Shqetësime të reja në lidhje me përshkallëzimin bërthamor midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë po ngrihen nga zhvendosja e të paktën katër bombarduesve bërthamorë strategjikë Tupolev Tu-95MS drejt perëndimit, më afër Evropës, nga Vladimir Putin, sipas informacionit nga shërbimi hetimor ukrainas “Insider UA”.
Bombarduesit të cilët përdoren shpesh për sulme në Ukrainë, por gjithashtu i përkasin arsenalit bërthamor të Moskës thuhet se janë tashmë të pajisur me raketa, gjë që sipas të njëjtit burim rrit ndjeshëm mundësinë e një sulmi të madh të afërt.
Tu-95MS thuhet se u zhvendosën nga baza ajrore Ukrainka në Lindjen e Largët në bazat Oleny dhe Engels-2 në Rusinë perëndimore vende të braktisura më parë për shkak të frikës nga sulmet ukrainase.
Lëvizjet, nëse konfirmohen, vijnë vetëm 24 orë pasi Donald Trump zbuloi se kishte urdhëruar lëvizjen e dy nëndetëseve bërthamore amerikane “më afër Rusisë”, në përgjigje të deklaratave të Dmitry Medvedev, i cili kërcënoi me luftë bërthamore.
“Nëndetëset tani janë aty ku duhet të jenë”, tha presidenti amerikan të dielën vonë në mbrëmje, duke shtuar se i kishte dhënë Putinit një ultimatum për të ndaluar zjarrin deri të premten ose për t’u përballur me sanksione të reja të SHBA-së.
I dërguari special i Trump, Steve Witkoff, pritet të udhëtojë për në Moskë të mërkurën për bisedime. Sipas Trump, kërkesa për kontakt erdhi nga vetë regjimi i Putinit.
Kremlini: “Deklarat e Medvedevit nuk shprehin një qëndrim zyrtar”
Zëdhënësi i Kremlinit u përpoq të distancohej nga deklaratat e Medvedevit, duke vënë në dukje se “në Rusi, politika e jashtme përcaktohet ekskluzivisht nga presidenti Putin”.
Ndërsa pranoi se ka “zëra të vijës së ashpër” si në Rusi ashtu edhe në Perëndim, ai theksoi: “Ne nuk duam të përfshihemi në një luftë bërthamore. Ne jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm në çdo deklaratë të tillë. Rusia mbetet përgjegjëse dhe e përkushtuar ndaj mospërhapjes bërthamore. Nuk mund të ketë fitues në një luftë bërthamore”.
Top Channel