Kombëtarja lë pas humbjen me Anglinë, stërvitet në Londër para Andorrës! Tremb gjendja e Strakoshës

Kombëtarja lë pas humbjen me Anglinë, stërvitet në Londër para Andorrës! Tremb gjendja e Strakoshës

Kombëtarja shqiptare e futbollit i është rikthyer përgatitjeve në fushë pas ndeshjes së humbur 2-0 kundër Anglisë në Londer, të luajtur një natë më parë (21 mars) në stadiumin ‘Wembley’.
Kuqezinjtë kanë zhvilluar një seancë stërvitore në stadiumin “The Hive” të Londrës, që ka zgjatur pak më shumë se 60 minuta. Lojtarët të cilët nuk u aktivizuan dhe ata që luajtën si zëvendësues kanë zhvilluar stërvitje me ngarkesë të plotë, ndërsa titullarët kanë punuar vetëm në palestër.
Portieri Thomas Strakosha, i cili u zëvendësua gjatë ndeshjes me Anglinë për shkak të një goditjeje që mori gjatë lojës, është duke u mbajtur nën monitorimin e vazhdueshëm nga stafi mjekësor kuqezi. Gjendja e tij paraqitet e mirë dhe mjekët janë optimistë që ai mund të rikuperohet për ndeshjen e të hënës ndaj Andorrës në ‘Arenën Kombëtare’.
Pjesa tjetër e lojtarëve nuk ka shfaqur probleme fizike dhe janë të gjithë të gatshëm për sfidën e dytë të Grupit K kualifikues për Kupën e Botës 2026. Pas seancës stërvitore Kombëtarja do të udhëtojë drejt Shqipërisë, ku do të mbërrijë gjatë orëve të pasdites.
Ditën e diel, në orën 16:45 do të zhvillohet konferenca zyrtare për mediet e trajnerit Sylvinho në stadiumin “Arena Kombëtare” dhe në 17:30 do të jetë stërvitja zyrtare.
Burimi