Reagon PSD e Tom Doshit. Gazetarja Klodiana Lala: Kontrolle te njerëzit e PSD!

Partisë Socialdemokrate (PSD) që drejtohet nga Tom Doshi ka hedhur poshtë lajmet se SPAK dhe BKH kanë kryer kontrolle në zyrtar e tyre në qarkun e Shkodrës.
“Lidhur me disa lajme të bëra publike dhe të shpërndara në media të ndryshme, për përfshirjen në veprimtari të paligjshme zgjedhore të disa anëtarëve të shtabeve elektorale të PSD-së në veri të vendit, Partia Socialdemokrate përgënjeshtron çdo lajm të tillë. Është një dizinformim i qëllimtë dhe dashakeqës.

Lajmet janë të pavërteta dhe spekulative; janë sulme të drejtpërdrejta ndaj PSD-së, pasi asnjë nga anëtarët tanë nuk është përfshirë në krime zgjedhore. Nuk ka patur prezencë të policisë dhe as BKH-së në asnjë shtab, në asnjë zyrë elektorale. Këto janë shpifje monstruoze dhe të papranueshme” – thuhet në një deklaratë të PSD-së.
“Ne mbështesim SPAK-un në mënyrë të padiskutueshme, madje kemi bërë deklarata të shpeshta si dhe thirrje për SPAK-un dhe GJKKO-në që të hetojnë çdo krim zgjedhor. Për më tepër, PSD-ja ka kërkuar ndihmë dhe mbështetje të autoriteteve përkatëse që të marrin seriozisht ankesat e qytetarëve në Qarkun e Shkodrës dhe të hetojnë fuqimisht çdo shkelje të ligjit në drejtim të krimeve zgjedhore.
PSD-ja nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë lidhje me askënd tjetër të cilëve u janë kryer kontrolle në zyrat apo banesat e tyre. Në vijim, kushdo që përfshihet në të tilla krime zgjedhore duhet të mbajë përgjegjësi ligjore dhe PSD-ja do të distancohet menjëherë.
Të vetmit person që i është kryer kontroll në banesën e tij është Kryetari i PSD-së për Malësinë e Madhe, z. Ardian Hysa. Sipas procesverbalit të lëshuar nga SPAK-u, rezulton se nuk është gjetur asgjë e paligjshme në banesën dhe mjedisin e tij të punës. Z. Hysa është treguar bashkëpunues dhe ka shprehur gadishmërinë e tij për të qenë në dispozicion të organeve ligjzbatuese” – thuhet në deklaratën e PSD.
Kundërpërgjigjet Klodiana Lala:
Gazetarja Klodiana Lala, foli për krimet zgjedhore dhe aksionin e sotëm të BKH-së në Shkodër, ku kanë “mësyrë” në shtabet e Tom Doshit.
E ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Lala tha se janë gjetur para dhe lista votuesish, ndërkohë që dha detaje nga kontrollet e zhvilluara dhe hetimet e deritanishme për korrupsion në zgjedhje dhe shitblerje të votës.
Lala: BKH, disa agjentë, të mbështetur nga policia, kanë ushtruar kontrolle personale dhe të automjeteve për disa shtetas që dyshohen si pjesë e shtabeve elektorale të zotit Tom Doshi.
Është hera e parë që kur ka nisur fushata, është hetim i nisur nga ana e policisë dhe është vënë në lëvizje SPAK. Gjykata e Posaçme ka firmosur 6 urdhër kontrolle, që kanë të bëjnë me 6 shtetas, 9 automjete dhe u janë marrë celularët. Janë ushtruar kontrolle në Vaun e Dejës dhe Malësinë e Madhe. Janë gjetur të dhëna interesante.  Po hetohet për korrupsion në zgjedhje, shitblerje të votës.
Gjatë kontrolleve, janë kontrolluar 7 persona, një punonjës i OSHE. Janë marrë 7 celularë. Është ushtruar kontroll në 9 automjete, njëri në pronësi të OSHEE. Po ashtu janë gjetur lista me emra qytetarësh. Është operacion i koduar premtimi. Deri tani, përmes dëshmitarëve dhe vëzhgimeve në terren, rezulton se janë premtuar para në këmbim të votës. Janë firmosur urdhër kontrolle. Nuk ka patur të ndaluar sepse po kryqëzohen të dhënat, në telefonat dhe vëzhgimet në terren. Po ashtu, rezulton se ka të dhëna, bëhet fjalë për një krim që vijon dhe mund të gjenden dhjetëra komunikime, mund të japin të dhëna për arrestimin e personave. Një prej personave nuk ka pranuar kontrollin e policisë dhe është shoqëruar në komisariat, por pastaj është lënë i lirë.
Janë gjetur lista me emra qytetarë dhe shumat përkatëse që dyshohet se do t’ju jepeshin qytetarëve. Janë gjetur shuma parash dhe tollona nafte.
Ky kontroll në Vaun e Dejës vjen pak ditë pasi Rama ishte në Shkodër. Tërhoqi vëmendjen një kritikë e tij në adresë të kryetarit të bashkisë së Vaut të Dejës, la të nënkuptohet se zyrtarë mund të punonin në favor të Tom Doshit. Tha “Kristian mos luaj me dy porta”. Kryeministri zgjodhi të bënte shembull. Pra janë fokusuar në Vaun e Dejës dhe zonën e Malësisë së Madhe.
Është pak a shumë si rasti i Elbasanit në zgjedhjet e kaluara. Ky operacion po vijon. Me sa kam kuptuar, kam konstatuar që ndonjëeri që është pjesë e shtabeve mund të jetë infiltruar, pasi Prokuroria ka patur informacion të saktë dhe të detajuar. Ata kanë shkuar në pikat përkatëse pa problematikë, i kanë zënë në flagrancë pa patur mundësi të heqin paratë dhe listat.
Zoti Dumani ka qenë në Shkodër, ka kërkuar hetim për korrupsionin, shitblerjen, etj. Ka shkuar edhe në Lezhë sepse edhe atje ka një hetim që po vijon dhe ka të dhëna për shitblerje të votës.