Gjyqtarja kushtetuese Sonila Bejtja me mandat të plotë/ Ja dokumenti i Ardian Dvoranit që e konfirmon

Gjyqtarja Sonila Bejtja është emëruar për një mandat të plotë në Gjykatën Kushtetuese, përkundër skenarit për largimin e saj të parakohshëm nga detyra, që po ndiqet nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, dhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

Mandati i plotë i gjyqtares Bejtja konfirmohet nga një seri dokumentesh, përfshirë edhe akte të nënshkruara nga ish-kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.

Gjyqtarja Bejtja është emëruar në dhjetor të vitit 2020, duke zëvendësuar në detyrë ish-gjyqtarin Besnik Muçi, i cili qëndroi vetëm një muaj në detyrë, në periudhën tetor-nëntor 2019, për shkak se u shkarkua nga procesi i Vetingut.

Gjyqtari Muçi u kualifikua për në Gjykatën Kushtetuese në shtator 2019 nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, që në atë kohë drejtohej nga Ardian Dvorani.

Në vendimin e kualifikimit të Besnik Muçit, që mban datën 21 shtator 2019, Dvorani shkruante që në titull se ai kandidonte për një post në Gjykatën Kushtetuese për një vakancë të plotë, pra 9-vjeçare. (Shkarko dokumentin)

Pra, edhe gjyqtarja Sonila Bejtja, e cila vijon mandatin e gjyqtarit të shkarkuar, qëndron në detyrë për të gjithë pjesën e pakonsumuar të mandatit të Besnik Muçit, i cili, në terma konkretë është 8 vjet e 11 muaj dhe përfundon në nëntor të vitit 2028.