Author: Opinion.al

  • Mbante armë zjarri në makinë, arrestohet i riu në rrugën Krastë–Bulqizë

    Mbante armë zjarri në makinë, arrestohet i riu në rrugën Krastë–Bulqizë

    Një 20-vjeçar është arrestuar në flagrancë në aksin rrugor Krastë–Bulqizë, pasi u kap duke qarkulluar me armë zjarri në automjetin që drejtonte.
    Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj një automjeti tip “Benz”, kamionçinë, u zbulua një armë zjarri pistoletë e tipit “Zastava”, e fshehur në mjet, së bashku me një krehër që kishte 10 fishekë luftarakë.
    I riu, banues në fshatin Peshk, Njësia Administrative Martanesh, u ndalua menjëherë dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit, municioni si dhe automjeti.
    Materialet procedurale u referuan pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme hetimore.
    Arrestimi vjen si pjesë e një fushate të intensifikuar për identifikimin dhe ndalimin e personave që qarkullojnë të armatosur, duke rrezikuar sigurinë publike.

  • Tërhoqi nga flokët vajzën e tij në rrugët e Korçës, nis hetimi për 33-vjeçarin

    Tërhoqi nga flokët vajzën e tij në rrugët e Korçës, nis hetimi për 33-vjeçarin

    Policia ka nisur hetimet për një 33-vjeçar holandez pasi u filmua në zonën e Pazarit të Ri në Korçë duke dhunuar vajzën e tij. Ai shihet teksa kap të miturën dhe e tërheq për flokësh, teksa vogëlushja qante.
    Vajza mbahej për dore nga nëna e saj, e cila nuk reagoi në asnjë moment të dhunës së ushtruar nga i shoqi ndaj të miturës, ndërsa vazhdojnë rrugën.
    Nga deklarimet e para dhënë para oficerëve të policisë gjyqësore, u konstatua se burri që ushtroi dhunë ndaj vajzës së mitur është babai i saj.  Ai është identifikuar si M. U., 33 vjeç, shtetas holandez.
    Në përfundim të veprimeve hetimore paraprake, materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë. Ndaj shtetasit M. U. është nisur procedim penal për veprën “Keqtrajtimi i të miturit”.
    Policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe apelon qytetarët që të denoncojnë çdo rast dhune apo keqtrajtimi ndaj fëmijëve.

  • Daily Mail/ Burrat në Angli, në Has mbeten vetëm gratë! Efekti negativ i emigrimit

    Daily Mail/ Burrat në Angli, në Has mbeten vetëm gratë! Efekti negativ i emigrimit

    Në një reportazh të fundit nga Daily Mail, vihet në qendër të vëmendjes historia e Besmirës, një gruaje 32-vjeçare nga qyteti verior i Hasit në Shqipëri, e cila prej katër vitesh jeton me shpresën se një ditë do të ribashkohet me bashkëshortin e saj, Arbenin.
    Ai emigroi ilegalisht drejt Britanisë në vitin 2021, duke paguar 5 mijë paund për të kaluar me gomone Kanalin e La Manshit nga Franca.
    Sot, punon në një kantier ndërtimi në Mançester dhe jeton në kushte të vështira, duke punuar 12 orë në ditë për t’i dërguar para familjes së tij në Shqipëri.
    Besmira, e cila jeton me prindërit e Arbenit, ka hequr dorë nga puna si eksperte statistikash në bashkinë e Hasit dhe rrëfen se po përballet me depresion dhe vetmi.
    “E dua burrin tim, duam të kemi një fëmijë. Por si mund të ndërtojmë një familje përmes telefonatave që zgjasin prej katër vitesh?”, shprehet ajo, duke kërkuar të mbetet anonime në artikull për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.
    Kjo nuk është një histori e rrallë në Has, një komunë me vetëm 5 mijë banorë, ku sipas Daily Mail, tetë nga dhjetë familje mbijetojnë falë të ardhurave të djemve dhe burrave që kanë emigruar në Britani, shpesh në mënyrë ilegale.
    Në vitin 2022, më shumë se 13 mijë shqiptarë – përfshirë të mitur – hynë në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar dhe një përqindje e madhe e tyre vinte pikërisht nga kjo zonë, sipas asaj që raporton prestigjiozja britanike.
    Pasojat sociale të këtij fenomeni janë thellësisht të dukshme. Vajzat e reja në Has qëndrojnë në kafe duke pritur “të fejuarit” nga Britania, ndërsa djemtë largohen sapo mbarojnë shkollën e mesme.
    “Zinxhiri normal i jetës – njohje, fejesë, martesë, fëmijë – është thyer. Djemtë janë në Angli, vajzat mbesin këtu të vetmuara,” – thotë Jahir Cahani, një mësues i kthyer në iniciator të projekteve turistike për të ndalur zbrazjen e Hasit.
    Ndërkohë, autoritetet lokale përpiqen të ruajnë lidhjen simbolike me Britaninë. Në sheshin qendror është vendosur një monument me zemrën që përmban flamurin britanik dhe atë shqiptar, dhe shumë kafene janë dekoruar me simbole si Big Ben apo imazhe të Mbretëreshës Elizabeth II.
    Por prapa kësaj fasade të “mirënjohjes”, fshihet një realitet i trishtë: fëmijë që rriten pa baballarë, gra që mbajnë mbi shpinë barrën e dyfishtë të familjes dhe një komunitet që po humbet ekuilibrin shoqëror. Profesorë dhe aktivistë lokalë e quajnë këtë “shkatërrim të strukturës familjare”.
    Edhe nëse burrat kthehen për pushime apo martesa, shumë gra nuk arrijnë të bashkohen me ta në Britani për shkak të barrierave ligjore dhe të të ashtuquajturave “viza bashkëshortore” që kërkojnë të ardhura minimale dhe dokumentacion të ndërlikuar.
    Historia e Besmirës është vetëm një zë mes qindra grave të tjera në Has që ndajnë të njëjtin fat – një martesë virtuale, një pritje pa fund dhe një jetë e mbushur me ankth. “Nuk është kjo jeta që kemi dashur,” thotë ajo. “Paratë nuk janë gjithçka.”

  • Revista amerikane/Bora, vajza bareshë në malet shqiptare-Tregim nga Elizabeth Miller

    Revista amerikane/Bora, vajza bareshë në malet shqiptare-Tregim nga Elizabeth Miller

    Nga Aurenc Bebja, Francë – 2 Gusht 2025
    “American Junior Red Cross News” ka botuar, në tetor të 1927, në faqet n°22 – 25, tregimin asokohe të Elizabeth Cleveland Miller (punonjëse e mirëqenies së fëmijëve dhe autore librash për fëmijë në Shtetet e Bashkuara) për Borën, një bareshë shqiptare.
    Bora, vajza bareshë
    Nga Elizabeth Cleveland Miller
    Vizatimet nga Ilse Martha Bischoff

    Burimi : American Junior Red Cross News, tetor 1927, faqe n°22 – 25 // Vizatim nga Ilse Martha Bischoff
    Në një luginë të lartë të maleve shqiptare jetonte një vajzë e vogël me emrin Bora. Një mbrëmje në fillim të verës, babai i saj ishte ulur këmbëkryq pranë zjarrit me Borën pranë tij, ndërsa nëna e saj hidhte hi mbi tavën e bukës për të pjekur bukën e mbrëmjes.

    Burimi : American Junior Red Cross News, tetor 1927, faqe n°22 – 25 // Vizatim nga Ilse Martha Bischoff
    “Borë”, tha i ati, “nesër mund ta çosh kopenë tonë në fusha. Shko me Gjeloshin, djalin e fqinjit tonë. Ai i nxjerr delet dhe dhitë çdo ditë dhe do të të tregojë se ku janë tokat më të mira”.
    Sytë e Borës shkëlqenin. Ajo i donte shumë kafshët. Ato jetonin në të njëjtën pjesë me familjen, të rrethuara pas një vathe prej xunkthi. Ajo gjithmonë kishte dashur të ishte mjaftueshëm e madhe për të qenë bareshë (çobane).
    “Jam e lumtur, baba”, tha ajo. “Do të jem shumë e kujdesshme.”
    “Silli të gjithë në shtëpi”, paralajmëroi nëna e saj, “dhe kujdesu për të vegjlit që të mos humbasin ose të lodhen.”
    Atë natë Bora u zvarrit nën batanijen e saj në dyshemenë e fortë me kokën plot ëndrra për të nesërmen.
    Më në fund erdhi mëngjesi. Bora u zgjua shumë herët dhe shumë shpejt hëngri mëngjes.
    Pastaj porta e vathes u hap dhe dhitë dolën, Bora pas tyre. Delet e ndoqën.
    Ajo dhe Gjeloshi u takuan në kodrën poshtë shtëpisë së saj. Kopeja e tij ishte më e madhe se e saj dhe shpina e deleve të tij ishte e ngjyrosur me bojë blu. Delet e Borës ishin ngjyrosur me të kuqe.
    Kafshët lëviznin së bashku.
    “Brrr, brrr,” tha Gjeloshi, me buzët e fryra për të bërë tingullin e çuditshëm. Dhitë dëgjuan dhe nxituan në shteg.
    Këmbëve të zbathura të Borës u pëlqente ndjesia e shtegut të dheut dhe ajo kërceu përpara, duke e shtyrë delen e majme në njërën anë, dhe vrapoi.
    Pas pak, ajo pa përpara tyre një shpat të bukur me bar, me shkëmbinj këtu e atje dhe shkurre të ulëta ku dhive u pëlqente të kullosnin.
    “Këtu është një vend i mirë për ne,” tha Gjeloshi.
    Të dy u ulën së bashku në fushë. Delet dhe dhitë filluan ta kafshonin barin me padurim.
    “Thjesht mbaji sytë mbi to”, tha Gjeloshi. “Dhitë ndonjëherë shkojnë shumë larg.” Ai mori një gur dhe e hodhi përpara një dhie që po largohej nga pjesa tjetër. Kafsha uli kokën dhe u kthye nga tufa.
    “Shiko”, tha Gjeloshi, “mund t’i kthesh kështu me guralecë deri në skajin e jashtëm të kopesë.”
    Herë pas here ajo numëronte delet e shënuara me të kuqe dhe dhitë e saj. Kishte katër qengja të vegjël që qëndronin pranë nënave të tyre dhe tre keca lozonjarë që luanin së bashku, duke përplasur kokat sikur të kishin brirë të vërteta, dhe jo vetëm kocka të vogla në ballë.
    Bora nuk e la Gjeloshin ta vështronte duke numëruar ; ajo e bënte këtë me butësi. Nëse do të kishte qenë bareshë për një kohë të gjatë, nuk do të shqetësohej aq shumë. Ajo do të shtrihej në bar si Gjeloshi dhe do të shikonte skifterët që fluturonin në qiellin e kaltër të pastër. Por sot ishte dita e saj e parë si bareshë dhe babai i saj kishte besim në të.
    Sa i nxehtë ishte dielli! Një këngë lind vetë.
    “Unë di një këngë”, tha Gjeloshi dhe e këndoi. Ishte e re për Borën dhe e gjatë. Një histori betejash dhe burrash të guximshëm.
    Kur mbaroi ajo tha : “Lavdi gojës tënde !” sepse kjo ishte një mënyrë lavdërimi në gjuhën e saj.
    “Babai im e këndon”, tha Gjeloshi. “Ia mësoi i ati”. Pastaj Gjeloshi u ngrit në këmbë.
    “Duhet t’i çojmë pak më larg,”
    “Ata kanë ngrënë gjithçka që gjendet këtu.”
    Në kullotën tjetër ata u ulën mbi një shkëmb të lartë dhe kopetë kullosnin poshtë tyre. Dielli ishte lart. Delet dukeshin sikur ecnin mbi hijet e tyre. Nga bluza e saj, Bora nxori djathë dhie dhe bukë misri. Edhe Gjeloshi hëngri pak. Ata hëngrën së bashku.
    Borës iu kujtua trikoja e saj (puna e dorës) dhe e nxori nga bluza. Ajo po qëndiste një palë pantofla vjollcë për Pashkë. Klik-klik u bënin gjilpërat plot shkëlqim.
    Pas pak minutash ajo ndaloi së qëndisuri dhe numëroi përsëri kafshët e saj. “Të gjitha këtu.” Ajo psherëtiu me kënaqësi dhe iu përvesh punës me zell.
    Gjeloshi nxori nga brezi një kallam (fyell) të zgavruar. “E bëra javën e kaluar”, tha ai. “Shiko, ka pesë vrima”. Ai ia tregoi asaj.
    “Muzika e Bariut”, mendoi Bora.
    Gjeloshi e vuri kallamin (fyellin) në buzë.
    Një melodi e këndshme dhe tingëlluese doli ndërsa ai frynte dhe lëvizte gishtat, herë duke zbuluar një vrimë, herë një tjetër. Delet ngritën kokat sikur të donin të dëgjonin.
    “Qengjat po kërcejnë!” thirri Bora. Sepse qengjat ishin dridhur nga tingulli i muzikës dhe kishin filluar të hidheshin mbi bar nga entuziazmi.
    “Ja, provoje,” tha Gjeloshi dhe ia ofroi fyellin Borës.
    Bora e vuri fyellin në gojë dhe fryu. Çfarë cicërime doli ! “Oh,” qeshi ajo, “kjo është vetëm dita ime e parë. Unë nuk mund të luaj muzikën tënde.”
    Dielli po perëndonte. Gjeloshi e futi fyellin në brez. “Tani në shtëpi,” tha ai. “Brrr, brrr,” thirri ai dhe hodhi guralecë në skajin më të largët të kopesë.
    Kafshët ngritën kokat me kuriozitet. Prijësi i deleve u nis pas Gjeloshit dhe pjesa tjetër e pasoi. Dhitë ecën përpara, duke kafshuar çdo shkurre që kalonin.
    “Brrr, brrr,” imitoi Bora duke fryrë buzët si Gjeloshi.
    Ata morën shtigjet më pak të dukshme, delet dhe qengjat pasuan të fundit. Kecat dukeshin më të fortë. Ata ndoqën dhitë nëna në ballë të kopesë, së bashku me Gjeloshin.
    Një nga delet me shpinë të kuqe qëndronte prapa të gjithave. Qengji i saj po mbetej më prapa.
    “Ndoshta është i lodhur”, tha Bora me vete, u kthye dhe e mori në krahë qingjin e vogël. Pastaj iu desh të vraponte për të arritur Gjeloshin dhe tufën. Qingji ishte aq i butë saqë në fillim nuk e vuri re sa i rëndë ishte. Delja e vjetër, nëna e saj, vraponte pranë saj.
    Bora u ngjit në një vend shkëmbor pas kopesë së fundit, duke bërtitur ndërsa ecte. Tani ishte pak pa frymë, duke mbajtur kafshën e vogël të shëndoshë. Ajo u gëzua që shtegu zbriste, e la të pushonte pak.
    Dielli u ul më poshtë. Borës i dhimbnin krahët. Ajo e uli qingjin për të parë nëse do ta ndiqte tani. Ai nuk lëvizi. Ai vetëm qëndroi dhe blegëroj dhe nëna e tij u kthye dhe qëndroi pranë tij duke e përkëdhelur. Bora shikonte Gjeloshin dhe tufën duke u larguar gjithnjë e më shumë. Ajo e dinte se nuk duhej t’i humbiste nga sytë. Kishte vetëm një gjë për të bërë. Ajo u përkul dhe e ngriti përsëri qingjin në krahët e saj. Një copë e vogël e rëndë ! Ajo e shtrëngoi fort dhe vrapoi pas kafshëve të tjera.
     
    Ata ishin shumë përpara. Bora gulçoi. Krahët i dhembnin më shumë se kurrë. Sa e vështirë ishte – të ishe bari ! Qingji po bëhej gjithnjë e më i rëndë. Bora u pengua në një gur të mprehtë. Ajo kafshoi buzën që të mos qante. Ajo i mbylli sytë fort. Duhet të vazhdonte. Ajo ishte bareshë dhe nuk do të qante.
    Sikur të mund ta linte qengjin përtokë ! Por atëherë do ta humbiste atë dhe nënën e tij gjithashtu. Si një bareshë, nuk mund ta bëje këtë. Oh sa i dhimbnin krahët ! Një lot i rrjedhi, pavarësisht dëshirës së saj.
    Ajo shikoi përpara drejt kopesë. Gjeloshi po kthehej për në shtëpinë e tij dhe po i kthente kafshët e saj me shkopin dhe guralecët e tij. Tani, ajo i kishte të gjitha për t’u kujdesur dhe së shpejti do të kthehej në shtëpi, të gjitha shëndoshë e mirë.
    Ajo e mbajti fort qingjin. Ajo nuk e dinte se po qante. Ajo po drejtonte tufën tani, por këmbët e saj nuk do të shkonin aq shpejt sa donte ajo. Por ajo ishte një bari dhe po sillte kopenë e saj, secilin prej tyre.
    Errësira po binte kur ajo u ngjit në shpatin drejt shtëpisë së saj.
    “Oh, ja ku je, Borë”, thirri nëna e saj nga dera.
    Të gjitha kafshët ndaluan për të pirë ujë te përroi në buzë të oborrit. Bora e uli qengjin dhe ia fshiu fytyrën me mëngë. Ajo u habit kur e pa të lagur nga të qarat dhe e fshiu më fort duke i kthyer shpinën nënës së saj.
    Nëna e Borës ishte e zënë duke numëruar tufën.
    “Prengë”, i thirri ajo burrit të saj, “fëmija është kthyer pa humbur asnjë kafshë.”
    Bora e dëgjoi të atin nga vendi ku ishte ulur pranë zjarrit duke qeshur shkurt. “Sigurisht që po”, ia ktheu ai, “të thashë që do të ishte një bareshë e mire”.
    Bora e dëgjoi dhe zemra i rrahu fort nga gëzimi. Ndihej krenare. Krahët i dhembnin, por tani nuk e vriste mendjen. Gishti i saj i këmbës i kishte rrjedhur pak gjak, por as kjo nuk kishte rëndësi.
    Ajo u ngjit në shtëpi dhe hyri brenda, me kopenë që e ndiqte dhe nëna e saj pas tyre.
    Babai i saj shikoi mbi supe dhe i pa delet e dhitë që po hynin një nga një pas vathës prej xunkthi.
    “Ja dhe e fundit, baresha ime e vogël”, tha ai.
    “I thashë nënës tënde se mund të të besojmë.”
    Bora shkoi tek ai dhe u ul pranë zjarrit.
    “Më duhej të mbaja një nga qengjat,” tha ajo, “kjo është arsyeja pse erdha me vonesë.”
    “Nuk je shumë vonë”, tha babai i saj.
    Bora u mbështoll pranë tij. Ajo ishte e lumtur që ai nuk po shqetësohej për të, e lumtur që nuk i vuri re shenjat e lotëve, as dhimbjen në krahët e saj dhe as gishtin e këmbës me shenja.
    Ai e dinte që ajo ishte mjaftueshëm e rritur.
    Ai e dinte që ajo mund të kulloste (ruante) delet.
    Ai zgjati dorën dhe përkëdheli kokën e saj të mbuluar me shami.
    “Bora, vajza bareshë”, tha ai butësisht.
    Dhe ndërsa Bora kafshoi bukën e trashë të misrit që ia dha nëna e saj, lotët i rrodhën nga sytë, por ajo ndihej krenare dhe e lumtur. “Unë jam një vajzë bareshë,” mendoi ajo dhe harroi të gjitha problemet e saj, ndërsa përmes saj kaloi një lloj i ri lumturie.
    https://www.darsiani.com/la-gazette/revista-amerikane-1927-bora-vajza-bareshe-ne-malet-shqiptare-tregim-nga-elizabeth-cleveland-miller/

  • Të huajt kanë blerë 1.3 miliardë euro prona në Shqipëri që nga viti 2021

    Të huajt kanë blerë 1.3 miliardë euro prona në Shqipëri që nga viti 2021

    Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë bënë të ditur se në tre muajt e parë të këtij viti, fluksi i Investimeve të Huaja Direkte sipas aktivitetit të pasurive të paluajtshme arriti në 104 milionë euro, me një rritje prej 24% në krahasim me të njëjtën periudhë më parë.
    Të dhënat historike tregojnë se ky është niveli i dytë më i lartë i investimeve në një tremujor, pas tetor-dhjetor 2024, kur treguesi arriti në 110 milionë euro.
    Vitet e fundit Shqipëria është bërë një treg interesant për blerjen e pasurive të paluajtshme nga të huajt, sidomos në bregdet, ku çmimet ishin të lira në krahasim me vendet e tjera të rajonit si Kroacia, apo Mali i Zi.
    Në vitin 2024, të huajt blenë prona me vlerë rreth 380 milionë euro. Që nga viti 2021, kur filloi interesi i huajve, kryesisht në bregdetin shqiptar, deri në mars 2025, të huajt kanë blerë rreth 1.3 miliardë euro prona në vend, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, që i llogarit këto flukse si investime të huaja direkte në sektorin e pasurive të paluajtshme.
    Rëndësia e investimeve në pasuri të paluajtshme në raport me totalin e investimeve në vend është rritur ndjeshëm. Në vitin2014, blerjet e pronave nga të huajt zinin vetëm 5.7% të investimeve të huaja, ndërsa në 2024-n, kjo peshë u rrit në 24%.
    Rekordi u shënua në tremujorin e parë të këtij viti, ku blerjet e shtëpive nga të huajt zunë gati 29% të totalit të fluksit të investimeve të huaja në vend.
    Në vend të dytë ishin Aktivitete financiare dhe të sigurimit, me 75 milionë euro, pothuajse njësoj me një vit më parë, duke zënë 20.7% të totalit.
    Edhe këto janë kryesisht investime në rritjen e kapitalit të bankave për shkak të kërkesave rregullatorë të Bankës së Shqipërisë pa efekt direkt në ekonomi.
    Industria nxjerrëse tërhoqi 51 milionë euro në tremujorin e parë, pothuajse njësoj sa një vit më parë.
    Në industrinë përpunuese, investimet zbritën në 32 milionë euro, me tkurrje 24% me bazë vjetore.
    Investimet në Tregtia me shumicë dhe me pakicë u rritën me 28% në 32 mln euro.
    Energjia elektrike, gazi, dhe furnizimi me ujë, që dikur ishte kontribuuesi kryesor i investimeve të huaja për shkak të investimeve në energji dhe gazsjellësin TAP solli vetëm 27 milionë euro investime, ose 7.5% të totalit.
    Në total, investimet e huaja direkte në tremujorin e parë të vitit ishin 362 milionë euro, me rritje të lehtë prej 2.3% me bazë vjetore./ Monitor

  • Sa pasagjerë kanë hyrë nga Porti i Durrësit në 6 muajt e parë të vitit 2025

    Sa pasagjerë kanë hyrë nga Porti i Durrësit në 6 muajt e parë të vitit 2025

    Në gjashtë muajt e parë të vitit 2025, në Terminalin e Trageteve të Portit të Durrësit janë përpunuar 241 490 pasagjerë, një rritje me 6% krahasuar me një vit më parë, njoftoi Autoriteti Portual.
    Në hyrje të vendit janë regjistruar 112 194 pasagjerë, ndërsa 129 269 kanë udhëtuar drejt porteve ndërkombëtare. Po ashtu, mbi 104 mijë automjete, kamionë dhe trailerë janë përpunuar në port, me një rritje prej 5% në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit 2024.
    Porti i Durrësit  vijon trendin pozitiv të performancës, duke reflektuar rritje në të gjithë treguesit kryesorë të aktivitetit. Sipas të dhënave zyrtare të Autoritetit Portual Durrës, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 janë përpunuar mbi 1.9 milionë tonë mallra ose 3.8% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Drejtori i Autoritetit Portual Durrës, Kreshnik Bajraktari, theksoi se ky rezultat është produkt i bashkëpunimit të ngushtë me operatorët portualë.
    Në rritje ka qenë edhe sektori i kontejnerëve, me 104,180 njësi kontejnerike (TEU) të përpunuara, ose 970,031 tonë mallra. Veçanërisht, mallrat e importuara me kontejnerë kanë shënuar rritje deri në 10%.  Autoriteti Portual Durrës vijon të punojë për modernizimin e infrastrukturës portuale dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, me qëllim fuqizimin e rolit të Portit të Durrësit si një nyje kyçe për tregtinë detare në rajon.

  • Rritet dhuna digjitale ndaj fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri, vajzat më të prekura

    Rritet dhuna digjitale ndaj fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri, vajzat më të prekura

    Dhuna digjitale ndaj fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri ka shënuar një rritje alarmante gjatë vitit 2024.
    Të paktën sipas Raportit Kombëtar për Sigurinë në Internet për Fëmijët dhe të Rinjtë, të publikuar pak ditë më parë, nga Qendra Kombëtare për Internet të Sigurt (iSIGURT.al).
    Raporti zbulon se në periudhën nga janari deri në dhjetor të vitit 2024, janë evidentuar 407 incidente serioze, që përbëjnë një rritje prej 67% krahasuar me vitin e mëparshëm. Kjo është një shifër shqetësuese që nxjerr në pah rreziqet në rritje me të cilat përballen fëmijët në hapësirën dixhitale.

    Tirana, si qarku më i madh dhe më i urbanizuar, mban vendin e parë për numrin e raportimeve, me 48% të rasteve, e ndjekur nga Durrësi dhe Kukësi. Ndërkohë, vajzat dhe gratë rezultojnë si viktimat më të shpeshta të dhunës digjitale, me 62% të raportimeve, ndërsa 34% vijnë nga djemtë dhe në 4% të rasteve gjinia nuk është deklaruar.

    Grupmosha më e prekur është ajo 15–18 vjeç, që përbën 43% të totalit të raportimeve, e ndjekur nga të rinjtë 19–24 vjeç. Për herë të parë, janë regjistruar edhe 4 raste nga fëmijë 6–10 vjeç, të cilët më parë nuk kishin raportuar incidente, me shumicën e viktimave sërish vajza.
    Incidentet më të zakonshme përfshijnë kërcënime, përndjekje dhe shantazh online, që përbëjnë rrezikun kryesor për fëmijët dhe të rinjtë. Pas tyre renditen bullizmi kibernetik dhe gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale.
    TikTok rezulton të jetë platforma me numrin më të madh të incidenteve të raportuara (209 raste), e ndjekur nga Facebook dhe Instagram. Megjithatë, raporti vlerëson se TikTok ka reaguar me efikasitet, duke mbyllur ose bllokuar shumicën e faqeve problematike brenda një kohe të shkurtër.
    Raporti thekson gjithashtu nevojën për forcimin e kuadrit ligjor për mbrojtjen e fëmijëve online, si dhe për rritjen e ndërgjegjësimit tek fëmijët, të rinjtë dhe prindërit në lidhje me rreziqet e hapësirës digjitale.
    Publikimi i raportit u bë i mundur me mbështetjen e nismës netSMARTkids Shqipëri, bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian dhe CRCA-ECPAT Shqipëri, në partneritet me ALO 116 Shqipëri dhe iSIGURT.al./tvklan

  • Finem prezanton “Bugatti”, fotoja që po çmend rrjetin

    Finem prezanton “Bugatti”, fotoja që po çmend rrjetin

    Finem sapo ka hedhur në story një video që ka ngritur në këmbë gjithë rrjetin.
    Ai shfaqet krah një vajze që e prezanton me fjalët:
    “Bugatti? My Bugatti.”
    Por nuk është thjesht një frazë ironike – është një deklaratë.
    Vajza që ndodhet pranë tij është përfolur më herët si ish-partnerja e stilistit të famshëm Philip Plein, por sot, ajo është në krah të Finem, dhe detaji që ka tërhequr më shumë vëmendje është fakti që mban në qafë një varëse me inicialin “F”, e cila thuhet se kap vlerën e rreth 200,000 eurove.
    Videoja është bërë virale brenda pak orësh, dhe komentet nuk kanë munguar: nga fansat te portalet, të gjithë po flasin për të njëjtën gjë – Finem është në një lidhje.
    Ai nuk ka dhënë asnjë deklaratë, por kur një vajzë mban simbolin tënd rreth qafës, nuk ka nevojë për fjalë të tjera.
    Bugatti nuk është më thjesht një makinë – është ajo.

  • Pas prishjes së ndërtimeve pa leje,Rama ndan pamje të kurorëzimit të çiftit në Theth

    Pas prishjes së ndërtimeve pa leje,Rama ndan pamje të kurorëzimit të çiftit në Theth

    Kryeministri Edi Rama publikuar një video nga Thethi, pas prishjes së ndërtimeve pa leje.
    Kreu i qeverisë ka ndarë pamje të kurorëzimit të një çifti, ai shkruan se “Ja dhe Thethi, kurora e artë e Shqipërisë”.
    Gjatë muajit korrik u ndërmor nisma për prishjen e të gjitha objekteve pa leje ndërtimi. Kjo u pasua me incidente të shumta në veri, ku pati konflikte mes forcave të policisë dhe qytetarëve.

  • Hapësirat publike, Balluku: Do hapim një portal ku qytetarët të denoncojnë abuzuesit

    Hapësirat publike, Balluku: Do hapim një portal ku qytetarët të denoncojnë abuzuesit

    Në vijim të aksionit për lirimin e hapësirave publike, qeveria ka planifikuar që të krijojë një portal të posaçëm, ku qytetarët do të mund të bëjnë denoncime për zaptimin e hapësirave apo për ndërtimet abuzuese.
    Më herët, gjatë ditës së sotme krijimi i këtij portali u njoftua nga kryeministri Edi Rama, ndërkohë pasdite e kësaj të premteje kjo platformë  “Hapësira im” është konfirmuar edhe nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku.
     “Falënderoj qytetarët për këtë bashkëpunim të shkëlqyer gjatë gjithë kësaj periudhe dhe i inkurajojmë ata të vijojnë denoncimet. Madje, në vazhdim edhe përmes një platforme të dedikuar, platforma ‘Hapësira ime’ që është njoftuar nga Kryeministri, Edi Rama. Ju uroj një verë të qetë e pushimet mbara dhe ju sigurojmë se të gjitha institucionet janë në krye të detyrës në çdo skaj të vendit për të garantuar cilësisht shërbime më të mira për qytetarët shqiptarë dhe vizitorët e shumë të huaj që ndodhen këtë sezon në vendin tonë”,-tha Balluku.