E ftuar në edicionin e pasdites në Syri tv ka qenë gazetarja Albionë Zhitia.
Gjatë bisedës me moderatorin Edvin Parruca ajo ka komentuar situatën në Kosovë pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Albionë Zhitia: Tashmë po bëhet e 24-ta tentativë ose episodi 24 i cili e kishte epilogun e njëjtë. Sa i përket hapësirës ligjore, fatkeqësisht nga aspekti i Gjykatës Kushtetuese, jemi në pritje të vendimit të saj për të interpretuar pyetjen e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ne lidhje me zgjedhjen e komisionit për procedurë të fshehur që është dërguar si pyetje nëse është e lejueshme të ndryshohet rregullorja brenda një seance e cila ende nuk ka përfunduar. Duhet theksuar këtë gjë. Ani pse me rregullore thuhet se duhet të përfundojë seanca e parë e pastaj mund të kemi ndryshime në rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ne vazhdojmë të jemi ende ne seancën e parë dhe kjo seancë nuk do të ketë fund pa një marrëveshje politike të cilën, të gjithë partitë, ende nuk po lëvizin nga vijat e tyre. Duke përfshirë këtu as partinë e madhe e cila ka fituar shumicën në këtë zgjedhje që është lëvizja Vetëvendosje dhe që me ligj i takon asaj që të bëjë kandidatin e parë për kryetar kuvendi dhe pastaj të shohë nëse i merr votat ose jo. Ose të këtë një marrëveshje politike në mes partisë fituese me ndonjë parti opozitare. Por që ne këtë rast partitë opozitare qoftë PDK apo LDK nuk po lëvizin nga pozicionet e tyre. Madje LDK ka refuzuar publikisht ftesën e Kurtit për një koalicion. Në të njëjtin qëndrim karshi një koalicioni me Vetëvendosjen është edhe AAK. Haradinaj kërkon që të këtë një mundësi për opozitën që të krijojë shumicën dhe të shkojë më tutje, qoftë me konstituimin e Kuvendit, apo edhe qoftë me formimin e qeverisë. Hapësirë ligjore fatkeqësisht nuk ka.
Edvin Parruca: Ku duan të dalin secili nga aktorët. Se kjo është një iniciativë e Vetëvendosjes. Çfarë do secila nga palët nga kjo përsëritje?
Albionë Zhitia: Atëherë nëse analizojmë të gjithë rrethanat politike në të cilën gjendet Kosova, po shikohet mjaft qartë që partia fituese Vetëvendosje nuk i ka votat për procedurën e radhës pas konstituimit të Kuvendit që është formimi i qeverisë. Edhe pse për këtë ka deklarata se janë numrat për qeverinë, atëherë pse nuk kalon Albulena Haxhiu si kryetare e Kuvendit. Mungon numri 61 deputetëve për ta miratuar. Sot Albin Kurti gjatë një takimi me gratë e Vetëvendosjes ka deklaruar që deputetët e opozitës janë ata që po e bllokojnë gjithë këtë. Duke akuzuar deputetët e opozitës që në të kaluarën kanë votuar 4 nga problematikat siç janë Gjykata Kushtetuese, asociacioni , demarkacionin….Ai ka thënë se ata nuk po e votojnë gruan më të votuar në Kosovë. Opozita është e vendosur që të mos e votojë Haxhiun pasi opozita thotë se ajo nuk është emri unifikues për këtë post.
Hapësira ligjore ja lejon Kurtit që të vijohet kjo lojë. Po atij i duhet të bëjë një konsensus me një parti parlamentare për të formuar edhe qeverinë. Pak me vonë do të vijohet edhe me zgjedhjen e Presidentit të ri. Prandaj ndoshta Vetëvendosja kërkon që të ketë nën kontroll të gjithë figurat e shtetit.
Qeveria është në detyrë, edhe pse kjo po kundërshtohet nga opozita.
