Portugalia do të dëbojë rreth 18,000 emigrantë të paligjshëm përpara zgjedhjeve të parakohshme kombëtare

Qeveria e përkohshme e Portugalisë njoftoi të shtunën planet për të dëbuar rreth 18,000 të huaj që jetojnë në vend pa leje të rregullt, vetëm dy javë para zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme të 18 majit.

Ministri i Presidencës, António Leitão Amaro, deklaroi se qeveria e qendrës së djathtë do të nisë shpërndarjen e njoftimeve për dëbim, duke i kërkuar migrantëve të largohen vullnetarisht. Procesi do të nisë javën e ardhshme me rreth 4,500 persona që do të marrin afat 20-ditor për të braktisur territorin portugez.

Njoftimi vjen në një moment të ndjeshëm politik, teksa vendi përgatitet për zgjedhjet e parakohshme të thirrura pas rrëzimit të qeverisë së pakicës të kryeministrit Luis Montenegro. Ai dha dorëheqjen në mars, pasi humbi votëbesimin në Parlament për shkak të një skandali që përfshinte një firmë avokatie familjare dhe lidhje të dyshimta me një koncesion shtetëror.

Montenegro, i cili kishte më pak se një vit në pushtet, kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve për të zgjidhur krizën, por opozita e majtë dhe e djathta ekstreme u bashkuan për ta rrëzuar atë. Aleanca e tij qeverisëse kishte vetëm 80 nga 230 vendet në Kuvend, përballë një opozite që bashkë kontrollon 128 vende.

Kriza ka thelluar pasigurinë në një moment kritik për vendin, i cili është në procesin e investimit të miliarda eurove nga fondet e BE-së. Në të njëjtën kohë, analistët vërejnë rritjen e ndjeshme të partisë populiste Chega, që doli forcë e tretë në zgjedhjet e fundit.

Portugalia, e cila pas Revolucionit të Karafilit të vitit 1974 hyri në epokën demokratike, po përjeton sot një nga periudhat më të trazuara të 50 viteve të fundit.