I ftuar në “Odeon” në Syri TV, studiuesi Behar Gjoka ndaloi gjatë te roli dhe pesha e Petro Markos në letërsinë shqipe, duke vënë theksin mbi dykohësinë e pranisë së tij dhe mbi nevojën për ta lexuar dhe kuptuar me drejtësi kontributin e tij.
“Në letërsinë bashkëkohore ai është një nga romancierët, një nga mjeshtërat, një nga shkrimtarët që thelloi, konsolidoi modernizmin. Qyteti i fundit, të them të drejtën, unë e kam lexuar disa herë dhe në të gjitha herët arrij të kuptoj se ka vatra të paqëmtuara. Pra, jemi në një situatë që Cezarit i japim atë që i takon, dhe jo të ndërtojmë një histori letrare apo përtej letrare sipas varësisë së sistemeve etj. Këtu jemi në dykohësi. Në të dyja kohët Petro Marko ka gjurmët e veta. Dysia ka të bëjë me qëndrimin jo fort normal ndaj tij. Nëse sistemi që ishte, do të thosha, i ndaloi veprat, nuk ka vepër që nuk ia ka censuruar. Me përjashtim të “Qytetit të fundit”, që ka një situatë shumë interesante të një bisede me drejtorin e shtëpisë botuese të asaj kohe. I ankohet ish-kryeministrit Mehmet Shehu, sepse kanë qenë bashkë në Spanjë. I thotë: nuk ma botojnë librin, se thonë rregulloje. Mehmet Shehu vajti në zyrë atij dhe i thotë: ky nuk më dëgjon mua, jo ty. Botoje siç është. Është i vetmi libër i pacensuruar. Po çfarë ndodh? Pas botimit, ndalohet për 15 vite, nuk qarkullonte. Pra, jetë të hidhur drama, jetë të hidhur veprat e tij. Jeta e tij është dramë që duhet zbuluar. Vepra e tij është drama jo e individit, është vlera estetike që ne duhet ta prekim, ta hipotekojmë, ta sjellim në atë dimension, sepse na jep forcë, na i zbukuron ditët. Sepse çuditërisht, si shpirt, Petro Marko nuk u thye asnjëherë. Ka pasur një moment shumë të vështirë në ’75, kur i ndaluan djalin, por çuditërisht dinjiteti i tij, forca e tij shpirtërore ishte e jashtëzakonshme. Pra, me këtë kuptim, dykohësia, prania e tij në letërsinë bashkëkohore dhe në letërsinë e shkrimtarit të viteve ’30, dhe dysia, ne ende nuk po i qasemi. Ne ende mendojmë se duke e heshtur kemi ndërtuar atë që quhet histori e letërsisë shqipe me një shkrimtar. Duhet të çlirohemi nga ky ankth. Për mua letërsia shqipe është mozaik.”
Në intervistë, Gjoka tha se monografia e sapodalë për Petro Markon, është përpjekje për të ndriçuar më thellë figurën e tij letrare, por edhe për të rikthyer vëmendjen mbi një autor që mbetet ende i nënvlerësuar në historiografinë letrare shqiptare.
