Policia e Vlorës ka vënë në pranga një prej autorëve të dyshuar të vrasjes së 58-vjeçarit Renato Hoxhaj, ngjarje e ndodhur më 27 prill të këtij viti.
Sipas uniformave blu i arrestuari është pjesëtar i një grupi kriminal që vepron në fushën e krimeve të rënda dhe i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje.
“Si rezultat i operacionit policor të koduar “Në gjurmë”, të zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i një prej autorëve të dyshuar të ngjarjes së ndodhur më datë 27.04.2025, në lagjen “Hajro Çakërri”, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi R. H., 58 vjeç.
Në vijim të hetimeve, bazuar mbi provat e siguruara nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, me vendimin e datës 30.07.2025, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për shtetasin K. B., alias A. G., 42 vjeç, banues në Vlorë, i dyshuar si bashkëautor në kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim.
Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e datës 27.04.2025, rreth orës 06:20, pranë Poliklinikës së qytetit të Vlorës, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi R. H., 58 vjeç.
Vijojnë veprimet për kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë të dyshuar”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë./Opinion.al
Author: Opinion.al
-

Arrestohet një prej autorëve të dyshuar të vrasjes së Renato Hoxhajt në Vlorë
-

KPA shkarkon nga detyra prokurorin Kledian Llaho
Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi sot, më 1 gusht, shkarkimin nga detyra të prokurorit të Sarandës, Kledian Llaho, duke ndryshuar vendimin që kishte marrë shkalla e parë e KPK-së tre vite më parë.
Trupa gjykuese e kryesuar nga Natasha Mulaj vendosi unanimisht që Llaho duhej shkarkuar duke çmuar të drejtë pretendimin e Komisionerit Publik dhe drejtuesit të SPAK se “Llaho nuk rezulton i besueshëm në kriterin e pasurisë”.
Sipas tvklan, në verifikimin e çështjeve profesionale u konkludua se “subjekti ka dështuar të ndërmarrë hetime logjike, të mbledhë gjithë provat dhe në mënyrë efektive”.
Prej janarit të këtij viti, Llaho ishe pezulluar me kërkesë të SPAK për veprime me natyrë korruptive, duke kërkuar përftime të parregullta materiale, nga të cilat do të përfitonte në mënyrë të drejtpërdrejtë vjehrri i tij. -

“S’mund të paraqitemi si rraqexhi e…”/Rama: Nuk bëhemi dot anëtarë të BE duke…
Kryeministri Edi Rama ka dalë sot në një komunikim live në rrjete sociale, teksa po flet për ngjarjet e ndodhura së fundmi në vend si dhe për rrugën drejt integrimit europian.
Sipas tij, kjo e fundit kërkon një përqasje të re ndaj hapësirës së përbashkët dhe respektit për territorin.
Ai thekson se është e domosdoshme të vendoset një vijë e qartë ndarëse mes të drejtës, për të zhvilluar një aktivitet legjitim dhe kufijve që duhen respektuar në hapësirat që i përkasin të gjithëve.
”Nuk mund të bëhemi anëtarë të BE duke i ndarë mbrapsht punët, disa andej që përpiqet të bëjnë punën dhe disa që përpiqen të bëjnë diçka duke mos pyetur për punën e përbashkët.
Në këtë aspekt territori ka një rëndësi të posaçme. Respekti për hapësirën e përbashkët ka rëndësi të posaçme. Vendosja qartë e kufirit mes të drejtës mbi hapësirën e përbashkët dhe të drejtës së kujdo që do të zhvillojë një aktivitet të caktuar legjitim në këtë hapësirë është një domosdoshmëri.
Nuk mundet dot që të vazhdojmë të lejojmë që bukuritë e mëdha që na ka falur zoti të abuzohen dhe nga ana tjetër ne të paraqitemi para fëmijëve tanë, pastaj edhe të tjerëve, nëse për veten nuk paskemi respekt si raqexhi, si delenxhi dhe si abuzues me pasuri që nuk janë tonat, por janë të përbashkëta.
Kemi bërë disa hapa, por ju siguroj që ky nuk është aksion, por është një përpjekje e pandalshme e të qëndruarit së bashku”, tha Rama. -

Lirimi i hapësirave publike, Rama: Do hapim portal për denoncime!
Kryeministri Edi Rama foli sot për aksionin e qeverisë për lirimin e hapësirave publike.
Përmes një komunikimi live në rrjete sociale, Rama paralajmëroi hapjen e një portali të posaçëm për të denoncuar të gjitha rastet e zaptimit të hapësirave publike.
Më tej, kreu i qeverisë theksoi se kjo betejë do të vazhdojë deri në finalizimin e tij dhe deri sa qytetarët të kuptojnë se nuk mund të shtyjnë kufirin aty ku fillon jeta e komunitetit.
”Nuk mundet dot të moshuarit mos të kenë mundësi të ulen në një hapësirë përmes lagjes sepse aty dikush ka vendosur një tra, apo dikush ka vendosur të lidhë zorrën me sistemin e ujit apo të hapë një pus për të hapur lavazh.
Duhet durim edhe për faktin se disa nuk marrin vesh. Ça po bëjmë ne? Kemi studiuar rregulloret e shumë qyteteve, si Barcelona apo Kopenhageni që i kanë kufizimet e caktuara.
Ka qytete tjera që kanë formula tjera por ne do ti bëjmë shumë të qarta këto. Rregullorja do të përcaktojë me centimetra kufijtë e hapësirave që mund të përdoren nga subjektet private.
Do të ketë edhe detyrime, por edhe ndëshkime të forta për ata që nuk respektojnë rregullat. Me rëndësi të kuptojmë se ideja nuk është hajde o burra të ndëshkojmë. Do hiqen të gjitha dërrasat platformat, do hiqen hap pas hapi.
Është shumë gjë e mirë që ju të merrni pjesë…do të hapet edhe një portal i posaçëm hapësira ime, ku të gjithë të denoncojë zaptimin e hapësirave.
Duhet të ndahet mendja se nuk mund të shtyhesh përtej kufirit ku fillon jeta e komunitetit. Ndëshkimet do të jenë të forta…Rilindja Urbane 2.0 do t’i kthejë këto hapësira të çliruara në vende të denja për qytetarët.
Pastrojmë disa zona, por nuk mund t’i lëmë ashtu. Duhet të ndërhyjmë me projekte urbanistike që të krijojmë hapësira të bukura dhe të dobishme”, shprehet Rama. -

Rregullore për kantieret e ndërtimit/ Rama: Masa drastike nëse cënohet komuniteti
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se për kantieret e ndërtimit në zonat e banuara do të ketë një rregullore të re.
Në një video të bërë në rrjete sociale lidhur me lirimin e hapësirave publike, Rama theksoi se duhen marrë masa që kush ndërton pallat të mos bëhet problem për banorët e zonës.“Kush ndërton pallat nuk mund të bëhet problemi i zonës. Duhet të marrë masa që zona përreth të mos e ndjejë fare ose ta ndjejë shumë pak. Kantiere të rrethuara, pa zaptim të trotuareve, me kalime për këmbësorët këto janë gjëra bazike,” theksoi Rama.
Ai njoftoi se së shpejti do të miratohet një rregullore e re për ndërtuesit, e cila do të përcaktojë detyrime të qarta për menaxhimin e kantiereve në zonat urbane.
“Nuk po bëjmë vetëm një pastrim të platformave dhe tendave, por edhe një kontroll të kantierëve. Sepse kantieret nuk dalin në televizor, por janë një burim i përditshëm shqetësimi për qytetarët,” shtoi Rama. -

Gjykata Evropiane:Italia duhet të sigurojë rishikimin e vendimeve për azilkërkuesit
Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka marrë vendim të premten që vendet e Bashkimit Evropian mund t’i përshpejtojnë refuzimet e kërkesave të azilit për personat që janë nga vendet që konsiderohen të “sigurta”, por vetëm nëse ky përcaktim përmbush standardet strikte ligjore, dhe u mundëson aplikantëve dhe gjykatave të kenë qasje dhe t’i kundërshtojnë provat mbështetëse.
Në lëndën para gjykatës së BE-së përfshihen rastet e dy shtetasve të Bangladeshit, të cilët janë shpëtuar në det nga autoritetet italiane dhe janë transferuar në një qendër ndalimi në Shqipëri, nën protokollin e dakorduar mes Italisë dhe Shqipërisë.
Rasti ka përfunduar në gjykatë pasi kërkesat e këtyre dy azilkërkuesve janë refuzuar, bazuar në përcaktimin e Italisë se Bangladeshi është shtet i “sigurt”.
Kushti i dytë i gjykatës parasheh që një shtet i origjinës mund të përcaktohet i “sigurt” nëse ofron mbrojtje adekuate për gjithë popullsinë, përfshirë minoritetet.
Në kuadër të përpjekjeve të Qeverisë së krahut të djathtë në Romë për të përshpejtuar procesimin e kërkesave të azilkërkuesve, dhe për të zvogëluar numrin e atyre që mund të hyjnë në shtet, Italia e ka përpiluar një listë të shteteve që i konsideron të sigurta për migrantët dhe të cilët, sipas saj, nuk kanë të drejtë ligjore për të kërkuar mbrojtje ndërkombëtare.
Qeveria italiane synon t’i dërgojë migrantët nga shtetet e përcaktuara si të “sigurta” në një qendër ndalimi në Shqipëri, ku do të analizohen kërkesat për azil, përmes një procedure të përshpejtuar.
Një gjykatë italiane që është marrë me lëndën e dy shtetasve të Bangladeshit, ka kërkuar nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë të sqarojë nëse Qeveria italiane mund të përpilojë një listë të shteteve të “sigurta” dhe nëse Roma duhet t’i deklarojë burimet e veta mbi të cilat e ka shpallur një vend të “sigurt” dhe se çfarë kriteresh janë respektuar.
Teksa qasja e të djathtës ekstreme sa shkon e pëlqehet më shumë në bllokun evropian me 27 vende anëtare, shumë shtete të BE-së janë duke miratuar qasje më të ashpër ndaj migrimit.
Shumë kryeqytete evropiane janë duke shqyrtuar idenë që të krijohen qendra jashtë bllokut për azilkërkuesit të cilëve u është refuzuar azili, ose janë në proces.
Megjithatë, përpjekja e Italisë për t’i procesuar kërkesat dhe për t’i transportuar migrantët në Shqipëri është duke u përballur me një mori pengesash ligjore.
Zyra e kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, ka thënë të premten përmes një deklarate se vendimi i gjykatës së BE-së është “befasues” dhe “dobëson politikat për të luftuar imigrimin ilegal masiv dhe mbrojtjen e kufijve kombëtarë”./REL -

Tropojë/I shpallur në kërkim për kultivim të bimëve narkotike, arrestohet 29-vjeçari
Një 29-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Tropojës, pasi ishte shpallur në kërkim për kultivim të bimëve narkotike.
Sipas uniformave blu mësohet se 29-vjeçari me iniciale Gj. P., ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, pas punë të mirorganizuar, finalizuan operacionin policor të koduar “Lekbibaj”, si rezultat i të cilit, në vendin e quajtur “Kodra e Markajve”, Lekbibaj, kapën shtetasin:
Gj. P., 29 vjeç, banues në fshatin Mserr.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Shtetasi Gj. P. dyshohet se ka kultivuar bimë narkotike, në vitin 2022, në fshatin Mserr”, njofton policia. -

Marrëveshja për emigrantët, Gjykata Europiane e Drejtësisë rrëzon qeverinë italiane
Gjykata Europiane e Drejtësisë (GJED) ka rrëzuar qeverinë italiane dhe i ka dhënë të drejtë padisë kundër procedurës së kufirit në qendrat e pritjes së emigrantëve në Shqipëri.
“Përcaktimi i vendeve të treta si vende të sigurta origjine duhet të jetë i mundur të rishikohet në mënyrë efektive nga gjykata”, ka vendosur GJED, duke vënë në pikëpyetje përdorimin e plotë të qendrave të ngritura në Shqipëri, sipas asaj që shkruan La Repubblica.Prej muajsh tashmë, ato janë përdorur vetëm për të strehuar 25-30 emigrantë, ndërsa mbeten bosh rreth 400 vende që, sipas projektit fillestar të kryeministres Giorgia Meloni, do të duhej të strehonin kërkuesit e azilit të shpëtuar në det.
Çfarë vendosi gjykata?
Sipas gjykatës, një shtetas i një vendi të tretë mund të përballet me refuzimin e kërkesës së tij për mbrojtje ndërkombëtare nëpërmjet një procedure të përshpejtuar kufitare, nëse vendi i tij i origjinës është shpallur “i sigurt” nga një shtet anëtar.Gjykata sqaron se një shpallje e tillë mund të bëhet përmes një akti ligjor, për sa kohë që ai akt mund të jetë objekt i një kontrolli gjyqësor efektiv, në lidhje me respektimin e kritereve thelbësore të përcaktuara nga e drejta e Bashkimit Evropian.
Së fundi, Gjykata thekson se, deri në hyrjen në fuqi të një rregulloreje të re që do të zëvendësojë direktivën aktuale, një shtet anëtar nuk mund të shpallë si vend “të sigurt” një vend të tretë që nuk përmbush, për kategori të caktuara personash, kushtet thelbësore për një shpallje të tillë.
Rregullorja e re, e cila do të lejojë parashikimin e përjashtimeve për kategori të qarta dhe të identifikueshme personash, do të hyjë në fuqi më 12 qershor 2026, megjithatë, legjislatori i BE-së mund ta përshpejtojë këtë afat.
Padia nga gjykatat italiane
Gjyqtarët e disa gjykatave italiane, përfshirë edhe Gjykatën e Kasacionit, të cilës iu drejtua Ministria e Brendshme Italiane pas vendimeve të përsëritura për anulimin e mbajtjes së emigrantëve në Shqipëri (por edhe në dy qendra të tjera në Itali për kërkuesit e azilit) iu drejtuan Gjykatës së Drejtësisë së BE-së me dy pyetje:Pyetja e parë kishte të bënte me vetë përkufizimin e një vendi si “i sigurt”, edhe kur ekzistojnë kategori personash ose zona në rrezik. Edhe pse çdo qeveri ka të drejtën të përcaktojë listën e vendeve të sigurta, përfshirja e një shteti në atë listë nuk duhet të ndodhë nëse ai nuk i plotëson kushtet përkatëse.
Pyetja e dytë lidhej me mundësinë për të përfshirë në listë vende ku është konstatuar shkelja e të drejtave themelore dhe të panegociueshme të njeriut, sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në dëm të një ose më shumë kategorive të njerëzve.
Ndikimi i vendimit mbi qeverinë
Me këtë vendim nuk do të jetë më e mundur të rikthehen fillimisht në qendrën pritëse në Shëngjin dhe më pas në Gjadër, emigrantët e shpëtuar në det nga anijet ushtarake italiane dhe që vijnë nga vende që Italia i konsideron si të sigurta, pra emigrantë që, sipas qeverisë, duhet të kthehen shpejt në vendet e tyre, sapo të përfundojë procedura e përshpejtuar kufitare.
Ky ishte një projekt që qeveria italiane ishte detyruar ta braktiste muajt e fundit, pasi shumë gjyqtarë italianë kishin konsideruar se rregullat ishin në kundërshtim me një vendim të mëparshëm të Gjykatës së Drejtësisë së BE-së të tetorit 2024, dhe për këtë arsye i kishin drejtuar vetë Gjykatës pyetje paraprake mbi interpretimin e duhur të konceptit të “vendit të sigurt”.
Interpretimi i dhënë nga Gjykata e Drejtësisë i thotë gjyqtarëve italianë se ndërhyrja e tyre për të anuluar ndalimin e emigrantëve që vijnë nga një shtet i përfshirë nga qeveria në listën e vendeve të sigurta është e ligjshme.
La Repubblica shkruan se ky vendim e gjen të papërgatitur qeverinë e Melonit, e cila kishte llogaritur shumë një vendim në favor të saj.
Kjo bazuar edhe në ato që kishte parë të paralajmëruar në muajt e fundit nga qëndrimet politike të shumicës së shteteve të përfaqësuara në Gjykatën e Drejtësisë së BE-së, si dhe nga përputhshmëria me direktivën e re për kthimet, që pritet të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm, menjëherë pas zbatimit të Paktit të ri për Migracionin dhe Azilin.
Kujtojmë se në mars qeveria e Melonit vendosi të ndryshojë funksionin te qendrat e emigrantëve në Shëngjin dhe në Gjadër.
Nëse më parë ato ishin konceptuar për mbajtjen e emigrantëve të shpëtuar në ujërat ndërkombëtare, tashmë përdoren për strehimin e atyre që u është refuzuar azili dhe që janë në pritje të riatdhesimit.
Por edhe për këtë, Meloni ka hasur telashe pasi Gjykata e Lartë në Romë kërkoi opinionin e Gjykatës Europiane të Drejtësisë për rastet e dërgimit të dy emigrantëve, duke ngritur pikëpyetje për qëllimet për të cilat po shfrytëzohet aktualisht kjo qendër.
Në rastin e parë, kërkohet opinion për përputhshmërinë e dërgimit nga Italia në kampin e Shqipërisë të azilkërkuesve të refuzuar me qëllim riatdhesimin.
Ndërsa në rastin e dytë, opinioni kërkohet për dërgimin në Gjadër të azilkërkuesve të hyrë në mënyrë të paligjshme./tvklan -

Ndez zjarr pranë rezervuarit dhe dogji dhjetëra rrënjë ulliri, arrestohet 41-vjeçari
Policia ka vënë në pranga një 41-vjeçar, pasi ndezi zjarr në afërsi të rezervuarit të fshatit Kryekuq, dhe si pasojë u dogjën dhjetëra rrënjë ulliri.
Si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur 70 rrënjë ulliri në pronësi të një shtetaseje.
“Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen para përgjegjësisë penale të autorëve të rasteve të zjarrvënieve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë arrestuan në flagrancë shtetasin D. T., 41 vjeç, banues në fshatin Kryekuq.
41-vjeçari dyshohet se ka ndezur zjarr në afërsi të rezervuarit të fshatit ku banonte, për të pastruar një sipërfaqe toke nga barishtet.
Si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur 70 rrënjë ulliri në pronësi të një shtetaseje”, njofton policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme./Opinion.al -

Prostitucion në një apartament në Elbasan, arrestohen 2 shtetase nga Kazakistani
Policia e Elbasanit ka vënë në pranga 2 shtetase nga Kazakistani, pasi ushtronin prostitucion në një apartament të marrë me qira, në lagjen “5 Maji”.
Po ashtu është proceduar penalisht pronarja e apartamentit.
Uniformat blu kanë sekuestruar shuma parash në valuta të ndryshme, 3 celularë dhe dokumentet e 2 shtetaseve të arrestuara.
“Rreth 1 javë më parë, Policia e Elbasanit zbuloi dy apartamente të tjera të marra me qira, nga shtetase të huaja, për të ushtruar prostitucion.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, si rezultat i një hetimi të kryer me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, për goditjen e një rasti të ushtrimit të prostitucionit, finalizuan operacionin “Booking”, gjatë të cilit u zbulua apartamenti në lagjen “5 Maji”, ku kryhej kjo veprimtari.
Për këtë rast u arrestuan në flagrancë shtetaset nga Kazakistani, A. A., 34 vjeç dhe A. A., 27 vjeç, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen R. Ç., 42 vjeçe, banuese në Elbasan.
Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetaset e huaja ushtronin prostitucion në apartamentin e marrë me qira nga 42-vjeçarja”, njofton policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme./Opinion.al