Zjarr në godinën e Muzeut Nënujor në Sarandë, rrezikohen bizneset në zonën përreth

Zjarr në godinën e Muzeut Nënujor në Sarandë, rrezikohen bizneset në zonën përreth

Një zjarr është regjistruar në orët e mesditës në një godinë në ndërtim pranë Muzeut Nënujor në Sarandë. Flakët janë shfaqur në katet nën tokë të ish-maternitetit të qytetit, një objekt që aktualisht po rikonstruktohet për t’u shndërruar në një muze të Botës Nënujore, raporton korrespondentja e Top Channel Entjola Bundo. Sipas informacioneve paraprake, zjarri dyshohet të ketë nisur në materialet e polisterolit të përdorura gjatë punimeve. Tymi i zi dhe i dendur është përhapur me shpejtësi në zonë, duke shkaktuar shqetësim dhe panik te banorët dhe bizneset përreth godinës. Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë ndërhyrë për neutralizimin e flakëve. Falë ndërhyrjes së shpejtë, situata është vënë nën kontroll dhe zjarri është fikur plotësisht.