Personat që kanë pasur një baba me sëmundjen e Alzheimerit mund të jenë më të rrezikuar për zhvillimin e demencës, sipas një studimi të ri.
Studimet e mëparshme kanë sugjeruar se të kesh një nënë me Alzheimer mund të rrisë rrezikun për t’u prekur nga sëmundja. Por ky studim i ri zbulon se të kesh një baba me këtë sëmundje neurodegjenerative mund të lidhet me një përhapje më të madhe të proteinës “tau” në tru, një shenjë paralajmëruese e Alzheimerit.
Hulumtimi, i publikuar në revistën Neurology, tregoi gjithashtu se pjesëmarrëset femra mund të kenë më shumë gjasa për një grumbullim më të rëndë të proteinës tau në krahasim me meshkujt.
Autorja e studimit, dr. Sylvia Villeneuve nga Universiteti McGill në Kanada, tha: “U habitëm kur pamë që njerëzit me baba të prekur nga Alzheimer ishin më të ndjeshëm ndaj përhapjes së proteinës tau në tru, pasi kishim menduar se do të shihnim më shumë ndryshime në tru te personat me nënë të prekur.”
Studimi analizoi 243 persona me histori familjare të Alzheimerit, por që vetë nuk kishin probleme me kujtesën apo të menduarit, me një moshë mesatare prej 68 vjeç. Historia familjare u përcaktua si prani e sëmundjes te një ose të dy prindërit, ose të paktën dy vëllezër/motra.
Pjesëmarrësit iu nënshtruan skanimeve të trurit dhe testeve të të menduarit dhe kujtesës në fillim të studimit, si dhe gjatë një periudhe ndjekjeje që zgjati mesatarisht rreth shtatë vjet.
Gjatë kësaj kohe, 71 persona zhvilluan dëmtim të lehtë njohës, një fazë paraprake e sëmundjes Alzheimer.
Ekipi hulumtues zbuloi se personat me baba të prekur nga Alzheimer, si dhe femrat pjesëmarrëse, kishin një përhapje më të madhe të proteinës tau në tru. Femrat gjithashtu kishin një grumbullim më të rëndë të kësaj proteine.
Dr. Villeneuve shtoi: “Të kuptuarit më mirë i këtyre ndjeshmërive mund të na ndihmojë të hartojmë ndërhyrje të personalizuara për të mbrojtur kundër sëmundjes së Alzheimerit.” / Talker News – Syri.net
