Kanceri i stomakut po zbulohet gjithnjë e më herët, duke rritur shpresat për mbijetesë

Mjekët po arrijnë gjithnjë e më shpesh të zbulojnë kancerin e stomakut në fazat e hershme, duke rritur mundësitë për trajtime shpëtimtare ndaj një prej llojeve më vdekjeprurëse të kancerit.

Kanceri i stomakut, i cili mori jetën e këngëtarit të muzikës country Toby Keith, zakonisht zbulohet në faza të avancuara, kur tashmë është përhapur. Por sipas një studimi të prezantuar në konferencën “Digestive Disease Week”, kjo po ndryshon.

Mjetet e reja diagnostikuese, si endoskopët me rezolucion të lartë, lejojnë mjekët të shohin tumore të vegjël që më parë nuk dalloheshin. Sipas dr. Mohamed Siddiqui-t nga Klinika Cleveland, “më parë kanceret zbuloheshin vetëm kur ishin përhapur, por tani po shohim më shumë raste lokale.”

Nga të dhënat e analizuar prej vitit 2004 deri më 2021, u vu re një rritje e rasteve të kancerit të zbuluar në fazat e hershme, ndërsa rastet e avancuara kanë rënë.

Kanceri i stomakut po prek gjithashtu më shumë të rinj nën moshën 50 vjeç. Faktorët që ndikojnë përfshijnë infeksionin nga bakteri helicobacter pylori, predispozitën gjenetike dhe duhanpirjen. Simptomat përfshijnë refluks acidik të pakontrolluar, dhimbje barku, të përziera, humbje peshe dhe anemi.

Aktualisht në SHBA nuk ka një program zyrtar për kontrollin e kancerit të stomakut, por ekspertët shpresojnë se zbulimet e reja do të çojnë drejt udhëzimeve të reja.

Në fazat e hershme, trajtimi mund të bëhet me procedura minimale, duke rritur shkallën e mbijetesës deri në 77%, krahasuar me vetëm 36% në përgjithësi. / NBC News – Syri.net