Skena e drejtësisë shqiptare është futur në fazën më tensionuese të viteve të fundit, ndërsa amerikanët duket se kanë hedhur peshën e tyre mbi garën për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Vizita e bujshme e Mark Fleming në Tiranë, një figurë kyçe e Departamentit të Shtetit, ka ndezur alarmin politik e mediatik: SHBA ka preferencat e veta, dhe ato janë më të qarta se kurrë. Burime diplomatike konfirmojnë se Klodian Braho dhe Jon Keta po shihen si dy figurat më të besueshme për të marrë drejtimin e institucioneve më të rëndësishme të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Gara për BKH është më e forta në histori, me shtatë kandidatë të rëndësishëm: Andi Pogaçe, Artur Beu, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj, Gledis Nano, Joni Keta dhe Elton Kërluku. Mes tyre, Keta, aktualisht nën/drejtor i BKH-së, i cili perceptohet si kandidati më i konsoliduar, jo vetëm për shkak të eksperiencës, por edhe për shkak të vlerësimeve të forta amerikane. BKH mbetet një strukturë jetike, një trupë super të specializuar policie gjyqësore që përdor inteligjencë operative, teknologji të avancuar, analiza të të dhënave dhe teknika speciale hetimi për të goditur krimin në nivelet më të larta. Pikërisht për këtë rol jetik, SHBA kërkon një drejtues të pakompromis, me profesionalizëm të palëkundur, dhe sinjalet e Ëashingtonit i drejtohen Jon Ketës. Ndërkohë, gara për kreun e SPAK është po aq e ndezur. Katër prokurorë me karriera të gjata – Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho, janë miratuar nga KLP si kandidatë zyrtarë. Secili ka një background të fortë, por sipas burimeve të afërta me procesin, Klodian Braho konsiderohet si figura që përputhet më shumë me pritshmëritë ndërkombëtare. Braho, aktualisht shef i seksionit kundër korrupsionit në SPAK, ka kaluar nëpër strukturat më të rëndësishme të drejtësisë, duke ndërtuar profil të fortë dhe reputacion të pastër. Ai shihet si pasardhësi më i natyrshëm i Altin Dumanit, të cilit i përfundon mandati në dhjetor. Gara pritet të mbyllet në ditët në vijim, por sinjalet nga Ëashingtoni dhe vizita e Drejtorit për Çështjet e Europës Perëndimore Qendrore, Mark Fleming në SPAK disa ditë më parë, kanë krijuar një efekt domino në të gjithë sistemin. Zgjedhja e Brahos dhe Ketës do të përbënte një konsolidim historik të partneritetit SHBA–Shqipëri dhe një garanci se reforma në drejtësi futet në fazën e saj më të fuqishme. Pra ky moment po shihet si pika më kritike e dekadës për arkitekturën e drejtësisë shqiptare, dhe duket se amerikanët tashmë e kanë bërë të qartë se cilët janë dy emrat që duan në krye të betejës.
Gara për BKH
Ndërkohë kujtojmë se kandidatë për kryetarin e Byrosë Kombëtar të Hetimit (BKH) janë shtatë. Konkretisht ata janë: Andi Pogaçe, Prokuror Fier, aktualisht këshilltar në KLP; Artur Beu, specialist i marrëdhënieve ndërkombëtare në Policinë e Shtetit; Gentian Ndoi, aktualisht ai mban postin e drejtorit të krimit ekonomiko-financiar në Departamentin e Policisë Kriminale; Gentjan Shehaj, Drejtor në Drejtorinë e Kurrikulave dhe Kordinimit dhe Sigurimit të Cilësisë , në Akademinë e Policisë, në Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. (Ishte pjesë edhe e garës për drejtor te Përgjithshëm); Gledis Nano, ish Drejtor i Përgjithshëm i Policisë; Joni Keta, nën/drejtor i BKH-së dhe Elton Kërluku, oficer i BKH-së
Puna dhe roli i BKH-së
Veprimtaria e Byrosë Kombëtare të Hetimit bazohet në një shërbim të specializuar të policisë gjyqësore që realizon parandalimin, zbulimin, hetimin, dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, nëpërmjet hetimit proaktiv, aplikimit të teknikave speciale të hetimit, aplikimit të sistemeve, databazës, analizës dhe inteligjencës, mjeteve të teknologjisë së informacionit si dhe forcimin e masave që synojnë rritjen e parametrave të sigurisë ne vend.
Gara për SPAK
Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP vendosi të hënën e 20 tetorit 2025 miratimin e listës së katër kandidatëve në procedurën e përzgjedhjes së drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme, SPAK. Sipas relatorit të çështjes, Sokol Stojani, nga verifikimet e kryera ka rezultuar se prokurorët Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho i plotësojnë kushtet ligjore për vijimin e garës. Drejtuesit aktual të SPAK, prokurorit Altin Dumani i përfundon mandati 3-vjeçar më 18 dhjetor. Stojani vërejti se procedura për përzgjedhjen e drejtuesit të ri është filluar dhe po vijon sipas përcaktimeve ligjore. Prokurori Adnan Xholi ka një karrierë 28 vjeçare në radhët e organit të akuzës dhe mban aktualisht pozicionin e shefit të seksionit kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit në SPAK. Xholi ka punuar më parë pranë Prokurorisë së Përgjithshme dhe asaj të Krimeve të Rënda. Xholi kandidoi për të qenë drejtues i SPAK edhe tre vjet më parë, kur në këtë pozicion u përzgjodh Dumani. Kandidatja Doloreza Musabelliu ka kryer Shkollën e Magjistraturës në vitet 2002-2005 dhe është emëruar më pas prokurore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ajo e ushtroi funksionin në këtë prokurori prej 14 vitesh dhe vijoi punën si prokurore e SPAK që prej themelimit të këtij institucioni. Prokurori Elvin Gokaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore. Në vitin 2000 ai u emërua prokuror në Prokurorinë e Matit, ndërsa në vitet 2007-2013 ka kryer detyrën e drejtuesit të Prokurorisë së Elbasanit, si dhe në Prokurorinë e Fierit. Prej vitit 2014, Gokaj punoi në Prokurorinë e Apelit të Shkodrës prej nga u emërua në SPAK. Kandidati tjetër, prokurori Klodian Braho ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitet 2005-2008 dhe më pas është emëruar prokuror në Berat. Në vitin 2012, Braho u transferua në Prokurorinë e Vlorës ku mbajti edhe postin e zv/drejtuesit, ndërsa në vitin 2015 u dekretua në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe më pas vijoi në SPAK. Braho mban aktualisht pozicionin e shefit të seksionit kundër korrupsionit në SPAK.