Author: Vizionplus.tv

  • Rusia nis sulme të reja me dronë dhe raketa ndaj Ukrainës

    Rusia nis sulme të reja me dronë dhe raketa ndaj Ukrainës

    Forcat e armatosura ruse kanë lëshuar një valë të re bombardimesh ndaj Ukrainës, duke përdorur dronë dhe raketa, përfshirë edhe ato të tipit “Kinzhal”.
    Ndërkohë, në terren, Moska pretendon se ka arritur përparime në lindje të vendit, veçanërisht në qytetin e Pokrovsk, në rajonin e Donetskut.
    Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, trupat e saj kanë hyrë dhe kanë konsoliduar pozicionet në distriktin Prigordny, duke zmbrapsur njëkohësisht sulme në fronte të tjera.

    Moska pretendon se sulmet ukrainase ishin pjesë e një përpjekjeje për të “thyer rrethimin”.
    Gjithashtu, autoritetet ruse kanë raportuar përparime edhe në zonën e Kupyansk, në rajonin e Kharkivit, ku sipas tyre, “armiku është dëbuar nga katër pozicione të fortifikuara në zonën industriale”.
    Megjithatë, këto pretendime nuk janë konfirmuar nga autoritetet ukrainase.

  • Spiropali nga Haga: Takova Hashim Thaçin! Ja si paraqitet gjendja e tij dhe çfarë diskutuam

    Spiropali nga Haga: Takova Hashim Thaçin! Ja si paraqitet gjendja e tij dhe çfarë diskutuam

    Ministrja e Jashtme Elisa Spiropali, e cila ndodhet në Hagë për një vizitë zyrtare, ka takuar në ambientet e paraburgimit Hashim Thaçin.
    Përmes një postimi në rrjete sociale, Spiropali ka ndarë një video të saj nga Haga, teksa shprehet se Thaçi është në gjendje të mirë, e se i ka shprehur mbështetjen e qeverisë shqiptare, me shpresën e një vendimi të drejtë nga ana e Gjykatës Speciale.
    “Në paraburgimin e Gjykatës Speciale këtu në Hagë, takova presidentin Thaçi dhe përmes tij i dërgova të falat e mia, por edhe të qeverisë shqiptare e besoj të gjithë popullit shqiptar, edhe tre luftëtarëve të tjerë, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

    Më vjen mirë që e gjeta presidentin Thaçi në gjendje të mirë. Ndiqtë zhvillimet në Shqipëri dhe në Kosovë, sigurisht me dëshirën për të parë dy vendet tona sa më mirë.
    I shpreha mbështetjen e Ministrisë së Jashtme të qeverisë shqiptare, të kryeministrit Rama, për një proces të rregullt dhe të drejtë, i cili në fund të prodhojë drejtësi historike e jo padrejtësi historike. Ne urojmë shumë që ai vendim i pjekurisë shtetërore të Kosovës për të votuar dhomat e specializuara dhe Gjykatën Speciale, të mos kthehet në të kundërten e vetë, por të respektojë procesin e rregullt ligjor, të drejtat e njeriut dhe mbi të gjitha ne urojmë që besimi që Shqipëria, Kosova e shqiptarët në tërësi kanë në drejtësinë ndërkombëtare të mund të jetë i përligjur deri në fund”, tha Spiropali.
    Më tej, ministrja e Jashtme u ndal tek rëndësia e luftës së bërë nga Kosova për të mbrojtur të dashurit e tyre dhe shtëpitë e tyre. Qëllimi i Kosovës nuk ka qenë asnjëherë sulmi ndaj një shteti tjetër, thekson Spiropali.
    “Është me rëndësi të madhe edhe një herë të theksohet që populli i Kosovës, djemtë e vajzat e Kosovës, u ngritën në luftë për të mbrojtur shtëpitë e tyre, për të mbrojtur njerëzit e tyre, për të mbrojtur jetën në atë vend, e kurrsesi për të agresuar apo sulmuar një popullatë apo një vend tjetër. Kjo luftë për liri nuk mund të njolloset. Kjo luftë për ekzistencë nuk mund të përbaltet, dhe këto dy procese duhet të ndahen shumë qartë në mënyrë që e vërteta historike, drejtësia, dhe sakrificat e një populli të tërë, të mos shkelen me këmbë.
    Besim deri në fund dhe jam e bindur që pas dëshmive të dhëna këtu, e pas një procesi të rregullt ligjor, ne do mund të shohim drejtësi për luftëtarët, drejtësi për Kosovën dhe të vërtetën e saj”, u shpreh Spiropali./vizionplus.tv

  • I urryer dhe i dëshiruar në të njëjtën kohë, karakteristikat që e bëjnë unik Akrepin

    I urryer dhe i dëshiruar në të njëjtën kohë, karakteristikat që e bëjnë unik Akrepin

    Akrepi, shenja më misterioze e zodiakut, ka hyrë në sezonin e saj dhe deri më 22 nëntor do të jetë shenja e përkëdhelur e yjeve, megjithatë në këtë artikull nuk do të parashikojmë muajin për ta, por do të flasim për karakteristikat dhe tiparet që bëjnë AKREPIN të jetë ai që është. I urryer dhe i dëshiruar në të njëjtën kohë.
    Akrepi është shenja më aktive e shenjave të grupit të ujit. Të lindurit në këtë shenjë janë gati të riskojnë dhe të ndërmarrin përsipër iniciativa që jo çdokush mund t’i ndërmerrte. Ata gjithashtu janë agresivë në mbrojtjen e interesave të tyre dhe nuk dorëzohen lehtë, kjo gjë i bën të suksesshëm në punën e tyre. Por një nga minuset e cila pengon Akrepin është mungesa e diplomacisë dhe mos analizimi i thellë i gjërave , që në situata të caktuara mund të kthehet kundra tij.
    Akrepi është shenja që nuk duron dot injorancën. Urren gjithashtu njerëzit që gënjejnë. Janë njerëz me humor, të gjindshëm dhe të pavarur, narcistë dhe shumë ambiciozë. Janë njerëz shumë intuitive. Ata kanë aftësinë për të zbërthyer personalitetin e tjetrit që në takimin e parë dhe të zbulojnë synimet e tij të vërteta.

    Akrepat janë tipa që nëse dashurohen me dikë, dashurohen “deri në vdekje”. Pra për ta dashuria është një dhe e vetme e nëse e gjejnë nuk e lëshojnë më kurrë. Madje edhe nëse fati nuk e sjell në mënyrë të tillë që të lidhin jetën me personin e tyre të zemrës, ata nuk dashurohen më kurrë me askënd tjetër, por i qëndrojnë besnikë dashurisë së tyre të parë dhe të vërtetë.

  • Zbulohet shuma, sa u pagua Chris LaCivita nga PD për zgjedhjet e 11 majit

    Zbulohet shuma, sa u pagua Chris LaCivita nga PD për zgjedhjet e 11 majit

    Partia Demokratike i ka paguar 1.5 milionë dollare Chris LaCivita, si konsulent per fushaten elektorale te zgjedhjeve te 11 majit.
    PD pritet te depozitoje në KQZ raportin për shpenzimet në zgjedhjet parlamentare ku është përfshirë dhe pagesa për LaCivita.
    Në këtë raport sqarohet se strategu i fushatës së PD është paguar 1,5 milionë dollarë.

    Chris LaCivita mbërriti në Tiranë në datën 10 shkurt dhe doli disa herë në fushatë zgjedhore në krah të kryetarit të PD Sali Berisha, përfshirë edhe në mitingjet që hapën dhe mbyllën fushatën elektorale te 11 majit.
    Chris LaCivita shërbeu si bashkëmenaxher dhe këshilltar kryesor në fushatën elektorale të Donald Trump për tu zgjedhur si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në 5 nëntorin e vitit të kaluar./vizionplus.tv

  • Erion Veliaj fitoi në Kushtetuese, ja si u ndan votat e gjyqtarëve

    Erion Veliaj fitoi në Kushtetuese, ja si u ndan votat e gjyqtarëve

    Erion Veliaj mbetet kryetar i Bashkisë së Tiranës. Kështu vendosi Gjykata Kushtetuese këtë të hënë.
    Vizion Plus mëson se vendimmarrja në trupën e gjyqtarëve, ka qenë 5-3 në favor të rrëzimit të vendimit të Qeverisë që shkarkonte kryebashkiakun e Tiranës, pas propozimit që i kishte bërë Këshilli Bashkiak i Tiranës.
    Gjyqtarët që votuan pro:

    Sander BeciIlir ToskaFiona PapajorgjiMarsida XhaferllariMariana Semini
    Gjyqtarët që votuan kundër:
    Olta ZaçajSonila BejtjaGent Ibrahimi

  • Zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Erion Veliajn

    Zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Erion Veliajn

    Gjykata Kushtetuese në datën 03.11.2025 mori në shqyrtim çështjen me kërkues Erion Veliaj, me objekt shfuqizimin e vendimit nr. 539/2025 të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij nga detyra e kryetarit të Bashkisë Tiranë; shfuqizimin e dekretit nr. 350/2025, të Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, si dhe pezullimin e efekteve të këtij dekreti.
    Gjykata vlerësoi fillimisht, njëzëri, se ajo ka juridiksion për kontrollin e VKM-së nr. 539/2025, pasi neni 115, pika 2, i Kushtetutës i ka dhënë asaj kompetencën të shqyrtojë vendimin e shkarkimit të kryetarit të bashkisë si organ i zgjedhur drejtpërdrejt i qeverisjes vendore. Kjo kompetencë i është dhënë Gjykatës me qëllim mbrojtjen e parimit të autonomisë vendore dhe të së drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.
    Në kuptim të nenit 115, pika 1, të Kushtetutës shkarkimi nga detyra i organit të zgjedhur drejtpërdrejt të njësisë së qeverisjes vendore është një koncept kushtetues.

    Gjykata theksoi, gjithashtu, se në jurisprudencën e saj të deritanishme ka përjashtuar nga juridiksioni kushtetues vetëm rastin e mbarimit të mandatit të kryetarit të bashkisë sipas neneve 6/1 dhe 179/1 të Kushtetutës (procesi i dekriminalizimit), ndërsa në të gjitha rastet e tjera të shkarkimit, sikurse në rastin konkret, ajo ka pranuar juridiksionin e saj për shqyrtimin e ankimeve kundër vendimeve të Këshillit të Ministrave për shkarkimin nga detyra të organeve të zgjedhura drejtpërdrejt të njësisë së qeverisjes vendore. Gjykata ritheksoi se atë që nuk ka dashur ta thotë Kushtetuta, nuk mund ta thotë ligji, sepse në të kundërt ekziston mundësia e kufizimit me ligj të garancive kushtetuese të organit të zgjedhur të qeverisjes vendore, çka, në thelb, kufizon vetë kompetencën e saj. Gjykata është organi që ka kompetencën për kontrollin e vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e organit të zgjedhur drejtpërdrejt, bazueshmëria në Kushtetutë dhe ligj e të cilit vlerësohet vetëm nga kjo Gjykatë, e cila thotë fjalën e fundit.
    Në lidhje me pretendimet e kërkuesit, Gjykata i shqyrtoi ato në themel në kuadër të procesit të rregullt të lidhur me masën e shkarkimit, me përjashtim të pretendimit për prezumimin e pafajësisë për të cilin ajo vendosi rrëzimin. Në këtë pikë, Gjykata vlerësoi të theksojë se shqyrtimi dhe vlerësimi i çështjes ka të bëjë vetëm me procesin e shkarkimit të kërkuesit nga detyra e kryetarit të Bashkisë Tiranë, pra jo me procesin penal të regjistruar në ngarkim të tij.
    Në kushtet kur pranoi në juridiksionin kushtetues VKM-në nr. 539/2025, Gjykata, bazuar në jurisprudencën e saj, në lidhje me të drejtën për proces të rregullt i shqyrton rastet e shkarkimit të organit të zgjedhur të qeverisjes vendore si gjykim në themel të çështjes, duke vepruar si gjykatë fakti dhe ligji, duke analizuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e procesit dhe të aktit. Në thelb, Gjykata shqyrton nëse shkaku i shkarkimit përbën shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe të ligjeve dhe nëse Këshilli i Ministrave ka respektuar procedurat për ta motivuar dhe arsyetuar plotësisht vendimin e shkarkimit.
    Gjykata vlerësoi se neni 62 i ligjit nr. 139/2015 është detajim i nenit 115, pika 1, të Kushtetutës. Kjo normë kushtetuese nuk i ka deleguar ligjvënësit të zakonshëm parashikimin e rasteve të tjera për shkarkim përveç atyre të përcaktuara prej saj, të cilat kanë të bëjnë me shkeljen e rëndë të Kushtetutës dhe të ligjeve. Në lidhje me këtë, tre gjyqtarë mbajtën qëndrimin se të gjitha parashikimet e shkronjave “a”, “b” dhe “c” të nenit 62 të ligjit nr. 139/2015 janë miratuar nga ligjvënësi në kuptim të delegimit kushtetues të nenit 115 të Kushtetutës.
    Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se procedura e ndjekur në rastin konkret nga këshilli bashkiak dhe më tej nga Këshilli i Ministrave, duke mos e njoftuar kërkuesin, nuk ka garantuar të drejtën e tij për proces të rregullt në aspektet e së drejtës për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur.
    Gjykata theksoi se procesi i rregullt kërkon përmbushjen e garancive procedurale të individit, të cilat përbëjnë detyrim të organeve publike që realizojnë procesin dhe në asnjë rast nuk mund të zhvendoset barra nga këto organe te individi. Në këtë kuptim, vetëm marrja dijeni për datën e mbledhjes së këshillit bashkiak nuk çliron organin publik për të garantuar të gjitha detyrimet si më sipër.
    Po kështu, Gjykata, vlerësoi, me shumicë votash, se Këshilli i Ministrave, teksa vendosi shkarkimin e kërkuesit nga detyra sipas nenit 62, shkronja “c”, të ligjit nr. 139/2015, nuk e ka justifikuar shkarkimin me shkeljen e rëndë të Kushtetutës dhe të ligjeve, për të cilat ai mund të mbahet përgjegjës. Në këtë pikë, Gjykata theksoi se mbrojtja e interesit publik për të garantuar të drejtën e zgjedhësve për t’u qeverisur nga një organ i zgjedhur drejtpërdrejt nuk mund të justifikojë cenimin e garancive kushtetuese.
    Për këto arsye, Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se kërkuesit i është cenuar e drejta për proces të rregullt e lidhur me masën e shkarkimit, prandaj vendosi shfuqizimin e VKM-së nr. 539/2025.
    Në lidhje me dekretin e Presidentit të Republikës, Gjykata theksoi se për sa kohë kontrolli i shkarkimit nga detyra të organit të qeverisjes vendore sipas nenit 115, pika 2, të Kushtetutës i përket juridiksionit kushtetues, edhe kontrolli i akteve të pushtetit publik të nxjerra si rrjedhojë dhe për shkak të vendimit të shkarkimit dhe krijimit të vakancës, siç është dekreti i Presidentit të Republikës, i përkasin po ashtu juridiksionit kushtetues. Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se nuk ka nevojë të ndiqen rregullat për shterimin e mjeteve në gjykatën administrative, sipas nenit 131, pika 1, shkronja “f” të Kushtetutës.
    Duke qenë se shfuqizoi VKM-në nr. 539/2025, me qëllim riparimin e pasojave që vijnë nga dekreti i Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë, në konsideratë të nenit 115, pika 3, të Kushtetutës, Gjykata vendosi të shfuqizojë edhe këtë dekret pasi është një akt i nxjerrë për plotësimin e vakancës të krijuar nga VKM-ja për shkarkimin nga detyra të kërkuesit.
    Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, për arsyet e mësipërme, Gjykata vendosi, me shumicë votash:
    Pranimin e kërkesës.
    Shfuqizimin e vendimit nr. 539, datë 25.09.2025 të Këshillit të Ministrave “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
    Shfuqizimin e dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, si të papajtueshëm me paragrafët 2 dhe 3 të nenit 115 të Kushtetutës.
    Vazhdimin e masës së pezullimit të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi.
    Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

  • Pasi dha dorëheqjen si kryebashkiak i Vlorës, Ermal Dredha emërohet ambasador i Shqipërisë në Zvicër

    Pasi dha dorëheqjen si kryebashkiak i Vlorës, Ermal Dredha emërohet ambasador i Shqipërisë në Zvicër

    Ish-kryebashkiaku i Vlores, Ermal Dredha është emëruar ambasador i Shqipërisë në Zvicër.
    Kjo vjen pas doreheqjes së tij nga posti i kreut të bashkisë.
    Ermal Dredha e filloi karrierën në vitin 1999 si përkthyes për gazetarë italianë gjatë krizës së Kosovës. Në vitin 2000 u emërua menaxher i arkivit kompjuterik në Bashkëpunimin Italian në Tiranë, duke menaxhuar projekte infrastrukture uji.

    Në 2002 iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme si asistent personal i zv/kryeministrit dhe ministrit të jashtëm. Më vonë u drejtues i sektorit të IT dhe i Departamentit të Protokollit Shtetëror. Nga dhjetori 2010 deri në nëntor 2013 ishte Drejtor i Protokollit Shtetëror.
    Nga nëntori 2013 deri në nëntor 2016 shërbeu si Konsull i Përgjithshëm në Bari, Itali.
    Nga maji 2016 deri në mars 2023 shërbeu si Ambasador i Shqipërisë në Emiratet e Bashkuara Arabe.
    Në prill 2023 u përzgjodh si kandidat i Partisë Socialiste për zgjedhjet lokale në Bashkinë e Vlorës. Në maj 2023 fitoi zgjedhjet dhe mori detyrën në korrik 2023, duke zëvendësuar Dritan Lelin.
    Ai qëndroi në këtë detyrë për 2 vite, duke u dorëhequr më pas, e duke iu rikthyer sërish diplomacisë./vizionplus.tv

  • “Hëna e Kastorit”, ja shenjat që do të ndikohen më shumë

    “Hëna e Kastorit”, ja shenjat që do të ndikohen më shumë

    Më 5 nëntor, qielli i natës do të ndriçohet nga “Hëna e Kastorit”, një superhënë që do të shfaqet më e madhe dhe më e ndritshme se zakonisht.
    Kjo është superhëna e dytë e vitit, dhe sipas astrologëve, pritet të sjellë energji të fuqishme që do të ndikojnë në mënyrë të veçantë tek disa shenja të zodiakut.
    “Hëna e Kastorit” formohet në shenjën e demit, e sunduar nga venusi, duke vënë në qendër të vëmendjes stabilitetin, sigurinë materiale dhe kënaqësitë tokësore. Por, kjo periudhë do të shoqërohet edhe me kombinime planetare të ndërlikuara, të cilat mund të sjellin përplasje emocionesh, pasione të forta dhe tensione të brendshme.

    Demi (20 Prill – 20 Maj)
    Kjo superhënë bie pikërisht në shenjën tuaj dhe për ju shënon një pikë kthese të madhe personale. Është koha të hiqni dorë nga gjithçka që nuk ju shërben më dhe të përqafoni ndryshimin. Në marrëdhënie, mund të ketë të vërteta që dalin në dritë ose emocione të forta që çojnë drejt një fillimi të ri.
    Binjakët (21 Maj – 20 Qershor)
    Universi po ju fton të bëni një ndalesë për reflektim të brendshëm. Ndoshta do të përballeni me ndjenja të vjetra apo sekrete që kërkojnë zgjidhje. Kjo është periudha për të pastruar mendjen dhe për t’u përgatitur për vendime të rëndësishme që do të ndikojnë rrjedhën e muajve në vijim.
    Akrepi (23 Tetor – 21 Nëntor)
    Energjia e kësaj Hëne të plotë prek drejtpërdrejt jetën tuaj sentimentale. Për ata që janë në marrëdhënie, mund të vijë një periudhë e intimitetit të ringjallur, ose, në disa raste, një fund që hap një fillim të ri. Beqarët mund të tërheqin një lidhje të fortë, magnetike dhe transformuese, që mund t’u ndryshojë jetën në mënyrë të papritur.

  • Berisha: Rrëzimi i vendimit të qeverisë nga Gjykata Kushtetuese për Erion Veliajn, i drejtë

    Berisha: Rrëzimi i vendimit të qeverisë nga Gjykata Kushtetuese për Erion Veliajn, i drejtë

    “Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë zbatuar ligjin”. Kështu deklaroi kreu i PD Sali Berisha në një deklaratë për mediat, duke e cilësuar si të drejtë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të lënë në detyrën e kryebashkiakut Erion Veliajn.
    Sipas Berishës, vendimi i Kushtetueses, ishte një dhuratë nga kryeministri Edi Rama për Veliajn.
    “E komentoj si një vendim të gjyqtarëve që në këtë rast zbatuan ligjin. Por gjithashtu e shoh si një dhuratë që Edi Rama, që nuk njeh asnjë ligj e moral, ia bëri padashje kundërshtarit të tij.Ai e trajtoi në burg në mënyrë që shkeli Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, Kushtetutën dhe çdo standard të një shteti ndaj të burgosurve. Me këtë veprim, ai i dha Erion Velisë avantazhin e sotëm de facto. Nuk ka moral, sepse Haram Begaj dhe Edi Rama janë të palosur, të dy janë të rrëzuar me këtë vendim“, tha Berisha./vizionplus.tv

  • Gjykata Kushtetuese “rrëzon” qeverinë, Erion Veliaj mbetet kryetar i Bashkisë së Tiranës

    Gjykata Kushtetuese “rrëzon” qeverinë, Erion Veliaj mbetet kryetar i Bashkisë së Tiranës

    Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar vendimin e qeverisë për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
    Vendimmarrja në trupën e gjyqtarëve, raporton gazetarja  e Vizion Plus Olta Blaceri, ka qenë 5-3 në favor të rrëzimit të vendimit të Qeverisë që shkarkonte kryebashkiakun e Tiranës, pas propozimit që i kishte bërë Këshilli Bashkiak i Tiranës.
    Me këtë vendim, anulohet gjithashtu edhe dekreti i Presidentit Bajram Begaj për caktimin e datës së zgjedhjeve në Tiranë.

    Që prej arrestimit më 10 shkurt, seanca e 31 tetorit ishte shfaqja parë publike e Veliajt, i cili gjatë fjalës së tij theksoi se mandati i tij kushtetues nuk mund të ndërpritet nga askush para përfundimit të afatit, përveç rasteve kur ka shkelje të rënda të Kushtetutës.
    Veliaj u shkarkua nga posti i kryetarit tw Bashkisw në Asamblenë Socialiste të 11 shtatorit, nga kryesocialisti Edi Rama i cili lajmëroi nevojën për zgjedhje të parakohshme në Tiranë.
    Pas kësaj kërkese të kreut të qeverisë, anëtarësia socialiste në Këshillin Bashkiak kërkoi shkarkimin e Veliajt, e cila mori dhe mbështetjen e opozitës.
    Më 25 shtator Këshilli i Ministrave finalizoi shkarkimin e Erion Veliajt. Gjatë mbledhjes së drejtuar nga kryeministri Edi Rama, Veliaj u shkarkua nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
    Në vijim të procedurave presidenti Begaj nxori dekretin për zgjedhjet më 9 nëntor, ku pjesë e këtij dekreti ishte edhe Bashkia e Tiranës.
    Por, më 9 tetor Kushtetuesja e cila u vu në lëvizje me kërkesë të Veliajt, vendosi që të pezullonte dekretin e Begajt lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve në Tiranë.
    Ky proces pezulloi përkohësisht zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë e Tiranës, të planifikuara për 9 nëntor. Ndërsa tashmë me vendimin e Kushtetueses për ta lënë Veliaj në postin e kryebashkiakut, Tirana nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, por pas 2 vitesh, atëhere kur edhe ligjërisht do të zhvillohen zgjedhjet vendore./vizionplus.tv