evis berberi
TIRANË- Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka mbyllur hetimet, dhe ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të ish-kreut të ARRSH-së Evis Berberi, i cili është arrestuar prej më shumë se një viti, i dyshuar për abuzime me tenderat e institucionit që ai drejtonte. Beberi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa biznesmeni Valter Begaj akuzohet për korrupsion aktiv, mashtrim me pasoja dhe pastrim parash.
Gentian Gjyli akuzohet për shkelje të barazisë në tendera dy herë në bashkëpunim. Edhe kreu i KESH, Erald Elezi akuzohet për shkelje të barazisë në tendera dy herë në bashkëpunim. Pesë ditë më parë Berberi kërkoi gjykim të shkurtuar, si dhe kthimin e sendeve të sekuestruara, ndërsa sipas tij komunikimet në celularin e tij nuk duhet të merreshin si provë. Berberi u arrestua më 13 Mars 2024 me urdhër të Gjykatës së Posaçme pasi ndaj tij janë ngritur akuzat për pastrim parash dhe korrupsion.
Skema
SPAK ka dyshime se Berberi, fillimisht si Drejtor i Efiçencës së Energjisë ka zhvilluar tre procedura prokurimi me vlerë rreth 1.2 milionë euro që janë fituar nga kompania DAAM që drejtohej nga Valter Begaj, por që defakto sipas SPAK, kompania zotërohej prej Berberit.
Po kështu SPAK dyshon se në kohën që Berberi drejtonte ARSH, e njjëta kompani ka fituar tre tendera të tjerë më vlerë rreth 1 milionë euro.
Hetimet kanë zbuluar se kjo kompani është përdorur për kalimin drejt saj të sasive të mëdha të parave, nga kompania tjetër, “Net Group”, e sipërmarrësit Begaj, përmes transaksioneve të ndryshme.
Paratë e kaluara në favor të kompanisë “Daam”, janë përdorur për të blerë prona të patundshme në emër të kësaj shoqërie. Këto veprime kanë ngritur dyshime për Prokurorët, se gjenden përballë një veprimtarie të pastrimit të parave.
Transaksionet nga “Net Group” drejt shoqërisë “Daam”, në zotërim indirekt nga zoti Berberi, përkojnë, sipas hetimeve, me kohën kur shoqëria “Net Group” rezultoi fituese e disa tenderave të të shpallur nga Agjencia për Efiçencën e energjisë dhe Autoritetit Rrugor, nën drejtimin e zotit Berberi. Bëhet fjalë për prokurime publike me një vlerë totale prej mbi 2.7 milion euro me tvsh./ZËRI









