Ja ushqimet që nuk duhet të konsumoni për të ulur ‘trigliciridet’ në organizëm

Trigliceridet janë ndër treguesit më të rëndësishëm që mjekët përdorin për të vlerësuar shëndetin e zemrës. Kur këto yndyra në gjak kalojnë nivelet normale, ato sinjalizojnë një rrezik të shtuar për sëmundje kardiovaskulare. Por çfarë i shkakton saktësisht këto rritje? Një nga fajtorët kryesorë, sipas ekspertëve, janë pijet e ëmbla dhe të gazuara.

Në një raport të publikuar nga portali i specializuar EatingWell, dietologët ngritën alarmin për konsumin e lartë të pijeve me sheqer, jo vetëm pijet e gazuara klasike, por edhe pijet energjike që janë kthyer në zgjedhje të zakonshme, sidomos tek të rinjtë.

Sipas tyre, ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes konsumit të tepërt të sheqerit dhe rezistencës ndaj insulinës, një gjendje që mund të çojë në rritje të ndjeshme të triglicerideve.

Edhe pse mund të duket e çuditshme që sheqeri ndikon tek yndyrnat e gjakut, mekanizmi është i qartë. Melissa Jaeger, dietologe e licencuar, shpjegon se karbohidratet dhe sheqeri i tepërt, pasi trupit i mbushen rezervat e glikogjenit, shndërrohen në acide yndyrore në mëlçi. Më pas, këto acide bashkohen për të krijuar trigliceride,  duke rritur në mënyrë të heshtur, por të rrezikshme, sasinë e tyre në gjak. Kjo yndyrë, nëse grumbullohet në zonën abdominale si yndyrë viscerale, është veçanërisht e dëmshme për shëndetin e zemrës.

Në një kohë kur pijet me sheqer janë të pranishme kudo, nga supermarketet deri te makineritë automatike në shkolla dhe zyra, ekspertët këshillojnë që konsumatorët të bëjnë zgjedhje më të vetëdijshme. Kalimi nga pijet e gazuara te uji, qumështi apo smoothie-t me përbërës natyralë mund të jetë një ndryshim i vogël me ndikim të madh.

Përveç kufizimit të sheqerit të shtuar, për të ulur nivelin e triglicerideve rekomandohet gjithashtu shmangia e alkoolit, rritja e aktivitetit fizik dhe një dietë e pasur me fibra. Ushqimet si perimet, frutat, drithërat integrale dhe sidomos peshqit e yndyrshëm si salmoni, skumbri dhe sardelja janë aleatë të fortë në këtë betejë. Ekspertët sugjerojnë që peshku të përfshihet në menu të paktën dy herë në javë. Syri.net-iefimerida