ARMA E SEKUESTRUAR
TIRANË-Policia e Tiranës ka goditur një rast të trafikut të armëve nga Kosova drejt Shqipërisë, ndërsa në pranga janë vendosur dy shqiptarë të Kosovës. Altin Pajaziti, 23 vjeç dhe Kadri Prushi, 53 vjeç u ndaluan në autostradën “Lezhë – Fushë Krujë”, teksa ishin nisur drejt Tiranës me qëllim shitjen e 2 pistoletave.
Armët me vlerë afro 10 mijë euro u gjetën në automjetin me të cilin lëviznin dy të rinjtë. Gjatë kontrollit u sekuestrua dhe municion luftarak.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet pas hetimeve disamujore, operacioni policor i koduar “Suspend”.
Goditet një rast i trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova, me qëllim shitjen. Sekuestrohen 2 pistoleta dhe municion luftarak.
Vihen në pranga 2 shtetas kosovarë të cilët dyshohet se i kanë trafikuar 2 pistoletat, me qëllim shitjen në Tiranë, me vlerë afro 10 000 euro.
Si rezultat i hetimeve disamujore të kryera me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së armëve të zjarrit, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Suspend”, si rezultat i të cilit u arrestuan shtetasit:
A. P., 23 vjeç dhe K. P., 53 vjeç, të dy banues në Kosovë.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në autostradën “Lezhë – Fushë Krujë”, automjetin me të cilin qarkullonin shtetasit A. P. dhe K. P., në të cilin, gjatë kontrollit, kanë gjetur dhe sekuestruar 2 armë zjarri pistoleta dhe municion luftarak. Nga hetimet dyshohet se këta shtetas i kanë trafikuar pistoletat nga Kosova, me qëllim shitjen në Tiranë.
Vijojnë hetimet në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
