Tag: chikungunya

  • Numër rekord rastesh të sëmundjeve të transmetuara nga mushkonjat në Evropë

    Numër rekord rastesh të sëmundjeve të transmetuara nga mushkonjat në Evropë

    Evropa po përballet me një rritje të paprecedent të rasteve të sëmundjeve të transmetuara nga mushkonjat këtë vit, përfshirë ethet chikungunya dhe virusin e Nilit Perëndimor, duke krijuar një “normalitet të ri” për shkak të ndryshimeve klimatike, njoftoi sot Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).

    Agjencia tha se sezonet e mushkonjave po zgjasin dhe intensifikohen, për shkak të faktorëve klimatikë si temperaturat më të larta, verat më të gjata, dimrat më të butë dhe ndryshimet në reshje, duke krijuar një mjedis të favorshëm për përhapjen e viruseve.

    Drejtoresha e ECDC, Pamela Randi-Wagner, theksoi se Evropa po hyn në një fazë ku transmetimi i sëmundjeve nga mushkonjat bëhet më i gjatë, më i përhapur dhe më intensiv, duke u bërë një realitet i përhershëm.

    Mushkonja që transmeton virusin chikungunya tani ndodhet në 16 vende evropiane dhe 369 rajone, nga 114 rajone sa ishin një dekadë më parë. Evropa ka regjistruar deri më tani 27 raste të chikungunya për vitin 2025, një rekord i ri për kontinentin.

    Nga 1 janari deri më 13 gusht, tetë vende evropiane raportuan 335 raste të transmetimit lokal të virusit të Nilit Perëndimor, me 19 vdekje, ndërsa Italia mbetet vendi më i prekur me 274 infeksione.

    ECDC paralajmëron se rreziku për popullsinë europiane do të rritet dhe thekson rëndësinë e masave parandaluese, si iniciativat publike të koordinuara dhe mbrojtja personale.

    Agjencia i bën thirrje banorëve të rajoneve të prekura të përdorin repelentë, të veshin rroba me mëngë të gjata dhe të instalojnë rrjeta kundër mushkonjave për të reduktuar rrezikun e pickimeve.

    Ky trend i ri i sëmundjeve të transmetuara nga mushkonjat lidhet drejtpërdrejt me ndryshimet klimatike, duke nënvizuar nevojën për ndërhyrje të shpejta dhe masive në nivel evropian.

  • Mbi 240 mijë raste me dhjetëra viktima, çfarë është virusi Chikungunya

    Mbi 240 mijë raste me dhjetëra viktima, çfarë është virusi Chikungunya

    Zyrtarët shëndetësorë në SHBA po i bëjnë thirrje udhëtarëve të jenë vigjilentë përballë përhapjes së vazhdueshme të një virusi të transmetuar nga mushkonjat, i cili po qarkullon në disa pjesë të Azisë, Afrikës, Europës, Amerikës Latine dhe rajonit të Oqeanit Indian.
    Sipas Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), që nga fillimi i vitit 2025 janë raportuar rreth 240 mijë raste infektimi me virusin chikungunya dhe 90 viktima në 16 shtete. Në Kinë, shpërthimi ka prekur afërsisht 7 mijë persona që nga fundi i qershorit, shumica e të cilëve në qytetin Foshan në provincën Guangdong, në veri të Hong Kongut. Ky është shpërthimi më i madh në Kinë që prej identifikimit të parë të virusit në këtë vend në vitin 2008.
    Çfarë është virusi chikungunya?
    Chikungunya është një sëmundje virale që transmetohet përmes pickimit të mushkonjave të infektuara të llojit Aedes aegypti, të cilat shpërndajnë gjithashtu dengue, ethët e verdha dhe virusin Zika. Emri “chikungunya” vjen nga gjuha Kimakonde (Tanzani dhe Mozambik) dhe do të thotë “të përkulur nga dhimbja”.
    Në shumicën e rasteve, pacientët përmirësohen brenda një jave, por dhimbjet e kyçeve mund të zgjasin me muaj apo edhe vite. Nuk ka kurë për këtë virus, por vdekjet janë të rralla. Më të rrezikuar janë të sapolindurit, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike si sëmundjet e zemrës apo diabeti.

    Sa serioze është përhapja aktuale?
    Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), rritja e rasteve nisi në fillim të vitit 2025, veçanërisht në Ishujt e Oqeanit Indian si La Reunion, Mayotte dhe Mauritius. Vetëm në La Reunion janë raportuar mbi 47 mijë e 500 raste dhe 12 vdekje deri në maj, ndërsa ECDC e çon numrin në mbi 54 mijë raste deri më 18 korrik. Ky është shpërthimi më i rëndë në ishull që nga epidemia e viteve 2005–2006.
    Virusi është përhapur gjithashtu në Madagaskar, Somali, Kenia dhe pjesë të Azisë Juglindore, përfshirë Indinë, ku Mumbai ka parë një rritje të ndjeshme të rasteve që nga korriku. Në Europë, OBSH-ja ka shprehur shqetësim për rastet e importuara, kryesisht në Francë.
    Në Amerikë, vendet më të prekura janë Brazili (185 mijë e 553 raste), Bolivia (4 mijë e 721), Argjentina (2 mijë e 836) dhe Peruja (55). Ndërkohë në Kinë, përveç Foshanit, raste janë raportuar në të paktën 12 qytete të tjera në jug të provincës Guangdong.
    Në Hong Kong, më 2 gusht u konfirmua rasti i parë pas gjashtë vitesh: një djalë 12-vjeçar që kishte udhëtuar në Foshan dhe paraqiti ethe, skuqje dhe dhimbje kyçesh.

    Si po përballen Kina dhe vendet e tjera?
    Sipas një raporti të Bloomberg, Kina ka premtuar masa të shpejta dhe vendimtare për të frenuar përhapjen. Përdoren dronë për të identifikuar vatrat e shumimit të mushkonjave, ndërsa lëshohen në natyrë mushkonja të mëdha “elefant”, larvat e të cilave ushqehen me mushkonjat e vogla që transmetojnë virusin.
    Banorëve të zonave të prekura u është kërkuar të eliminojnë çdo grumbull uji të qëndrueshëm rreth banesave të tyre, si në vazo, makina kafeje apo shishe bosh. Mospërmbushja e kësaj kërkese mund të sjellë gjoba deri në 10 mijë juan (rreth 1,400 dollarë), ndërsa në raste më të rënda mund të ketë edhe ndjekje penale.
    Sipas New York Times, disa pacientë në Foshan janë vendosur në “reparte karantine” nën rrjeta kundër mushkonjave. Disa thonë se u është kërkuar të paguajnë vetë trajtimin.
    Ndërkohë, në vende si La Reunion dhe Mayotte janë intensifikuar fushatat e kontrollit të mushkonjave, vëzhgimit të rasteve dhe vaksinimit të synuar. Në Spanjë, rajoni i Baskisë ka aktivizuar protokolle parandaluese pas një rasti të identifikuar në Hendaye, përfshirë mbikëqyrje kufitare dhe raportim përmes aplikacioneve si Mosquito Alert.
    Si mund të parandalohet apo të trajtohet?
    Mënyra më efektive për të shmangur chikungunya është mbrojtja nga pickimi i mushkonjave: Përdorimi i rrobave mbuluese, repelentëve, shmangia e ujërave të qëndrueshme dhe qëndrimi në ambiente të mbyllura ose me rrjeta.
    Nuk ekziston një trajtim i posaçëm për virusin, por pushimi, marrja e lëngjeve dhe ilaçet kundër dhimbjes mund të lehtësojnë simptomat. Sidoqoftë, disa ilaçe si anti-inflamatorët jo-steroidalë (NSAIDs) nuk rekomandohen nëse nuk është përjashtuar dengue, për shkak të rrezikut të shtuar të gjakderdhjes.

  • Alarm në Kinë! Mbi 7,000 të infektuar me virusin ‘chikungunya’, pacientët në spital nën masa të rrepta

    Alarm në Kinë! Mbi 7,000 të infektuar me virusin ‘chikungunya’, pacientët në spital nën masa të rrepta

    Në provincën Guangdong të Kinës janë raportuar mbi 7,000 raste të virusit ‘chikungunya’, i cili transmetohet nga mushkonjat.

    Qyteti Foshan është më i godituri, ku pacientët mbahen në spital nën masa të rrepta, sipas BBC.
    Përveç Foshanit, të paktën 12 qytete të tjera në provincën jugore Guangdong kanë raportuar infeksione.
    Gati 3,000 raste u raportuan vetëm javën e fundit.
    Edhe pse rastet janë të lehta, autoritetet kineze kanë paralajmëruar për kujdes të shtuar.
    Megjithatë, rastet kanë çuar në panik, duke pasur parasysh se virusi nuk është i njohur gjerësisht në vend.
    Ndërkohë SHBA-të u kanë kërkuar udhëtarëve në Kinë të tregojnë “kujdes të shtuar” pas shpërthimit.
    Por çfarë është ‘chikungunya’?
    Shumica e njerëzve të pickuar nga një mushkonjë e infektuar do të zhvillojnë simptoma të ‘chikungunya’ brenda tri deri në shtatë ditësh.
    Përveç etheve dhe dhimbjeve të kyçeve, simptoma të tjera përfshijnë skuqje, dhimbje koke, dhimbje muskujsh dhe ënjtje të kyçeve.
    Në shumicën e rasteve, pacientët do të ndihen më mirë brenda një jave. Megjithatë, në raste të rënda, dhimbja e kyçeve mund të zgjasë për muaj ose edhe vite.
    Ata që janë në rrezik për sëmundje më të rënda përfshijnë të porsalindurit, të moshuarit dhe njerëzit me probleme shëndetësore themelore, të tilla si sëmundjet e zemrës ose diabeti.
    Nuk ka kurë, por vdekjet nga ‘chikungunya’ janë të rralla.
    Virusi u identifikua për herë të parë në Tanzani në vitin 1952. Më pas u përhap në vende të tjera në Afrikën Sub-Sahariane dhe Azinë Juglindore.
    Deri më sot, është raportuar në më shumë se 110 vende.
    Mënyra më e mirë për të parandaluar përhapjen e virusit është “zvogëlimi” i pellgjeve të ujit të ndenjur që lejojnë mushkonjat të shumohen, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

    Top Channel

  • Chikungunya, alarm në Europë/ Epidemi në Francë dhe rast i parë i konfirmuar në Itali, OBSH paralajmëron rrezik global

    Chikungunya, alarm në Europë/ Epidemi në Francë dhe rast i parë i konfirmuar në Itali, OBSH paralajmëron rrezik global

    Virusi Chikungunya po ngjall shqetësim të madh mes autoriteteve shëndetësore europiane. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka lëshuar një alarm global, duke theksuar se mbi 5.6 miliardë njerëz jetojnë në zona potencialisht të rrezikuara.

    Në Francë, midis 1 majit dhe 22 korrikut 2025, janë konfirmuar 800 raste, shumë prej të cilave të transmetuara lokalisht në jug të vendit, pa lidhje me udhëtime në zona tropikale. Por epiqendra e shpërthimit mbetet ishulli La Réunion, në Oqeanin Indian, ku që nga mesi i vitit 2024 janë regjistruar mbi 47.500 raste dhe 12 viktima.

    Edhe Italia nuk ka mbetur jashtë rrezikut. Rasti i parë i konfirmuar këtë vit u shfaq në Bentivoglio (provinca e Bolognës), ku një person u infektua pas një udhëtimi në një vend tropikal. Autoritetet kanë nisur hetimet për një rast të dytë të dyshuar, në të njëjtin lokalitet. Ndërkohë, është aktivizuar Plani Rajonal i Monitorimit të Arbovirozave, që përfshin hetime, gjurmim kontakti dhe dezinfektim brenda një rrezeje prej 300 metrash nga vendet e frekuentuara nga pacienti.

    Çfarë është virusi Chikungunya?  

    Chikungunya transmetohet nga mushnonja tigër (Aedes albopictus), jo nga njeriu te njeriu. Simptomat përfshijnë temperaturë të lartë, dhimbje të forta artikulare, skuqje të lëkurës, dhimbje koke dhe lodhje ekstreme, ngjashëm me ethet e forta.

    Nuk ekziston ende as vaksinë dhe as trajtim antiviral specifik në Europë, ndaj parandalimi është arma më e fortë. Autoritetet rekomandojnë përdorimin e insekticideve, veshje mbuluese, rrjeta kundër insekteve, si dhe eliminimin e ujërave të ndenjura në ambiente shtëpiake.

    Me përhapjen e mushkonjës tigër në të gjithë zonat me klimë të ngrohtë e të lagësht në Europë, rreziku rritet ndjeshëm gjatë verës. Përdorimi i masave parandaluese dhe ndërgjegjësimi qytetar janë thelbësorë për të shmangur një krizë të re shëndetësore në kontinent.

     

  • Përhapet nga mushkonjat, një virus që vjen nga disa ishuj në Oqeanin Indian kërcënon edhe Evropën

    Përhapet nga mushkonjat, një virus që vjen nga disa ishuj në Oqeanin Indian kërcënon edhe Evropën

    Një epidemi e madhe e virusit chikungunya, i cili transmetohet nga mushkonjat dhe mund të shkaktojë simptoma të rënda dhe madje edhe encefalit fatal në raste të rralla, po përhapet në të gjithë Azinë, Afrikën dhe Evropën.

    Franca ka regjistruar tashmë raste të importuara dhe vendase, ndërsa një rast u konfirmua së fundmi në Itali. Përhapja e virusit që filloi në fillim të këtij viti në tre ishuj në Oqeanin Indian kërcënon të arrijë përmasat e epidemisë së madhe të chikungunya që përfshiu botën në vitet 2004-2005 me pothuajse gjysmë milioni raste.

    Si transmetohet? 

    Virusi chikungunya transmetohet nga mushkonjat e gjinisë Aedes, kryesisht “mushkonja tigër” Aedes albopictus dhe i afërmi i tij Aedes aegypti, i cili është përhapur në Qipro, por nuk është zbuluar në pjesën tjetër të Evropës deri më sot.

     

     

    Simptomat dhe trajtimi

    Virusi shkakton temperaturë të lartë, skuqje dhe dhimbje të kyçeve që mund të zgjasin me vite, dhe në disa raste shfaqen simptoma neurologjike si encefaliti ose sindroma Guillain-Barré. Nuk ka trajtim specifik. Masat kryesore parandaluese përfshijnë shmangien e mushkonjave me repelentë insektesh, veshje të gjata, dritare me rrjetë dhe largimin e ujit të ndenjur.

    Dy vaksina kundër virusit chikungunya janë miratuar në disa vende, por deri më tani OBSH-ja nuk ka rekomanduar përdorimin e tyre të gjerë për shkak të mungesës së të dhënave mbi efikasitetin.

  • Alarm nga OBSH: Mushkonjat po përhapin virusin chikungunya! Rrezik për miliarda njerëz në mbarë botën

    Alarm nga OBSH: Mushkonjat po përhapin virusin chikungunya! Rrezik për miliarda njerëz në mbarë botën

    Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) lëshoi një thirrje urgjente për veprim ditën e martë, për të parandaluar një shpërthim të ri global të virusit chikungunya, i cili transmetohet nga mushkonjat dhe shkakton temperaturë të lartë, dhimbje të forta të kyçeve dhe, në disa raste, paaftësi afatgjatë.

    Sipas OBSH-së, rreth 5.6 miliardë njerëz në 119 shtete ndodhen në zona të rrezikuara. Oficerja mjekësore Diana Rojas Alvarez paralajmëroi se “historia po përsëritet”, duke bërë krahasim me epideminë e viteve 2004-2005, kur virusi u përhap globalisht pasi fillimisht preku territore të vogla ishujsh.
    Shpërthimi aktual ka nisur në fillim të vitit 2025, duke përfshirë ishujt e Oqeanit Indian si La Reunion, Mayotte dhe Mauritius, ku në La Reunion tashmë rreth një e treta e popullsisë është infektuar. Virusi është përhapur më tej në Madagaskar, Somali, Kenia dhe po shfaqet me transmetim të gjerë edhe në Indinë dhe Azinë Juglindore.

    OBSH shpreh shqetësim për rritjen e rasteve të importuara dhe transmetimit lokal në Evropë. Në Francën kontinentale janë regjistruar afro 800 raste të importuara që nga 1 maji dhe 12 raste me transmetim lokal, ndërsa një rast është raportuar edhe në Itali.
    Chikungunya përhapet nga mushkonjat Aedes, përfshirë mushkonjën “tigër”, që transmeton edhe viruset dengue dhe Zika. Aktualisht nuk ka trajtim specifik për chikungunya, ndaj OBSH thekson rëndësinë e parandalimit, përmes përdorimit të repelentëve ndaj insekteve, veshjeve mbrojtëse dhe eliminimit të vendeve ku rriten mushkonjat.
    /vizionplus.tv

  • OBSH paralajmëron për përhapjen e virusit ‘chikungunya’ nga mushkonjat

    OBSH paralajmëron për përhapjen e virusit ‘chikungunya’ nga mushkonjat

    Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bëri thirrje urgjente për të parandaluar përsëritjen e një epidemie të virusit ‘chikungunya’, i cili përhapet nga mushkonjat dhe ka përfshirë botën para dy dekadash.

    Shkak për shqetësimin janë shpërthimet e reja në rajonin e Oqeanit Indian, që tashmë po përhapen edhe në Evropë dhe kontinente të tjera.

    Sipas zyrtares së OBSH-së, Diana Rojas Alvarez, rreth 5.6 miliardë njerëz në 119 vende jetojnë në zona ku ekziston rreziku nga ky virus, i cili shkakton ethe, dhimbje të forta në nyje dhe mund të çojë në paaftësi afatgjate.

    “Po shohim përsëritjen e historisë”, tha ajo, duke e krahasuar situatën aktuale me epideminë e viteve 2004-2005, e cila preku afro gjysmë milioni njerëz – kryesisht në territore të vogla ishullore – përpara se të përhapej në gjithë botën.

    Vala e fundit e përhapjes nisi në fillim të vitit 2025, me shpërthime të mëdha në të njëjtat ishuj të Oqeanit Indian që ishin prekur edhe më parë, përfshirë La Reunionin dhe Mauritiusin.

    Alvarez tha se virusi ka prekur tashmë rreth një të tretën e banorëve në La Reunion.

    Përhapja po vazhdon edhe në vende të tjera, si Madagaskari, Somalia dhe Kenia, ndërsa raste të shumta janë shënuar edhe në Indi dhe në pjesë të Azisë Juglindore, sipas saj.

    Një shqetësim i veçantë është edhe rritja e numrit të rasteve të importuara brenda Evropës.

    Që nga 1 maji, në Francë janë regjistruar rreth 800 raste të importuara të virusit ‘chikungunya’, tha Alvarez.

    ‘Chikungunya’, për të cilën nuk ekziston trajtim specifik, mund të shkaktojë shpërthime të shpejta dhe të mëdha.

    Për shkak se mushkonjat pickojnë gjatë ditës, parandalimi është thelbësor, duke përdorur insekticidë dhe veshje me mëngë të gjata, rekomandon OBSH-ja./ REL/