Në koncertin festiv kushtuar Tropojës, solisti Aranit Hoxha sjell një kolazh të ri këngësh, që do të këndohet për herë të parë në këtë shfaqje. Ai e konsideron këtë moment si një emocion të veçantë dhe të shumëpritur, duke theksuar se motive nga Tropoja kanë qenë gjithmonë pjesë e repertorit të Ansamblit, të punuara nga mjeshtra të njohur si Panajot Kanaçi, Rexhep Çeliku, Besim Zekthi e deri te Gernc Kastrati.
“Stafi realizues i koncertit më besoi mua realizimin e një kolazhi dhe unë krijova një bashkim këngësh me pjesëmarrjen e korit të Ansamblit. Do të jetë premierë dhe besoj një nga këngët më të bukura që do të futet në repertor,” – tha Hoxha. Ai foli gjithashtu për përvojën e rinovimit të korit të Ansamblit vite më parë, duke vënë në pah zërat e mrekullueshëm të djemve dhe vajzave të reja, që sipas tij janë dëshmi e gjallë e dëshirës për të qenë pjesë e trashëgimisë artistike kombëtare. “Kam një mision të posaçëm: të ruaj muzikën tonë dhe të afroj të rinjtë që kanë dhunti, në çdo cep të Shqipërisë. Ndryshimet në botë janë të pashmangshme, por unë këndoj live dhe këndoj shqip e pastër,” – u shpreh Aranit Hoxha.
