Jo vetëm pa rrugë, por dhe pa shërbime/ Banorët e zonave të Librazhdit pa mjekë dhe mësues
Shembja e rrugës në vendin e njohur si “Arrat e Gurres” në zonën e Librazhdit ka lënë të bllokuar disa mësues, infermierë dhe mjekë, të cilët nuk kanë mundur të shkojnë në vendet e tyre të punës. Dëmtimi i segmentit rrugor ka ndodhur si pasojë e rrëshqitjes së dheut, duke e bërë të pakalueshme rrugën për automjetet, por edhe për këmbësorët. Si rrjedhojë, stafi arsimor dhe shëndetësor që shërben në fshatrat e zonës ka mbetur i izoluar. Banorët shprehen të shqetësuar, pasi përveç lëvizjes së përditshme, problem mbetet edhe qasja në shërbimet bazë, sidomos ato shëndetësore. Kujtojmë se dje ishte planifikuar hapja e rrugës Librazhd-Prrenjas, por për shkak të rrëshqitjeve të reja, aksi u bllokua sërish.
Burimi:
sot.com.al