Shpërthim me lëndë plasëse në portën e një banese në Tiranë, policia jep detaje (Emri)

Shpërthimi i fuqishëm me lëndë plasëse i llojit tritol u dëgjua pak pas mesnatës së të martës në kryeqytet. Sipas burimeve nga policia, ngjarja ka ndodhur në zonën e Bregut të Lumit, ndërsa lënda plasëse është vendosur në derën e banesës së shtetasit Tonin Qafa, duke shkaktuar dëme në portën e shtëpisë së tij dhe disa mjete të parkuara aty pranë.
Fatmirësisht, nuk ka pasur të lënduar në njerëz. Pranë me vendin ku ishte vendosur lënda shpërthyese mësohet se ndodhet edhe një restorant.
Për këtë, policia ka nisur hetimet për të identifikuar autorët e shpërthimit dhe për të sqaruar arsyen e këtij akti, e po ashtu të përcaktojë nëse objekti i shpërthimit ishte restoranti apo banesa e Tonin Qafës.
Njoftimi i policise
Tiranë/Informacion paraprak.
Rreth orës 00:35, në rrugën “Besnik Hidri” në portën e jashtme të banesës të shtetasit T. Q, dyshohet se ka plasur një sasi lëndë plasëse. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Nuk ka persona të dëmtuar.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.