Erion Veliaj
TIRANË- Erion Veliaj ka reaguar nga burgu, për fitoren e madhe të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit. Kryebashkiaku i arrestuari i Tiranës pasi falenderoi kolegët e tij, u ndal më gjatë tek lideri i opozitës, kryedemokrati Sali Berisha. Veliaj u shpreh se shqiptarët dinë të vlerësojnë ndryshimin, punën dhe zhvillimin, teksa sulmoi opozitën duke thënë se qytetarët nuk i besojnë më “Saliut & co”.
“Një gjë kam mësuar unë për shqiptarët: nuk harrojnë dhe nuk mashtrohen. Ata nuk i besojnë më Saliut & co dhe 11 maji i vuri vulën këtij diskutimi. Shqiptarët dinë të vlerësojnë ndryshimin, punën, zhvillimin dhe e dinë fare mirë që ka vetëm një forcë në këtë vend që mund ta çojë Shqipërinë përpara drejt Europës që kemi ëndërruar: Partia Socialiste e drejtuar nga Edi Rama dhe ekipi i tij. Saliu & co nuk kanë vesh ta dëgjojnë zërin e popullit. Nuk kanë pasur kurrë sepse nuk e duan pushtetin për popullin,”-tha Veliaj.
POSTIMI I PLOTË:
Miqtë e mi, Nuk di nga t’ia nis. Jam pa fjalë, krejtësisht pa fjalë, përpara kësaj vale të jashtëzakonshme mbështetjeje që fshiu çdo dyshim, çdo pretendim, çdo helm e çdo baltë që iu hodh Partisë Socialiste në këto katër vite. Shqiptarët folën – dhe folën fort! Folën më fuqishëm se çdo herë tjetër, që prej vitit të mbrapshtë 1997, kur i treguan vendin të njëjtit personazh grotesk që guxon të rikthehet përpara shqiptarëve, edhe sot, si të ishte një “ofertë e re”. Një gjë kam mësuar unë për shqiptarët: nuk harrojnë dhe nuk mashtrohen. Ata nuk i besojnë më Saliut & co dhe 11 maji i vuri vulën këtij diskutimi. Shqiptarët dinë të vlerësojnë ndryshimin, punën, zhvillimin dhe e dinë fare mirë që ka vetëm një forcë në këtë vend që mund ta çojë Shqipërinë përpara drejt Europës që kemi ëndërruar: Partia Socialiste e drejtuar nga Edi Rama dhe ekipi i tij. Saliu & co nuk kanë vesh ta dëgjojnë zërin e popullit. Nuk kanë pasur kurrë sepse nuk e duan pushtetin për popullin. Që nga viti 2013 e deri sot, pas çdo humbjeje, kanë folur për vjedhje, për komplot, për një popull që nuk i meriton. Por, nëse ka një gjë që na dallon ne socialistëve nga rivalët tanë është se ne dimë të dëgjojmë. Ne nuk jemi këtu për veten tonë – ne jemi këtu për të punuar, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët. Sot, unë jam krenar që jam pjesë e këtij projekti që ka transformuar Shqipërinë. Jam krenar që kam dhënë një kontribut, sado modest, në këtë rrugëtim të jashtëzakonshëm që qytetarët e mbështetën masivisht në 11 maj me votën e tyre. Sot ndihem i përunjur përpara kësaj mbështetje masive e dua të falenderoj secilin prej jush, nga veriu në jug, nga lindja në perëndim, nga Amerika në Greqi, nga Anglia në Turqi, që i besuan Partisë Socialiste. Por, më lejoni që falenderimin më special ta ruaj per Tiranën time të dashur. Për familjen time të dytë. Për kolegët e mi të Bashkisë Tiranë dhe për ekipin e mrekullueshëm të Partisë Socialiste në Tiranë që me punën e përkushtimin e tyre arritën një fitore të paharrueshme. Jeni të jashtëzakonshëm. Jam krenar për të gjithë ju!
