Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, demonstroi se mungesa e reformës zgjedhore për të përmbushur rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe rekomandimet e shoqërisë civile, cenoi standardet zgjedhore.
Kështu shprehet Instituti i Studimeve Politike në një deklaratë të shpërndarë, duke theksuar se KQZ duhet të unifikojë qëndrimet dhe vendimet lidhur me raste të njëjta, praktika të njëjta, denoncime të njëjta dhe dispozita të njëjta të Kodit Zgjedhor.
Sipas ISP-së, organet drejtuese të KQZ-së, bëjnë interpretime të ndryshme të dispozitave dhe fenomeneve të kundërligjshme të denoncuara.
Në qëndrimin e tij, ISP thekson gjithashtu se KQZ, duhet të rishikojë anktet nënligjore, lidhur me votën e diasporës, referuar edhe parregullsive në zgjedhjet e 11 majit.
Gjetje të tjera prioritare kanë të bëjnë me rolin e KQZ, rolin e SPAK në hetimet e krimit zgjedhor, rolin e qeverisë në procesin elektoral dhe praktikat abuzive të përdorimit të burimeve shtetërore, rolin e administratës zgjedhore, thuhet më tej në reagimin e ISP-së.
Sipas tij, dekriminalizimi nuk duhet të shihet vetëm në këndvështrimin e profilit të kandidatit, por më gjerë, si “dekriminalizim” i fushatave zgjedhore nga mbështetja e individëve të inkriminuar dhe financimeve informale e të gjitha rrethanave që kanë ndikuar dhe mbështetur këta individë në zgjedhje.
Deklarata
ISP vlerëson se zhvillimi i zgjedhjeve demonstroi se mungesa e reformës zgjedhore për të përmbushur rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe rekomandimet e shoqërisë civile, e cila ka qenë aktive në zgjedhjet e fundit, cenoi standardet zgjedhore. ISP vlerëson se KQZ duhet të unifikojë qëndrimet dhe vendimet lidhur me raste të njëjta, praktika të njëjta, denoncime të njëjta dhe dispozita të njëjta të Kodit Zgjedhor. Janë zgjedhjet e treta që zhvillohen me këtë bazë ligjore dhe organet drejtuese të KQZ, bëjnë interpretime të ndryshme të dispozitave dhe fenomeneve të kundërligjshme të denoncuara. Gjithashtu rishikimi i akteve nënligjore të KQZ, në lidhje me votimin e shtetasve shqiptarë nga jashtë vendit (votimi i diasporës) me qëllim hartimin e rregullave të qarta, të qëndrueshme dhe duke vlerësuar eksperiencat pozitive dhe negative të zgjedhjeve të fundit.
Gjetje të tjera prioritare kanë të bëjnë me rolin e KQZ, rolin e SPAK në hetimet e krimit zgjedhor, rolin e qeverisë në procesin elektoral dhe praktikat abuzive të përdorimit të burimeve shtetërore, rolin e administratës zgjedhore, etj.
Gjithashtu ekipi i ISP vlerëson se dekriminalizimi duhet të bëhet jo vetëm për figurën e individit që kandidon, por duhet parë më gjerë si “dekriminalizim” i fushatave zgjedhore nga mbështetja e individëve të inkriminuar dhe financimeve informale e të gjitha rrethanave që kanë ndikuar dhe mbështetur këta individë në zgjedhje. Partitë politike duhet të organizojnë procese të brendshme demokratike, transparente dhe gjithëpërfshirëse në përzgjedhjen e kandidatëve për funksionet publike.