Ekspertët e çështjeve ligjore-kushtetuese thonë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk solli zgjidhje për krizën institucionale në Kosovë. Sipas tyre, zgjidhja tani mund të vijë vetëm përmes një marrëveshjeje politike, ose me ndërhyrjen e presidentes.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës dha urdhrin, por në Kuvend nuk ka as zbatim, as marrëveshje.
Për të 39-ën herë më 29 qershor, deputetët e zgjedhur dështuan të konstituojnë institucionin ligjvënës.
Ndërkohë që afati prej 30 ditësh – i përcaktuar nga Kushtetuesja për përmbylljen e konstituimit – ec, ata mbeten të bllokuar në mosmarrëveshje të thella politike.
Njohësit e çështjeve ligjore-kushtetuese paralajmërojnë se nëse Kuvendi nuk e përmbyll këtë proces deri më 26 korrik – kur skadon afati i Kushtetueses – Kosova rrezikon të përfshihet nga një paralizë e tërësishme institucionale.