Berisha: Siguria në shkolla prioritet, orari në shkolla do të jetë 8 orë, që fëmijët të ushqehen dhe kryejnë detyrat

Gjatë një fjale të tij për mediat, kreu i PD, Sali Berisha, theksoi shqetësimin e tij për rritjen e dhunës në shkollat shqiptare, duke përmendur vrasje dhe plagosje të ndodhura gjatë muajve të fundit.

Ai kërkoi një qëndrim të fortë dhe pa tolerancë ndaj dhunës në shkolla, duke propozuar një sistem orari të ri që do t’u mundësojë fëmijëve të qëndrojnë në shkolla për 8 orë, ku do të ushqehen dhe bëjnë detyrat.

Sipas Berishës, familjet nuk duhet të pranojnë që fëmijët e tyre të shkojnë në shkolla të armatosur dhe duhet të punojnë së bashku për të eleminuar çdo motiv për dhunë.

Deklarata e tij:

Problem madhor dhe në rritje. Vetëm muajt e fundit ka patur vrasje e plagosje në shkollat tona. Disa jo një. Një qëndrim krejtësisht tjetër ndaj dhunës në shkolla do të mbahet. Toleranca do të jetë zero.
Nga ana tjetër shkollat do të kenë si orar, jo orarin e mësimit, por 8 orë në mënyrë që fëmijët të qëndrojnë, të ushqehen dhe të bëjnë detyrat dhe mësimet në shkollë dhe familjarët të kryejnë detyrimet në punë që kanë.
Çështja e dhunës në shkolla është madhore edhe e familjeve të cilat nuk duhet kurrë të pranojnë që fëmijët e tyre të shkojnë në shkolla të armatosur, por edhe të mos kenë asnjë motiv për ta bërë këtë.