Adriatik BALLA
Në Itali luan kontigjenti kryesor i ekipit tonë kombëtar dhe janë realisht bërthama e lojtarëve më cilësorë të grupit kuqezi. Aty luan Gjimshiti, Ismajli, Hysaj, Asllani, Ramadani e ndonjë tjetër, të cilët përbëjnë bazën e ekipit përfaqësues dhe kontigjentin ku ka varur shpresat për kualifikimin në Botëror trajneri brazilian i Kombëtares, Silvinjo. Ditën e djeshme një pjesë e këtyre lojtarëve zbritën në fushë por si kundërshtarë mes tyre. Leçe u përball me Torinon dhe në mesfushë dy kuqezinj, Medon Berisha i Leçes dhe Kristjan Asllani i Torinos, duel që u fitua nga Berisha.
Paraqitja e Berishës
Shqiptari Medon Berisha vijon të jetë një nga protagonistët kryesorë të Leçes në Serie A. Në takimin kundër Torinos, mesfushori i Kombëtares u bë protagonist me dy asiste në dy minuta. Në minutën e 20-të, nga një këndore, Berisha krosoi në zonë dhe Coulibaly goditi saktë me kokë për ta dërguar topin në rrjetë. Pas dy minutash, Berisha lëvizi bukur drejt zonës dhe me një pasë të saktë, nxori bosh Banda-n, i cili me portën e boshatisur nuk mund të gabonte. Kështu 22-vjeçari shkon në kuotën e 3 asisteve në kampionat, ndërsa numëron edhe dy gola, teksa kujtojmë që Berisha nuk mori asnjë minutë nga Silvinjo në dy ndeshjet e nëntorit.
Sjellja në fushë, episode dhe rezultati
Mesfushori Medon Berisha vijon, pra, të shkëlqejë në Seria A. Dje ia doli të asistojë dy golat, që i dhanë Leçes fitoren 2:1 ndaj Torinos. Berisha mori edhe çmimin e tretë për këtë edicion si lojtari më i mirë i ndeshjes. Mesfushori i Kombëtares vendosi të veçojë portierin Falkone te Leçe, që i prishi punë Kristjan Asllanit duke pritur penalltinë. Ky i fundit gaboi nga pika e bardhë në minutën e 91-të. “Është një ndeshje shumë e rëndësishme. E merituam. Është një fitore shumë e rëndësishme. Sa deçiziv ishte Falkone? Shumë. Duhet ta falenderoj atë, ai shpëtoi javën tonë. Kualiteti në mesfushë? Kontribuova për skuadrën, por Kulibali dhe Ramadani gjithashtu ndihmuan”, u shpreh Berisha pas ndeshjes.
Krahasimi me Asllanin dhe notat
Një duel që padyshim u fitua nga Berisha që me dy asiste i dha mundësinë Lecces për të fituar ndeshjen, ndërsa në krahun tjetër, Kristjan Asllani kishte në dorë shansin që të ndihmonte Torinon të evitonte humbjen me një penallti, por mesfushori kuqezi nuk u tregua i saktë nga pika e bardhë dhe sfida u fitua nga Leçe. Përfundimit të ndeshjes portali i specializuar ‘Sofascore’ publikoi vlerësimet për futbollistët e të dyja skuadrave. Medon Berisha ishte futbollisti që kishte notën më të lartë në fushën e lojës për të dyja skuadrat teksa Sofascore i kishte vënë notën 8.8. Përsa i përket mesfushorit të Torinos, Kristjan Asllani që humbi penalltinë, u vlerësua me notën 6.2, ndërkohë që lojtari me notën më të lartë te Torino ishte mbrojtësi Koko me 7.1. Kujtojmë që Berisha nuk merr shumë minuta nga Silvinjo, kurse Asllani është lojtar bazë i formacionit dhe një nga të preferuarit e Silvinjos në përfaqësuese. Deri në mars gjërat mund të ndryshojnë