
“Interesi i PD, integrimi i Shqipërisë në BE”, Berisha u përgjigjet komenteve në rrjetet sociale: Do krijojmë zona të lira kufitare me Kosovën
Sali Berisha thotë se nëse koalicioni i tij fiton zgjedhjet në 11 maj, do të bëjnë gjithçka që me qeverinë e Kosovës të krijojnë zona të lira kufitare.
Në një komunikim live në rrjetet sociale, Berisha u shpreh se për zonat verilindore do ketë plan ekonomik për shfrytëzimin racional të të gjitha potencialeve dhe burimeve të tyre, ku duhet të përfitojnë banorët e këtyre zonave.
“Do bëjmë gjithçka që të subvencionojmë, të mbështesim investimet me lehtësime taksash. Unë u them ju, se ligji i vitit 2013 parashikonte 8 vite pa taksa për investimet në zonat malore dhe atë ligj e anuloi Edi Rama dhe tani e riktheu me Paketën e Maleve për t’u dhënë trafikantëve të tij atë që nuk e meritojnë”, tha ai.
Ndërkohë Berisha shtoi se interesi më madhor kombëtar i PD është integrimi i Shqipërisë në BE bazuar te reformat dhe meritat.
“Ju garantoj se për PD-në, interesi më madhor kombëtar është integrimi i Shqipërisë në BE. Kur them këtë, them që ajo do mobilizojë çdo potencial, do miratojë çdo ligj, do ndërmarrë çdo reformë në funksion të këtij procesi. Por, ka një dallim esencial midis alternativës tonë dhe kësaj të qeverisë ekzistuese.
Në këtë proces e bazojmë si një proces të bazuar mbi meritën, e funksionimit të shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut. Kur erdhëm në pushtet në vitin 2005, ne shpallëm anëtarësimin në NATO dhe fillimisht njerëzit përqeshnin me zotimin tonë.
Por ne arritëm të bindnim çdo partner dhe çdo vend me zero tolerancë luftë ndaj krimit dhe korrupsionit dhe me reformat që ndërmorëm, sepse e përgatitëm vendin për anëtarësim në NATO.
Po kështu me reforma, me funksionimin e ekonomisë së tregut dhe shtetit ligjor, absolutisht vetëm mbi bazën e reformave, ne arritëm të firmosim Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, të liberalizojmë vizat.
Më kujtohet për fat të keq se se kishte faktorë kombëtarë dhe ndërkombëtarë kundër. Edi Rama me suitën e tij dërgonte emaile në Bruksel se po hoqët vizat, prisni 800 mijë shqiptarë.
Pra, ne çdo gjë e arritëm me meritë. Arritëm të marrim edhe rekomandimin e statusit të kandidatit nga KE, që e bllokoi Edi Rama me tre ligje në parlament.
Pra, praktika jonë ka funksionuar, është dinjitoze dhe është interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë.
Kjo praktikë bazohet në përmbushjen e kërkesave, kritereve, standardeve të BE që është interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë”, u shpreh ai.
Top Channel
Burimi