Dënohet përfundimisht ish-kryebashkiaku i Himarës/ Jorgo Goro do të vuajë 2 vite e 20 ditë burg për shpërdorim detyre

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin për dënimin me 3 vite e 1 muaj burg për ish-kryetarin e Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, i akuzuar për shpërdorim detyre. Meqenëse ai përfitoi nga gjykimi i shkurtuar, dënimi i tij është reduktuar në 2 vite e 20 ditë burgim.

Sipas SPAK, Goro ka lejuar, përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuara, tjetërsimin e mbi 10 mijë m² toke shtetërore në fshatin Gjilekë, duke e kaluar në pronësi të privatëve. Përfituesi përfundimtar i kësaj prone rezulton të jetë Artan Gaçi, bashkëshorti i ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.

Gazetari i SYRI TV, Fatjon Gjinaj, raporton se kjo nuk është e vetmja çështje në të cilën Goro është nën hetim. Pak ditë më parë, SPAK kërkoi një tjetër dënim me 1 vit e 4 muaj burg, sërish për shpërdorim detyre. Në këtë rast, ai akuzohet se i ka dhënë në mënyrë të paligjshme një sipërfaqe toke në zonën e Livadheve ish-kryetarit të komanduar të Bashkisë së Himarës, Arqile Bollano.