
Përshtatën lokalin në qendër të lojërave të fatit, arrestohet 25-vjeçari, në hetim vëllai dhe babai i tij oficerë policie

Foto ilustruese
ELBASAN- Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan-Korçë) pas një hetimi disa mujor të ndjekur me metoda speciale nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, arrestoi në flagrancë shtetasin F. D., 25 vjeç, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Fshehja e të ardhurave”, “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore etj”, “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, ndërsa u proçeduan në gjendje të lirë për “Shpërdorim detyre” edhe punonjësit e policisë (vëllai dhe babai);
1. Inspektor G. D., 28 vjeç, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme në Stacionin e Policisë Përrenjas
2. Inspektor H. D., 63 vjeç, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Peqin.
Arrestimi i shtetasit F. D. u krye pasi nga kontrolli i biznesit Bar Kafe në pronësi të familjes, i cili rezultonte i palicensuar, u siguruan prova dhe fakte që ata e kishin përshtatur ambjentet e këtij biznesi për organizimin e palejuar të lojërave të fatit.
Nga kontrolli i ushtruar në biznesin Bar Kafe, u sekuestrua një armë e ftohtë e llojit thikë, një telefon celular, si dhe shumat monetare prej 612,700 lekë dhe 550 euro të përfituara nga ky aktivitet i paligjshëm.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave mbikëqyrëse, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën [email protected].