Category: Sport

  • Manchester City synon talentin 19-vjeçar që po shkëlqen në Premier, Southampton kërkon 100 milionë euro

    Manchester City synon talentin 19-vjeçar që po shkëlqen në Premier, Southampton kërkon 100 milionë euro

    27 Mars 2025

    14:15

    Telesport

    Southampton do të kërkojë një tarifë marramendëse prej mbi 100 milionë eurosh për të lënë të lirë anësorin e djathtë Tyler Dibling. Talenti 19-vjeçar është në sezonin e tij të parë në Premier League dhe në 25 ndeshje ka realizuar 2 gola.
    Edhe pse skuadra e Southampton është në vendin e fundit në renditje, ai ka qenë nota e vetme pozitive e klubit këtë sezon. Ai pritet të jetë një nga talentet më të kërkuara këtë verë në merkaton angleze dhe Manchester City ka kohë që e vëzhgon dhe është në “pole” për ta marrë.
    Pritet që Southampton të bëjë rezistencë të fortë për të mbajtur Tyler Dibling, ndaj do të kërkojë një shumë të lartë për të. Kjo edhe me pretekstin për të luajtur më shumë minuta sezonin tjetër edhe pse një kategori më poshtë.
    Vlerësimi aktual i Southampton prej 100 milionë eurosh po pengon skuadrat “big” në Premier League të negociojnë. Kontrata e tij me “shenjtorët” skadon në vitin 2027. Edhe Tottenham është vënë në ndjekje të anësorit anglez.

  • Rummenigge paralajmëron bavarezët: Interi nuk spikat vetëm në mbrojtje, ka dy sulmues të mëdhenj

    Rummenigge paralajmëron bavarezët: Interi nuk spikat vetëm në mbrojtje, ka dy sulmues të mëdhenj

    Për shkak të shumë lëndimeve (Upamecano rrezikon ta ketë përfunduar sezonin, ndoshta Neuer nuk do të jetë në gjendje të luajë në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve, përveç Davies), Bayern Munich është tronditur, por beson ende.
    Gjigantët bavarezë duan finalen e Ligës së Kampionëve, që do të luhet në “Allianz Arena”, pra në shtëpi. Për ta bërë këtë, duhet së pari të kalojnë Interin e Inzaghit në dy ndeshje që do të zhvillohen në muajin prill (më 8 dhe 16). Vështirësitë do të jenë të shumta, për të cilat Karl-Heinz Rummenigge, ish-lojtar dhe aktualisht anëtar i bordit drejtues të klubit, është i vetëdijshëm.
    “Në Itali nuk luhet më me ‘catenaccio’, Interi është një shembull, – u shpreh 69-vjeçari për “Sport 1”. – Zikaltrit kanë gjithashtu një mbrojtje shumë të fortë. Ata kanë lojtarë të klasit të parë, sulmuesit tanë duhet të udhëheqin një ndeshje të nivelit të lartë për të krijuar mundësi. A do ta bëjë Bayerni lojën? Jo vetëm. Interi ka gjithashtu dy sulmues si Lautaro Martínez dhe Marcus Thuram, të cilët janë gjithmonë në gjendje të krijojnë probleme për mbrojtjet kundërshtare”.
    Më pas, Rummenigge u përball me pyetje për faktorët e fushës, pasi bavarezët do të detyrohen ta luajnë ndeshjen e kthimit në “San Siro”: “Pasi u hoq rregulli i golave të shënuar jashtë fushe, nuk mendoj se ky aspekt ka më shumë rëndësi. Me Bayer Leverkusen kemi bërë dy ndeshje të shkëlqyera, por sigurisht që do të duhet të përballemi me një dozë modestie”.
     
     

  • Probleme për Real-in, Deco planifikon lëvizjen e bujshme

    Probleme për Real-in, Deco planifikon lëvizjen e bujshme

    27 Mars 2025

    14:41

    Telesport

    Barcelona është futur në garë për mbrojtësin e Liverpool-it, Trent Alexander-Arnold.
    Lojtari anglez, pa kontratë në qershor, po përballet me një reagim të ashpër të tifozëve pasi dolën raporte se ai pranoi të transferohej te Real Madrid në fund të sezonit.
    Megjithatë, AS thotë se Barca tani po bën një lëvizje për të “djegur” Real-in për mbrojtësin.
    Drejtori sportiv i Barçës, Deco është takuar me përfaqësuesit e Alexander-Arnold për të diskutuar kushtet dhe planet e tyre për lojtarin.
    Alexander-Arnold ka rënë dakord për një marrëveshje me Real Madridin, por pa asgjë të nënshkruar, Deco ka nuhatur një shans për të mposhtur rivalët e tyre të përjetshëm.

  • “Kam një personalitet të fortë”, Cancelo: Ja çfarë nuk funksionoi me Guardiola-n

    “Kam një personalitet të fortë”, Cancelo: Ja çfarë nuk funksionoi me Guardiola-n

    27 Mars 2025

    14:45

    Telesport

    Ish-mbrojtësi i Manchester Cityt, Joao Cancelo, ka folur në lidhje me marrëdhënien me ish-trajnerin e tij Pep Guardiola, duke pranuar se të dy kanë ‘personalitete të forta’.
    Duke folur në një intervistë për MARCA, 30-vjeçari tha: “Kishim dallime, jo përplasje, kishim mendime të ndryshme. Unë kam një personalitet shumë të fortë dhe po ashtu edhe ai (Guardiola), por ai është trajneri.
    “Secili prej nesh mori rrugët e veta, por falënderoj Zotin që kam punuar me të. U ndjeva i rëndësishëm në këtë grup. Ai më bëri të rritem si person dhe si lojtar”.
    Mbrojtësi u largua nga kampionët aktualë të Premier League verën e kaluar, duke iu bashkuar skuadrës saudite Al Hilal pas një sezoni në huazim te Barcelona.

  • Luis Enrique dhe Dembele i kërkojnë klubit blerjen e yllit të Barcelona-s

    Luis Enrique dhe Dembele i kërkojnë klubit blerjen e yllit të Barcelona-s

    Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique dhe sulmuesi Ousmane Dembele thuhet se i kanë kërkuar klubit të nënshkruajnë mesfushorin e Barcelona-s, Gavi.
    Sipas gazetës katalane El Nacional, dyshja duan që klubi të nënshkruajë me spanjollin këtë verë.
    20-vjeçari ka dalë nga akademia e famshme La Masia dhe gjithashtu u grumbullua për herën e parë në kombëtare nga Enrique.
    Megjithatë, dëmtimet e kanë detyruar mesfushorin të humbasë një kohë të konsiderueshme gjatë sezoneve të fundit. Ai gjithashtu me sa duket ka rënë në hierarkitë e Hansi Flick.
    Trajneri gjerman i është drejtuar kryesisht lojtarëve si Pedri, Marc Casado, Dani Olmo dhe Frenkie de Jong për tre pozicionet e mesfushës.
    Spanjolli ka luajtur vetëm 917 minuta në 26 ndeshje në të gjitha kompeticionet në këtë sezon, duke koleksionuar dy gola dhe tre asiste, këtë sezon.
    Kështu, La Blaugrana mund të bindet për ta shitur atë, por sigurisht që do të kërkonte një shumë të madhe.

  • Fabregas do Milan-in, por klauzola është “shkatërruese”

    Fabregas do Milan-in, por klauzola është “shkatërruese”

    27 Mars 2025

    14:53

    Telesport

    Lamtumira e Fabregas nga Como është një mundësi konkrete për të ardhmen e trajnerit spanjoll, i cili tashmë dëshiron të bëjë një hap të rëndësishëm në cilësi në karrierën e tij, duke qenë se tashmë të gjithë flasin vetëm për të dhe mund të jetë mundësia e duhur për të pranuar një ekip të madh.
    Sipas Il Corriere dello Sport, duket se kontrata e Fabregas përmban një klauzolë shumë të veçantë që përfshin edhe aksionet e tij në klubin e Como-s.
    Fabregas mund të drejtojë një ekip tjetër, por vetëm nëse shet aksionet e tij te Como, për rrjedhojë heq dorë nga një investim i madh. Kështu që trajneri spanjoll do të duhet të mendojë shumë mirë përpara se të ndërmarrë një hap të tillë.
    E ardhmja e Cesc Fabregas mund të jetë te Milan-i. Kuqezinjtë tashmë janë në kërkim të një trajneri të ri për sezonin e ardhshëm sepse duan të krijojnë një projekt të ri afatgjatë dhe do t’i thonë lamtumirë Sergio Conceiçao.
    Fabregas do ta pranonte me kënaqësi Milan-in nëse projekti i paraqitur atij do të ishte një rritje reale për ekipin dhe me ambicie të mëdha. Por mbi të gjitha nëse nga pikëpamja e merkatos e do të jetë edhe ai pjesë e zgjedhjeve.

  • Juventusi në “dietë”, pronarët “mbyllin rubinetat”. Në verë, një lojtar i madh duhet të sakrifikohet

    Juventusi në “dietë”, pronarët “mbyllin rubinetat”. Në verë, një lojtar i madh duhet të sakrifikohet

    12 muaj më parë, në këtë periudhë, në letrën e tij drejtuar aksionarëve, John Elkann fliste për “vitin zero” te Juventusi dhe rilindjen e klubit. Detyra këto që ia besoi Giuntolit. Këtë vit, megjithatë, në letrën e zakonshme të pranverës, “Zonja e Vjetër” nuk është përmendur fare.
    Një mesazh shumë i qartë nga presidenti i “Exor” për drejtuesit e Juventusit, të cilët, sipas “Corriere dello Sport”, kur të trokasin për burimet ekonomike të disponueshme për merkaton e verës, do t’i gjejnë “rubinetat” mbyllur. “Exor”, që nga viti 2019 ka investuar pothuajse 600 milionë euro te Juventusi, ndaj tani kërkon vetëmbështetje dhe qëndrueshmëri.
    Kjo do të thotë se në verë, të paktën një nga yjet e skuadrës do të sakrifikohet. Nevojitet medoemos një shitje e bujshme në treg. Te Juventusi ka nevojë për një shitje të rëndësishme, jo vetëm për të forcuar skuadrën, por edhe për të lehtësuar bilancin financiar.
    Kjo do të jetë e nevojshme veçanërisht nëse humbjet e 25 milionë eurove nga mos arritja e çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve, 70 milionët e angazhuar tashmë për shpërblimet e lojtarëve dhe 15 milionët e shpenzuara për shkarkimin e Thiago Motta, do të shtohen me mungesën e të ardhurave nga edicioni i ardhshëm i kompeticionit të rëndësishëm europian.
    Kjo është arsyeja pse, ndërsa po presin të shohin nëse do të arrijnë vendin e katërt dhe të njohin të ardhmen e Tudor, drejtuesit e Juventusit po i vendosin lojtarët e tyre në treg. Gatti, Cambiaso, Vlahovic dhe Yildiz janë më të diskutuarit. Në veçanti, fati i serbit është i lidhur me atë të Tudor, sepse sesioni i ardhshëm do të jetë mundësia e fundit për ta shitur sulmuesin serb, i blerë për 70 milionë euro më 2022 te Fiorentina dhe me kontratë deri në vitin 2026, për një çmim ende të rëndësishëm.
    Ndryshe është rasti për Yildiz, i cili duke qenë një nga talentët e “NextGen” mund të sjellë një fitim të madh. Jorge Mendes ka kohë që po sondon mundësinë e klubeve të interesuara, Juventusi kërkon 100 milionë, por ndjesia është se do të mjaftonte shumë më pak për të hapur tryezën e negociatave.
    Janë disa klube të interesuara për Gatti, i cili ka kontratë deri në vitin 2028. Newcastle ka provuar të bëjë një ofertë 25 milionë euroshe në janar, mund të rikthehet për ta blerë mbrojtësin e kombëtares italiane, për të cilin së fundmi ka kërkuar informacion edhe Napoli. Juventusi kërkon 30-35 milionë euro për të.
    Sirena nga Premier League ka edhe për Cambiaso, që vlerësohet mes 50 dhe 60 milionë euro. Zërat për interesin e Manchester City në janar nuk u materializuan në ofertën që priste Giuntoli, por qershori është afër. Edhe Liverpool, Bayern Munich, Real Madridi po e ndjekin me kujdes.

  • Zyrtare!!! Red Bull ndërron sërish pilot, një shok i ri skuadre për Max Verstappen

    Zyrtare!!! Red Bull ndërron sërish pilot, një shok i ri skuadre për Max Verstappen

    Tashmë është zyrtare! Duke nisur nga gara e ardhshme në Japoni, Yuki Tsunoda do të jetë një pilot i Red Bull. Japonezi do të zërë vendin e neo-zelandezit Liam Lawson, që do të vazhdojë të garojë në Formula 1.
    Dy pilotët kanë bërë një shkëmbim sediljesh, me Lawson që do të garojë me RB Racing. Ky ndryshim u përfol që të dielën, pas përfundimit të garës së Kinës, por është konfirmuar vetëm të enjten.
    Te Red Bull kanë mbetur të pakënaqur nga paraqitja e neo-zelandezit në dy garat e para, ndaj vendosën ta rikthejnë te RB, makina satelit, ku ka pilotuar sezonin e kaluar. Ndërsa Tsunoda ka marrë promovimin e duhur.
    Christian Horner, shefi i Red Bull tha: “Ne synojmë titullin kampion për konstruktorë, ndaj besojmë se përvoja e Yuki do të na ndihmojë. Liam ka nevojë ende të rritet, ndaj do të vijojë karrierën te RB Racing (makina satelit)”.
    Kështu, Yuki Tsunoda do të jetë shoku i ri i skuadrës së Max Verstappen. Aventura e Lawson te Red Bull zgjati vetëm dy gara. Ai erdhi në janar pas largimit të Sergio Perez, por nuk arriti të tregojë asgjë me një makinë të shpejtë.

  • Onana dorëzohet pas interesit që vjen nga Arabia, i hapur për largimin nga Manchester United

    Onana dorëzohet pas interesit që vjen nga Arabia, i hapur për largimin nga Manchester United

    27 Mars 2025

    13:54

    Telesport

    Duket se aventura e portierit kamerunas Andre Onana te Manchester United është drejt fundit. I ardhur me shumë bujë dy sezone më parë, portieri 28-vjeçar më së shumti mbahet mend për gafat e tij me fanellën e “djajve të kuq”.
    Për pasojë, klubi ka vendosur ta largojë në fund të këtij sezoni portierin që ka bërë 91 paraqitje. Ai e ka mbajtur të paprekur portën në vetëm 26 raste, duke pësuar 136 gola. Shifra që nuk e bindin klubin dhe trajnerin Ruben Amorim për ta mbajtur.
    Duket se edhe vetë portieri është i bindur se këmbëngulja e tij për të qëndruar në “Old Trafford” nuk ka më baza, ndaj “talkSPORT” shprehet se Onana ka rënë dakord që të largohet. Destinacioni më i mundshëm është Arabia Saudite.
    Mësohet se për portierin ka interesim serioz nga Saudi Pro League, ndaj klubi anglez do të ishte i gatshëm të dëgjonte ofertat për lojtarin në fund të sezonit. United po planifikon të rinovojë skuadrën e tij këtë verë dhe Onana s’bën pjesë në planet e reja.

  • “Vetëm 20 persona e takojnë”, gazetari gjerman zbulon detaje nga gjendja shëndetësore e Schumacher

    “Vetëm 20 persona e takojnë”, gazetari gjerman zbulon detaje nga gjendja shëndetësore e Schumacher

    Kanë kaluar më shumë se 11 vite që kur legjenda e Formula 1, Michael Schumacher, pësoi aksidentin tragjik me ski në dhjetor të vitit 2013. Prej atëherë, ai nuk është shfaqur më në publik dhe gjendja e tij shëndetësore mbetet një mister.
    Sipas gazetarit gjerman të RTL, Felix Gorner, i cili konsiderohet një burim i besueshëm mbi situatën e Schumacher, ai nuk mund të komunikojë më me fjalë dhe është tërësisht i varur nga kujdestarët e tij.
    “Situata është shumë e trishtueshme”, tha Gorner. “Ai ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm dhe nuk mund të shprehet më me fjalë”, shtoi ai.
    Për Schumacher, tanimë 56 vjeç, kujdeset familja e tij dhe një ekip mjekësor në shtëpinë e tij pranë Liqenit të Gjenevës. Familja ka mbajtur gjithmonë një qëndrim të rreptë mbi privatësinë e legjendës së Formula 1, duke kufizuar aksesin tek ai vetëm për një grup të vogël njerëzish.
    “Vetëm rreth 20 persona mund të afrohen te Michael”, shtoi Gorner. “Dhe mendoj se është strategjia e duhur, sepse familja po vepron në interesin e tij më të mirë”, nënvizoi ai.
    Mick Schumacher, djali i tij, ka ndjekur hapat e të atit në Formula 1, duke garuar për Haas në 2021 dhe 2022, por u largua nga ekipi për sezonin 2023.
    Ndërkohë, Elisabetta Gregoraci, ish-bashkëshortja e Flavio Briatore, ka zbuluar më parë se Schumacher komunikon vetëm me sytë. “Michael nuk flet, ai komunikon me sytë. Vetëm tre persona mund ta vizitojnë dhe unë e di kush janë ata”, tha ajo.
    Edhe në dokumentarin e Netflix mbi jetën e Schumacher, bashkëshortja e tij Corinna e përshkroi atë si “ndryshe”.
    Pavarësisht viteve që kanë kaluar, legjenda e F1 mbetet një figurë ikonike, me 7 tituj botërorë, 71 xhiro më të shpejta dhe 155 podiume në karrierën e tij të jashtëzakonshme.

  • Pepe: Është një Champions i ri, por kurrë mos e konsideroni të vdekur Real Madridin

    Pepe: Është një Champions i ri, por kurrë mos e konsideroni të vdekur Real Madridin

    Pepe, ish-mbrojtësi i Real Madridit, ka dhënë një intervistë ekskluzive për gazetën “AS”. Ish-qendërmbrojtësi portugez foli për derbin mes Atletico Madridit dhe Real Madridit në Champions League, një sfidë që “Los Blancos” e fituan pas goditjeve të penalltive:
    “Kam vuajtur shumë, por gjëja më e rëndësishme ishte fitorja e Real Madridit. Kur kjo skuadër hyn në një kompeticion, gjithmonë e bën për të fituar. Lojtarët dhanë gjithçka në ato dy ndeshje. Atletico ishte një ekip i vështirë, por Reali e kaloi dhe tani duhet të përgatitet mirë për ndeshjet e ardhshme”.
    Portugezi nënvizoi momentin që po kalojnë “Los Blancos”: “Është një Champions i re, por Real Madridi nuk mund të quhet kurrë i mposhtur. Do të luftojë deri në minutën e fundit. Gjëja më e rëndësishme për Real Madridin është të arrijë në këtë fazë të sezonit në formën që është tani, duke garuar për të tre trofetë. Skuadra e Ancelottit është e mirë, ende në lojë për të tria kompeticionet. Real Madridi do të luftojë gjithmonë deri në sekondën e fundit për gjithçka”.
    Pepe foli edhe për ish-shokët e tij të ekipit, përfshirë Luka Modric: “Ka përjashtime, shikojini të dy (duke iu referuar edhe Cristiano Ronaldos). Modric është në një nivel të pabesueshëm, me gjithë presionin që ekziston te Real Madridi. Klubi e ndihmon shumë, edhe trajneri është shumë i rëndësishëm. Edhe Cristiano, i cili i ka dhënë kaq shumë futbollit, vazhdon të jetë në një nivel po aq të lartë”.
    I pyetur nëse do të rikthehej te Real Madridi, duke pasur parasysh krizën e mbrojtësve që po kalon klubi, Pepe u përgjigj: “Jo, jo. Real Madridi është një skuadër që në momentet e vështira gjithmonë gjen zgjidhje. Tani doli në skenë Asensio dhe ishte një gjë e mirë për të gjithë; për ekipin, për klubin dhe madje kombëtaren spanjolle. Po bën një punë të mirë në rolin e tij”.

  • Giuntoli prezanton Tudor si trajner të ri, falënderon edhe Motta: Bëri një punë të shkëlqyer

    Giuntoli prezanton Tudor si trajner të ri, falënderon edhe Motta: Bëri një punë të shkëlqyer

    Para se të fillonte konferenca për shtyp e prezantimit të Igor Tudor si trajneri i ri i Juventusit, drejtuesi i sektorit teknik të bardhezinjve, Cristiano Giuntoli, mori fjalën për të sqaruar situatën rreth largimit të Thiago Motta:
    “Dua ta falënderoj Thiago Motta dhe stafin e tij për punën e shkëlqyer gjatë këtyre muajve. Dua të sqaroj edhe marrëdhënien tonë me Thiago, e cila do të mbetet me shumë respekt dhe vlerësim të ndërsjellë. Mbas deklaratave të mia, pas ndeshjes me Fiorentinën, morëm kohën e duhur për të reflektuar dhe vendosëm t’i japim një shtysë të re ekipit. E bëmë për të mirën e Juventusit. Zgjedhja jonë menjëherë ra mbi Igor, kryesisht për cilësitë e tij teknike dhe morale.
    Igor do të qëndrojë me ne deri në fund të sezonit, përfshirë edhe Kupën e Botës për Klube. Më pas do të takohemi dhe shpresa është që të vazhdojmë së bashku. Ne kemi shumë besim te skuadra, jemi optimistë për të ardhmen”.
    Më pas, trajneri Igor Tudor mori fjalën për të dhënë komentet e tij të para, pas rikthimit te Juventusi, ku ka luajtur si fyutbollist dhe ka qenë ndihmës i Andrea Pirlos si trajner: “Para së gjithash, dua t’ju përshëndes të gjithëve. Dua të falënderoj drejtorin dhe klubin për këtë mundësi. Do të jap gjithçka për të mos zhgënjyer askënd.
    Është emocionuese, sepse të gjithë do të donin ta drejtonin këtë klub. Kam shumë dëshirë t’i arrij objektivat, besoj fort te kjo skuadër. Të mërkurën mbërritën të gjithë lojtarët nga kombëtaret, janë të lodhur, por nuk ka justifikime. Unë kurrë nuk kam kërkuar justifikime në jetën time. Kështu që, le t’ia fillojmë nga këtu”.

  • Wirtz, xhevahiri i Leverkusenit. City dhe Bayerni janë të paralajmëruar, duhen 120 milionë euro…

    Wirtz, xhevahiri i Leverkusenit. City dhe Bayerni janë të paralajmëruar, duhen 120 milionë euro…

    27 Mars 2025

    11:04

    Alfred Lleshi

    5 gola dhe 16 asiste, shumica prej tyre të shkëlqyera. Sezoni i Florian Wirtz, vetëm 21 vjeç, po duket si ai i konsolidimit të tij si lojtar në nivele të larta, pas një sezoni të shkëlqyer vitin e kaluar.
    Bayer Leverkusen e di se këtë verë mund të tërheqë vëmendjen e shumë klubeve të mëdha dhe, sipas raporteve të “Sky Sport DE”, klubi po punon për ta rinovuar kontratën e tij, e cila skadon më 30 qershor 2027. Sipas informacionit, ofrimi për nënshkrimin do të përfshinte një klauzolë largimi për verën e ardhshme dhe lojtari po mendon se çfarë të bëjë.
    Nëse lojtari do të preferonte të largohej këtë verë, Bayer Leverkusen ka vendosur tashmë çmimin për ata që janë të interesuar: do të duhen të paktën 120 milionë euro për të ulur në tryezën e negociatave, por mund të shtohen edhe bonuse. Bayern Munich dhe Manchester City janë dy klubet kryesore që e kërkojnë këtë yll të talentuar gjerman, i cili ka munguar për shkak të pezullimit në dy ndeshjet e fundit kundër Italisë të Spalletti.
    Lojtari ende nuk ka zbuluar se çfarë do të bëjë, ndaj pritet të kalojnë disa javë për të parë nëse do të ketë ndonjë zhvillim lidhur me rinovimin e kontratës. Megjithatë, pritet një verë e nxehtë për këtë lojtar të talentuar të Xabi Alonso. Edhe e ardhmja e trajnerit spanjoll mund të ketë ndikim në vendimin e tij.

  • “Kam folur me Allegrin, më tha se nuk do të shkojë te Milani”

    “Kam folur me Allegrin, më tha se nuk do të shkojë te Milani”

    Giovanni Galeone, ish-trajner dhe mik i ngushtë i Massimiliano Allegri, ka dhënë një intervistë për “Radio KissKiss Napoli”, ku ka mohuar spekulimet për një kalim të mundshëm të ish-trajnerit të Juventusit te Milani në sezonin e ardhshëm.
    “Fola me Massimilianon në telefon dhe më tha se nuk do të shkojë te Milani, nuk ka pasur asnjë kontakt me kuqezinjtë”, – ka zbuluar Galeone.
    Deklarata e tij bie ndesh me lajmet e fundit, që sugjeronin se Allegri ishte në negociata me drejtuesit e Milanit për sezonin e ardhshëm.
    Përveç ‘Allegri-Milan’, Galeone foli edhe për Antonio Conten, një tjetër emër që përflitet për pankinën kuqezi, por edhe të ardhmen e tij te Napoli. “Ju napolitanët doni ta mbani Conten me çdo kusht, por kujdes nga Juventusi, – paralajmëroi ai. – Nuk është e sigurt që Antonio do të qëndrojë në Napoli, përkundrazi. Mos harroni që ai u largua nga Juventusi dhe Interi, edhe pse kishte fituar tituj kampioni”.
    Fjalët e Galeones nxisin edhe më shumë spekulime për një rikthim të mundshëm të Contes te Juventusi, ndërsa Milani vazhdon kërkimet për trajnerin e ri.

  • Lucio karikon Interin: Pse të mos synohet tripleta sezonale? Edhe në vitin 2010 kemi sfiduar rivalë të fortë

    Lucio karikon Interin: Pse të mos synohet tripleta sezonale? Edhe në vitin 2010 kemi sfiduar rivalë të fortë

    Ish-mbrojtësi Lucio, i cili ka luajtur si për Interin, ashtu edhe për Bayern Munich, ka folur për mediat italiane në prag të përballjes mes dy skuadrave në çerekfinalet e Champions League. E nis me një mesazh të qartë, që iu rikthen tifozëve zikaltër kujtimet e paharrueshme të tripletës së vitit 2010-ës: “Edhe këtë vit është e mundur, pse jo? Po flasim për dy skuadra të mëdha”.
    Lucio vazhdon analizën e tij, duke u fokusuar tek Interi: “Interi është Interi, aty kam fituar tripletën, edhe pse kam kujtime fantastike nga pesë vitet e mia te Bayerni. Të dyja skuadrat i kam në zemër. Sigurisht, në Mynih kam luajtur më gjatë dhe sot jeton familja ime atje, por edhe në Milano kam kujtime të pabesueshme. Është gjithmonë bukur të shoh apo të flas me ish-shokët e skuadrës. Viti 2010 ishte i mrekullueshëm, i paharrueshëm”.
    Por, a ka ngjashmëri periudha e trpiletës historike me Interin e sotëm? Braziliani përgjigjet kështu: “Duke qenë ende në garë në të gjitha frontet, imagjinoj se është e vështirë të mendosh për diçka tjetër përveç tripletës. Por nëse ekziston mundësia, pse të mos e ëndërrosh? Për sa kohë ke mundësinë të fitosh gjithçka…”
    Lucio e përmbyll prononcimin e tij: “Është e qartë se do të jetë e vështirë, por edhe më 2010 kemi përballur shumë skuadra të forta në rrugëtimin tonë. Në këto nivele është e pashmangshme të mos hasësh pengesa. Përballja me Bayernin do të jetë ndoshta sfida më e rëndësishme dhe më e vështirë e sezonit. Edhe ata luftojnë për trofe, edhe pse për dy dhe jo tre. Zemra ime do të jetë e ndarë në dysh”.

  • De Gea flet mbi të ardhmen: Me Fiorentinën kam opsion rinovimi, ndihem i lumtur këtu

    De Gea flet mbi të ardhmen: Me Fiorentinën kam opsion rinovimi, ndihem i lumtur këtu

    Çfarë do të ndodhë me David de Gea? Shumë tifozë të Fiorentinës kanë filluar të pyesin për të ardhmen e yjeve të këtij sezoni, veçanërisht për portierin spanjoll. “La Repubblica” e ka pyetur vetë ish-portierin e Manchester United, i cili u përgjigj kështu për sezonin e ardhshëm:
    “Kam firmosur për një vit, klubi ka opsionin për rinovim (me pagë të dyfishuar, 2.4 milionë euro). Jam i lumtur në Firence, më pëlqen të jem te Fiorentina, por për momentin më e rëndësishme është ta mbyllim sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme”.
    De Gea, tani 34 vjeç, foli edhe për të ardhmen e tij dhe nëse ka menduar për “pensionimin”: “Ndonjëherë më shkon mendja, e di që një ditë do të vijë, por nuk më shqetëson. Ka ende kohë për këtë, ndihem mirë dhe në formë. Këtu jetoj në mënyrë të shkëlqyer, më pëlqen të rri në shtëpi. Pushoj, lexoj dhe shikoj filma, që është një nga pasionet e mia të mëdha. Pastaj luaj në ‘PlayStation’ dhe eksploroj qytetin”.
    Përshtypjet për Firencen dhe Fiorentinën: “Qyteti është i mrekullueshëm, njerëzit janë fantastikë. Klubi ka një histori unike, stadiumi ‘Franchi’ më emocionon, është i bukur dhe shumë i ngrohtë. Pranova menjëherë të vija këtu. Gjithashtu, kampionati italian më ka tërhequr gjithmonë”.

  • VIDEO / Zbriti në fushë dhe shtyu arbitrin, nis procedimi ndaj Koço Kokëdhimës

    VIDEO / Zbriti në fushë dhe shtyu arbitrin, nis procedimi ndaj Koço Kokëdhimës

    Policia e Fierit ka nisur një procedim penal ndaj Presidentit të Klubit Sportiv Apolonia, Koço Kokëdhima, pas incidenteve të shënuara ditën e djeshme në stadiumin “Loni Papuçiu:”.
    Gjatë ndeshjes që ekipi i femrave të Apolonisë luajti përballë Gramshit, Kokëdhima hyri në fushë dhe shtyu gjyqtarin e takimit, Dorjan Melataj.
    “Specialistët e Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin K. K., 65 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë President i “FK Apolonia”, për femra, për veprën penale “Veprime të dhunshme në aktivitete sportive”, pasi ditën e djeshme, gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit FK Apolonia-FK Gramshi, ky shtetas ka hyrë në fushë, në stadiumin “Loni Papuçiu” dhe ka debatuar e shtyrë me duar arbitrin e ndeshjes, shtetasin D. M.”, njofton policia.
    Ndërkohë, për shkak të tensionit sfida mes Apolonisë dhe Gramshit u ndërpre për 25 minuta. Në pamjet që u bënë virale në rrjetet sociale, dallohet që ish-deputeti Koço Kokëdhima dhe zyrtarë të ekipit fierak zbresin në fushë dhe i drejtohen gjyqtarit me fjalë fyese.

  • “Lamtumirë Milan”! Sulmuesi portugez Joao Felix drejt Turqisë e kërkon Gallatasaraj

    “Lamtumirë Milan”! Sulmuesi portugez Joao Felix drejt Turqisë e kërkon Gallatasaraj

    E ardhmja e Joao Felix, e lidhur dukshëm edhe me atë të trajnerit Sergio Conceiçao, duket se është larg Milan. Kjo nuk është një surprizë duke pasur parasysh koston e lartë të blerjes së kartonit të tij nga Chelsea (ai është i huazuar deri në qershor).
    Kësaj i shtohet edhe performanca jo shumë bindëse (vetëm një gol në debutimin e tij në Kupën e Italisë), ndërkohë që Jorge Mendes, menaxheri i tij, vërtetoi se largimi i tij nga Milan është gjëja më e parashikueshme për momentin.
    Menaxheri i sulmuesit portugez ka dhënë një përditësim për portalin turk “Sporx”, duke shpjeguar se nëse arrihet një marrëveshje me Chelsea, João Félix do të luajë për Galatasaray sezonin e ardhshëm.
    Pra, jo te Milani, as te Chelsea, por në Turqi, ku do të gjente Alvaro Morata (kanë luajtur së bashku tek Atletico madrid). Natyrisht që janë ende edhe dy muajt e fundit të kontratës me Milan, të cilat mund të ndryshojnë edhe kartat në tavolinë.
    Por është mjaft e dukshme që në këtë moment ky është përfundimi më i mundshëm i një marrëdhënieje që ka shkuar më keq nga sa do të kishin shpresuar si lojtari ashtu edhe milanezët.

  • Tudor karikon Vlahovic, pakt për një vend në Champions: Është një nga sulmuesit më të mirë në botë

    Tudor karikon Vlahovic, pakt për një vend në Champions: Është një nga sulmuesit më të mirë në botë

    27 Mars 2025

    10:26

    Telesport

    Igor Tudor nuk humbet kohë për të ndërtuar Juventus në prag të debutimit të tij si trajner i skuadrës bardhezi. Pas ndeshjeve të ekipeve kombëtare, lojtarët kanë nisur të grumbullohen dhe ai ka patur mundësi të flasë edhe me ata që kanë munguar ditët e para.
    Një prej tyre është sulmuesi serb Dusan Vlahovic. I afruar nga Tudor për të vazhduar me bisedimet individuale, sulmuesi serb pati një takim të gjatë me trajnerin e ri të Juventus. Mbi gjysmë ore ecje e sipër për të sqaruar pozicionet e tyre përkatëse, për të përshkruar pritshmëritë dhe objektivat.
    Gjithcka me një objektiv të qartë, sigurimin e një vendi në Champions League. Sipas “Tuttosport”, gjatë takimit Tudor i përsëriti Vlahovic se e konsideron atë një nga sulmuesit më të mirë në botë. Gjithashtu, i kërkoi të jepte më shumë në aspektin e karakterit dhe cilësisë për të bërë atë hap që do t’i lejonte të demonstronte vlerën e tij të plotë dhe të krahasohej me sulmuesit më të mëdhenj.
    Nga ana e tij, Vlahovic i ka konfirmuar trajnerit angazhimin e tij dhe dëshirën e madhe për hakmarrje pas periudhës së fundit të kaluar në stol. Një krahasim i qartë dhe i afërt në të cilin Tudor do t’i kishte dhënë lojtarit edhe disa garanci të rëndësishme në nivelin tekniko-taktik, për pozicionin në fushë dhe për rolin drejtues në projektin e ri të Juventus në këtë pjesë të fundit të sezonit

  • Prokuroria kërkon 15 vite e gjysmë burg për ish-presidentin e RFEF, Ángel Maria Villar

    Prokuroria kërkon 15 vite e gjysmë burg për ish-presidentin e RFEF, Ángel Maria Villar

    Prokuroria ka kërkuar 15 vite e gjysmë burg për ish-presidentin e Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF), Ángel María Villar, për korrupsion të dyshuar në rastin “Soule”, teksa është hetuar dhënia e kontratave midis viteve 2007 dhe 2017, të cilat dyshohet se i kanë shkaktuar institucionit një dëm prej 4.5 milionë eurosh.
    Prokuroria kundër korrupsionit ka paraqitur aktakuzën e saj kundër 8 personave të përfshirë në këtë çështje, ndër të cilët është edhe Gorka Villar, djali i ish-presidentit, për të cilin kërkohet një dënim prej 7 vitesh burg.
    Villar, i cili kaloi disa ditë në paraburgim për këtë çështje, akuzohet për menaxhim të keq, korrupsion në biznes dhe përvetësim të fondeve, në bashkim me krimin e vazhdueshëm të falsifikimit të dokumenteve tregtare. Përveç dënimit me burg, prokuroria kërkon që ai të gjobitet me afërsisht 1 milion euro.
    Në këtë rast është i akuzuar edhe ish-nënkryetari i RFEF, Juan Padrón, për të cilin kërkohet një dënim prej 6 vite e gjysmë burg.
    Çështja “Soule”, e hapur në Gjykatën Kombëtare në vitin 2017, kur Villar ende drejtonte RFEF (1988-2017), ka hetuar nëse ai dhe Padrón kanë keqpërdorur pozitat e tyre midis viteve 2007 dhe 2017, duke favorizuar persona të afërt përmes dhënies së kontratave. Një pjesë e këtyre kontratave përfshinin organizimin e ndeshjeve të kombëtares, nga të cilat përfitues kryesor dyshohet të ketë qenë djali i Villar.