Skulptura “Kalorësi i Babunjës” rikthehet në Shqipëri pas ekspozitës në Vjenë

Akademia e Shkencave njoftoi se, skulptura unike prej bronzi, “Kalorësi i Babunjës”, është rikthyer sot në Shqipëri pas dy muajsh ekspozimi në një nga institucionet muzeale më prestigjioze të Europës,  Muzeun e Historisë Natyrore në Vjenë.

Vepra 2600-vjeçare, e zbuluar në vitin 2018 pranë Apolonisë (Babunjë, Lushnjë), qëndroi e ekspozuar në “Sallën e Artë” të muzeut nga data 13 maj deri më 31 korrik 2025, ku u vlerësua gjerësisht nga publiku dhe ekspertët ndërkombëtarë.

Sipas ASH-së, ekspozita u organizua nga Ambasada e Shqipërisë në Vjenë, në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe vetë muzeun austriak.

Ajo u çel me një konferencë shkencore ndërkombëtare, ku morën pjesë mbi 120 studiues nga mbarë bota. Shqipëria u përfaqësua nga akad. Adem Bunguri, prof. Neritan Ceka, prof. Bashkim Lahi dhe prof. asoc. Eduard Shehi.

Pas suksesit të ekspozitës, “Kalorësi i Babunjës” është rikthyer në Tiranë dhe do të vendoset për ekspozim të përhershëm në Muzeun Arkeologjik, pjesë e Institutit të Arkeologjisë pranë ASHSH./KultPlus.com

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *