Gjergj Luca: Gjenialiteti i “Paketës së Maleve” është qershia mbi tortë e agroturizmit shqiptar

Nga Crans-Montana në Alpet shqiptare, një vizion i mundshëmNë një nga vendet më prestigjioze të turizmit alpin, në Crans-Montana të Zvicrës jugore, aty ku luksi, natyra dhe sporti shkrijnë kufijtë e imagjinatës njerëzore, sipërmarrësi i njohur shqiptar Gjergj Luca ndalet për një reflektim publik. Ai ndan me ndjekësit e tij një vështrim të kthjellët mbi potencialin e jashtëzakonshëm që ka Shqipëria për të ndërtuar vetveten mbi themele të natyrës, pasurisë dhe shpirtit sipërmarrës.

“Shqipëria mund të jetë një Zvicër”, shprehet ai, duke parë përtej maleve të larta dhe luginave me gjelbërim të përjetshëm, përtej resortit që është bërë simbol i standardit elitar në turizëm. “Zoti na ka mbajtur me hatër,” vijon Luca, “por problemi jemi ne: ne që ndërtojmë shëmtuar, që urbanizojmë pa menduar, që menaxhojmë keq dhe pa vizion.”Në këtë kontekst, Luca e sheh “Paketën e Maleve”, iniciativën më të re të qeverisë shqiptare, si një hap konkret dhe të guximshëm, një politikë që synon jo vetëm zhvillimin ekonomik të zonave malore, por një kthesë kulturore dhe qytetare drejt një qasjeje të re ndaj territorit dhe të ardhmes.Miratuar në janar 2025, kjo paketë strategjike synon të gjallërojë zonat e thella malore përmes lehtësive fiskale, financiare dhe ligjore. Ajo fton investitorët, të rinjtë, emigrantët dhe dashamirët e natyrës për të kthyer vendlindjen në një model suksesi.Përfitimet janë të qarta dhe të menjëhershme:10 vjet përjashtim nga tatimet dhe TVSH-ja për 500 projektet e para.Garanci shtetërore deri në 70% për kreditë investuese, nga një fond i dedikuar 250 milionë euro.Legalizim i tokës në përdorim, edhe pa dokument pronësie, me mbështetjen e bashkive përmes procedurës së verifikimit të posedimit.Prioritet për agroturizmin, bujqësinë, artizanatin dhe çdo formë ndërmarrjeje që rikthen jetën në mal.Kjo nuk është thjesht një paketë ekonomike, është një politikë shprese, që synon të mbjellë mundësi në ato zona ku shpesh është kultivuar vetëm mërgimi, harresa dhe izolimi.Në mesazhin e tij, Luca e përkufizon këtë projekt si “qershia mbi tortë e agroturizmit shqiptar”, sepse jo vetëm që promovon prodhimin vendas dhe ruajtjen e traditës, por nxit një kthim emocional dhe praktik drejt vendlindjes.Ai i bën thirrje veçanërisht emigrantëve: “Tani që qeveria shqiptare ka hedhur themelet e një mbështetjeje reale, tani që investimi nuk është më një akt guximi, por një rrugë e lehtësuar ligjërisht dhe financiarisht, është koha të ndërtoni këtu. Kthehuni. Investoni. Lëreni gjurmën tuaj.”Luca nuk synon të idealizojë të huajën, përkundrazi, ai fton të përqafojmë bukurinë tonë me po atë standard që admirojmë te të tjerët. Nga Thethi te Valbona, nga Kelmendi te Postriba, nga Kolonja te Kurveleshi, Shqipëria ka panoramat, freskinë, historinë dhe shijen për të qenë jo një kopje e Zvicrës, por një Shqipëri e vërtetë, e re, e ngritur mbi madhështinë që natyra ia ka falur dhe që tani politika e mbështet.“Paketa e Maleve”, në thelb, është një shprehje e dashurisë për vendin. Është një ftesë për të ëndërruar në mënyrë kolektive, për të punuar me vizion dhe përkushtim, për të ndërtuar një të ardhme në trojet ku kanë nisur rrënjët tona. E në këtë frymë, fjala e Lucës kumbon si një kushtrim: “Të bëjmë atë që duhet. Të tregojmë se e meritojmë të shpërblehemi, ashtu siç na ka shpërblyer natyra dhe sot, edhe shteti.”Albert Vataj