit të kaluar. E rifilluam sot këtë traditë në mënyrën më të mirë me ekspozitën e profesorit të Pikturës së Fakultetit të Prishtinës”, thuhet në njoftimin e galerisë FAB. Agron Bytyçi është vlerësuar me disa çmime në skenën artistike. Ai është piktor dhe profesor i rregullt në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Arsimin fillor dhe të mesëm i kreu në vendlindje, ndërsa studimet universitare në Fakultetin e Arteve të Bukura (1992 – 1996), drejtimi Pikturë, në klasën e prof. Muslim Mulliqit. Në vitin 2000 magjistroj me temën”Mbi Materializimin e Idesë në Pikturë”, nën udhëheqjen e prof. Rexhep Ferrit.
Prirja artistike e autorit lëviz në territorin e surrealizmit
Në hapjen e kësaj ekspozite këto ditë dhjetori ishin të pranishëm autori i saj, kuratori dhe profesorë të dy fakulteteve, studentë të arteve e më gjerë Kuratori i ekspozitës prof. asc. dr. Zef Paci historian arti në tekstin e tij kuratorial shprehet se, prirja artistike e autorit, me anë të simbolikës së çuditshme, me copëzimin e peizazhit të mistershëm, lëviz në territorin e surrealizmit. “Në rininë e tij, gjatë kohës së studimeve akademike, por jo falë tyne, ai asht ndeshë me të e asht ndi i joshun prej tij. Figurativiteti surrealist mund të ketë marrë një shtysë fillestare edhe në reagimin kundërshtues ndaj imponimit të kahut të akademisë, një divergjencë, jo aq e pazakontë në fushën e shkollimit artistik.
Në atë mjedis shkollor ku mbizotnonte tradita abstrakte, studenti-artist ose e përqafon, ose e refuzon dhe zgjedh një rrymë figurative që asht po aq “radikale”. E surrealizmi, në këtë kuptim, bahet për të një formë kundërshtie e rebelimi, dhe një gjuhë për të rifitue imagjinatën vetjake”, shprehet ai ndër të tjera. Prof. asc. dr. Zef Paci më tej thotë se pikturat e Agron Bytyçit, teksa përcjellin një atmosferë të fortë psikologjike, ku qeniet shndërrohen në simbolet e krizave të mbrendshme të njeriut bashkëkohor, përbajnë një alegori moderne të ankthit social. “Aty gjejmë njeriun e shpërbamë që kërkon kuptimin tue ndërthurë introspeksion e pasiguri mbi identitetin, në një botë të bame copash.
Aty ndjehet pësimi i situatave, vuejtja e pamundësisë e jo moralizimi mbi ta, prandaj ai i çon ato simbolikisht në qiell para syve të dikuj. Andrrat nuk janë gjithmonë teatrale por na kujtojnë për aktrimin e ritet e jetës. Figurat e njerëzve nuk janë realiste por bartëse idesh. Për autorin peshon ma randë realiteti psikologjik se ai fizik. Ndoshta, me këto piktura, aludohet se ende gjendena në një andërr e, kur të çohena, asht shpresa se jeta ka me qenë ndryshe”, vijon kuratori. Ekspozita “Komunikim” me piktura vijon dhe për disa ditë për publikun. Ajo do të qëndrojë në galerinë FAB pranë Universitetit të Arteve në Tiranë deri më datë 22 dhjetor.
Tag: ekspozita
-

Fakulteti i Arteve të Bukura në Tiranë dhe Fakulteti i Arteve në Prishtinë me një seri ekspozitash, e para është…
-

Në ferrin komunist, ekspozita e fotografit koreano-gjerman në Universitetin e Korçës
Fotografi dhe portrete të ish-të burgosurve dhe të internuarve politikë të fiksuara nga objektivi i fotografit koreano-gjerman Dong Ha Choe, janë sjellë në një ekspozitë në Universitetin e Korçës si një rrëfim i atyre që jetuan ferrin e komunizmit.
Imazhet e njerëzve që mbajnë mbi supe vuajtjet e viteve të internimit dhe burgut, duke reflektuar qëndresën dhe guximin e tyre vijnë si një thirrje për ruajtjen e kujtesës historike
Rrëfimet personale i sjellin një dimension më njerëzor ekspozitës duke treguar se pas çdo imazhi qëndron një brutalitet dhe absurd i përjetuar nga e gjithë familja.
Ekspozita erdhi si një thirrje drejtuar të rinjve për të kuptuar rëndësinë e kujtesës historike dhe vlerave të lirisë.Top Channel
-

Zhvillohet në Makao ekspozita mbi makinat dhe elektronikën e inteligjencës artificiale
Ekspozita Globale e Makinave dhe Elektronikës së Inteligjencës Artificiale (AIE) 2025 po zhvillohet në Rajonin Administrativ Special të Makaos (SAR) të Kinës, duke u përqendruar në bashkëpunimin midis Zonës së Madhe të Gjirit Guangdong-Hong Kong-Makao dhe mundësitë globale, shkruan “Xinhua”.
Ekspozita, e mbajtur njëkohësisht në Makao dhe Zhuhai, provinca Guangdong e Kinës Jugore, paraqet mbi 1000 kompani nga tregjet vendase dhe të huaja, duke tërhequr blerës nga më shumë se 30 vende dhe rajone, sipas organizatorit të eventit.
Pavijoni i Inovacionit dhe Teknologjisë së Makaos bashkon mbi 50 kompani me bazë në Makao dhe katër universitete, duke shfaqur arritjet e kërkimit dhe industrializimit në fusha të tilla si inteligjenca artificiale, kujdesi shëndetësor inteligjent dhe interneti i gjërave.Wang Ning, president i Dhomës së Tregtisë së Elektronikës së Kinës, organizator i ekspozitës, deklaroi se AIE pritet të jetë një platformë globale shkëmbimi për produktet elektronike dhe prodhimin inteligjent, duke u lejuar pjesëmarrësve të integrohen në zinxhirin global industrial dhe duke promovuar bashkëpunimin ndërkombëtar.
-

Idriz Balani: “Gjurmët” me veprat e 50 autorëve, po rikthehet tradita e ekspozitës së fundviti
Nga Julia Vrapi
Piktura, skulptura dhe arti multimedial këtë dhjetor te “Gjurmët”. Ekspozita pasuron dhe kalendarin kulturor të qytetit të Durrësit, ndërsa prezanton një krijimtari të 50 autorëve. Ekspozita “Gjurmët” në galerinë e artit “Nikolet Vasia”, një ngjarje që sjell në një hapësirë artistë të talentuar. Ky edicion prezanton punët e 50 krijuesve, dhe përmban punë nga fondi i galerisë “Nikolet Vasia” dhe artistë bashkëkohorë të qytetit, të cilët sollën interpretime unike përmes pikturës, skulpturës dhe artit multimedial. Skulptori i njohur Idriz Balani merr pjesë në këtë ekspozitë me një bocet për “Artistin e Popullit” Nikolin Xhoja në rolin e Xha Beqos, nga filmi “Kapedani”. Pjesëmarrës në këtë ekspozitë, skulptori Balani e vlerëson zhvillimin e saj, duke sjellë në vëmendje se “Gjurmët” me punët e 50 krijuesve u hap në kudër të festave të nëntorit në Durrës. “Është një aktivitet i iniciuar nga galeria e arteve pamore “Nikolet Vasia”. Janë paraqitur me veprat e tyre 50 autorë, nga të cilët 15 artistë me veprat e tyre janë nga fondi i galerisë dhe 35 janë autorë të karrierës dhe të rinj. Ekspozita u hap në kuadër të festave të nëntorit. Tematika e ekspozitës “Gjurmët” është lirë, koncepte e teknika të ndryshme dhe vepra me nivel”, shprehet skulptori Idriz Balani. Ekspozita “Gjurmët” tashmë duket se është bërë një traditë e bukur, ku në këtë ekspozitë secili autor prezantohet me një punë. Por skulptori Idriz Balani thotë se përgjatë gjithë këtij muaji publiku mund të njihet me veprat që janë ekspozuar. “ Kjo ekspozitë është edicioni i parë i iniciuar nga institucioni i galerisë dhe që mendohet se do të jetë i përvitshëm, sepse po rikthehet tradita e ekspozitës së fundviti, ku marrin pjesë sipas dëshirës të gjithë autorët durrsakë. Janë hapur këto vitet e fundit tre herë, organizuar nga Klubi dhe Shtëpia e Shkrimtarëve e Artistëve të Qytetit”, tregon skulptori Balani. Idriz Balani një nga skulptorët e vlerësuar në vend i njohur për krijimet e tij, që lidhin traditën me frymën bashkëkohore. Veprat e tij, reflektojnë sensin e thellë artistik, stilin unik dhe aftësinë për të transmetuar emocione, duke e vendosur emrin e tij në radhët e artistëve të rëndësishëm të skulpturës shqiptare. Një nga artistët që ka prezantuar krijimtarinë e tij brenda Shqipërisë, por dhe jashtë, skulptori Idriz Balani e prezanton për herë të parë bocetin për artistin Nikolin Xhoja në rolin e Xha Beqos, nga filmi “Kapedani”, një punë e krijuar gjatë këtij viti.
“Gjurmët” në galeri
Ekspozita “Gjurmët” një ngjarje që tashmë është bërë traditë vjetore për qytetin, ku çdo vepër tregon një perspektivë unike, duke reflektuar përvojat, emocionet dhe idetë e artistëve të qytetit. “Gjurmët” nuk është vetëm një ekspozitë, por edhe një hapësirë për dialog midis artistëve dhe publikut, ku shikuesi mund të ndjejë energjinë krijuese dhe të përjetojë artin në çdo detaj. Ekspozita “Gjurmët” që u hap në galerinë e Durrësit është në vijim dhe të atyre më parë që janë hapur për publikun. Në galerinë e arteve figurative “Nikolet Vasia” në Durrës më parë u çel ekspozita më e re e piktorit Arben Kristani, “Gjurmë Penelatash”. Galeria në Durrës u hap këtë vit, pasi më parë iu nënshtrua një procesi rikonstruksioni. -

Festivali Ndërkombëtar i Posterit “Prishtina 2025” me temën “Demokracia”, ekspozita çelet në galerinë FAB
Pjesëmarrja qytetare, liria e medias, korrupsioni, përkatësia, kujtesa dhe shpresa në punët e Festivalit Ndërkombëtar të Posterit “Prishtina 2025”, që këtë vit zhvillohet nën temën “Demokracia”. Këto ditë ekspozita në kuadër të këtij festivali u çel në galerinë FAB në Tiranë.
Edicioni i këtij viti e kthen festivalin në një platformë reflektimi vizual mbi mënyrën se si demokracia jetohet, sfidohet dhe riformësohet sot, sidomos në Ballkanin Perëndimor, ku tranzicioni politik, kujtesa kolektive dhe aspiratat europiane vazhdojnë të ndikojnë realitetin shoqëror. Ekspozita me kuratore prof. Rikke Hansen në galerinë FAB në Universitetin e Arteve në Tiranë prezanton punime nga artistë, dizajnerë, studentë dhe aktivistë nga mbarë bota, të cilët përmes gjuhës së posterit adresojnë çështje si pjesëmarrja qytetare, liria e medias, korrupsioni, përkatësia, kujtesa dhe shpresa. “Këto postera ndërtojnë një portret të një rajoni në dialog të vazhdueshëm me vetveten dhe me botën, duke ekspozuar sfidat, por edhe energjinë transformuese të demokracisë. Në një kohë kur vlerat demokratike janë nën presion global, “Prishtina 2025” e vendos posterin si medium të mendimit kritik, rezistencës vizuale dhe angazhimit qytetar”, thuhet në njoftimin rrethe kësaj ekspozite.
Përmes kësaj ekspozite që u hap në galerinë FAB, arti rifiton rolin e tij publik: të pyesë, të kujtojë dhe të imagjinojë. Ekspozita që u hap këtë dhjetor në këtë galeri është në vijim dhe të tjerave që hapen përgjatë vitit në mjediset e saj. Pak ditë më parë në këtë galeri u hap dhe ekspozita e grupimit të artistëve “Nëntori”. -

“Helmimet në Kosovë : 1990-1992”, ekspozita e IKKL-së në BKK
Pas organizimit të Forumit Zá n’Kujtesë ditë më parë, me temën “Helmimet në Kosovë 1990-1992”, rezultat i bashkëpunimit ndërmjet IKKL-së dhe MAShTI-t, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” po qëndron e hapur ekspozita me dokumente origjinale, fotografi, raportime ndërkombëtare dhe dëshmi që vërtetojnë helmimet masive të mijëra nxënësve shqiptarë në vitet ’90, një prej kapitujve më të dhimbshëm të historisë sonë moderne.
Gjatë këtyre ditëve ekspozita është vizituar nga studiues vendorë dhe ndërkombëtarë, studentë dhe përfaqësues nga vende si Italia, Turqia, Portugalia e të tjera. Vizitorët janë informuar nga zyrtarët e IKKL-së rreth kësaj ngjarjeje dhe misionit të institutit për dokumentimin dhe ruajtjen e të vërtetës historike.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 5 dhjetor 2025.
ObserverKult
Lexo edhe:
2.1 MILIONË EURO PËR RESTAURIMET E DY XHAMIVE NË PRISHTINË E FERIZAJ
-

Ekspozita kontemporane/ Tirana hap edicionin e dytë të “Art Weekend” me 80 artistë nga rajoni dhe bota
Tirana Art Weekend 2025 çeli edicionin e dytë me një program të gjerë ekspozitash dhe aktivitetesh nga artistët bashkëkohor të artit pamor.
Ky event që zgjat deri në 30 nëntor përfshin 33 ekspozita dhe aktivitete me 80 artistë nga Shqipëria, Kosova dhe bota.
“Ky rrjet i gjerë përfshin institucione të pavarura, organizata me histori të ndryshme të cilat krijojnë një pamje të qartë të skenës artistike të artit bashkëkohor. Qendra e këtij edicioni është instituti i integrimit të ish të përndjekurve politikë, një hapësirë e ngarkuar me histori, e cila për herë të dytë mirëpret këto iniciativa, që nuk janë të përhershme në Tiranë”, është shprehu drejtor i Albanian Visual Arts Network, Elian Stefa.
Në godinën e ish të përndjekurve, ekspozita e 19 artistëve, e kuruar nga Arnold Braho është një rrugëtim përmes veprave që trajtojnë fëmijërinë, diasporën dhe kujtesën.
“Ekspozita quhet ‘Rivënia në skenë e një fabule’. Kjo është dhoma e parë, ku paraqita punën e Xhenfize Kekos, regjisores së njohur, te filmat e së cilës kishte një lloj lirie, pavarësisht ideologjisë së kohës. Zgjodha ‘Kur po xhirohej një film’ për publikun”, tha kuratori Arnold Braho.
Në një ambient tjetër, gjembaçët ngrihen mbi mure e dysheme, teksa disa objekte të vjetra ngjallin kureshtjen e vizitorëve.
“Ekspozita përfaqëson shumë gjenerata të ndryshme artistësh. Ky është një instalacion specifik, shumë personal e autobiografik, aq sa disa element vijnë nga dhoma e gjumit e autorit. Madje këto bimë vijnë nga fshati i tij, i ka mbledhur nëpër male”, tha Braho.
Nostalgji dhe përzierje emocionesh ngjallin këto krijime kontemporane, që nisin me kujtimet e fëmijërisë.
“Kjo dhomë është e fundit në këtë vend, në këtë hapësirë. Dhe këtu kemi paraqitur tre artistë. Kemi këto poezi që flasin për transformimin e qytetit. Janë edhe këto rosat, që duket sikur janë qëlluar. Ato vijnë nga një imazh, një foto e peshqirit të fëmijërisë, pra, kemi imazhe që vijnë nga e kaluara, ashtu si këto video të bëra në vitet ’90”, tha kuratori.
Art Dixhital, ekspozita, instalacione, performancë, shfaqje dhe diskutime, për tre ditë, Tirana do të jetë qendra e artit bashkëkohor me aktivitete në disa isntitucione kulturore.Top Channel
-

Java Kulturore Shqipëri-Kosovë, ekspozita, dokumentarë e koncerte deri më 5 dhjetor
Java Kulturore Kombëtare mes Shqipërisë dhe Kosovës ka nisur javën e kaluar në Tiranë, duke sjellë një sërë aktivitetesh artistike, historike dhe folklorike.
Programi, që zgjat nga data 21 deri më 5 dhjetor, përfshin ekspozita, koncerte, diskutime dhe prezantime dokumentare që tregojnë trashëgiminë kulturore të dy vendeve.
Këto aktivitete e shndërrojnë Shqipërinë në qendrën e artit, kulturës dhe traditës.
Koncerte, ekspozita frymëzuese, dokumentarë, valle popullore dhe performanca që ndërthurin traditën me modernitetin vjen si një festë e bashkëpunimit kulturor mes dy vendeve tona.
Java Kulturore Kombëtare do të gjallërojë jetën artistiko-kulturore në disa nga qytetet e vendit, me shfaqje teatrore, koncerte, ekspozita, forume, performanca dhe iniciativa që synojnë të nxjerrin në pah lidhjet e forta mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë, Java Kulturore Kombëtare nisi me edicionin e parë të projektit Next Generation, më 21-22 nëntor në Bajram Curri në Tropojë, ku qyteti kthehet në një skenë të gjallë arti, krijimtarie dhe diplomacie kulturore.
Next Generation synon të krijojë një hapësirë të përbashkët për artistët dhe të rinjtë nga Shqipëria dhe Kosova. Programi dyditor solli forume, performanca, punëtori, ekspozita dhe aktivitete interaktive nga fusha e kinematografisë, muzikës, artit vizual, food design dhe trashëgimisë kulturore, me emra si Oda Haliti dhe Shpat Deda.
Në Teatrin “Metropol” në Tiranë, në datat 21, 22 dhe 23, u dha shfaqja “Komisar Daltoniko në Teatër”, një vepër në nder të Naun Shundit, me tekst të Giuseppe Della Misericordia dhe interpretim të aktorit Bujar Asqeriu.
Ndërsa në Qendrën “Sotir Kolea”, hapet ekspozita dokumentare “Nga lufta në liri: Çlirimi i Kosovës në dokumente, kujtime dhe media”, e cila përmbledh materiale historike, artikuj, libra, kujtime, fotografi, artefakte dhe një dokumentar kronologjik, si dhe parashikon nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi mes bibliotekave kombëtare të Shqipërisë dhe Kosovës.
Ndërkohë nga data 21–28 nëntor, në Kalanë e Gjirokastrës hapet ekspozita “Prezantimi i Restaurimit të Aseteve të Trashëgimisë Kulturore në Rajonin e Prizrenit dhe Gjilanit”, e cila shfaq ndërhyrjet dhe arritjet e Ministrisë së Kulturës së Kosovës në restaurimin e monumenteve të këtyre zonave.
Paralelisht, më 22 nëntor, në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit u mbajt koncerti, “Zëri i Shpirtit Tim”, nën drejtimin e Sonila Babocit.
Më 26 nëntor, në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit në Tiranë shfaqet dokumentari “117” (1976), me regji të Besim Sahatçiut dhe fotografi të Afrim Spahiut, një vepër që paraqet jetën e një familjeje me 117 anëtarë në një kullë në Nivokaz. Po në këtë ditë do të festohet edhe 63-vjetori i Teatrit “Petro Marko”.
Më 27 nëntor, në TKOBAP zhvillohet koncerti simfonik “Nëntori i dytë – Muzika e filmave shqiptar”, nën drejtimin e Gridi Krajës, me Orkestrën Simfonike të RTSH-së, Orkestrën Simfonike të TKOBAP-së dhe Korin e TKOBAP.
Nga 27 deri më 30 nëntor mbahet edicioni i dytë i Tirana Art Weekend, me pjesëmarrjen e artistëve dhe kolektiveve që vazhdojnë të formësojnë skenën e artit bashkëkohor shqiptar.
Më 28 nëntor, teatri “Petro Marko” në Vlorë sjell shfaqjen “Shqipëri nëna ime”, në një program me këngë dhe valle popullore për nder të Festës së Pavarësisë. Po atë ditë, në sheshin “Tri Racat”, mbahet koncerti “Rinia në zemër të Vlorës”, me muzikë patriotike, valle tradicionale, polifoni, aktivitete rinore dhe konkurse artistike nga shkollat profesionale, ndërsa Teatri “Petro Marko” pret një performancë festive nga Cirku Kombëtar. Aktiviteti “Shqiptaria feston në Vlorë” është një tjetër aktivitet që do të zhvillohet më 28 nëntor tek sheshi para stadiumit.
Më 30 nëntor do të zhvillohet koncerti festiv që bashkon Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë, në një program të përzgjedhur me këngë dhe valle tradicionale. Paralelisht Khrais Tërshana prezanton edicionin e parë të Crit Club në Tiranë, një format performancë-debate i krijuar nga artisti Cem A.
Më 1 dhjetor, në TKOBAP jepet shfaqja “Martesa” me regji të Norbert Rakowskit dhe me aktorët Armend Smajli, Shkëlzen Veseli, Ylber Bardhi, Mensur Safqiu, Sheqerie Buçaj, Era Balaj dhe Adhurim Demi.
Më 2 dhjetor, në Qendrën Kulturore të Korçës prezantohet fotodokumentari “Kosovarja” i artistit Afrim Hajrullahu, një cikël fotografish nga vitet ’90 që dokumenton rolin thelbësor të grave të Kosovës gjatë periudhës së dhunës dhe rezistencës, me foto të realizuara në Has, Pejë dhe Prishtinë.
Më 4 dhjetor, në Akademinë e Shkencave, salla “Aleks Buda”, promovohet libri i Rafet Rudit.
Java Kulturore Kombëtare mbyllet mbrëmjen e 5 dhjetorit, në hollin e TKOBAP, me koncertin e grupit vokal “Zanat”, me interpretimet e Elonë Sadikut (soprano), Elida Kryeziut (soprano), Diellza Sylejmanit (mexosoprano), Albana Piperkut (alto) dhe Arstina Kelmendit (alto), të shoqëruara nga Pranvera Hoxha në piano dhe Patris Berisha në perkusion.
ObserverKult
Lexo edhe:
19 FILMA IKONË TË ISH-KINOSTUDIOS “SHQIPËRIA E RE” TË RESTAURUARA NË 4K (VIDEO)
-

Ekspozita “Koleksioni i Biblave” me bibla të rralla dhe 452 materiale me karakter biblik, të shtypura nga shekulli…
Nga Julia Vrapi
Bibla të rralla, që nga shekulli i 15-të do të shfaqen për herë të parë për publikun në Tiranë. Ekspozita “Koleksioni i Biblave” në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, një udhëtim unik në botën e librave të shenjtë dhe dorëshkrimeve që kanë shënuar shekuj kulture. Në këtë ekspozitë që hapet sot shfaqen për publikun rreth 100 bibla të rralla dhe 452 materiale me karakter biblik, të shtypura nga shekulli XV-XIX në Itali, Francë, Gjermani, Holandë, Greqi e më gjerë, së bashku me dorëshkrime dhe përkthime historike nga Buzuku, Budi, Bogdani, Kristoforidhi, Qiriazi, Fan Noli e Dom Simon Filipaj. Ekspozita është në bashkëpunim edhe me Institutin Italian të Kulturës, që shprehet se “Koleksioni i Biblave” i sjell publikut një pasuri të trashëguar ndër shekuj.
“Bëhet fjalë për një numër mjaft të madh biblash, disa syresh mjaft të rralla, të shtypura në Itali, Francë, Gjermani, Holandë, Greqi, etj gjatë një periudhe që shkon nga mesi i shekullit XV deri në atë të XIX. Krahas tyre jo pak dorëshkrime që përmbajnë po ashtu pjesë nga Shkrimet e Shenjta”, thuhet rreth ekspozitës. Ekspozita që hapet sot në Bibliotekën Kombëtare ndahet në dy pjesë. Pjesa e dytë e ekspozitës i kushtohet historikut të përkthimit të Shkrimeve të Shenjta në shqip. Në materialin në faqen e Institutit Italian thuhet se ajo nis me librat e Buzukut, Bogdanit dhe Budit, dëshmitë e para të shqipes së shkruar, në të cilat gjen të përkthyera në shqip pjesë nga Bibla.
Më tej vazhdohet me përpjekjet e dekadave të para të shekullit të XIX për ta sjellë Biblën në shqip falë punës së madhe të bërë nga Shoqëria Biblike Angleze, nëpërmjet një sërë figurash të shquara të emancipimit tonë kombëtar, si Vangjel Meksi, Konstandin Kristoforidhi, Gjerasim Qiriazi, për të vazhduar më tej në kohë me Fan Nolin, apo përkthime si ai i Dom Simon Filipajt etj. Ekspozita që do të hapet sot do të vijojë deri më datën 5 dhjetor në mjediset e Bibliotekës Kombëtare.
Ekspozita në vijim të aktiviteteve
Ekspozita “Koleksioni i Biblave” që hapet sot për publikun zë një vend të veçantë në vijim të ekspozitave të organizuara nga Biblioteka Kombëtare kohët e fundit, për t’i bërë të njohur publikut thesaret pak të njohura që gjenden në fondet e saj. Herë pas here pranë Bibliotekës Kombëtare hapen ekspozita të ndryshme, që kanë sjellë jo pak vizitorë. E tillë ishte dhe ekspozita “Koleksionet Veneciane në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë” që u çel më parë nga Biblioteka Kombëtare në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës. Kjo ekspozitë ishte dhe një ndër më të mëdhatë e më të rëndësishmet organizuar nga Biblioteka Kombëtare dhe që ndahej në disa seksione.
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, si institucion i parë shtetëror, publik e laik, mban për datë të themelimit të saj 10 korrikun 1920. Si bërthamë e saj shërbeu fondi i bibliotekës së “Komisisë Letrare Shqipe”, organizëm i përbashkët shqiptaro-austriak, krijuar në qytetin e Shkodrës në vitin 1917 në kontingjencat e njohura të Luftës së parë botërore. Më 1920 ky fond u vendos në Ministrinë e Arsimit, Tiranë. Mbas vitit 1920 u bënë përpjekje për pasurimin e këtij fondi, si dhe për riorganizimin e bibliotekës si institucion kombëtar. Në momentin e përurimit si BKSH, 1922, ajo kishte rreth 6.000 vëllime. Mbarimi i Luftës së dytë botërore e gjeti BKSh me një koleksion prej 15.000 vëllimesh. Koleksionet me karakter albanologjik u rritën kryesisht si rezultat i konfiskimit të disa librarive dhe bibliotekave private të personaliteteve të kulturës. Në fund të vitit 1947 fondi i saj numëronte rreth 100.000 vëllime. Nga institucion në varësi të Institutit të Shkencave, në vitin 1959 BKSH kaloi në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës. Në vitin 1966 ajo u zhvendos në një pjesë të ndërtesës së re të Pallatit të Kulturës, ku gjendet dhe sot.
-

Ja cila është tema e ‘Met Gala 2026’
Met Gala kthehet të hënën, më 4 maj 2026. E njohur zyrtarisht si Costume Institute Benefit, Met Gala është një ngjarje vjetore për mbledhjen e fondeve për Institutin e Kostumeve të Muzeut Metropolitan të Artit, e cila shënon gjithashtu hapjen e ekspozitës së tij pranverore. Ekspozita do të hapet për publikun më 10 maj 2026 dhe do të zgjasë deri më 10 janar 2027, në Galeritë Condé M. Nast të sapoinauguruara, një hapësirë e përhershme prej gati 12,000 metra katrorë ngjitur me Sallën e Madhe. Sponsorët për ekspozitën e këtij viti përfshijnë Saint Laurent, Condé Nast, dhe Jeff Bezos dhe Lauren Sánchez Bezos.
Cila është tema e Met Gala 2026?
Ekspozita e Institutit të Kostumeve për vitin 2026 titullohet “ Arti i Kostumeve” dhe eksploron një ide qendrore: se si trupi i veshur shfaqet kudo në koleksionin e Met, pavarësisht se në cilën galeri ndodheni.
Ekspozita kombinon pothuajse 200 vepra arti – skulptura, piktura dhe objekte që shtrihen nga parahistoria deri në ditët e sotme – me rreth 200 veshje dhe aksesorë. Shfaqja është e organizuar në tre kategori: trupa të kudondodhur në art (si forma nudo), trupa shpesh të anashkaluar (shtatzëna, të plakura ose me aftësi të kufizuara) dhe trupa universalë (siç janë përfaqësimet anatomike).
Manekinët do të kenë fytyra me pasqyra të dizajnuara nga artisti Samar Hejazi, duke u lejuar shikuesve të shohin reflektimet e tyre dhe të imagjinojnë veten të veshur me rrobat, e cila ishte një zgjedhje e qëllimshme nga kuratori Andrew Bolton për të “lehtësuar empatinë dhe dhembshurinë” midis shikuesit dhe veshjeve, tha ai për revistën W.
Cili do të jetë kodi i veshjes?
Kodi zyrtar i veshjes nuk është njoftuar ende. Bolton vëren se, ndërsa ekspozita e vitit të kaluar ishte Superfine: Tailoring Black Style , kodi i veshjes ishte Tailored for You, duke u dhënë mysafirëve udhëzime më specifike për veshjet e tyre. Kodi i veshjes zakonisht nuk zbulohet deri më afër ngjarjes, megjithëse duke pasur parasysh fokusin e temës në marrëdhënien midis veshjeve dhe trupit, pritet që pjesëmarrësit të përqafojnë dizajne të ndërgjegjshme për trupin, silueta skulpturale dhe ndoshta veshje transparente ose “të zhveshura” që theksojnë formën. Dizajnet e Saint Laurent ka të ngjarë të jenë të njohura në tapetin e kuq duke pasur parasysh sponsorizimin e markës.
Kur është Met Gala 2026?
Eventi zhvillohet gjithmonë të hënën e parë të majit. Këtë vit, kjo është 4 maji.