Drafti i ri i Kodit Penal ka shkaktuar një valë reagimesh, ndërsa Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur ironinë për t’iu përgjigjur kritikave të forta. Në një postim në rrjetin social “X”, ai u sugjeroi kritikëve “të mos ekspozohen shumë në diell”, duke i cilësuar shqetësimet e tyre si “sherr e shamata”.
Kryeministri theksoi se drafti i ekspertëve ishte prezantuar publikisht për të mbledhur opinione në një mënyrë demokratike. Ai pretendoi se problemi nuk është vetë drafti, por “masa domethënëse e atyre që e përdorin lirinë vetëm për të bërë sherr”.
Megjithatë, ndërkohë që Rama po minimizon shqetësimet, aktorët ndërkombëtarë kanë ngritur alarme serioze. Bashkimi Europian, përmes Delegacionit në Tiranë, ka shprehur kundërshtime të forta, duke theksuar se ndryshimet e propozuara nuk janë në përputhje me standardet europiane dhe kanë potencial të ndikojnë negativisht mbi lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias. BE konfirmoi se nuk ishte pjesë e grupit të punës dhe kërkoi një konsultim gjithëpërfshirës me institucionet kryesore të drejtësisë dhe shoqërinë civile.
Një qëndrim të ngjashëm ka mbajtur edhe OSBE-ja në Shqipëri, e cila ka distancuar veten nga procesi i hartimit të draftit. OSBE ka theksuar se ndryshimet në një çështje kaq themelore kërkojnë kohë dhe konsultime të gjera, ndërsa ka shprehur gatishmërinë për të ofruar rekomandime për përmirësimin e draftit, duke e parë këtë si një hap thelbësor për forcimin e institucioneve demokratike.
Shqtësimet për Kodin Penal, Rama tallet: Mos rrini shumë në diell!
