Ministrja e Arsimit dhe Sporti Ogerta Manastirliu dhe Kryetari i Bashkisë së Kamzës Rakip Suli inspektuan punimet për ndërtimin e gjimnazit të ri “Sulejman Elezi” në Laknas të Kamzës. Kjo shkollë model, pritet të hapë dyert në shtator me fillimin e vitit të ri shkollor.
Me një kapacitet prej 600 nxënësish, shkolla do të ofrojë kushte moderne mësimore, biblioteka, hapësira të gjelbra dhe terrene sportive. Gjatë inspektimit të punimeve, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, theksoi rëndësinë e investimeve në infrastrukturën arsimore:
“Prioriteti ynë është investimi tek fëmijët për mirërritjen dhe zhvillimin e tyre. Nga ajo infrastruktura shkollore, por duke filluar nga çerdhet dhe kopshtet, për ne është një prioritet.
Ndaj jemi këtu në një prej shkollave ku tashmë shihet që puna po ecën me ritëm dhe besoj që të bëhemi gati që gjimnazi ‘Sulejman Elezi’ të mundet të hapë dyert në fillim të vitit të ardhshëm, duke ofruar një prej standardeve më të mira, jo vetëm për procesin mësimor, por përtej tij për të qenë një shkollë e hapur për komunitetin me ambiente pritëse, ambiente sportive, kulturore, artistike që mund të shërbejnë nxënësve dhe të gjithë komunitetit të zonës.”
Ministrja Manastirliu u ndal dhe te dy investimet e reja arsimore që do të nisin së shpejti në Kamëz:
“Ne, së bashku me ekipin, kemi filluar punën edhe për dy investime të reja në Kamzë. Përveç të gjitha investimeve të reja që janë duke u realizuar falë mbështetjes së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Qeverisë shqiptare, do të jenë gjithashtu dy investime që i përkasin shkollës nëntëvjeçare ‘100 Vjetori’ me ambientet sportive që do të investojmë duke filluar nga ky vit dhe gjithashtu edhe shkolla ‘Dom Nikoll Kaçorri’, e cila do të jetë pjesë e rehabilitimit.”
