I ftuar në emisionin ‘A Show’ në Syri TV, me moderator Adi Krasta, Eksperti i IT, Besmir Semanaj u shpreh se shqetësimet lidhur me sigurinë e internetit dhe aksesin në informacion janë duke u shtuar në Shqipëri.
Ai theksoi se denoncimet nga kolegët e tij për abuzime me trafikun e internetit dhe përdorimin e pajisjeve për monitorimin e trafikut pa një bazë ligjore kanë ngritur alarmin për mungesën e transparencës dhe kontrollit të shtetit mbi këto teknologji.
Sipas tij, ndonëse disa shtete demokratike kanë implementuar masa të ngjashme, Shqipëria ka ende shumë mangësi në ligje dhe kontrollin e operacioneve të ISP-ve, duke lënë hapësirë për abuzime të mundshme.
Për ekspertin, një nga shqetësimet kryesore mbetet përdorimi i pajisjeve për monitorimin e trafikut pa miratimin e ligjshmërisë dhe pa mbrojtje të duhur ligjore.
Pavarësisht se ka pasur një heshtje nga autoritetet, shqetësimi për mungesën e një ligji të qartë dhe të transparencës mbetet i fortë.
Ekpserti:
Denoncimi pranë meje erdhi nga kolegë të cilët duan të mirën e vendit dhe qytetarëve. Kolegët qofshin këta edhe pranë organeve të ndryshme shtetërore. Në momentin që bëra denoncimin, shpresoja që të përgjigjeshin institucionet shtetërore, por sot e kësaj dite kemi një heshtje dhe një mbyllje hermetike.
DPI dhe nga emri bëjnë një analizë në kohë reale të trafikut të internetit, i cili ndahet në dy tipologji: i painkriptuar, që janë SMS-të që ne dërgojmë me telefon. Të gjitha këto paketa, persona të cilët kanë akses në këto pajisje mund t’i lexojnë. Kodi që vjen nga bankat, që kalon me SMS, apo i E-Albania, të gjitha këto mund të lexohen.
Pastaj, kemi për të parë se çfarë mund të përdoret. Shtetet autokratike apo diktatoriale, si Kina, Rusia, Irani dhe Turqia, i përdorin këto teknologji për të bllokuar ose ngadalësuar internetin. Në çdo moment, nëse qeveria ka këto pajisje, mund të bllokojë faqe dhe rrjete sociale të caktuara brenda pak minutash. Mund të bëhet edhe degradim i shërbimit; për shembull, nëse SYRI TV bën një prodhim online, mund ta degradojë shërbimin pa e mbyllur totalisht, pasi mund të bëhet vetëm një ngjarje.
Kemi dhe trafikun e inkriptuar, siç janë Facebook dhe WhatsApp. Këto janë teknologji të inkriptuara nga fillimi deri në fund, dhe nuk mund të lexohen nga askush me cilësi të lartë përveç përdoruesve të autorizuar.
Gjithashtu, kemi të bëjmë me pajisje fizike për një kompani, ku vendoset më shumë se një pajisje. Kemi gjithashtu një dollap që ka disa pajisje dhe gjithë trafiku kalon nëpër to. Kjo ka ndodhur në Shqipëri, sepse, siç e dini, tashmë TikTok-u u bllokua në telefonët mobilë dhe do të bllokohet edhe në internetin fiks. Kjo ka ndodhur për telefonët mobilë dhe unë prisja ta përgjigjeshin, por ka kaluar shumë kohë pa u përgjigjur, rreth 10 ditë. Kolegët kanë dërguar edhe foto të pajisjeve që e vërtetojnë këtë fakt. Tanimë, të gjithë e kanë pranuar.
Prisja një deklaratë nga kryeministri, por mendoj se u penduan, mund të jetë nesër ose pasnesër. Por ideja është kjo: shtetet demokratike që kanë implementuar këto teknologji, po të marrim për shembull Francën, ku u implementua pas një sulmi terrorist dhe në atë moment u miratua një ligj. Në Shqipëri, kjo është ajo që më shqetëson: nuk është problemi nëse do të instalohet apo jo një pajisje, por çështja është që po bëhet në fshehtësi, pa kërkesën e ISP-ve, nuk kemi një ligj, nuk dimë kush ka akses.
Të pasurit akses në këto pajisje nuk do të thotë se çfarë thotë kryeministri ose një drejtor. Ata mund të jenë pozitivë, por për sa kohë nuk kemi një ligj, nuk e dimë. Nëse Rama do të deklarojë se nuk do të abuzojë dhe të marrim këtë si të mirëqenë, çfarë do të bëjë ai që do të vijë pas tij? Si do ti përdorë këto pajisje? Këto pajisje janë pranë ISP-ve pa një bazë ligjore, nuk dimë kush i solli, dhe nuk e dimë sa kanë kushtuar.
