Kryenegociatori rus, Kirill Dmitriev, ka deklaruar se bizneset amerikane do të ishin të mirëseardhura në Rusi, nëse sanksionet ndërkombëtare ndaj Moskës do të hiqen.
Ai tha të enjten se nuk ka kërkuar lehtësimin e sanksioneve gjatë takimeve të tij me administratën Trump në Uashington, por theksoi se mundësia për të lejuar më shumë biznes amerikan në Rusi ekziston nëse presioni politik do të pakësohet.
“Ne nuk po kërkojmë asnjë lehtësim të sanksioneve. Po diskutojmë se si SHBA mund të ketë më shumë mundësi biznesi me Rusinë, nëse Amerika dëshiron të angazhohet më shumë,” tha Dmitriev për CNN.
Sanksionet ndaj Rusisë, të vendosura për shkak të luftës kundër Ukrainës, kanë sjellë ndikime të forta negative në ekonominë ruse. Po ashtu, liderët evropianë kanë theksuar se heqja e këtyre sanksioneve është e paimagjinueshme për momentin, duke pasur parasysh situatën e vazhdueshme në Ukrainë.
Dmitriev, një aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, ka realizuar takime të tjera me zyrtarë amerikanë, përfshirë dërguarin e lartë të SHBA-së, Steve Witkoff, i cili ka pasur dy takime me Putin në Moskë. Pas këtyre takimeve, Dmitriev shprehu optimizëm për mundësinë e një zgjidhjeje diplomatike përfundimtare për luftën në Ukrainë, duke theksuar rëndësinë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ruso-amerikane.
Në një intervistë të veçantë për agjencinë ruse të lajmeve TASS, Dmitriev tha se administrata Trump e kupton shqetësimin e Rusisë dhe ka pasur disa diskutime për rivendosjen e marrëdhënieve dhe uljen e tensioneve. Sipas tij, ka pasur përparim në disa fusha, përfshirë një marrëveshje për të mos sulmuar infrastrukturën energjetike.
Po ashtu, Dmitriev përmendi se ai është angazhuar në negociata për një zgjidhje paqësore për luftën në Ukrainë, duke udhëhequr diskutime të tilla edhe me autoritete të tjera ndërkombëtare.
Në fund, ai theksoi se procesi diplomatik është ende në fazë të hershme dhe se zgjidhja e çështjeve të mbetura kërkon angazhim dhe durim nga të dyja palët.
Top Channel
